Në Heidelberg të Gjermanisë, më 23 shkurt 2006, ndërroi jetë poetja Hilde Domin, pseudonim i Dr. Hilde Palm. Poetja u lind më 27.7.1909 në Koeln (Këln) si Hilde Loewenstein (Lëvenshtajn). Studion për drejtësi, filozofi dhe sociologji. Më 1932, për shkak të prejardhjes hebré dhe rritjes së vazhdueme të nazizmit në Gjermani, mërgon në Itali. Më 1936, në Firencë doktoron me nji tezë mbi teorinë e shtetit të Rilindjes “Pontanus si paraardhësi i Macchiavellit” dhe martohet me Erwin Walter Palm, historian arti. Më 1939 ik për në Angli, nji vit mâ vonë në Republikën Dominikane. Afro 12 vjet jeton atje në San Domingo. Më 1951 i vdes nana, Hilde Palm fillon me shkrue poezi. Në shenjë mirënjohjeje për azilin politik që i ishte akordue në San Domingo, i vesh vetes pseudonimin “Domin”. Jeton në Haiti dhe SHBA, më 1954 kthen në Gjermani meqë burri i saj merr nji profesurë në Heidelberg. Hilde Domin shkruen poezi, nji roman autobiografik, prozë, eseistikë. Më 1957 fillon me botue. Me poezinë e saj të destilueme ajo ishte ndër poetet mâ të shqueme të mbasluftës në Gjermani. Shpeshherë e tematizote fatin e ekzilit ku ajo strehohej në fjalën e gjuhës amtare, strehim ky që e quen “banimi në fjalë”.
Për veprën e saj âsht nderue me nji numër të madh çmimesh letrare. Mbas poeteve Else Lasker-Schüler (1869 - 1945), Nelly Sachs (1891 - 1970) dhe Rose Ausländer (1901 - 1988), me Hilde Domin vdiq e mbrapmja poete e madhe gjermane me origjine hebraike.
Poezitë që jepen këtu, janë përkthye nga vëllimi i parë poetik i Hilde Domin, “Nur eine Rose als Stuetze” (“Veç nji drandofil për mbështetje”), botue më 1959.
SHKRUE NË SHI
Kush kishte me kenë posi bleta
qi e ndien diellin
edhe nën qiej resh
dhe e gjen rrugën deri te lulja
e kurrë s’e humb drejtimin,
fushat kishte me i pasë me nur amshimi
dhe sado shkurt që kishte me rrnue
veç rrallëherë
kishte me qa.
ZOG GJËMË
Zogu pa kambë âsht gjëmë
e s’ka as rremb as dorë as çerdhe.
Zogu qi fluturon deri në mahisje
në ngushtësi
zogu qi tretet
në gjanësi
zogu qi mbytet
në det.
Zogu
qi âsht zog
qi âsht gur
e bërtet.
Zogu memec
qi s’e ndëgjon askush.
BLETËT E DIMNIT
Malet mes nesh
tepër shumë ajër
mes meje dhe askujt.
Jam vetëm
në bollëk ajri.
Lugina lulesh të zbehta,
Kashtat e kumtrit
prej krokusi e aguliçesh.
Zogjtë shtektojnë drejt veriut
kah çerdhet e vjetra.
Bletët ngordhin
mbi lulet e para,
bletët e dimnit.
Luginave të zbehta po zbres deri në fushë
ku katundarët e kanë mëni njeni-tjetrin,
dhe po fus letra në kuti
për njerëz nëpër qytete.
Nuk do mundja me udhëtue,
jo me zogjtë
kah çerdhet e vjetra.
Jo drejt jugut
dhe as drejt veriut.
Po të isha zog
s’kisha me fluturue ke askushi.
Po i këqyri lulet e zbehta,
gjethet e vjeshtës qi shkoi
dhe bletët e dimnit.
BARAZPESHË
Kalojmë
seicili për vete
në shtekun e ngushtë
mbi krenat e të vdekunve
- pathuej pa ankth -
në taktin e zemrës së vet
sikur të ishim të mbrojtun
përderisa
dashunia s’rresht.
Kështu kalojmë
ndër flutura dhe zogj
në barazpeshë të mahnitun
drejt nadjes së kunorëve të lisave
- të gjelbër, të artë e të kaltër -
e drejt agut
të syve të dashun
MESDITË ISHULLI
Na jemi të huej
ishull
me ishull.
Por në mesditë kur deti na ngritet
deri në shtrat
dhe e kaluemja na kullon
nëpër thembnat
si rava e ujit mbas kallumës
dhe bari i vdekun bregdeti
shndrrohet në lisa
s’na mban mâ rrjeta
e kujtimeve
dhe na shkasim
jashtë
e rrugët e caktueme deti
të peshkatarëve
dhe hartat e thellësive
nuk vlejnë
për ne.
VJESHTË
Derëbaba e zogjve po zhgjethnohet.
Vjeshta na tremb.
Disa nesh
ua pikturojnë fytyrën të vdekunve
kur largohen ata.
Sepse ia kemi frikën dimnit.
Nji plake qi qëndronte para nesh
na ruente nga era,
na ishte gjeth qershori
e nanë
vdekja e së cilës
na zhvesh lakuriq.
ME HIJEN TIME
Po eci me hijen time,
përcjellë vetëm nga hija,
vetëm me tê
nëpër lugina pa bar.
Unë gjithnji ma e zbehtë
ajo gjithnji mâ e gjatë.
Më çon ajo
unë udhëhiqem.
Mështeknat e zhveshuna buzë rrugës
gishtna të bardhemë e të lëmuem
cakun e dinë
mâ mirë se unë.
VOZITJE E PABESË
Ama andrra âsht barkë
për bregun e kotë.
Hyp mbrenda
anës urës vezulluese të së djeshmes.
Je i ftuem
me u vozitë mbi re të trandafilta
nën re të trandafilta
tamam posi re.
Ja, nji fllad
dhe ti je aq i lehtë
e barka âsht pa timon
po uji i dystë sa pasqyra.
Drejtimin e humb butësisht:
ndërsa ti je rrugës drejt luginës së ndritun
rana zu të kërcijë nën kallumë
nën hijen e kullotave.
DHURATAT E ERËS
Ajri - arkipelag
ujdhesash kundërmuese.
Shtëllunga lulesh blini e sanës diellore
t’ambla t’afërta
qëndrojnë e më presin
sikur të më mbështillnin shami,
prej kohësh
nga strehë e butë
endë nga e ama.
Unë jam posi në andërr
e memzi s’u zë besë
dhuratave të erës.
Më kapin
re butësie
dhe lumtunia ma ngul
dhambin e vet picrrak
mu në zemër.
- përktheu nga originali: Hans-Joachim Lanksch
© Copy right-i i përkthimit: Hans-Joachim Lanksch
Milosao