“Klithma e Mallit” është libri me poezi i autores Rabie Dega i cili do të promovohet sonte në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”Arbënori”. Ky vëllim me poezi është i pari i poetes Dega, në të cilën ka hedhur rreth 150 poezi, të cilat i ka zgjedhur si ndër më të mirat në një periudhe kohore prej 10 vitesh. Autorja e këtij vëllimi poetik Rabie Dega e sjell këtë përvojë letrare si një rrugë që e çon atë natyrshëm tek pavarësia dhe lëvizja, si simbol dhe metaforë. Në një botë që shndërrohet dhe ndryshon, poezia është mjeti më i ndjeshëm për të përcaktuar një rrugë drejt së ardhmes së njeriut.Në këtë përsiatje të përjetshme të poetëve, Rabie Dega është origjinale. Ajo ka ndërtuar strategjinë e saj poetike përmes klithmash të ndërtuara në trajtë simbolesh, alegorish, sarkazmash, metaforash, si një moment të thellë reflektimi personal, si një lidhje e fortë poetike që shkon paralel nga krijimi i fjalës tek krijimi i shpirtit. Poetja shkruan përgjithësisht me varg të lirë. Ajo parapëlqen në të shumtën e rasteve monostrofën dhe rrallë strofën e rregullt. Poezitë janë të shkurtra dhe ndajnë shpesh qëndrimin e poetit dhe të gazetarit, si një vëzhguese e rrepte e jetës dhe dramave sociale. Rabia është një poete, gazetare, moderatore dhe aktore e suksesshme. Ajo udhëton me të gjitha këto dhimbje shpirtërore, duke krijuar një profil të fuqishëm artistik. Ajo përshkruan përmes diferencash të ndjeshme arritjen e pavarur të poetit i cili gjendet i rrethuar shpesh nga një mjedis armiqësor. Poezia e Rabies është pjesë e një meditimi filozofik mbi jetën, marrëdhëniet njerëzore, dramat, dredhitë, pabesitë dhe intrigat që shoqëron një jetë urbane më të papritura të çuditshme dhe shpesh me pasoja për të ardhmen. Reflekset poetike për të ecur vetëm përpara, e çojnë shpesh në rrugë të dëshpërimit, “aventurave” dhe dhembjes së thellë, frymë kjo e shprehur në dhjetëra poezi. Poezia e saj ka një ndryshim të ndjeshëm në krahasim me poetët e tjerë të brezit të saj. Universalizmi është një tendencë e temave të poezisë së saj, e filozofisë së saj poetike, e cila kalon nga njëra gjendje në tjetrën, duke krijuar prurje interesante figurash, temash, trajtash poetike dhe filozofike. Rabia ndërton një poezi të pasur emocionalisht. Poezia e saj është e qartë dhe e kuptueshme çfarë ia lehtëson komunikimin me lexuesit. Ajo përdor një varg të lirë, duke krijuar gjithnjë ç’ rregullin e mjaftueshëm poetik, si një kërkim personal të stilit dhe gjuhës së saj të pasur poetike. Një brez poetësh të rinj po i vijnë letërsisë shqipe dhe Rabia ka një vend në këtë listë të ardhmes. Promovimi këtij libri do të organizuohet në formën e një spektakli, ku do të ndërthuren shumë element si këngë-muzikë-valle-interpretim, me një përformancë të shkëlqyer të aktorëve, e padyshim në këtë promovim nuk do të mungojnë edhe komentet dhe referencat e të ftuarve special dhe specialistëve të fushës së artit dhe të letërsisë. Në këtë aktivitete kulturor do të marrin pjesë edhe disa këngëtarë si: Murat Gjoniku, Mario, Shkelqim Beshiri, Fatmir Haxhaj, Aranit Kuçana të cilët do ia shtojnë edhe më shumë larminë e këtij aktiviteti poetik. Ndërsa shumë poezi të vëllimit poetik “Klithma e Mallit” do të interpretohen nga njerëz të njohur të letërsisë si: Uke Buçpapaj, Fran Pacaj, si dhe nga personalitete të tjerë të artit. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbënori” me organizimin e këtij aktiviteti artistik po tregon se vazhdon të mbështesë fuqishëm njerëzit e talentuar të artit ku një pjesë të veçantë po zënë edhe aktivitetet artistike dhe kulturore në mbështetje të artistëve të rinj. Si një institucionet më të rëndësishme kulturore të vendit QNK-ja edhe gjatë sezonit veror ku pjesa më e madhe e institucioneve qëndrojnë të mbyllur duke e vënë jetën kulturore të kryeqytetit në një ndalesë të plotë, ajo ka arritur që nëpërmjet aktiviteteve të2 shumta të mbajë gjallë jetën artistike dhe kulturore të metropolit shqiptar. Kështu gjatë këtij sezoni veror këtu nuk kanë munguar asnjëherë aktivitetet kulturore sidomos ato kushtuar të rinjve të kryeqytetit. Kështu për disa javë me radhë u zhvillua spektakli i modës “Stil dhe Tendencë” i cili u konceptua në formën e një show ku nuk mungoi sfilita e modës nga stilistët e rinj, baleti modern dhe kënga. Po kështu ka pasur edhe një larmi aktivitetesh të tjera kulturore si promovime librash ndër të cilët mund të veçojmë librat “Në emër të lirisë” kushtuar jetës dhe veprës së presidentit amerikan Xhorxh W. Bush si dhe librin kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës të autorit Gëzim Alpion. Ndërkohë me fillimin e sezonit të vjeshtës QNK-ja do të ofrojë për artdashësit e kryeqytetit të tjera surpriza të botës së artit dhe të spektaklit.