Letërsia Shqiptare

Jim Belushi: "Një burrë nuk thotë kurrë më fal"
E hene, 18-06-2007, 06:06pm (GMT)

Nuk është vetëm aktori i suksesshëm. As mashkulli "i dëshiruar" që fiton gjithnjë. Në jetë ka provuar edhe humbjen, madje e ka ndjerë veten edhe dështak. Ky është Jim Belushi, që më në fund vendos "të rrëfehet". Dhe këtë nuk e bën ashtu dosido por në të tërë gjerësinë e vet, duke rrëfyer vetveten, jetën dhe "sekrete" në një libër. Libër që vjen i botuar në shqip nga shtëpia botuese "Ombra GVG", i përkthyer nga Eliona Balilaj. "Burrat e vërtetë nuk thonë kurrë më fal", vlerëson Belushi, teksa "shpreh" edhe "gjakun e tij shqiptar". Aktori i njohur së shpejti do të vijë për herë të dytë në Shqipëri. Pas nëntë vjetësh ai do të prekë sërish vendin e origjinës, për të shijuar "një kafe turke". Një shkrim-ilaç i një njeriu me përvojë jetësore të pasur, Belushi është shumë interesant dhe origjinal në atë çfarë përcjell. "Mbartës" i dy martesave të dështuara, ai sjell autobiografinë e tij tepër natyrshëm…

Çdo të thotë të jesh burrë?

Çdo të thotë të jesh burrë? Burrë është ai që ka një komplet suxhuku e bathësh që i tunden mes këmbësh, apo jo?

Epo, dini diçka? Edhe një gjirafë mesatare mashkull i ka, po ne të gjithë e dimë që gjirafat janë zoçka. Dua të them, si ka mundësi që një kafshë aq e madhe të ushqehet me barishte? Nuk e kuptoj. Pra, është e qartë që organet gjenitale nuk janë ato që përcaktojnë të qenit burrë.

Pra, edhe një herë, çdo të thotë të jesh burrë? Pse kemi probleme me përcaktimin e gjinisë sonë? Ua them unë pse: Sepse, si meshkuj ne nuk e dimë më kush jemi. Lejojmë të tjerët të na diktojnë si të sillemi, sepse besojmë që kanë të drejtë kur na thonë që e kemi gabim. Dhe harxhojmë kaq shumë kohë duke dëgjuar "si nuk duhet të jemi" sa nuk përqendrohemi në "si duhet të jemi". Mirë, të ndalemi pak e të flasim për atë lloj burri që nuk duhet të jemi -një burrë pa gjemba, i vetmuar, i pamotivuar, i paplotësuar, i papërmbushur. Sa mirë do ishte sikur të më kujtohej një shembull i mirë i një shpirti të tillë të varfër e të pafat. Oh, sapo më erdhi njëri ndër mend. Përgjigjja më e mirë e burrit më për të ardhur keq që kam takuar ndonjëherë.

Unë. Isha në prapaskenën e Teatrit Shubert në Chicago, Ishte ora 5 e pasdites dhe po bëja prova vokale për shfaqjen e asaj nate "Piratët e Penzance-s". Po, është teatër muzikor dhe po, m'u desh të vishja streçe për atë shfaqje, por hiqeni atë ngërdheshje nga fytyra dhe dëgjoni historinë. Djali i biletarisë erdhi në prapaskenë e më tha se në radio "po thuheshin ca gjëra të çuditshme për John-in", si për shembull "…që vëllai yt ka vdekur"….

Dije që çdo burrë duhet t'i ketë:

"Zbrit nga shkalla grua, duhet të ngjitem në majë/ Thashë zbrit nga shkalla grua, më duhet të ngjitem në majë/ Zbrit nga shkalla grua, shkalla nuk mund të të ndalë." ("Dil nga jeta ime", Allen Toussaint)

Pra i gjetët djemtë. Këta djem janë ndryshe nga ata "të tutë", të cilët mund të hamendësoj se i keni gjetur kohë më parë, ndoshta diku aty nga mosha dy vjeç. Por nuk ua kuptuat rëndësinë derisa vajtët në kopsht, kur u ndeshët me ritualin e shenjtë të kalimit, që duhet ta përjetojnë të gjithë meshkujt: Gjuajtjen e Parë në Koqe….

…Ka pasur raste kur goditjet kanë qenë të vërteta. Ka pasur raste, kur kanë qenë metaforike, si fjalët e një avokati, për shembull: "Urime, Zoti Belushi. Divorci juaj u finalizua. Përsëri." Po dal nga tema, por ideja është që duhet t'i mbroni djemtë ashtu siç mbroni "djemtë" tuaj.

Të bësh një femër për vete, hapat e parë

Pozicionimi: I morët numrin. Kini kurajën të mendoni se do t'ju mbajë mend pas tri ditësh. Kini besim në vete, jini i vetëpërmbajtur dhe i qetë.

Pushteti: Caktoni kushtet. Caktoni takimin. Ajo pranon të mashtrohet. Hiqjani trurin. Është filmi juaj. Ajo është bashkë-protagonistja.

Pickimi: Bëhuni paksa të paarritshëm. Tregojini se do t'i duhet të mundohet për t'ju arritur. Në thelb, përpiquni ta sfidoni. Mbajeni të intriguar. Nëse tregoheni shumë të lehtë, nuk do të ketë asgjë për të që të mund ta ndryshojë apo t'i shkojë pas.

Përdor krevatin: Nuk ka të bëjë thjesht me futjen e një zoçke në thes. Më tepër, ka të bëjë me vendimmarrjen dhe finalizimin.

Mirë, pra. Ndiheni interesant dhe ngacmues? Kontrolloni kalendarin. Kanë kaluar tri ditë? Mos po talleni gjë? Ju deshën tri ditë për të lexuar dhjetë faqe? Nuk shkoni ndonjëherë në banjë ju? Bëjini një telefonatë. Ju doli sekretaria telefonike, ë? Me siguri që është duke përgjuar telefonatat. Është marifeti standard që përdorin femrat për të mos e treguar dëshpërimin, edhe pse rrinë e presin telefonatën në krah të telefonit. Mos lini mesazh. Nëse lini mesazh, është ajo që vendos ta kthejë apo jo telefonatën. Dhe egoja e saj kënaqet pa u realizuar takimi. Duhet të keni në dorë kontrollin e situatës. Mos harroni se: një mashkull në komandim është seksi.

Lidhjet e gjata…

Jetesa në ferr- A ka ajo brumë bashkëshorteje?

Kështu ju sugjeroj të filloni ta shikoni. Vini re ç'thashë "ta shikoni ". Mos iu referoni hapur si "bashkëshortja e ardhshme". Thjesht futeni në mendjen tuaj se kjo është një periudhë prove për të. Mos bëni gabime -jeni në provë për: "Bashkëshort të ardhshëm", por le të merakoset ajo për këtë.

Përpara se të filloni të jetoni bashkë -kjo duhet theksuar shumë -bëni një plan. Sugjerimi im është të bashkëjetoni për një vit. Në fund të këtij viti, vendosni nëse është dikush me të cilën jeni gati të martoheni. Mund t'ia thoni asaj këtë ose jo. Ideja ime këtu është të keni një plan të vendosur. E di që e ndërmorët këtë hap si një gjysmë mase parandaluese për të shmangur një përkushtim më serioz, sepse sapo të filloni të jetoni bashkë, po nuk qetë të motivuar do të fillojë t'ju mbulojë plogështia. Duhet të keni një strategji daljeje, përndryshe shtëpia do t'ju shndërrohet në kënetë…

"Femrat janë të imta, e megjithatë zënë më shumë pjesë të krevatit sesa meshkujt. Sa e drejtë është kjo? Jo shumë… Nuk ekzistojnë fjalët 'e drejtë dhe e barabartë' në martesën time aktuale. Unë përgjigjem për transportin e mallrave dhe shërbimeve; Xheni për çdo gjë tjetër. Përveç pjekjes në skarë, që është ndoshta gjëja e vetme në të cilën femrat e ndiejnë nevojën e meshkujve.

"Për mijëra vjet, meshkujt u janë nënshtruar femrave. Në fakt, nuk quheshin njerëz shpellash sepse jetonin në shpella, por sepse lëshoheshin përpara gjithë këtyre kërkesave." 

Metropol


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.