Titulli: Unë dhe shpirtbukura
Autori: Miradie Maliqi
Botues: Arbëria
Cmimi: 500 lekë
"Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj. Ata janë bijtë dhe bijat e etjes që jeta ka për vetveten. Ata vijnë nëpërmjet jush, por jo prej jush. Edhe pse janë me ju, ata nuk ju përkasin juve. Ju mund t'u jepni atyre dashurinë, por jo mendimet tuaja. ...Sepse jeta nuk ecën mbrapa". Kahlil Gibran Jo rrallë ndodh që prindërit të jenë në mëdyshje në lidhje me sjelljen ndaj fëmijëve të tyre, duke u ndier në udhëkryqe psikike, në krizë komunikimi, në rrethana të ndryshme. Pra, nuk dinë se si të sillen e të veprojnë në situata të caktuara, që mund t'iu krijojë përditshmëria në raport me pasardhësit e gjakut dhe të shpirtit të tyre, duke u vetëpozicionuar në mënyrë të gabuar, në raporte jo të drejta psikoshpirtërore dhe veprime të ndërsjellëta të pamotivuara. Në këtë kohë, aq e ndryshme nga ajo e fëmijërisë sonë, raportet etër-bij janë më tepër se të komplikuara. Jo rrallë, prindërit, edhe kur duhet të marrin vendime për të mirën e fëmijëve të tyre, nuk mund të shpëtojnë nga paragjykimet që i bëjnë vetes, nëse ishte vërtet gjëja e duhur ajo që ata menduan dhe bënë dhe, nëse veprimi i tyre ishte mënyra më e mirë e mundshme për ta, etj. Disa herë, na ndodh që të ndihemi të paaftë, të rrëzuar përtokë dhe, nuk dimë se si t'i administrojmë vështirësitë e ndryshme që na krijohen në raport me fëmijët tanë. Madje, nuk arrijmë të gjejmë as shkaqet e jashtme e jo më ato më të thellat, që na çuan në një krizë të këtij lloji, duke na zhytur në një kaos të përgjithshëm, prej nga, midis vetëdijes dhe pavetëdijes sonë, buron një frikë e çuditshme... Frika vjen natyrshëm, sepse ne duam dhe dëshirojmë që t'i drejtojmë fëmijët drejt në rrugën që kemi filluar me ta, duke vënë në çdo kthesë të jetës së tyre piketa me mbishkrimin e lashtë "Ndal". Por a nuk do të ishte më mirë dhe më e drejtë që në rrugëtimin e jetës të ecim së bashku, të mësojmë së bashku dhe të edukohemi nga njëri-tjetri?