| Letërsia Shqiptare | ||||
|
SHTËPIA BOTUESE BRAZILIANE “PROTEXTO” BOTOI LIBRIN E ENGJËLL KOLIQIT – “NDJENJË DRITE” (SENTIMENTO DE LUZ) E diel, 21-10-2007, 04:21pm (GMT) SHTËPIA BOTUESE BRAZILIANE “PROTEXTO” BOTOI LIBRIN E ENGJËLL KOLIQIT – “NDJENJË DRITE” (SENTIMENTO DE LUZ): DRITA E DASHURISË DHE E VËRTETA SHQIPTARE HYJNË FUQISHËM NË OPINIONIN BRAZILIAN Libri i parë poetik i Engjëll Koliqit në gjuhën portugeze, që këto ditë u botua në Brazil ka gjithsejt 161 poezi, të ndara në gjashtë shtylla përmbledhëse tematike: Shkruan: Sarë Gjergji
Për të kuptuar edhe më mirë përmbajtjen, vlerat dhe qëllimin e këtij libri poetik të autorit kosovar, që pa dritën e botimit në gjuhën portugeze, në Brazil, po e përshkruajmë të plotë parathënien e redaktores dhe përkthyeses së librit – Dr Vera Lucia Alves Neves, më sa vijon: “Nuk është lehtë të shkruash për një poet që ka fjalë të forta e shumë të ndjeshme, siç është Engjëll Koliqi. Ai nuk është një autor i thjeshtë, që i vë fjalët dhe i dërgon në vargje të mbyllura të poezisë. Është para së gjithash një njeri që ndjen dhembjet e popullit të tij, që njeh kërkesat dhe nevojat e vendit të tij, që dëgjon zhurmën e burimeve duke rrjedhur nëpër gurë dhe – para së gjithash – ka në zemër tokën e vet ajrin e Kosovës së Tij. Dashuria është fjala çelës e tij, respektivisht kryefjala e tij. Ai nuk flet për dashurinë mes dy trupave, por diç më shumë se kjo. Formula e tij është ndërgjegjëja e ekzistencës së besimit në fuqinë hyjnore, në mbarë gjithësinë, dhe që bën të krijojë në proporcionin e tij atë që retë të kërkojnë malet. Poezia e Engjëll Koliqit është si një cikël frymëmarrjeje. Në inspirime ai hyn në kontakt me rrënjët e shpirtit të tij. Është të jesh vetëm, është lëvizje e të mbushurit me energji, përgatitje... Në inspirime është takimi, çasti i lulëzimit, që të rilind me tjetrin, të bëjë që shpresat të jenë pjekuria e ëndërrimeve. Poezia e tij është një ripërtëritje e brendshme, një rivitalizim i ëndërrave të papërjetuara, të ëndërrave që kërkojnë përcaktimin e të jetuarit. Kjo ripërtëritje e thellë ndjehet në fjalët e tij, që nuk janë vetëm konkrete. Dashuria e tij është e pakushtëzuar, e guximshme dhe zemërbutë. Me këtë dashuri ia del të ikë nga energjitë negative dhe në vend që të humb hapsirën e tij, nuk lejon të kontrollohet nga negativiteti, as të sakrifikohet... Ishte një nder të prezantohet Engjëll Koliqi, sepse poezia e tij ka rrjedhur mu nga zemra, nga një ndërgjegje gjithnjë e pastër dhe e rilindur, gjithnjë e rritur në dhembshuri, në kungim (ushqim shpirtëror) me vetëvetin dhe me natyrën, në dëshirën e tij që të lëvizë lirshëm mes kthjelltësisë dhe emocioneve, mes të të menduarit dhe veprimit (aksionit), pa paragjykim në marrëdhëniet me të tjerët dhe me vetëvetin, duke kërkuar gjithmonë të vërtetën – të vërtetën që t’i besojë vetëvetit, të vërtetën që të besojë në transformimin (ndërrimin) e botës, të vërtetën që të besojë në muzikë, në art, në bukuri, në rend dhe në fisnikërinë e ndjenjës (sentimentit). Është pikërisht kjo veti që e bën të posaçëm, të fortë dhe sfidues, të fortë në mënyrën e tij të të shprehurit, të sigurtë në qëllimet e tij. Poezia e Engjëll Koliqit do të mund të jetë për opinionin një sfidë – jo abstrakte, por një sfidë që mund të prekë në kokë dhe në kraharor, mbasi frazat e tij të mund të integrohen në historinë tonë të jetës, duke përfituar forma, kreativitet dhe kërkim të gjithëhershëm në drejtim të vetënjohjes”. Nga Brazili bëhet e ditur se edhe libri tjetër publicistik, “Nëna Tereze – një dashuri e pakufishme” (poashtu në gjuhën portugeze,i këtij autori, do të dalë nga shtypi brenda këtij muaji, nga shtëpia botuese “O Lutador”, në Belo Horizonte. Gjithashtu në përgatitje është edhe libri tjetër poetik “Forca e Jetës”, që sipas të gjitha gjasave do të botohet portugisht dhe gjermanisht, si edhe libri “Shekulli im quhet dashuri”, i përkthyer portugisht, nga italishtja. Le të shpresojmë që së shpejti mund t’i lexojmë librat e këtij autori, të njohur në botë, edhe në vendin tonë, në gjuhën amtare. Ai thotë se në gjuhën amtare ka shkruar mijëra vargje, shumë tregime, udhëpërshkrime.... por deri tash ende nuk ka botuar libër shqip, por beson se së shpejti do të shohin dritën e botimit disa libra të tij, në gjuhën amtare – në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, me kërkesën edhe të disa shtëpive botuese. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||