Nga G. Shqiptare
Rusja Sofia Kovalevskaja adhuronte matematikën në kohën kur një shkrimtar si August Strindberg, jo më pak cinik se të tjerët, e kishte pritur kështu mbërritjen e saj në Universitetin e Stokholmit: “Një grua si profesore e matematikës është një fenomen jo i këndshëm e mund të themi madje edhe një gjë e tmerrshme. Fakti se ajo ftohet në një vend të mbipopulluar nga meshkujt që në matematikë janë superiorë, e kjo mund të shpjegohet vetëm me xhentilesën suedezë ndaj femrave”. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në të cilin femrat gjithnjë e më shumë i afroheshin shkencës, meshkujt shkencëtarë ngulmonin se lidhja mes feminilitetit dhe trurit ishte kundër natyrës dhe do të sillte për pasojë shkatërrimin e grave, por edhe fundin e njerëzimit. Gjysmë shekulli para se të lindte Sofia, një tjetër grua e re, Sofi Germain, që për të kaluar kohën mësonte e vetme llogaritjen diferenciale, kishte fituar në Parisin napoleonik çmimin e madh të Institutit të Francës për Shkencat Matematike e Fizike, edhe pse ishte mbajtur jashtë komunitetit shkencor, vetëm sepse ishte grua. Ndërsa Sofia Kovalevskaja, gjeometrinë, madje gjeometrinë analitike, e kishte mësuar që e vogël duke shënuar të dhënat e Ostrogradiskijt për llogaritjet diferenciale dhe integrale në letrën e mureve, me të cilën ishte veshur dhoma e saj. Ashtu si shumë vajza të reja ruse që donin të shkonin të studionin jashtë, ajo pranoi një martesë me leverdi për të siguruar pasaportën dhe më pas shkoi në Europë! Pati vështirësi të mëdha për të marrë pjesë në leksionet që ishin ekskluzivisht për burrat, për të marrë lejen për në bibliotekë dhe më pas prezantoi teorinë e ekuacioneve diferenciale parciale që më pas i publikoi. Mori diplomën, edhe pse nuk u paraqit personalisht, por nuk punoi dot si doktore shkencash në matematikë, vetëm sepse ishte grua.
Martirja e parë që u bë simbol i gruas shkencëtare ishte Ipazia e Aleksandrisë, që lindi në vitin 370 pas Krishtit, matematiciene, astronaute, shpikëse e planisferës e hidroskopit, që u denigrua në mënyrë “shumë xhentile” nga murgjit kristianë, të zilepsur. Më pas, labirinti i pafund i përjashtimit vazhdoi me ato që u konsideruan si masakrat e historisë, ku shoqëria mashkullore vendosi t’ua besojë inkuizitorëve mbrojtjen ndaj lulëzimit të shkencës femërore: mjaftonte që të digjeshin në turrat e druve më të zgjuarat e inteligjentet. Jo më paqësisht u soll epoka e iluminimit, që i nxiti filozofët dhe revolucionarët të largonin gratë nga fushat e jetës e t’i mbyllnin ato në parajsën shtëpiake, në emër të superioritetit mashkullor. Por, gjatë gjithë historisë ka pasur gra që spikasnin, pikërisht në emër të të gjithë gjinisë femërore. Kështu, në vitin 1903, polakja Maria Sklodouska, më e njohur me emrin e të shoqit si Marie Kyri, fitoi Nobelin bashkë me të shoqin Pjer si dhe Henri Bekerel. Në vitin 1911 iu dha Nobeli i dytë për Kiminë, ndërsa vajza e saj, Irene Joliot-Kyri bashkë me të shoqin Frederik morën Nobelin për Kiminë në 1935-ën. Duke zbuluar radioaktivitetin që mendohej se luftonte kancerin, Mari kishte nxitur të ardhmen e zezë të bombës bërthamore. Nobeli u tha se do t’i jepej vetëm të shoqit, por me protestën e tij emri i saj u shënua gjithashtu. Ajo mbeti vejushë që herët dhe e gjithë shkenca e saj më pas u anashkalua duke përdorur një histori të sajën me një koleg, më të ri se ajo, i martuar e me fëmijë; shumë shpejt thashethemet e kthyen zonjën Nobel në një “hajdute burrash”. Femra e fundit “Nobel” ishte Kristianë Nusselein-Volhard, që mori çmimin për Mjekësinë dhe Fiziologjinë në vitin 1995, por më shumë se ajo ndoshta, janë të njohura shkencëtaret, të cilave Nobeli u shpëtoi nga duart, për të nderuar meshkujt më të shpejtë dhe më të besueshëm. Anthoni Heuish, drejtor i departamentit të Astrofizikës në Kembrixh, mori Nobelin në vitin 1974 për studimet që në fakt ishin deshifruar nga nxënësja e tij, Zhoslin Bell. Ndërkohë, shënimet e krislaografës së re, Rozalind Frenklin për strukturën e ADN-së u morën nga tre kolegë të saj të Kembrixhit, që më pas zbuluan strukturën e dyfishtë të ADN-së dhe morën në vitin 1962 çmimin Nobel. Lizë Meitner, ose Mari Kyrija gjermane, që ishte strehuar në Stokholm për t’u shpëtuar persekutimeve raciste, zbuloi shkrirjen bërthamore. Por, Nobelin e mori në vitin 1944 Otto Hahn, bashkëpunëtori i saj, i cili kishte mbetur në Gjermani.