Një guidë për postmodernen
Titulli: Postmodernizmi
Autorë: Richard Appignauesi, Chris Garratt, Ziaiddia Sardar, Patrick Carry
Përktheu: Hysamedin Ferraj
Botues: Zenit Editions
Çmimi: 600 lekë
Libri i sapohedhur në treg nga botimet ZENIT EDITIONS, “Postomodernizmi” përkthyer në gjuhën shqipe vjen jo nga një autor i vetëm, që do të ishte më pak rezistent ndaj polemikave që ngjall vetë koncepti “postmodern” sot, por nga një grup autorësh si Richard Appignanesi, Chris Garrat, Ziauddin Sardar e Patrick Curry. Të katër këta autorë kanë përmbushur me librin misionin e tyre që postmodernizmi të kuptohet nga të gjithë njerëzit, pavarësisht fushave ku është shtrirë aktiviteti i tyre, të mos ngelet i kufizuar vetëm në rrethinat e artit e kulturës. Është normale që ky libër ta ketë filluar studimin me artin, si një mundësi më tepër për të gjurmuar gjenealogjinë e artit postmodern, por përgjatë librit teoria zgjerohet jo me fjalë, por në fokuse ndriçimi logjik të menjëhershëm që vjen i përgatitur me rebuse motivuese didaktike, dizajnuar bukur, hartuar në mënyrë të atillë që konceptet bazë t’i marrë mendja sa e një 14-vjeçari deri tek ajo e një 90-vjeçari.
Pikërisht, mënyra si është paraqitur koncepti në librin e sapohedhur në treg të titulluar “Postmodernizmi” e ka dhënë menjëherë efektin e vet, duke shënuar një shitje të menjëhershme, ku janë afruar blerës nga shkollat e mesme, nga universitetet e sidomos nga shkollat e arteve. Një nga arsyet e botuesit Krenar Zejno, me të cilën motivon edhe sjelljen në gjuhën shqipe të “Postmodernizmit” prej përkthyesit kosovar Hysamedin Ferraj, është se kultura perëndimore sot nuk njeh më një traditë të vetme, por ajo ndërlidhet me të gjitha etnitetet kulturore në dy dimensionet e skajshme kohore. “Historia është skalitur në periudha konceptuale: Mesjeta, Renesansa, Baroku, Romantika e kështu me radhë. Këto periudha antagoniste janë takëmet e traditës kulturore evropiane, njëlloj 'tabele periodike' e traditës. Tradita në Perëndim është ndërtuar dhe në të vërtetë energjetizuar me atë që është në luftë me të”, theksojnë autorët e librit. Ndërkohë libri “Postmodernizmi” do të shkojë shumë më përtej asaj veçanësie të kulturës perëndimore që është anësia historike e fortë e saj, besimi se historia përcakton mënyrën si janë gjërat dhe si duhet të jenë. Konceptimi i postmodernizmit në këtë libër bëhet duke iu shmangur “gjuhësisë” formale, ai rrjedh, përshtatet e lexohet me ëndje sipas konceptit të ngritur nga katër autorët Appignanesi, Garrat, Sardar e Curry, duke gjurmuar vragën e rrënjët gjenealogjike të postmodernizmit në art, filozofi e histori. Na tërheq në një kalërim marramendës shtigjeve të strukturalizmit, semiotikës dhe të ashtuquajturit dekonstruksion, tek na e prijnë udhën vetë ikonat e postmodernizmit si Foucault, Levi Strauss, Barthes, Derrida, Lacan e Lyotard. Ndërsa sipas botuesit Zejno është i veçantë ky libër sepse ende edhe në Perëndim, postmodernizmi përbën një koncept të ngatërruar, koncept që përbën një nga nyjet kryq të këtyre polemikave. Botuesi Zejno synimin për ta hedhur në treg sa më parë këtë libër e motivon me faktin që “libri do të zërë një vend në boshtin e modernizmit në Shqipëri, ku ende nuk është gjetur definicion i plotë, pasi nga momenti që themi post-modum (një dekik më përtej tanimës) ne kemi kapërcyer në kohë, sipas relativitetit të Anjshtanit dhe Hejzenbergut. Pikërisht kjo ka bërë që ta lodhte dhe Umberto Eko-n dhe më së fundi të thotë që 'Postmodernizmi më tepër është një mënyrë komportimi, një mënyrë sjelljeje'. Ndoshta tharmi i postmodernizmit si teori qëndron më mirë në frazën bizare të Xhojsit: 'Çdo e premte i bën varrin të enjtes që ka përpara' apo 'e ardhmja na e hedh hijen si dritë paralajmërimi për të tashmen'”, argumenton Zejno.
Si trajtohet koncepti i fjalës postomdernizëm…
Ç’ kuptoni me postmodern? Hutimi reklamohet nga “mbas” vënë para “modern”. Postmodernizmi e identifikon veten me diçka që nuk është. Nuk është më modern. Por në çfarë kuptimi saktësisht është post...
Si rezultat i modernizmit?
Vijimi mbas modernizmit?
Lindja mbas modernizmit?
Mohimi i modernizmit?
Hedhja poshtë e modernizmit?
Postmodern ka qenë përdorur si një përzierje dhe njëkohësisht përputhje e disa ose krejt këtyre kuptimeve. Postmodernizmi është një konfuzion i kuptimeve që vjen nga dy enigma:
Ai i bën qëndresë dhe errëson kuptimin e modernes
Ai nënkupton një dije tërësore të modernes e cila ka qenë tejkaluar nga një epokë e re
Modernia është postmoderne
Modernia është historikisht gjithnjë në luftë me çka vjen menjëherë para saj. Në të njëjtin kuptim modernia është gjithnjë pas-diçkaje.
“Mbahu! Ne deri tani vetëm kemi dëgjuar rreth modernizmit – a nuk supozohet se po flasim për post modernizmin”?
“Duke u përpjekë të kapim një tipar të veçantë të modernizmit ne jemi duke folë rreth progresit të saj, e cila duket pafundësisht bashkëkohore!”.
Modernia përfundon në luftë me veten dhe duhet të bëhet pashmangshëm post-moderne.
Kjo logjikë e ngatërruar e të bërit postmodern është sinjalizuar nga origjina latine e modernes, modo, “pikërisht tani”. Prandaj fjalë për fjalë postmoderne do me thënë “mbas pikërisht tani”.
Çuditërisht, një definim i dobishëm i artit postmodern vjen nga kjo dilemë e “pikërisht tani” që mohon “pikërisht tani” paraprijës. Sipas filozofit francez Jean-François Lyotard...
‘Atëherë, çfarë është postmodernia?... Ajo padyshim është pjesë e modernes. Gjithçka që ka qenë pranuar, qoftë vetëm dje... duhet të dyshohet. Çfarë hapësire sfidon Sézanne? Impresionisten. Çfarë objekti sulmojnë Picasso dhe Braque? Te Sézanne. Me çfarë supozimesh ndahet Duchamp më 1912? Me ato që thonë se duhet bërë pikturim, le të jetë kubist. Dhe çështjet e (Daniel) Buren se supozime të tjera të cilat ai beson kanë mbijetuar të paprekura në veprën e Duchamp: vendi i paraqitjes së veprës. Në një përshpejtim zbavitës brezat hedhin poshtë veten. Një vepër mund të bëhet moderne vetëm nëse është më parë postmoderne. I kuptuar kështu postmodernizmi nuk është modernizmi në fundin e tij, por në gjendjen pasardhëse, dhe kjo gjendje është e pandryshueshme’.
Kushti Postmodern (1979)
“Phiiii! Ma thuaj edhe një herë këtë Jean-François!”.
“Kështu – kjo është gjenealogjia e artit postmodern? Kjo është se si përfunduam në dhomën bosh të galerisë të Buren?”.
“Ai është një refuzim madje edhe për ta paraqitur një punim…”.
“A është ky arti postmodern? – vetëm nihilizëm?”.
Mirë, në fakt kjo s’mund të jetë. Të vazhdojmë të gjurmojmë gjenealogjinë që të shohim se si, ose nëse, ose në çfarë pikë-kthese arrijmë tek arti postmodern.
Të ushqehemi sipas vlerave
Titulli: Tabela e vlerave ushqyese
Autori: Prof.Dr. Martmut Froleke
Shtëpia botuese: Alb-Med
Çmimi: 595 lekë
"Pas tre vjet e gjysmë nga botimi i 42-të i librit "Tabela e vlerave ushqyese", libri u ripunua sërish dhe doli nga shtypi si botimi i 43-të, i cili ka pësuar më pak ndryshime krahasuar me botimet e mëhershme", kështu shkruan në parathënin e botimit të 43-të të këtij libri në Gjermani, autori Froleke, libër i cili për herë të parë vjen edhe në shqip. Gjithmonë duke pasur si bosht referues botimin paraardhës, autori vëren se numri i tërësishëm i të dhënave pothuajse ka mbetur i pandryshuar. "Janë shtuar dhe shtjelluar disa të dhëna të reja, sidomos ato për ushqimet e gatshme, të cilat janë marrë nga të dhënat e deklaruara nga vetë prodhuesit. Mirëpo, me këtë nuk nënkuptohet reklamimi i prodhimeve të përmendura. Po ashtu, janë bërë përmirësime të vogla në disa pjesë të librit. Në pjesën e dytë, shtesë e re është pasqyra e sasisë së acideve yndyrore-omega-3".
Ky libër tabelor vazhdimisht është zgjeruar dhe përshtatur me zhvillimet më të reja nga fusha e të ushqyerit.
Në pjesën e dytë të këtij botimi gjenden pasqyra të posaçme lidhur me sasinë e substancave "kritike" ushqyese, d.m.th., atyre substancave ushqyese, sasia e nevojshme e të cilave nuk është e njëjtë për të gjitha grupmoshat (jodi, vitamina K, acidi folik). Përveç kësaj, vlerat e botuara të deritashme për përmbajtjen purine të gjërave ushqimore, janë aktualizuar dhe transformuar në vlera të acidit urik. Pjesa e tretë përmban "Vlerat krahasuese të marrjes së substancave ushqyese", të nxjerra nga tabelat aktuale, të botuara për të parën herë në vitin 2000 nga asociacionet për të ushqyerit në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Vlerat krahasuese përmbajnë rekomandimet, vlerat supozuese dhe vlerat orientuese. Në mënyrë të përgjithësuar, si për tabelat e vlerave ushqyese në pjesën e parë, ashtu edhe për vlerat e cituara referente në pjesën e dytë, vlen se ato tregojnë të dhëna mesatare. për të përcaktuar nevojat individuale të të ushqyerit, vlerat e dhëna shërbejnë si vlera orientuese.
"Pritjet" e Ani Wilms
Titulli: Pritje të bukura
Autori: Ani Wilms
Roman
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 500 lekë
Ishte një gjë që ndihej kudo nëpër ajër. Kuptohej nga vështrimet e përndezura që kryqëzoheshin nga çdo anë. Burrave ekstaza e pushtetit të fituar rishtaz, u kishte rënë në kokë, i kish trallisur krejt. Gratë, ashtu si ajo, ishin të gjitha si të përhënura. Dhe të gjithë tërhiqeshin mrekullishëm drejt njëri-tjetrit. Një shtet i tërë i magjepsur…
"Romani është me ngjyra rozeblu, me shumë ndjenja të ëmbla, situata të buta, biseda me ton të ulët, në grondin e një Shqipërie të egër, me shumë probleme. Këto situata sjellin dhe rrënimin e atmosferës së pritjeve… Të krijohet një gjendje e lehtë ankthi, madje e këndshme, si një bishë e re që fillon të gjuajë duke luajtur. Shqipëria luan me fatet e saj dhe gjithmonë humb. Merita e Ani Wilms-it është se në këtë gjëmë, në këtë humnerë, na çon vetëm në pritje të bukura… Lënda e saj e parë është aq e rrallë në letrat shqipe", kështu vlerëson Maks Velo romanin e Ani Wilms, shkrimtares shqiptare që prej vitesh jeton në Berlin. Wilms Wilms lindi në Tiranë në vitin 1971. Ajo ka studiuar për histori në Universitetin e Tiranës dhe në Berlin. Ajo vjen para lexuesit me dy romanet e saj: "Pritje të bukura" dhe "Vrasje në rrugën e Veriut"
Ata po iknin, një nga një, dy nga dy, tre nga tre. Hipnin në makinat e tyre dhe e linin vendin e plojës. Se ç'u bë atje do të merrje vesh së shpejti. Nesër ndoshta, ose pas tri ditësh. Por ishte një pjesë e kësaj kronike, ajo e padukshmja që s'do të merrej vesh kurrë. Se kush u këput atje, kush u rrënua në shpirt, kush doli krejt i paprekur, kush mori vetëm një të krisur. Ose kush, si ajo, doli më i fortë se më parë… ndoshta.
Titulli: Vrasje në rrugën e Veriut
Autori: Ani Wilms
Roman
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 500 lekë
I paskan bërë shoshë,- tha njëri prej barinjve, ai më i vogli dhe volli përmbi gjethet e luleshtogut.
Dy barinjtë e tjerë ishin krejt të shtangur. Sikur të mos kishin dëgjuar krismat pak më parë, do të besonin se kjo ç'ka po u shihnin sytë ishte vepër e zanave të përroit.
-Duken si të huaj,- tha më i vogli, duke fshirë buzët.
-Mos e thuaj atë fjalë, he t'shitoftë zana!- mallkoi i madhi. –Jemi në paqe, s'jemi në luftë.