Letërsia Shqiptare

Libra
E premte, 06-07-2007, 06:17pm (GMT)

Një çast me yje, një pjesë e kaltër e qiellit, një lumë i thellë, enigmë dhe premtim, murtajë dhe krenari, paragjykim dhe fshehtësi, hije dhe vdekje, (ri)ngjallje dhe lojë, bota e fundit, çmimi i lirisë, kujtesa e shiut, konsulli me honorar, turpi, gëzimi, zogj dhe mëkat. Çfarë shkëlqen në këtë gurrë fjalësh? Mbi të gjitha pasuria e gjuhës, kulmi i saj shprehës, rrezatimi përtej kohës dhe hapësirës, të cilin e kultivojnë shkrimtarët e famshëm të botës, ata që na e shpalosin një botë tjetër larg shkretëtirës mendore - një kundërbotë në dyluftim me konsumin, pornografinë dhe patriotizmin qesharak.
Të fillojmë, pa humbur kohë, me disa libra, në një udhëtim pa hartë në dorë.

Max Frisch, "Homo Faber", roman: Një rrëfim për njeriun modern, për një inxhinier zviceran, i cili është pedant deri në çmendi, i cili jetën e shpjegon vetëm me racionalizëm, me shkencë. Dhe dështon që në fillim, kur avioni me të cilin fluturon drejt Amerikës Latine, rrëzohet në shkretëtirën meksikane. Kjo ngjarje e detyron të ballafaqohet me jetën e tij. Para Luftës së Dytë ai ka pasur një lidhje dashurie me një femër hebreje, me Hanën. Faber i kthen shpinën i bindur se Hana shtatzënë do të abortojë. Vite më vonë, në anije nga Nju Jorku drejt Evropës, Faber dashurohet me vajzën e tij. Rrëfimi arrin kulmin e tragjedisë familjare, kur bashkë me vajzën mbërrin në Athinë, ku tani punon Hana - si arkiviste. E tronditur, me gjuhë të lidhur ajo i tregon Faberit: Vajza me emrin Sabet është "vajza jote".

Friedrich Dürrenmatt, "Gjyqtari dhe kasapi i tij", roman kriminalistik: "Unë shkruaj duke e ditur absurditetin e kësaj bote", ka thënë me një rast Dürrenmatt, njëri ndër autorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Ky është një roman mbi vrasjen e një polici, po dhe një kritikë e ashpër për anët egoiste të establishmentit kapitalist të Zvicrës, në këtë kuptim - një antiroman kriminalistik. Ky roman është përkthyer në shqip më në fund.

Bernhard Schlink, "Lexuesi", roman: Duke udhëtuar me tramvaj nxënësi Michael Berg, 14-vjeçar, nuk ndihet mirë. I vjen në ndihmë konduktorja Hanna Schmitz dhe mes tyre zë fill një lidhje pasionante, ndonëse Hanna është dyfish më e moshuar se Michaeli. Një ditë Hanna humb pa gjurmë. Pas shumë vitesh Michael Berg kur i futet kërkimeve për tëshkruar temën e diplomës, mes shumë grave naziste të akuzuara për krime, zbulon emrin e Hanna Schmitzin. Romani i përkthyer në dhjetëra gjuhë, trajton çështje të ndërlikuara të moralit dhe ballafaqimin me të kaluarën naziste të shoqërisë gjermane.

Daniel Kehlmann, "Matja e botës", roman: Viteve të fundit romani më i suksesshëm në hapësirën gjermane, dhe ka qëndruar gjatë në krye të listës së bestsellerëve. Në qendër janë dy shkencëtarë të mëdhenj gjermanë: matematicienti Carl Gauss (1777-1855) dhe gjeografi Alexander von Humboldt (1769-1859). Është periudha e zbulimit të botës: Gauss-it nuk i intereson bota jashtë dhe përqendrohet në formula matematike dhe në fusha magnetike; Humboldt udhëton nëpër botë në kërkim të bimëve dhe popujve. Kehlmann i ka skicuar dy portretet me pasion të madh dhe humor të hollë.

Camilo José Cela, "Zgjoi i bletëve", roman: Ky autor spanjoll ka shkruar një roman mbi jetën e qytetarëve të Madridit, mbi vështirësitë në një qytet të madh. Me rreth 300 figura, të cilat kryesisht i përkasin shtresës së mesme, vepra nuk ka syzhet as personazh kryesor. Janë njerëz të thjeshtë, të cilët lëngojnë nga tuberkulozi, jetojnë me borxhe dhe detyrohen të prostituojnë. Bisedat e tyre sillen rreth komandove të ekzekutimit, burgjeve, ideologjisë së tokës dhe gjakut, katolicizmit në një vend ku denoncimi i ndërsjellë dhe mosbesimi janë si buka dhe kripa, rakia dhe dashuria.

J.M. Coetzee, "Turpi", roman: Me fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut rrëzohen pothuaj të gjitha strukturat. Pakica e bardhë, e cila kishte shtypur brutalisht zezakët, nuk mund të pranojë që të nënshtruarit e djeshëm të drejtojnë vendin. Në këtë mes profesori David Lurie nga një Universitet fiktiv, ka më shumë problem hapjen e Afrikës së Jugut ndaj fenomeneve të globalizimit. Pas një dashuriçke me një studente, Lurie nuk ka guxim të kërkojë falje, por braktis vendin e punës dhe gjendet para një të ardhme të paqartë. Një ditë gjen strehim te vajza e tij Lucy. Pas dhunimit të vajzës nga tre zezakë, Lurie përfundon në një stacion veterinarie, ku përkujdeset për qentë pa zot. Edhe ky roman është përkthyer në shqip, menjëherë pasi autori fitoi Nobelin.

Enver Robelli


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.