| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Botimet e reja te javes E diel, 16-09-2007, 06:52pm (GMT) Historia në Mesjetë në 'vështrimin evropian Titulli: Historia e shoqërisë evropiane në Mesjetë (500-1500) “Historia e shoqërisë evropiane në mesjetë” është një libër që i drejtohet në radhë të parë studentëve të historisë. Por autori ka përdorur një stil që del jashtë kornizave të ngurta akademike, duke e bërë këtë libër të përshtatshëm për të gjithë lexuesit e pasionuar pas historisë botërore. “Historia e shoqërisë evropiane në mesjetë” trajton në mënyrë komplete gjithë kuadrin historik, dhe jo vetëm, të epokës mesjetare, që nga shkatërrimi i Perandorisë Romake. Në fakt autori nuk është ndalur vetëm në përshkrimin e thjeshtë të ngjarjeve historike dhe në analizën e tyre, por ka dhënë një tablo të plotë të jetës mesjetare. Ajo që bie në sy në këtë vepër është se autori i ndikuar edhe nga literatura perëndimore në të cilën ai është bazuar, ka përdorur një stil të veçantë, çka e afron atë me lexuesin e gjerë. Edhe pse “Historia e shoqërisë evropiane në Mesjetë” është libri i parë i botuar nga historiani Ermal Baze, duhet thënë që ky libër ia ka arritur plotësisht qëllimit të tij. Pak shënime për... Mesjetën Historia e Mesjetës: disiplinë që studion nga pikëpamja historike dhe filologjike periudhën mesjetare. Shkencë që lind në shekujt 14 dhe 15, bashkë me lindjen e konceptit "mesjetë", pra periudhë e mesme midis antikitetit dhe kohëve moderne. Në shekujt 18 dhe 19, në saje të historiografisë romantike, Mesjeta gjykohet në mënyrë pozitive dhe konceptohet si periudha e krijimit të rrënjëve të shteteve moderne. Në shekullin 20, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, shkenca e Mesjetës bëhet objekt i një rinovimi dhe zhvillimi të gjithanshëm nga pikëpamja tematike dhe metodologjike, për meritë të historiografisë franceze. Në qoftë se Antikiteti përbën tezën e qytetërimit evropian dhe periudha moderne, me zhvillimin e sistemit të saj kapitalist, përbën sintezën, patjetër që antiteza është Mesjeta, kjo periudhë e domosdoshme e vetë sistemit hegelian, pa të cilin kurrsesi nuk mund të kuptohet plotësisht zanafilla e identitetit evropian. Nocioni hegelian i transformimit të gjendjes në të cilën e tashmja mohon të shkuarën për hir të së ardhmes, i shkon më së miri kësaj periudhe të historisë evropiane. Paul Fouracre "Adapt" tej perceptimit Titulli: Adapti Alida Frashëri është një tregimtare e rrëfimit poetik. Subjekti ndërtohet sipas impresionit të shqisës, nuk buron nga realiteti si ngjarje, por si ngjarje e trurit që përcjell shijet në kthimin e perceptimeve, si një riperceptim. Detajet, dhe pse konkrete, e më se të prekshme nga jeta që na rrethon, i funksionojnë mbresave të tjetërsuara e stërholluara, të organizuara si strukturë, që ndërtojnë një rrëfim sa simbolik aq edhe të bukur. Duke lundruar gjithmonë mes refuzimit dhe pohimit të realiteteve të ofruara, autorja përzgjedh atë që është tërësisht e saj. Spikat një këmbëngulje e mprehtë por etike për të mos kompromentuar asnjë grimëz sensin në selektim. Duke dalluar qartas vetëdiferencimin prej të tjerësh dhe së tërës, gjë për të cilën kujdeset gjithë kohës dhe i jep një mani klasi dhe stili individualitetit të saj, sistemi tregimtar i ndërtuar në këtë vëllim, tepër të veçantë, ngre pretendime të reja në mënyrën sesi perceptohet dhe vlerësohet përmes emocionit qenia, si tërësi dhe mëvetësi. Kultura dhe influenca e botës ku aktualisht jeton autorja, janë përthithur e asnjanësuar në mënyrë metaforike të shprehjes duke mos humbur thjeshtësinë e frazës. Nga ana e qëllimit letrar këto tregime tingëllojnë unike. Mimoza Ahmeti Shkallare Në atë shtëpi të madhe ku mund të kem qenë gjithsej vetëm një herë, çdo gjë është prej druri: tavani, dyshemeja edhe shkallaret spirale që të çojnë diku lart, shumë, shumë lart, në një musëndër nën çati. Ndoshta kam vite që e vizitoj, por çdo herë që largohem e fshij nga kujtesa pa ndonjë qëllim. Mbaj vesh e dëgjoj dikur hapa të rëndë që ngjiten nga poshtë nëpër shkallaret e drunjta e kërcasin prej peshës së një burri trupmadh. Vjen pa trokitur deri lart e qëndron në derë. Kjo mungesë sjelljeje më bën nervoz dhe ngrihem vrik prej krevatit. Burri është i ashpër, i shëmtuar dhe mua prej inatit më vjen ta shqyej edhe pse nuk e njoh fare kush është. Pastaj ai kthen kurrizin dhe thyen qafën poshtë shkallëve duke më lënë ndjenjën e një inati të thellë përmbrapa. E dëgjoj të hungërijë duke ikur dhe kuptoj vetëm fjalët: "shtëpia ime" Udhëtim në kinemanë shqiptar Titulli: Historia e kinemasë në Shqipëri; Vëllimi i parë (1897-1944) Ky studim është bërë që në fillimin e viteve 1980 dhe para se të arrinte në këtë variant përfundimtar autori Hoxha e kaloi "nën lupën" e mendimeve të disa studiuesve, profesorëve dhe akademikëve. Në këtë libër paraqitet historia e xhirimeve filmike në Shqipëri dhe libri është edhe një ndihmesë për historinë e kinematografisë botërore. Në studim është shfrytëzuar një material jashtëzakonisht i bollshëm teorik, arkivor nga shtypi ynë si dhe nga burime të huaja. Pikërisht këto nënvizon akademik prof. Bedri Dedja, duke propozuar madje që libri të botohej nga Qendra e Studimit të Arteve e Akademisë së Shkencave që në vitin 1986. Ndërsa prof. Dhimitër Shuteriqi vlerëson kapitujt e këtij punimi të gjatë, si të pasur dhe që informojnë në mënyrë dokumentuese. "Po do të thoshim se kapitulli i pestë është veçanërisht interesant nga disa anë, sepse na zbulon qëndrimin ndaj këtij arti në Shqipëri. Tjetër herë nuk kanë qenë evidentuar këto fakte që kanë të bëjnë me zhvillimin e mendimit estetik ndër ne, të njohur thuajse vetëm përmes qëndrimit ndaj letërsisë", nënvizon Shuteriqi, duke përmendur këto "dokumente interesante", të qëmtuara në shtypin shqiptar, veçanërisht në atë të viteve 30, kur filmit i është bërë një jehonë më e dukshme në këtë shtyp. "Njerëzit që shkruajnë nuk janë zakonisht njerëz sadopak të formuar si kritikë, por, më se një herë, nuk janë pa ekzigjenca ndaj artit dhe dinë të mbajnë më se një herë qëndrime realiste dhe me vlerë, sidomos kur gjykojnë mbi rolin e filmit mbi spektatorët tanë. Del në atë kapitull mendimi përparimtar, që arrin të depërtojë edhe në shtypin reaksionar, që ishte në pjesën dërmuese shtypi i kohës tek ne, sidomos në vitet '30 e në atë të pushtimit fashist", vijon ai duke shtuar se me interes të veçantë është çka qëmtohet e paraqitet mbi lëvizjen nacionalçlirimtare dhe kinemanë e filmin (kapitulli IX). "Në përgjithësi mendoj se kemi të bëjmë më një punim që ka vlera njohëse, punim që në pasuron mbi historinë e arteve në Shqipëri,ndonëse, siç dihet, kinematografi shqiptare s'kemi ende në këtë fazë historike si krijimtari të mirëfilltë", vijëzon Shuteriqi po në nëntor të '86-ës. Luan Rama-skenarist, studiues dhe shkrimtar Fillimet e kinemasë në Shqipëri janë të hershme, të panjohura dhe të pabotuara. Në arkivin tonë të filmit vetëm disa filma kanë mbetur nga ajo kohë. Sallat e vjetra të kinemasë nuk ekzistojnë më. Studiuesi Abaz Hoxha me një pasion të veçantë iu vu punës për hulumtimin e kësaj historie me diapazon të gjerë shoqëror. Gjetja e dokumenteve arkivore, puna prej disa vitesh, kërkimet pranë arkivave të huaja për të dhëna mbi filmat e xhiruar në Shqipëri, si ata të fillimit të shekullit, gjatë Luftës së Parë Botërore, Luftës Ballkanike e më pas, nxorën në pah një lëndë të pasur sa interesante për kineastin edhe për publikun e gjerë, aq edhe të vlefshme për gjithë kulturën tonë kombëtare. Ky libër është përpjekja e parë që bëhet në studimin e historisë së kinemasë në Shqipëri dhe padyshim përbën një nxitje edhe për studiuesit e tjerë për lëvrimin e kësaj fushe me interesa të veçanta. Faktet e shumta që na paraqiten për shfaqjet dhe autorët, amatorët shqiptarë të kinematografisë dhe qëndrimi i publikut të gjerë, shtjellohen në një sfond të përcaktuar social-politik të kohës. Përmes faqeve të librit futesh në histori dhe para syve sikur të rishfaqen ato ambiente primitive ku shfaqeshin filmat, studio e Kol Idromenos në Shkodër dhe "Kafe Stema" në Korçë. Vetë Idromeno, ky fotograf dhe piktor i shquar i traditës kombëtare, që para vitit 1911 kishte shfaqur filmat e shoqërive të huaja në Shkodër në "Dritëshkronjën Idromeno". Libri ndjek rrjedhën e viteve herë duke na njohur me filmat e shfaqur të shoqërive të huaja kinematografike, si "Paramount", "MGM", "Warner Brothers", "Gaumont", "UFA" etj., dhe herë me autorët, aktorët dhe jetën e tyre, ose me përpjekjet e artdashësve shqiptarë që kinematë të bëheshin pronë e shqiptarëve. Duke lexuar librin nëpërmjet titujve, ideve dhe përmbajtjeve të filmave të shfaqur, njeh njëkohësisht një pjesë të historisë botërore të kinematografisë. Vështrimi i autorit në këtë libër është i gjerë. Kinemanë, si një art sintezë, ai e sheh të mpleksur me tërë jetën kulturore-artistike të vendit, me shfaqjet e amatorëve të këngës, teatrit, humorit që zhvilloheshin në sallat e kinemave të viteve '20, '30 në "Nacional" ose në "Ideal" të Tiranës, "Luks" e "Mazhestik" të Korçës, "Shkodra" dhe "Rozafat" të Shkodrës, "Drita" të Durrësit, "Përparimi" të Vlorës, etj. Autori na dokumenton se kinemaja ishte kthyer kështu si e vetmja qendër e kultivimit të arteve më të reja, siç ishte drama, humori, etj. Por kinematografia me lojën e aktorëve të shquar botërorë, subjektet dhe efektet artistike, linte gjurmë edhe në dramaturgjinë tradicionale shqiptare, në lojën e aktorëve, të komikëve, në interpretimet e këngëtarëve, muzikantëve, etj., gjë që padyshim përbën një objekt tjetër studimi për historianët tanë të artit: marrëdhënia e kinematografisë me artet tradicionale në Shqipëri. Në vështrimin historik që i bën kinematografisë, autori e sheh zhvillimin kinematografik në Shqipëri jo si fryt të biznesit komercial, po në radhë të parë si dashuri për këtë art, që si "arti i shtatë" ishte kaq masiv, i fuqishëm dhe edukues për njerëzit. Këta njerëz të thjeshtë bënë ç'është e mundur që të zgjidhnin filmat më përparimtarë e me vlera artistike për të kënaqur publikun e gjerë. Një rëndësi të veçantë autori i kushton mendimit kritik të shtypit të kohës mbi filmat, autorët, aktorët e ndryshëm, mendimeve mbi rolin e kinemasë në botë dhe emancipimin shoqëror, mbi vlerat e kinematografisë si dhe kritikës ndaj filmave dekadente erotike dhe iluzore të "Mekës" së kinematografisë, siç konsiderohej në atë kohë Hollivudi, "Kombinati i prodhimit të ëndrrave". Libri evidenton qëndrimet progresiste antifashiste të publikut dhe inteligjencës shqiptare ndaj filmave propagandistikë fashistë e nazistë të L. Riefenshtahl, veprat e të cilëve ishin integruar në agresionin kulturor ndaj Shqipërisë. Në libër njihesh me shumë shkrime që u botuan për krijimtarinë e Çaplinit, G. Garbos, M. Ditrih, etj. Interes përbëjnë edhe të dhënat e komentet mbi rrymat e ndryshme të kinematografisë, si realizmi poetik francez, ekspresionizmi, realizmi socialist sovjetik i paraluftës, etj. Njihesh, gjithashtu, me rolin e inteligjencës shqiptare në këtë fushë. Të gjitha këto shkrime, megjithëse ende s'mund të flasim për kritikë të mirëfilltë kinematografike, dëshmojnë anë të reja dhe të panjohura deri më sot të mendimit estetik shqiptar të periudhës së para çlirimit. Ky libër është pasuri e madhe jo vetëm për kulturën por edhe për historinë, sepse na adreson për të kërkuar pamje vendesh, njerëzish, objektesh e ngjarjesh të papara ndonjëherë, për të parë ndoshta edhe pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit e të shumë ngjarjeve të tjera historike, pra, për të deshifruar nëpërmjet kuadrit kinematografik historinë, jetën e gjallë të popullit, për të zbuluar psikologjinë e tij, dramën dhe shpresën. Mijëra e mijëra metra film që janë xhiruar në Shqipëri nga kineastë të huaj, anglezë, amerikanë, austriakë, italianë, etj., përbëjnë gjithashtu, një objekt më vete studimi… Studimi dhe hulumtimi më i madh në arkivat dhe kronikat dokumentare në Koblenz të Gjermanisë, në Vjenë, në arkivat e filmit në Romë dhe në Paris, Beograd dhe Athinë, do të nxjerrin në dritë imazhe të reja të jetës shqiptare, të cilat tashmë kanë mbetur vetëm në botën e kujtesës popullore. … Me mjaft interes janë të dhënat për amatorët e parë shqiptarë që xhiruan në vendin tonë që më 1928 e më pas, më 1933. Libri "Arti i shtatë në Shqipëri" i studiuesit Abaz Hoxha, prezanton një vepër me interesa të gjera, së cilës do t'i referohen jo vetëm kritikët e artit në përgjithësi, por edhe historianët, sociologët, etnografët, të gjithë ata që e duan dhe e çmojnë kinematografinë. Titulli: Në gjurmë të filmave për Shqipërinë …Ishte viti 1964. Me rastin e festave të nëntorit në Kinostudio u bë një sesion shkencor mbi arritjet e kinematografisë. Aty përsëri u hodh teza e lindjes së kinematografisë më 10 korrik 1952. Indirekt thuhej se kinematografinë shqiptare e krijoi ai që kishte filluar punë në atë kohë. Në sesionin shkencor merrte pjesë edhe Sekretari i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr.1 që mbulonte administratën e lartë shtetërore si dhe institucionet e kulturës dhe artit. Mbajta edhe unë një kumtesë ku trajtoja tre probleme, por ku dominonte mendimi se kinematografia shqiptare nuk lindi më 1952 dhe se atë nuk e krijuan as rusët dhe as jugosllavët. Sigurisht që pati reagime nga ata që donin të vërtetonin se "nëna dhe babai" i kinematografisë shqiptare ishin vetë. Kjo tezë u pëlqeu edhe pushtetarëve, sepse ishte në harkun kohor që ata ishin në fuqi dhe për kontradiktat e acaruara të Shqipërisë me rusët dhe jugosllavët në atë kohë. Këtë tezë e mbrojta më vonë edhe me materialet paraprake dhe në konferencën e shtypit që mbajta në Festivalin e Parë të Filmit Ballkanik që u mbajt në Varna të Bullgarisë (gusht,1965) ku kisha shkuar së bashku me regjisorët Kristaq Dhamo dhe Viktor Gjika. Hë për hë, kjo datë, domethënë prilli i vitit 1947 mbeti si pikë referimi për lindjen e kinematografisë shqiptare. Prandaj edhe Festivalet e Filmit Shqiptar që filluan të zhvilloheshin nga viti 1976 (Festivali i parë), edhe festat e ndryshme të kinematografisë shqiptare bëheshin në muajin prill duke iu referuar prillit të vitit 1947… Metropol
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||