Letërsia Shqiptare

AH KY ESENINI !
E diel, 30-03-2008, 05:59pm (GMT)

Vasil  Premçi

Impresione nga Kujtim Stana

Dyzet vjet më parë , në bibliotekën e vogël të shkollës “ 31 Korriku”
në qytetin e Burrelit, më ra në dorë një libër i vjetër me vjersha i
poetit të madh rus Sergej Esenin.
E vogël biblioteka ku gjeta librin, por në sytë e mij,ajo dhomë e thjeshtë
me rafte përreth, ku si ushtarë të devotshëm sfilonin në mbretërinë e
letrave autorë të ndryshëm, mirrte përpara meje përmasa gjigante aq sa tempujt e
faraonëve  e piramidat e Egjyptit.
Asokohe , unë djalosh i ri, e lexova me një frymë librin e Eseninit, duke u
mrekulluar në çdo strofë e në çdo varg të tij. U përkunda nën muzikalitetin
e poezisë eseniniane sa gjatë leximit , më dukej vetja në një spektakël
koncertor, ku shtatë notat e pentagramit qenë mijëfishuar dhe nën efektet e
akordeve, arpezhëve , toneve e semitoneve, ngjisja shkallë të ndryshme
muzikore i mrekulluar.
Ai libër në dukje i vjetër, miklonte  me faqet e tij,poezitë e zjarrta të dja-
loshit Esenin,me zemër të gjërë sa toka e pamatë ruse, ku lindi e jetoi.
Jam përhumbur në pasurinë e shpirtit rus, në fuqitë shprehëse të tij e
koloritin e pafund të emocioneve që më mbërthyen deri në faqen e fundit
të librit. Atë çast më doli nga zemra një thirrje sa e bukur dhe vlerë-
suese, sa përkëdhelëse aq dhe qortuese, sa e ëmbël dhe e trishtë :
-Ah, ky Esenini !
Nuk ia mora hua Vasil Premçit këtë titull, në një farë mynyre ai ka jetuar
brenda nesh, tek unë, tek Basiri, tek Ilia, tek të gjithë ata miliona lexues në
gjithë botën që kanë shijuar veprën e Eseninit.
Ashtu siç pagëzojmë një fëmijë kur lind, ne shokët e miqtë më të afërt të
Vasilit, jemi mbledhur sa herë për të përzgjedhur emrin e librit që ai po
shkruante për Eseninin e poezinë e tij. Pas sa e sa propozimesh, librin e pa-
gëzoi natyrshëm, krijuesi i tij, Vasil Premçi,duke na dhënë një titull poetik e
shumë domethënës :-“Ah ky Esenini !”-
Pas kaq dekadash, Vasil Premçi,një miku im i çmuar i  fëmijërisë,na shpupurit
hirin e motive e na trazon prushin e kuq të shpirtit,që priste të rindizej me po ato xixa të
fuqishme shpërthyese , veçse kësaj rradhe, ky zjarr ushqehet dhe nga oksigjeni i
nostalgjisë gati  gjysmëshekullore e ndjesive të provuara nga ne më parë.

 

Këtë herë, Vasil Premçi, përjetimet e veta ia dhuron lexuesit shqiptar e më gjërë,
duke hequr dorë me bujari , nga zotërimet e tija shpirtërore e estetike.
Libri “Ah ky Esenini!”, i autorit Vasil Premçi, përcillet tek ne , me bukurinë e brishtë-
sinë e pafajshme të djaloshit Esenin, në kopertinë ,shoqërohet me parathënien
elegante të poetit Lirim Deda e vijon me grishjen e hijshme që i bën lexuesit autori
Vasil Premçi. Me këtë joshje tunduese ai e fut  lexuesin pa kushte, nën efektin 
mahnitës të kanconetave, arieve e simfonive të poezisë eseniniane, prej nga do
të dalë vetëm pasi të ketë lexuar dhe rreshtin e fundit, duke e mbyllur siparin e emocio-
neve e kënaqësive me psherëtimën : “Ah ky Esenini!”
Kështu ka ndodhur dhe mua, sado autor i disa vëllimeve poetike, ku s`mungojnë
as poezitë për Eseninin, deri në qelizat më të skajshme të qenies time, kam
përjetuar dhimbjen dhe dashurinë, magjiken dhe hyjnoren, bukurinë e përsosur
dhe freskinë rinore, heroiken dhe tragjiken e poezizë së Eseninit. Kjo,falë librit të
mrekullueshëm të autorit e mikut tonë, Vasil Premçi.
I ndarë në pesë pjesë,libri “Ah ky Esenini!” vjen si një rrëfim flladitës poetik që
buron nga puna e gjatë e mjeshtërore e autorit.
Është shkruar shumë në mbarë globin për Eseninin e poeznë e tij dhe do të
shkruhet edhe në të ardhmen, por çfar e bën të vlefshëm, tërheqës e të veçantë
librin e Vasil Premçit?
Sekreti është se ai ka ditur të çukisë kokrrat më të arta të grurit të artë eseninian,
në fushën e pamatë të poezisë.
Edhe një herë Vasili, si një krijues i pakundërshtueshëm në lëmin e tij, na
vërteton analogjikisht, ligjin universal të ruajtjes së masës e energjisë, se asgjë
nuk zhduket apo humbet, por transformohet nga një gjendje në një gjendje tjetër.
Duke lexuar librin e Vasil Premçit “Ah ky Esenini!” kështu ndodh edhe me ndiesitë
tona shpirtërore . Ato transformohen nga një gjendje në një tjetër deri sa arrijnë
pikën inkandeshente, për t`u vetëndezur si fosfori i bardhë.
Libri na afron impresione dhe vlerësime poliedrike si , histori letërsie,rryma të ndry-
shme letrare, analiza krahasuese, investigime, raporte e marrdhënie të Eseninit me
jetën e ndaj artit në veçanti, studime e përfundime. Të gjitha këto na serviren
këndshëm , me fakte, dokumente autentike, fotografi e dëshmi të ndryshme.
Vasi Premçi, si tokësor që është, nuk shquhet shumë për mbajtjen gjatë të fry-
mës nën ujë, por kjo s`do ta pengojë atë, të zhytet thellë me guxim pa paisjet e
polombarit, në detin e stuhishëm të poezisë eseniniane. Në këtë det, ai zgjedh
margaritarët më të ndritshëm, i shkon në filispanjën e koshiencës sonë e na i
tund si gjerdanë për t`ia shtuar e spikatur hieshinë e gushës, vashës poezi.
Ajo që e bën librin të mos e lëshosh nga dora e rrezja e shikimit të syve, pa e
lexuar tërësisht atë, është lënda e pavdekshme e përzgjedhur me aq sqimë


nga Vasil Premçi, e cila tingëllon kaq ëmbël e bukur dhe në ditët e sotme.
Shoqëria e poezisë eseniniane e ndjeshme në shumicën e faqeve të librit e bën
atë të mirëpritur e të dashur për këdo.
Këto janë arsyet pse libri i shkruar nga Vasil Premçi, merr vlera e përmasa të
tilla, saqë asnjë prej nesh s`i shpëton dot shprehjes që del nga shpirti:
-Ah ky Esenini !-

Kujtim  Stana
Poet



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.