Titulli: Njeriu sociologjik
Autori: Ralf Dahrendorf
Botues: Plejad
Cmimi: 600 lekë
"Orvatja që keni në dorë ishte fillimisht pjesë e një shkrimi përkujtimor i pamenduar për t'u botuar, shkruar më 24 shkurt 1958 me rastin e 65-vjetorit të ditëlindjes së mësuesit tim të nderuar, profesorit të filozofisë Gëtingen Jozef Kënig. Punimi u shfaq pastaj në numrat 2 dhe 3 me rastin e 10-vjetorit të revistës së Këlnit për sociologjinë dhe psikologjinë sociale", kështu shkruan Ralf Dahrendorf për librin "Njeriu sociologjik". Tema dhe synimi i përsiatjeve mbi trajtën e homo sociologusit janë: kërkimi i një kategorie elementare për analizën e pavarur sociologjike të problemeve të veprimit social. Nëse "faktet sociale" të Durkheimit janë më shumë se një fiksion, atëherë duhet të jetë e mundshme që këto të përshkruhen me të gjithë skrupolizitetin e metodikës së përvojës shkencore dhe të shpjegohen në kuadrin e lidhjeve të caktuara të ndërsjellta të problemeve. Për një përshkrim dhe shpjegim të tillë, sipas tezës së esesë së mëposhtme, vend qendror zë kategoria e rolit social. Kjo kategori është përpunuar kohët e fundit, veçanërisht në etnologjinë angleze dhe në sociologjinë amerikane. Kush është "homo sociologicus-i? "Në pikëprerjen (pikëtakimin) e individit me shoqërinë gjendet homo sociologusi, njeriu si bartës i roleve të paraformuara në mënyrë sociale". Pra, brenda këtij konstrukti e kupton ai njeriun si një qenie shoqërore, që merr përsipër role të përcaktuara. Ai e krahason këtu njeriun me aktorin që luan role, por në kontrast me të "homo sociologus-i", nuk mund t'i flakë kaq lehtë rolet e tij. "Individi dhe shoqëria janë të përcjellë, kur individi shfaqet si bartës i cilësive dhe i mënyrave të sjelljeve të paraformuara në shoqëri", e më tej shkruan "që njeriu është një qenie shoqërore, kjo është më shumë se një metaforë, rolet e tij janë më shumë se maska të heqshme, sjellja e tij sociale është më shumë se një komedi apo tragjedi, prej të cilave edhe aktori i teatrit del në realitetin 'e vërtetë'". Dahrendofi Ralf Dahrendofi u lind më 1 maj 1929, në Hamburg, si djali i një deputeti socialdemokrat. Në vitet 1947-1952 studioi filozofi, filologji klasike në Hamburg dhe sociologji në Londër dhe mori titullin doktor në vitin 1952, me punimin "Koncepti i të drejtës në mendimin e Karl Marksit". Në vijim të shqyrtimit kritik të teorisë së Marksit zhvilloi një teori moderne të konflikteve sociale dhe të pabarazive sociale në studimin "Klasat sociale dhe konflikti klasor në shoqërinë industriale", me të cilin habilitoi në 1957 në Saarbrucken, e që nga viti 1958 dha leksione të sociologjisë në Hamburg, Tubingen dhe Konstanz. Në vitet 1968-1969 ishte kryetar i shoqatës gjermane të sociologjisë. Në vitet 1974-1984 ishte drejtor i "London School of Economis". Në vitet 1991-1997 ishte prorektor i Universitetit të Oksfordit. Fusha të tjera rëndësishme të veprimtarisë janë: arsimi, politika, tregu i punës, demokracia, globalizmi, shndërrimi social etj. Eshtë aktualisht jo vetëm një shkencëtar me famë botërore në shkencat sociale, por edhe një politikan i shquar. Që nga viti 1993 mban titullin Lord dhe është anëtar i dhomës së lartë të parlamentit britanik.