| Letërsia Shqiptare | ||||
|
ALI D. JASIQI: POEZI MEDITIMESH TË THELLA E merkure, 16-04-2008, 08:07am (GMT) (Nijazi Ramadani:“Dheshkronjë Arbëri”,- Botoi “Jeta e Re”, Prishtinë) Ali D. Jasiqi Ndër librat e autorëve të rinj që u botuan kohët e fundit pa hamendje duhet dalluar përmbledhja e vjershave “Dheshkronjë Arbëri” e Nijazi Ramadanit, që u botua në edicionin e revistës letrar “Jeta e re”. Është kjo përmbledhje që me figuracionin e zgjedhur, me simbolet e shumta, por edhe me frymëzim poetik tërheq vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës, si vepër e suksesshme, që dëshmon për talentin e përkushtimin e këtij autori të ri. Nijazi Rmadani shkruan poezi të shkurtra ( asnjë nga 50 vjershat e përmbledhjes së tij nuk i arrin tridhjetë vargje), por të ngjeshura, që shprehin ide e mendime të thella, të thuktë e mjaft koncize, të frymëzuara nga realiteti historik apo bashkëkohor, e që i karakterizon një frymëzim i sinqertë e spontan. Vetë titulli i librit “Dheshkronjë Arbëri” në një farë mënyre sugjeron edhe preokupimin e autorit dhe temat që e frymëzojnë për poezi”..Janë këto poezi përplot truall dhe etni shqiptare, të krijuara me vargje të “detonuara”, me mllef, bunt e sfidë të një shpirti rebeles, pa vaj e kujë, pa apostrofa e eksklamacione e patetike, me jone të theksuara atdhedashurie, si në ato me konceptim të drejtpërdrejt, ato përkushtuese ( personaliteteve të shquara nga e kaluara e jonë e lavdishme, apo edhe aktualiteti e nga jeta intime( edhe në ato kushtuar vendlindjes, e cila këtu nuk na del si një peizazh i rëndomtë bukolik, idilik e pastoral, por si arkeptik i pastër burimor “rrënjësor” e “trungor” etnoetnik e etnopsikologjik kombëtar, jo rrallë me një ngjyrim të mirëfilltë meditativ-refleksiv”, me të drejtë e thotë, njëri nga recernsionistët e librit në shënimin shoqërues. Hiq vjershën e parë “Profil Njeriu”, titullin e së cilës e hap përmbledhjen, si dhe atë të botuar edhe në kopertinën e librit, Nijazi Ramadani krijimet e veta poetike i ka ndarë në tri cikle, nis nga tematika që trajtojnë apo edhe mënyra e thurjes së tyre, (“Hap udhë...”, “Shtegtime në histori” dhe “Maja e zezë”). Njeriut i duhet një masë dhe një kundërmasë- mendon Nijazi Ramadani, për tu shprehur qartë se për të urtin duhet të jesh i urtë, për të mirin i mirë dhe në të kundërtën. Kjo është filozofia dhe pikëpamjet e tij për jetën e njeriut, që i përshkojnë pothuajse të gjitha vjershat e përmbledhjes në shqyrtim. Njeriu ynë, ai kësaj toke të larë me gjak, është shtegtar udhëtimi, madje as i pari as i fundit, nga se prej se hyri frika në palcë të këtyre njerëzve u bënë pikë e pesë, u shpërndan botës. Ora e ligë e ka pushtuar dheun tonë në këto kohë të pakohë, në këtë amulli përplot batica dhe zbatica nëpër të cilat ka kaluar e po kalon banori i tokës së Arbërit. Këto janë vetëm disa nga motivet që u këndon Nijazi Ramadani në poezitë e tij, në vjershat e shkurtra e plot përmbajtje, me një simbolik të zgjedhur. Se vjershat e tij janë përplot simbolikë edhe atëherë kur shprehin një realitet dëshmon më së miri poezia e shkurtër “Gaca”, në shtatë vargjet e së cilës fshihet një e vërtetë e hidhur. Pa hyrë në analizën e mëtejme të saj, po e citojmë në tërësi: “Ruaju nga gaca/ kur është e mbuluar se të djeg/ po e nxorrre jashtë- e humb djegësinë/ nëse e mbulon me hi/ edhe vetë mund të digjesh”. Dy poezi të ciklit të parë të përmbledhjes së Ramadanit i kushtohen poezisë. Në të parën ai e identifikon veten me poezinë, me një ndryshim se vetë është viktimë, kurse poezia “krim”, kurse në të dytën shpreh mendimin se ashtu si pemëtari që kultivon pemën, blegtori bagëtinë, poeti bënë vargje dhe në këtë mënyrë bën jetë njeriu, për të përfunduar se të merresh me art bën jetë kopshtari, pra jetë të begatshme dhe të pasur. Ciklin e dytë të përmbledhjes Ramadani e titullo “Shtegtime në histori”. Janë këto vjersha kushtuar kuvendeve në Lezhë, Prizren e Vlorë. Mandej Kryezoti, pastaj për Pjetër Bogdani, A. Frashëri, e Y.Prizreni, Naim Frashëri,, Migjeni, Xhaxhait, por edhe Kosovës e kurbetçarit të nemur. Nijazi Ramadani nuk u thur himne këtyre fytyrave e as nuk këndon me vargje e fajlë bombastike e romantike. Poezia e tij ëhstë e rrafshët, e qetë, por e këndshme dhe përplot mendime. Kështu, derisa Pjetër Bogdanit i dha mish e asht dheut, A. Frashëri dhe Y. Prizreni, lapidari i të cilëve qëndroi krenar në Prizren, na i lanë amanet armët si themel i ardhmërisë. Naim Frashëri:” Ishte Dheshkronjë Arbëri/ në djepin e lashtë- prej familjes së madhe/ dritë dheu i dhashë”, poezia (“ Në petalet e luleve nektar”). Vjershat e këtij cikli frymëzohen edhe nga e sotmja, nga realiteti i hidhur i këtij shekulli për njerëzit e këtij nënqielli. Vendlindja e poetit, Kosova martire, ishte e vazhdon të jetë arenë e kacafytjesh ndërmjet vendasve shekullorë arbërorë dhe ardhacakëve, që e bëjnë errësirë tokën ku: “njeri i larë në gjak/ hi e shkrumb kudo/ po s’ shkrimë kurrë/ as nga toka as nga ajri.” (Në Kosovë”). Në Kosovë, dheun e së cilës do ta marrë për ta mbajtur në shpirt edhe mërgimtari, kurbetçari, të cilit as uji nuk i pihet si në burimet tona, por i lidhet në fyt e nuk përpihet, nga se është uji i dheut të huaj, në të cilin e kanë hedhur hallet e jetës apo zullumet e pushtuesit. “Maja e zezë” – mbanë titullin cikli i tretë dhe i fundit i përmbledhjes “ Dheshkronjë Arbëri”. Në këto poezi më është shumë se në të ciklet e parë gjejmë realizime që karakterizon shprehja refleksive e meditative. Vjersha më e gjatë e ciklit, po e krejt përmbledhjes është është ajo “Vdekja e babait”, njeriu me vdekjen e të cilit nuk shkuan të gjitha, por edhe pas vdekjes jetë njeriu la. I lindur në Luftën e parë që në të dytën të jetë nën armë, ai kishte disa vdekje, që ajo e vërteta ta gjejë në shtrat, gjë që nuk është pritur, ngase ishte luftëtar i paepur. Marrë në tërësi përmbledhja “Dheshkronjë Arbëri” është një libër i realizuar me sukses, përmbledhje vjershash të shkruara me një figuracion të pasur, që zbërthehet lehtë, gjë që e bënë të kapshme dhe tërheqës për lexuesit e shtresash të gjëra. Me këtë Nijazi Ramadani dëshmon se ka talent dhe prirje të lakmueshme, që premton në realizime të mira artistike në poezi. Të presim dhe shpresojmë se nga ai do të lexojmë vargje të mira në të ardhmen. (Gazeta "Shkëndija", Prishtinë) |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||