| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Botimet e reja te javes E hene, 23-07-2007, 09:12pm (GMT) Titulli: El Greko, Jeta dhe arti “Ai nuk është akademik. Është pikë orientimi. Tek piktura e tij kanë trokitur herë pas herë në kohë të ndryshme piktorë të drejtimeve të rëndësishme të pikturës moderne. Janë referuar jo vetëm bashkëkohës të tij, por edhe shumë ndjekës të mëvonshëm kanë marrë tipologjinë kromatike dhe elementë stilistikorë të shprehjes. Kanë marrë shumë nga shpirti vullkanik i tij, të cilin Ruci eksploron me seriozitet në një botim me vlerë.” “Enigmat” e El Grekos “El Grekoja, apo Grekoja, me magjinë e mendimit e të shprehjes së epërme të figurave, me penelatat dhe arkitekturën e jashtëzakonshme, dëshmon për lidhjen organike të dy këtyre arteve të përjetshme. Dhe ky ka qënë motivi që më shtyu të përgatis këtë antologji të thjeshtë, por përfaqësuese, për veprën dhe itinerarin e kritikës për Grekon e madh”, shkruan arkitekti Gjergj Ruçi në hyrjen e librit të botuar prej tij për El Greko. Një libër interesant, “përmbledhje sintezë mbi fenomenin El Greko”, e quan këtë “botim kompleks” botuesi I tij, Gëzim Tafa. “Nuk bëhet fjalë për një monografi, por për një analizë sinkretike mbi paraardhjen, thyerjen e shumë rregullave të pikturës humaniste, revolucionin dhe dezyrtarizimin e asaj pikture të mbërthyer brenda kanoneve të kristianizmit, mbi tipologjinë, interpretimin dhe deviacionin mbi temat tabu të psikologjisë asketike”. Tiparet jo natyrale, që ndeshen në personazhet e subjekteve të tij kompozicionale, ishin materializimi i asaj filozofie për të cilin vetë ai ishte shprehur se “ishte i kufizuar ngaqë nuk arrinte të prekte atë që ishte qiellore, frymën, e kjo e pengonte që piktura e tij të ishte sa më afër vetë kuptimit të demiurgut”. Interpretimi nëpërmjet trajtave alegorike të personazheve konkrete historikë të epokës, deformimi i tipareve antropofizike dhe ngarkesat emocionale koloristike i subjekteve të trajtuara prej tij, figurativitieti dhe dramaciteti filozofik, skemat jo zyrtare të kompozimeve, raportet e ndryshme me bashkëkohësit e tjerë, trajtohen me elegancë dhe finesë në këtë vepër të përkthyer nga arkitekti Ruçi. Përgatitja e këtij botimi është konceptuar mbi linja interesante strukturore e mbi intensitetet psiko-estetike të zhvillimit artistik. Kjo vepër jo vetëm informon, por edhe interpreton mbi magjinë me të cilën është mbështjellë ky piktor i madh. “Kjo përmbledhje mbi El Grekon mbart tiparet e një botimi bashkëkohor. Qëndrimet kritike apo studimet e kryera për të nuk e kanë ezauruar plotësisht përmasën e vërtetë të këtij fenomeni enigmash. As kjo përmbledhje nuk e luan rolin e përmasës përmbyllëse mbi piktorin”, nënvizon më tej Tafa. Ky botim e hedh vështrimin përtej një libri monografik. Nuk është e tepërt të thuhet se El Grekoja cilësohet revolucionar. Nuk është e turpshme apo mohim vlerash kur thuhet se El Grekoja ishte manierist. Ky konstatim është i dukshëm dhe i lexueshëm në çdo faqe të këtij libri… “por nuk ka pse të mos themi se nëpërmjet përkthimit, përgatitjes dhe kurimit me kujdes të pikturave të zgjedhura në këtë libër, vjen një retroekspozitë serioze në gjuhën shqipe”. Ky është një rast ku duhet besuar se sa të vonuar jemi në informacion, se sa kemi gabuar në gjykimin duke u nisur vetëm nga perceptime sipërfaqësore mbi veprën e këtij fenomeni. Kjo vepër mund të lexohet edhe si enciklopedi e jetës së El Grekos. Ajo mbart peshën e rëndë të mendimit të studiuesve dhe historiografëve të tij, mbart thellësinë e interpretimit dhe analizën piktorike, mbart botëkuptimin kompleks mbi të cilin El Grekoja lindi dhe u formua si piktor. “Rebeli” i ëndrrave dhe ngjyrave “Tablotë apo ikonat e Grekos, me mrekullinë dhe sugjestionin, me befasinë e ëndërrën, me enigmën dhe bukurinë, që përcjellin, provojnë forcën e pakufishme të njeriut në pasqyrimin dhe rikrijimin e botës. Artisti i madh, kuturisur pas ndjesive më të holla e më drithmuese tokësore, shpërfaqet me guxim përmes lojës së ngjyrave gjithë nerv e emocion flakërues”. Këtë vëren në fjalët e tij arkitekti Ruci, sipas të cilit ngjyra me me të “nuk është më një festë, por një fjalë e sigurtë, e thellë, e mprehtë, shpesh si një thikë, ‘thika e shpirtit’, që u heq mishin figurave, duke i zhveshur dhe çliruar nga hollësitë e panevojshme”. Për të dhënë sublimen, pushtetin e shpirtit njerëzor, i cili rrok gjithçka që i zë syri dhe mendja e pamatë, me etjen për të çikur dhe kuptuar përjetësinë dhe pavdekësinë…. Idealist e realist, i qartë e i tejdukshëm, rebel e i panënshtruar, i munduar e i shqetësuar, tronditës dhe gërshetues imagjinatash, Grekoja, kërkoi paprerë në rrugë të panjohura, si një zë dhe një shembull i pazakontë, novator i shkëlqyer dhe thyes i tabuve e kanoneve të kohës. Prandaj mbetet paraprijës i frymës moderne, i afërm me brezat që vijnë. “Është natyra e thellë kërkuese dhe depërtuese e Grekos, që të lë pa mend, kurdoherë e furishme dhe e trazuar, me shijen e hollë dhe paqëndrueshmërinë e shpirtit, ku ngjyra bëhet shndërrim absolut i hapësirës, një arkitekturë e ngjeshur dhe e vrullshme, që përmbledh harmonikisht të thjeshtën dhe fisniken, njerëzoren dhe qielloren. Është artisti i tunduar nga gjithë mrekullitë e marrëzitë dhe mëkatet e kësaj bote, që shpaloset te drita dhe reja, te dhimbja dhe britma, te devocioni dhe duresa. Te dufi i shpirtit. Te Qiellorja, shpëtimtarja. Te e bukura, e papërsëritshmja, tokësorja. Siç thotë një kritik, te ai bashkohet madhështia e piktorit dhe marrëzia e gjeniut, një shtysë që shkon tej të mundshmes…”. Titulli: Ishuj Poeti i Itakës arbëreshe Të lëvrosh letërsi në një të folme arkaike, që vjen nga ishuj gjuhësorë mesjetarë, me një leksikë të kufizuar dhe frymëmarrje të lektisur linguistike, për të komunikuar në radhë të parë me një lexues brenda komunitetit etnik është një akt krijues jo i zakonshëm. Kështu I vlerëson studiuesi Nasho Jorgaqi poezitë e Zef Skiro Di Maxho-s, brenda “fatit të poetëve arbëreshë, komuniteti i të cilëve, ndonëse ka hyrë në shekullin e gjashtë të ekzistencës, vijon të flasë e të këndojë në gjuhën e memes”. “Këto mendime më vijnë ndërmend sa herë lexoj vargjet e magjishme të trinisë së shenjtë të poezisë arbëreshe të Rilindjes, vjershat e De Radës, Darës apo Serembes. Po ndjesi të fuqishme më zgjohen dhe kur lexoj poezinë bashkëkohore arbëreshe, D. Vetmon e Ll. Peronen, V. Belmonten e K. Cukaron, P. Napolitanon e M. Belicin, Xh. del Gaudion e Buzëdhelprin”, vëren më tej Jorgaqi, duke nënvizuar se mes kësaj plejade të tërë, ata që shkëlqejnë e dallojnë janë Vorea Ujko dhe Xhuzepe Skiro di Maxhio, “si figura qëndrore të kostelacionit poetik arbëresh të kohëve moderne”. Në qoftë se i pari doli nga mjedisi i arbëreshëve të Kalabrisë, i dyti vjen nga vatra arbëreshe e Siçilisë. Po pavarësisht nga distanca gjeografike, ata kanë të njëjtat rrënjë, shkruajnë me të njëjtën gjuhë, janë zëri i një komuniteti të përbashkët etnik. Emri dhe vepra e poetit Xhuzepe Skiro Di Maxho janë pjellë e drejtpërdrejtë e Sicilisë arbëreshe, e katundeve të saj të përhapur nëpër ishull e në radhë të parë të Horës aq të njohur Piana degli Albanesi. “Në këtë katund me histori dhe vlera të shquara atdhetare dhe kulturore lindi, u brumos dhe u formua poeti ynë. Është kjo vatra nga na vijnë vargjet e para të poezisë shqipe, ato të Lekë Matrangës, është vendlindja e një çete të lavdëruar personalitetesh në zë si e iluministit Gj. Guxeta, e dijetarëve Dh. Kamarda, P. Skiro, N. Borxhia, G. Petrotta, e gjuhëtarit M. La Piana, e poetëve N. Brankati e Z. Skiroi”. Tradita poetike e krijuar nga L. Matranga në vitet e largëta të Gjashtqinshit, do të shtegtonte nëpër shekuj, për të arritur kulmin e saj me poezinë e Zef Skiroit në dekadat e para të shekullit XX. Por për arsye social-politike do të ndodhte një pauzë afro gjysmë shekullore, që poezia e kësaj vatre arbëreshe ashtu si gjithë letërsia arbëreshe të binte në fashë, për t’u marrë stafeta poetike nga një brez i ri krijuesish të talentuar aty nga vitet ‘60. Pikërisht këtij brezi i takon dhe Xhuzepe Skiro di Maxho. Duke u renditur në krye të zërave poetikë të Pianës, ai iu bashkua asaj gjenerate, që vërshoi në letërsinë e re arbëreshe dhe realizoi kthesën dhe ringjalljen e saj. Dhe tani që ka kaluar afro gjysmë shekulli prej asaj kohe, ne mund të flasim me plot gojën për Xhuzepe Skiro Di Maxhion si një nga përfaqësuesit më eminentë të botës letrare arbëreshe. Poet lirik, epik e satirik, dramaturg, përkthyes, publicist, veprimtar i dalluar i lëvizjes gjithëarbëreshe, një emër simbol i bashkësisë së tij etnike. Autor i njëzetë përmbledhjeve poetike, i disa poemave epike-satirike, i pesëmbëdhjetë dramave e komedive, i pranishëm në sa e sa antologji letrare brenda dhe jashtë Italisë, drejtues dhe botues i revistës “Mondo Albanese”. Por mbi të gjitha ai është një poet. Dhe jo për faktin e thjeshtë se shkroi më shumë poezi… Metropol
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||