| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Koha e madhe, sipas Carmine Abates E hene, 13-03-2006, 02:18pm (GMT) Romani i fundit i shkrimtarit italo-arbëresh nis turin pranë lexuesit Koha e madhe, sipas Carmine Abates Një verë e ngrohtë, e shkëlqyer e mijëvjeçarit të ri: në sheshin me diell të Horës, në Kalabri, e krijuar shekuj më parë nga emigrantë shqiptarë dhe ku deri më sot vazhdon e flitet gjuha e tyre arbëreshe, ndalet një autobus prej nga del një vajzë e mrekullueshme bjonde me një fëmijë në krahë. Aty ndodhet Mikele, një riosh student që po kalon verën e fundit në vendlindje, para se të migrojë për punë drejt Veriut. Është ai që do të zbulojë sekretin e Laura Damisit, bjondes së panjohur, dhe fëmijës që mban me vete. Gjatë kësaj vere të gjatë mesdhetare, si brenda hapësirës përmbyllëse të një kornize, Carmine Abate mbledh mijëra endje të larmishme në romanin e tij të fundit “Mozaiku i kohës së madhe” (Il mosaico del tempo grande) botuar nga shtëpia e njohur italiane “Mondadori”. Një vend të bastitur nga ushtria otomane në fund të viteve ‘400, refugjatët që lënë bregun ballkanik për të gjetur shpëtim e liri, udhëtimi i pafund i një babai me gruan e tij shtatzënë; dhe më pas Shqipëria e Enver Hoxhës, arratisja për dashurinë e një balerine të bukur nga Tirana; dhe sërish një gomone e mbushur me të dëshpëruar që mbyten për shkak të skafistit, aromat e forta të Kalabrisë, misteri i një thesari të fshehtë, i një kame të artë; dhe urrejtja, pasioni i përcjellë në breza deri në momentin e mbledhjes së përrallave. Përfundimi është një “mozaik” emocionues i ndërtuar si ai i Gojarit, me endjet e shkëlqyeshme e të ndezura e me një gjuhë që mbështetet në muzikalitetin dhe ngjyrën e arbërishtes dhe dialektit kalabrez, në model të veçantë të përzierjes së gjuhëve, por duke mos hequr dorë nga thjeshtësia e të rrëfyerit. Vepra e Abates është nga ato ku formimi individual kryqëzohet me historinë kolektive, duke na dhënë njëherësh edhe një roman historik. Një histori dashurie që ka si nënshtrat “kohën e madhe” të popujve e të brezave. Shkrimtari italo-shqiptar është duke kryer turin e takimeve nëpër Itali me lexuesit për këtë roman të fundit. Carmine Abate u lind në 1954 në Karfici, një zonë arbëreshe në Kalabri. I ri emigroi në Hamburg dhe në qytete të ndryshme të Italisë së Veriut dhe Gjermanisë. Aktualisht jeton në Trentino, ku jep mësim. Disa nga romanet e tij më të njohur janë “La moto di Scanderbeg” 1999, “Midis dy brigjeve” i botuar nga Mondadori. Shekulli
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||