Sigmund Freud: Konsiderata aktuale mbi luftën dhe vdekjen
E shtune, 18-02-2006, 01:48pm (GMT)
Titulli: Konsiderata aktuale mbi luftën dhe vdekjen Autori: Sigmund Freud Botues: Uegen Cmimi: 250 lekë
Një libër psikologjik që shtron pikëpyetje dhe shpjegime të brendshme për çështje themelore të njerëzimiti si lufta dhe vdekja i vjen lexuesit me firmën e të njohurit Sigmund Freud. Individi, në rast se ai vetë nuk është një luftëtar dhe si pasojë nuk është shndërruar edhe ai në një ingranazh të kësaj makine të stërmadhe lufte, ka humbur çdo orientim dhe ndjehet i paaftë të veprojë. Prandaj, mendoj se ai e pret me kënaqësi çdo udhëzim sado të vogël që arrin ta bëjë të ndjehet i qetë, të paktën në jetën e tij të brendshme. "Ndër faktorët që kanë shkaktuar këtë gjendje varfërie absolute shpirtërore në të cilën përpëlitet ai që ka qëndruar në shtëpi, e që rezultojnë aq të vështirë për t'u përballuar, dy janë ata, të cilët do të doja t'i nxirrja në pah e t'u kushtoja vëmendje: zhgënjimi i shkaktuar nga kjo luftë dhe qëndrimi i natyrshëm kundrejt vdekjes, në të cilin kjo e fundit, si çdo luftë tjetër na ka shtyrë në mënyrë të nevojshme. Kur flas për zhgënjim kushdo e kupton menjëherë se ç'dua të them. Nuk dua që të bëhemi pre e fanatizmit të mëshirës: mund të njihet nevoja biologjike dhe psikologjike e dhimbjes për ekonominë e jetës njerëzore dhe, megjithatë mund të mos hiqet dorë nga dënimi i luftës, në qëllimet dhe mjetet e saj, dhe njëkohësisht të aspirohet në ndërprerjen e luftërave", analizon Freud-i në veprën e tij. Është thënë shpesh që luftërat nuk do të ndërpriten, derisa popujt do të vazhdojnë të jetojnë në kushte jetese kaq të ndryshme, derisa vlerësimi i tyre për jetën individuale do të rezultojë kaq divergjent dhe derisa urrejtjet që i ndajnë do të mishërojnë forca psikike kaq të fuqishme...
|