| Letërsia Shqiptare | ||||
|
“Shkretëtira gllabëruese” e Podrimjes lexohet italisht E diel, 29-07-2007, 07:46pm (GMT) Nga Tema Mendime për librin “Deserto invasivo” (“Shkretëtira gllabëruese”) e A. Podrimës, botuar në italisht, 2007 1. Kodi i poetikës së Podrimjes bazohet te gurshmëria. Të gurta janë, në kuptimin dantesk te fjalës, rimat e tij, si shkëmbinjtë e Kosovës. Të gurta konceptet si lënda e mendimit që aty i ngul rrënjët. Të gurta ndjenja dhe gjuha, si vrundujt e freskisë që shtyjnë prej brendësisë për të kërkuar të çara për të dalë dhe për t’i vaditur sipërfaqen dhe për t’ia përshkuar e pasuruar shtigjet e mundshme të historisë dhe natyrës. Ashpërsia e shkëmbit, që i jep, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në metaforë, forcën dhe qëndresën e identitetit të “unit shkrues” dhe të bashkësisë mbarë që flet dhe jeton në zërin e tij, na dëshmon dhe na flet in absentia për gjithçka që – duke gërmuar nën sipërfaqen e jashtme, në përvojën e menjëhershme të çastit të vuajtjes – projektohet në imagjinarin e dëshirës dhe të kujtimit. Rimarrja e mitit, bota e ndjenjave të thella dhe vetjake, përballja e përditshme me punën e vështirë të shkrimit dhe me mjeshtërinë e vështirë të poetit hyjnë në alegorinë e një gjendjeje historiko-kohore që prek shkallët më të larta të vuajtjes së sakrificës dhe dhimbjes. Me këtë përmbledhje, që dëshmon, për herë të parë në Itali, pasurinë dhe karakterin e tij të ndërlikuar, Podrimja paraqitet në të njëjtën kohë si këngëtari më i madh i Kosovës dhe një nga zërat më të fuqishëm dhe origjinalë të mbarë poezisë evropiane. (Prof. Filippo Bettini, botues i librit) 2. Është poezia ajo që na bashkon dhe na e bën më të gjallë dhe njerëzore edhe globalizimin. Duke gërmuar në ‘kindat’ e kulturës së botës bëhen zbulime të mrekullueshme. I tillë është rasti i poetit kosovar, ngelur gjithnjë i ri. Jo rastësisht, Ali Podrimja e ka nisur mjaft i ri udhëtimin e tij poetik. Pesëmbëdhjetëvjeçar boton në fakt, në një revistë letrare, poezitë e tij të para. Pa i mbushur ende të njëzetat boton përmbledhjen e tij të parë, Thirrje, e cila, e përkthyer ne gjuhën italiane tingëllon “Grido”. Titull emblematik që shpreh në mënyrë të plotë tiparin më të lartë të drejtimit poetik të Podrimjes: atë që e konsideron poezinë si të vetmen energji jetike, si inkandeshencë gjuhësore nëpërmjet të cilës mesazhi merr vërtetësi dhe gjen shprehjen dhe shtrirjen e tij ideale. Shumë i ri, pra, Podrimja e interpreton poezinë si përgjegjësi; thirrja mund çdo tërheqje lirike, artikulohet në përputhje me etikën qytetare të autorit i cili shkruan sepse është i ndërgjegjshëm për detyrën ndaj historisë dhe peshën, shpesh përcëlluese të bashkëkohësisë. Këto tipare të fillimeve poetike të Podrimjes, thellohen në dyzet vitet e aktivitetit të tij të vazhdueshëm poetik. Besoj, se një mënyrë kaq rigoroze të vepruari, asnjëherë me hope dhe që i përgjigjet nevojës për t’u përballur me karakterin kontradiktor të bashkëkohësisë dhe me çastin kritik të një zone kaq të tensionuar, i japin me të vërtetë Podrimjes tiparet e një poeti modern kombëtar. Historia dhe fati i shqiptarëve që banojnë në Kosovë gjejnë te Podrimja shprehjen e një arsyeje të vazhdueshme poetike, të huaj dhe larg çdo sublimimi retorik, të vendosur në përshkrimin pozitiv dhe të vërtetë të atdheut të tij, vend takimesh dhe bashkëjetese, por në të njëjtën kohë i përfshirë thellësisht në kontradikta dhe konflikte të shumta. “Kush këndon lirinë, ka kënduar dhe dashurinë”, është mesazhi që poeti na jep në një poezi të tij, ku bashkëkohësia e prirjes së tij poetike është mjaft e dukshme. Poezia është ajo që ndërkaq mbetet, pasi konsiderohet si një kërkim i pafund. Si kërkim organik, në konfliktin me të tashmen, të një rikrijimi, të thelluar dhe dialektik mes dashurisë dhe lirisë. (Vincenzo Vita, Asesor i Politikave kulturore të Provincës së Romës) 3. Përmbledhja e poezive të Podrimjes, e përkthyer në italisht nën titullin Deserto invasivo/ “Shkretëtirë gllabëruese” –është dëshmi e një trajektore të jashtëzakonshme poetike. Tekstet që e përbëjnë vijnë qysh nga 1960 e largët – kur autori, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve të tij shpallte: Miq/ Kosova është gjaku im që nuk falet!, deri në vitet e fundit: vite që njohën tokën dhe popullin e tij si protagonistë të një lufte sa absurde aq dhe të nevojshme. Në këtë hark kohor, përgjatë gjithë trajektores poetike të teksteve që për këtë rast ka seleksionuar dhe e përfaqësojnë, Podrimja nuk ka pushuar kurrë së kërkuari bukurinë: atë të prodhuar nga fjala e që vihet në lojë nga një mbishtresim imazhesh, nga një kërkim i vazhdueshëm i ekuilibrit dhe i masës, nga një shpërndarje e lëndës gjuhësore burim i një polivalence semantike. Duhet theksuar qysh në fillim se parametrat intuitivë-emocionalë nuk nevojiten – madje do të ishin të pavend – për të kuptuar këtë poezi, përmasat e të cilës kufizohen ngushtësisht në botën e gjërave. Përngushtimi anti-lirik i gjuhës, tipar përbërës i poezisë së Podrimjes, për mënyrën e ngulmët të shfaqjes së saj, është një klithmë në veshët e bashkëkohësve, të stërvitur me karakterin e rrafshët të lirizmit. Siç pohon vetë Podrimja, “nga të bëmat ka pak fjalë që mund të hyjnë në mjeshtërinë e tekstit”. Shkohet në thelb të shprehjes gjuhësore si dhe në thelbin më të thellë të përvojës, kolektive dhe individuale. Imazhet e ndërfutura në një strukture sintaksore të çliruar nga shenjat e pikësimit nuk i lejojnë sfondit poetik rrëshqitje në thellësirat e perspektivës metafizike: fjalët qerthojnë një kontekst etno-linguistik të ngulët dhe të dallueshëm mirë, atë të hipotekstit të përkatësisë identitare që shkrimtari shpall si të tijën. Janë konceptet bazë që ndërtojnë poetikën e Podrimjes: “guri”, para së gjithësh, që ndërton “kullën” e tij të vetmuar, pastaj “pylli”; dhe “uji”, që rrethon ishullin Shqipëria; “shkretëtira” e së keqes që gllabëron. Qenia e tij shqiptare pasqyrohet gjithnjë në kërkimin e një identiteti poetik të nënkuptuar si “tërësi e pandashme” e fjalës: e fjalës, pra, të aftë të shpërthejë një sërë imazhesh në proporcion me efektet tëhuajsuese që ushqen. Ç’ka del në pah është dimensioni tërësor njerëzor në të gjitha përmasat e ndërlikuara. “Thyerjet e papritura” të rrugës poetike të një poeti, do të shprehet Podrimja, të lejojnë të hedhësh një vështrim në botë si nga një “xham i thyer”, nga kënde të ndryshme, me forma të reja. “Nga kaosi me përmasa biblike, detyrë e parë është ta shpëtosh kredon krijuese, ndërgjegjen.” Pikëllimi nuk kërkon kurrë mëshirë. Dhimbja i jep peshë dhe masë dinjitetit njerëzor, edhe në rastin e kujtimit thellësisht të dhimbshëm të djalit të humbur: kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë/ dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therë/ e saj e zezë. Si një Hamlet i përditshmërisë – me “a” të vogël – autori merr përsipër dhe shpall rolin e tij përballë jetës: s’mundem më tepër se sa të të jap emër/Se sa të të mësoj të ecësh njerëzisht. Nga ky pozicion hidhen dhe një sërë akuzash për karakterin çnjerëzor të pushtetit – hapi që e transformon bariun në kope, është i shkurtër: Livadhit delja shëtit Njeriu (“Një i vdekur i zakonshëm”). (Dr. Blerina Suta, përkthyese e librit) |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||