Letërsia Shqiptare

Yves Mabin Chennevière
E diel, 22-07-2007, 11:15pm (GMT)

Anatomia e shpirtit

Iv Maben (Yves Mabin Chennevière) është një poet dhe romancier i njohur i letërsisë bashkëkohore franceze dhe mik i vjetër i Shqipërisë, i cili i ka ndjekur zhvillimet shqiptare me një interes të veçantë që nga vitet 80-të e gjer më sot. Dy nga miqtë më të njohur të tij janë Jusuf Vrioni dhe Ismail Kadare, edhe pse lista e intelektualëve shqiptarë, miq të tij, është e gjatë. Të gjithë kanë spikatur tek ky njeri atë thjeshtësi dhe përzemërsi të jashtëzakonshme, i gatshëm për të ndihmuar ku të mundet. Por sidoqoftë intelektuali më mbresëlënës te ai ishte Jusuf Vrioni, me të cilin shpesh jepej në diskutime të gjata intime, filozofike e linguistike, pasi ai e vlerësonte sqimën e përkthyesit shqiptar dhe kulturën e tij. Më kujtohet se kur Jusuf Vrioni vdiq dhe ne e vumë trupin e tij në një nga sallonet e ambasadës, ai erdhi menjëherë dhe qëndroi i vetëm në një meditim të gjatë dhe lot në sy. Kur iku, një javë më pas më dërgoi një letër ku ndër të tjera më shkruante: " Jusuf Fisniku, Jusuf Shqiptari, Jusuf Francezi. Kur ne shëtisnim në Paris për herë të parë kur ti u lejove të rivije pas aq vjet ndalimi e mungese, ti më the se ishe "xhaxhai" im, por që dhe unë isha "xhaxhai" tënd. Në fakt, ti ishe vëllai im. Vëllai im më i madh në moshë, në mençuri, në eksperiencë të dhimbshme, por shpesh vëlla i vogël, kur ti më kërkoje ndonjë këshillë dhe kur unë të shihja aq të gjallë, si një i ri i përjetshëm. Ne ishim vëllezër Jusuf dhe vëllezërit dinë që në të gjallë ta njohin njëri tjetrin. Por dhe të vdekur dinë të pikëtakohen. Mirupafshim së shpejti Jusuf!..."
Iv Maben është nderuar me dy nga çmimet më të njohura të poezisë franceze: "Çmimi Max Jacob" në vitin 1996, për vëllimin e tij poetik "Meditim metek" ("Méditation métèque") dhe "Çmimin Paul Verlaine" për vëllimin poetik "Traktat i trallisjes" ("Traité du vertige").
Maben ka lindur në Bretagne të Francës në vitin 1942. Që nga viti 1969 ai filloi të botojë rregullisht poezi, ese e romane. Botoi vëllimet poetike "Mëshirimi fiktiv" ( "L'incarnation fictive"), 1992, "Solisti" ("Le Soliste") 1993, "Zhytje rebele" ("Immersion rebellqw e) 1999, " Shpikja e heshtjes " ("L'invention du silence "), 2000, " Kujtesa e një kohe të mundshme" ("Memoire d'un temps éventuel"), 2001, "Furia e engjëllit", ("La Fureur de l'ange"), 2002, "Traktati i trallisjes", 2003, etj. Gjithashtu ka botuar romanin "Trishtimi i Turakose" ("La Tristesse du Touraco"), 10998, Grasset, " Njeriu i dashur " ("L'homme tendre"), 1992, " Shpërfytyrimi ", 1995, etj.
Poezia e Maben është një poezi filozofike, fluide, meditative, me një gjuhë të përkryer dhe fjalë të zgjedhur, ku në qendër është gjithnjë shpirti njerëzor dhe ku gjymtyrët njerëzorë përbëjnë lëndë vargjesh, poezi, poema…Është njeriu në gjithë përbërjen e tij, prej kocke, mishi, gjaku dhe dridhme. Pra kemi të bëjmë me një poet të anatomisë së shpirtit, të deshifrimit shpirtëror, i cili kërkon të na shoqërojë në humbëtirat e një shpirti sa të paqtë aq dhe trallisës… Këto poezi që botohen sot janë marrë nga vëllimi poetik "Traktat anatomie", të botuar në Paris.

Luan Rama

Traktat anatomie

* * *
Sytë e mi mbyllen, kohën fshijnë,
si fëmijë më lejojnë të hyj në rrethin e padukshëm
ku i qetë pres të vdes,

hezitoj gjatë, qëndroj pa lëvizur,
shoh dorën që ngrihet dhe trupin tim që çohet,
afrohem, ulem, këmbët kryqëzoj,
zgjas veshin drejt gojës,
si të kisha frikë se mos nuk dëgjoja,

ditë dhe natë nuk them asgjë,
durimin nuk humb dhe pres
sa më shumë heshtja ime zgjat, aq më shumë sigurohem,
nuk kam frikë për gjykimin tim,
i qetë shtrihem përgjatë trupit tim,

fëmijë, veten time shoh të vdekur,
frikë nga vdekja nuk kam më;


* * *
Nënë,
nëna e ditës,
nëna e natës, nënë,
nëna ime,
aroma e trupit tënd,
buzëqeshja,
heshtja tënde,
lotët,
nuk janë më pluhur,
nuk janë më imazhe të zymta,
nuk janë më kujtime skeletike,

nënë,
nëna e të tjerëve,
nëna ime,
ku është shpirti i botës ku ti nuk je më?
ku është shpirti yt, ku fle trupi yt?
ku është shpirti yt ku trupi im qetohet?
nënë,
nëna e orëve,
nëna e boshllëkut,
nënë
ku je?


* * *
Kohë për të buzëqeshur,
kohë për të vdekur,


për të lënë dritën e ditës të shuhet,
për të mos kujtuar fytyrat e gjalla,
për të lënë diellin që të ngrihet pa dëshmitar,
për të harruar çastet ku kënaqet kujtesa,
që ngatërron emrat, fytyrat, sytë,

kohë për të buzëqeshur,
kohë për të vdekur,


për të humbur shijen e orëve që mezi shkojnë,
për të harruar saktësinë e teksteve themelore
burime të padukshme të ëndrrave mendimtare
ku arsyeja ushqen rizomat grykëse,
kohë për të vdekur,
kohë për të buzëqeshur ;


* * *
Çdo vdekje është e trishtë,
por vdekja jote më shumë,
vdekja që të fshin para meje,
që më shuan bashkë me ty,

që më merr bashkë me ty ,
që të largon përgjithnjë,
që më lë të vetëm,
vetëm fillikat me vdekjen tënde ;


* * *
Lot,
gjak i tejndritshëm,
emocion primar i trupit
mërgim i vullnetshëm i vetvetes,

lot në heshtje,
zë i boshllëkut,
lidhje mes trupash të padukshëm,
strehë ku fle arsyeja
e bërë e panevojshme,
ku prehet me sy të hapët
enigma e përjetshme,

lot,
lot i heshtjes,
kujtesa thërrmohet,
zhduket
në frikën e humbjes së saj;


* * *
Si një vështrim i shkujdesur,
si një puthje e mefshtë,
si një fjalë e prerë,
si një ide e gabuar,
si një imazh jetëshkurtër,
si një dëshirë momentale,
si një kujtim që shkon,
si një gjumë i lehtë,
si një udhëtim i shpejtë, si një lajm i shkurtër,
si një përqafim i zakonshëm,
si një këngë e ëmbël,
si një ankesë e pafjaltë,
si një bisedë e zymtë,
si një kalim pa fjalë,
si një citim i cunguar,
si një nisje që pritej,
si një çështje konfuze,
si një peizazh gri,
si një ditë e zakonshme,
si një natë pa hënë,
vdekja,
e amësht;



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.