|
|
|
Xhevair Spahiu: Rreziku
E marte, 01-03-2005, 01:08pm (GMT)
I shkruar në rrethana gjithnjë e më të pabesueshmet, libri “Rreziku” duket sikur ka një kod tejshkrimi, që vjen prej shpirtit të të parëve. Në këtë libër me poezi lexuesi mund të kërkojë dhe të gjejë fatin e popullit në fatin e një poeti.
Xhevair Spahiu, përjashtimisht poet
Libri i fundmë me poezi i Xhevahir Spahiut quhet “Rreziku”. Eshtë një libër i shkruar në situata jetike nga më të pangjashmet: në kafene, në udhëtim, në një rrugicë të errët pa krye, në makinën autoburg, në qeli, në festa, në fshatra që nuk u përmendet emri. “Rreziku” është një libër tronditës. Lexohet menjëherë dhe rilexohet si një libër që gati-gati të duket se të ra për herë të parë në dorë. Tronditëse është përmbajtja, tronditëse është dhe forma e poezisë. Pas një prehjeje që mund të të ofrojë shpirti i paqmë i poetit për aq kohë sa e ka lënë koha në paqe, befas vijnë një pas një poezi që të duken si telegrame. Telegramet vetvetiu kanë peshë ankthi. Telegramet e poetëve e kanë të shumëfishtë këtë peshë. Nga këto vjersha tronditja shtohet edhe më shumë kur nuk mundesh të thuash me bindje se nga vjen kumti i tyre: nga kjo botë apo nga një botë tjetër. Rënkojnë në fund të detit përmes zërit të dridhur të poetit ata që i përbiu Otrantoja. Shpërthen në mospërmbajtje plaku i urtë i Vlorës. Pamje të një bote të pashpresë. Kishim njohur poetin e pabindur, poetin që shkundte mospajtimin me fuqi migjeniane, poetin që e përjetonte me sfidë dhimbjen që i zinte syri. Me “Rrezikun” vjen poeti i tronditjes, poeti i zymtësisë, por, nuk është aspak për t’u habitur, diku-diku edhe poeti i kërcënimit. Kur vjen çasti që të kërcënohet poeti, ka mbërritur një prag i keq. “Rreziku” nuk ngjan si titull libri, por si term i një kohe, i “kohës së rrezikut”. Sa pranë qe rreziku? Tani shumëkush mund ta ketë harruar. Libri i Xhevahir Spahiut është i pari që e sjell këtë realitet të kthyer në letërsi. Deri tani e kemi parë të kthyer në para-letërsi. Ndoshta ky libër do të dëshmojë dikur më shumë se dhjetëra fjalime, deklarata, artikuj, kronika, që i kemi parë dhe kemi drojë t’i shohim e t’i njohim prapë jo më si realitet, por edhe si dëshmi të atij realiteti. Xhevahir Spahiu ka mbledhur në një grusht fjalë një tmerr kombëtar. I shkruar në rrethana gjithnjë e më të pabesueshmet, libri “Rreziku” duket sikur ka një kod tejshkrimi, që vjen prej shpirtit të të parëve. Ashtu si në ritet e qëmoçme etnozakonore ka shumë fjalë e shprehje që njeriu nuk ua di fort mirë kuptimin, ashtu dhe në këto poezi ka pak fshehtësi, që vjen, siç mendoj unë, jo nga çlirimi i ndërgjegjes, se këtë ai e ka bërë më parë, por nga çlirimi i nënndërgjegjes. Nga kjo e fundit mund të shpërthejnë instinkte barbare, por mund të çelen edhe dritare të reja të botës së njeriut, që, me pjekurinë e vet, edhe pjesën e ardhur nga barbaria, e bën sublime. Xhevahir Spahiu ka arritur që me librin “Rreziku” ta bëjë këtë. Kalime të tilla ndodhin shumë rrallë. “Fati im është në fatin e popullit tim”, ka pasë shkruar shumë shekuj më parë një prej poetëve klasikë shqiptarë. Në librin “Rreziku” lexuesi mund të kërkojë dhe të gjejë fatin e popullit në fatin e një poeti. Me librin “Rreziku”, me sa duket, do të kenë punë jo vetëm studiuesit e letërsisë dhe dashamirësit e saj. “Rreziku” është një pasqyrë ku gjenden të shenjuara kumtet e komplekseve dhe psikozave kolektive të bashkësisë. Shpërthimi i këtyre psikozave ndodh vetëm në rrethana historike të përveçme. Poeti i shtangur prej këtyre psikozave, është çmeritur, s’ka pasë kohë të përllogarisë faktorë, shkaqe, pasoja; i ka thënë zemrës “Zemër!”, ka shenjuar diku “mospastëpjesi”-n, ka gjetur diku tjetër “sybajonetën”, veten e ka parë si një qenie së cilës në zgavrat e syve i kanë mbetur vetëm gropat e errëta, si gëzhojat pasi janë zbrazur prej plumbave. Vallë çfarë pa poeti që e ndieu veten si personazhet mitologjikë në antikitetin e largët? Të jenë kthyer në botën shqiptare të fundit të shekullit të 20-të të pangjara të tilla që njeriut t’i dalin sytë vendit nga ajo çka pa? Përndryshe, si do të quhej ky libër “Rreziku”? Xhevahir Spahiu nuk e tradhtoi poezinë kurrë. Sa herë ndërroi moti e koha, sa gjëra u përmbysën dhe u ringritën, sa pena pushuan së shkruari për gjithfarë motivesh. Shumë pushuan sepse nuk kishin talent për të konkurruar në kushtet e shoqërisë së lirë. Xhevahir Spahiu nuk e përjetoi këtë tmerr. I sigurt në fjalën e tij të kursyer, gjithnjë të kursyer, ai mbetet ndoshta i vetmi poet shqiptar përjashtimisht poet, nën urdhrin e poezisë. Përjashtimisht poet, themelues i një rendi krijuesish që nuk e shkojnë në mendje të bëjnë edhe diçka tjetër, sepse tek poezia, edhe në kohën e tmerrit, prapë brenda poezisë gjendet me shëndet të mire, dhe vetë poezia prandaj del e arrirë. Përashtimisht poet! Sot ka shumë të tillë që janë të zotë për pak nga gjithçka: prej fitimit deri tek fjala e armatosur për dhunë ndaj tjetrit. Xhevahir Spahiu ndihet si një Odise i vënë në kryqin e direkut të anijes, që ka luksin dhe vuajtjen të dëgjojë joshjen dhe trembjen e sirenave: të poezisë.
Shaban Sinani
|
|
|
|