Letërsia Shqiptare

Botimet e reja te javes
E merkure, 07-11-2007, 07:24pm (GMT)

Ferid Bala i dhuron fonotekën e vet "Marin Barletit"

Pedagogu i njohur i kantos, Ferid Bala i ka dhuruar dje bibliotekës “Marin Barleti” të Shkodrës, fonotekën e tij të pasur personale. Në ceremoninë e organizuar në bibliotekën e qytetit, për nder të Balës, themeluesit të shkollës së kantos në Shkodër morën pjesë personalitet të artit e kulturës shkodrane, si dhe pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi“. Në fjalën e tij profesor Ridvan Krakaci theksoi se, "gjesti i dhurimit ishte një ndër virtytet më të larta të profesor Ferid Balës". Ndërkohë pedagogu i muzikës, Qamil Gjyrezi vuri në dukje së profesor Bala "është reformatori i kantos dhe brezat, që do të vijnë do të kenë në duar materialet e vyera, me të cilat punuan dhe ata që janë shkolluar nën kujdesin e drejtimin e tij".

Nga ana e tij drejtori i Bibliotekës "Marin Barleti", Gjovalin Cuni theksoi se "dhurata e çmuar e profesor Balës është një gjest qytetarie." "Në sajë të këtij fondi të dhuruar nga profesor Bala, studiuesit do të kenë mundësi të marrin vlerat që do t’u shërbejnë për punimet e tyre", nënvizoi ai.

V. Avdyli

Poeti Leom sipas revistës “Natiunea” të Bukureshtit

Një poet i diasporës shqiptare

Shqipëria është një vend i dashur që kthehet shpeshherë në mendimin e tij. Leomi është një luftëtar që e dashuron jetën, me gjithçka që i ofron ajo. Poezia e tij e dashurisë shquhet përmes patosit dhe sensualitetit, përmes një zjarri të shenjtë të përjetimit, i shpënë herë-herë deri në paroksizëm. Leksioni i jetës për nga perspektiva e Leomit, duket se është ky: Të jetosh do të thotë ta njohësh botën në të cilën jeton.

Victoria Milescu

“E pashë botën” është libri me vargje i një autori të talentuar shqiptar që e quan vetveten Leom. U lind më 14 mars 1969 në Shkodër të Shqipërisë. Qysh në adoleshencë shkruan poezi dhe prozë, por disa tekste do t’i konsiderohen si të rrezikshme për regjimin, fakt që do t’ia përcaktojë fatin, duke ndikuar që trajekti i jetës së tij të jetë i paparashikueshëm duke e patur parasysh natyrën e tij nonkonformiste, rebele.

Do ta braktisë Shqipërinë duke u vendosur së pari në Greqi. Prej këtu do të shkojë në vende tjera duke u bërë një udhëtar i palodhshëm apo kërkimtar vendesh dhe gjërash të reja, duke zbuluar ambiente që do ta influencojnë dhe ushqejnë krijimtarinë – të pasur dhe shumëgjuhëshe – e përfaqësuar me poezi, prozë, skenarë filmash, etj. Aktualisht banon në SHBA dhe është poeti i parë me prejardhje shqiptare nga Kalifornia, i përkthyer në gjuhën rumune, përmes përkushtimeve të poetit dhe përkthyesit të palodhshëm, Baki Ymeri, ai që ka prurë në vëmendje të publikut lexues rumun edhe poetë tjerë shqiptarë: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Sali Bashota, Ibrahim Berisha, Basri Capriqi, Ibrahim Kadriu, Jeton Kelmendi, Miradije Ramiqi, Halil Haxhosaj, Mardena Kelmendi, Merita Bajraktari McCormack etj.

Vëllimi “E pashë botën” (Editura Deliana, 2007, 156 f.) strukturohet në gjashtë kapituj tematikë poezish reprezentative nga disa libra: Një natë në bordele, Gërmadhë e kam shpirtin, Çka don dikush tërë jetën etj. Si çdo përmbledhje, edhe kjo që kemi para sysh ka avantazhin të na ofrojë një pasqyrë të përgjithshme të krijimtarisë së autorit deri në një moment të caktuar, por edhe një shëmbëlltyrë motivesh të ndryshme, temash, qasjesh stilistike, duke dalë në pah kontinuiteti i tyre në variante, shkathtësia e kombinimit, por edhe fakti se pjesët mbështeten në mënyrë reciproke, duke komunikuar mes vedi në të njëjtin substrat që i ka rrënjët në atdheun e lindjes, të cilin e marrim ne apo na ndjek kudo që të shkojmë.

Për dallim nga poetët e tjerë të sotëm shqiptarë që kultivojnë nganjëherë, madje me ngulm, ndjenjën e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj historisë së përbujshme të popullit të vet, kjo ndjenjë është e trajtuar me subtilitet të hollë atëherë kur paraqitet, dhe paraqitet në mënyrë të patjetërsuar. Duke qenë e nuancuar në mënyrë tejet diskrete, sugjestioni ngulfatet më thellë, më përvëlimtar, emigranti i ndodhur ndër të huaj duke i vlerësuar në një shkallë më të lartë traditat e popullit të vet. Aspekte tipike si çrrënjosja, zhgënjimi, mashtrimi, janë të reflektuara me dinjitet, me njëfarë saktësie të bindjeve; vuajtja e shakmis, ia trazon forcat vitale; poeti, gjithnjë e më nxitës, duke u pajisur me energji hyjnore për një luftë të gjatë sentimentale, në një terren të panjohur.

Leomi është një luftëtar dhe, si çdo luftëtar, e dashuron jetën, me gjithçka që i ofron ajo: iluzione, premtime, zhgënjime, duke ia përflakur mendjen me ëndrra, duke ia nxitur ndjenjat. Poezia e tij e dashurisë shquhet përmes patosit, sensualitetit, përmes një zjarri të shenjtë të përjetimit, i shpënë herë-herë deri në paroksizëm, në të cilin engjëllori ka diç demoniake, pafajësia manifestohet në mënyrë të egër : E rëndë është marrëzia e burrit/ Kur trupi i saj shtrihet në asfalt/ Ndodh të çmendet dhe druri/ Që më kafshon në qafë dhe qaj/ Kur gëlltis epshet dhe dhembjet./ Një përzierje kënaqësish më kaplon/ Përmbi mua shembet qielli, bijnë yjet/ Diku atje gjëmon një zhurmë/ Marr me veten trupat tanë.

Në këtë pikëshikim të ndjeshmërisë, kuptimi dhe kuadrot e dashurisë janë të tjera, dashuria porsi jeta duke patur njëfarë magjie, duke u ndodhur nën mallkim, nën damkosje. Flitet për “satanën e mallit”, për “epshe natore”, për “hipnozë seksuale”, ku dashuria është një lojë që shndërrohet në një luftë permanente ndërmjet partnerëve në arenën e seksualitetit. Vargjet kanë njëfarë agresiviteti mishtor në të cilat pulson guximi i shprehjes, atëherë kur çlidhet “djalli i lirë”, duke mos patur megjithatë asgjë triviale, toni duke qenë nganjëherë i frustruar, i drejtpërdrejtë, herë të tjera tringëllimtar porsi ujërat që zdirgjen në ujëvarë.

Po qe se dashuria është një lojë, dhe jeta është e parë po ashtu si një lojë, një lojë e rrezikshme në të cilën shuma supreme është uni i përmbysur nga provokime të panumërta, i absorbuar nga eksperimente të llojllojshme, i nënshtruar nga kurora shumëngjyrëshe e një bote gjithnjë e më të kërkuar dhe kurrë e gjetur: Derisa ne luajmë me jetën/ Jeta na e hap portën./ Nuk dimë ku të fshihemi nga jeta/ Derisa rendim duke mos u ndalur. Biografikja luan një rol qenësor, aq saqë duke i lexuar poezitë e këtij poeti, mund t’ia përbësh trasenë e jetës sipas një ditari intim, në të cilin janë të përshkruar sipas dorës së parë impresione fluturimtare, vërejtje, ide për njerëzit dhe ngjarjet që i mbërthejnë në qarkun e tyre. Ai është aventurieri, rebeli që gjezdis botën duke e kërkuar vetveten, duke kërkuar çdo gjë dhe asgjë nga kurioziteti i tij i kristaltë: Gjithmonë rebele është qenia ime/ Nga shiu i kureshtjes jam larë/ Një erë më shpërndan në cakun e fatit tim/ Ndërsa dielli na lë të ndarë.

Duke gjezdisur nëpër botë, poeti shënon se njerëzit janë të njëjtë, pa marrë parasysh racën, kombësinë, religjionin, njerëz që vuajnë dhe dashurojnë njësoj, ndërsa nganjëherë flasin të njëjtën gjuhë, atë të heshtjes. Duke udhëtuar nga Amsterdami, Brukseli e Parisi deri në Madrid, njerëzit jetojnë në të njëjtën mënyrë – disa janë skllevër të lirë, skllevër të kuriozitetit: Kërkuam më shumë. Gjetëm më pak,/ S’gjetëm asgjë/ Mes meje dhe teje. Humbëtirë!/ Shëmtira dhe skandale në çdo botë, në çdo skutë/ Të jetës rrangalle, të ftohtë, të ngurtë/ Asgjë, s’kish më vlerë!/ Asgjë s’ish e mirë!/ Skllevër gjithnjë/ Skllevër të lirë. Njerëzit manifestohen njësoj ngase janë të interkonektuar në një kohë të papërshtatshme: Kjo kohë e çlidhur na lidh/ Me prangat e jetës së ndryshkur nga ëndrrat/ Kjo është koha e jetës sonë, e vetmja kohë/ Kur unë i lirë mund të shikoj shikimin tënd/ Dhe me hijen time mund të mbuloj trishtimin tënd.

Shqipëria është një vend i dashur që kthehet shpeshherë në mendimin e tij.

Leomi kalon nëpër botë duke ia mbërthyer shpartallimin, si poet i revoltës duke përdorur një ton me rrudha zhgënjimtare, duke i shqelmuar konsumuesit e marihuanës, lesbianet, viktimat e depersonalizimit, një botë mahnitjesh të bezdisshme të lyera në mënyrë apokaliptike: E pashë botën, si një përmendore/ Ku gjithkush bie hero për një thërrime tokë/ Muzash të plagosura e pashë tek sillej vërdallë

Me nuanca të fishkura, ku çdo stinë ish e vetme, porsi vjeshtë/ E pashë botën të ngritur dhe të thjeshtë./ E pashë botën, kurrë më parë s’kish ndodhur/ E pashë me njerëzinë e sosur, dhe pa vlerë/ Ku çdokush rrugësh të saj, hidhte një mendim/ Me ngjeshje të gënjeshtrave, larë me gjurmët e eshtrave/ E pashë botën të mbytur kënetave./ E pashë botën në duart e njeriut, si mes shqyerjes/ Turbullirë e vdekur, tek kafshonte qeniet e saj/ Pashë botën me skandalet e saj, si shi i rrëmbyer, pa pushim/ E pashë botën e thyer, dhe qau shpirti im. Në këtë botë vërshon pika e vetme që mbetet si mërgim, Shqipëria, ku kthehet shpeshherë me mendimin e tij: Shqipëria vendi im i dashur/ Përherë rebel ngase të këtillë e kam natyrën, përherë duke e nxitur/ Ëndrrën time të përhershme/ Derisa në dhembjen time që më mjafton, përsëri e gjej vetveten/ Që zdirgjet në pragun tënd përgjithmonë.

Por Leomi e ka parë botën jo vetëm me syrin e mërgimtarit, të të lazdëruarit, por edhe me syrin e poetit, të artistit duke ia filtruar karatet që i japin peshë dhe vlerë ekzistencës sonë tokësore, duke u qortuar për dobësitë tona, duke i kërkuar falje pse na qorton: Më falni po qe se më kujtohet një dhembje e kahershme/ E cila ju përfshin të gjithëve përmes territ/ Jeta është si një lojë që degdiset përherë/ ja përse del si një lavire rrugës/ Më falni po qe se jua qortoj reagimet e varfra/ Ndaj këtij realiteti që na mundon/ Kështu që për ne të gjithë marrëzia është jetë/ Përzierje e furisë që vjen, e po vjen/ Më falni po qe se ju ndjej, po qe se për ju thur poezi/ Të cilat ju nuk i kuptoni ngase shpeshherë/ Ato duken si do ëndrra që paparitur na braktisin/ Duke na e dhënë leksionin qe do të ketë vlerë dikur. Leksioni i jetës, për nga perspektiva e Leomit, duket se është ky: Të jetosh do të thotë ta njohësh botën në të cilën jeton.

(Përktheu me kompletime të imta nga artikulli “Un poet rebel”, Natiunea, Nr. 424, Bukuresht, 2007: B.Y.)

Botohet në Rumani romani “Verë pa kthim” i Besnik Mustafajt

Shtëpia botuese rumune "Junimea", botoi ditët e fundit romanin "Verë pa kthim" të shkrimtarit Besnik Mustafaj. Është një nga romanet më interesante të letërsisë moderne shqipe, i cili është çmuar në shumë gjuhë e shumë kultura të huaja. Besnik Mustafaj është, pa dyshim, një nga emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe. Duke qenë i përkthyer në disa gjuhë të huaja, qofshin të qarkullimit ndërkombëtar, apo ballkanike, Besnik Mustafaj është shndërruar në një nga emrat që kanë fituar rezonancë dhe peshë përfaqësuese në botën letrare evropiane. Shtëpia botuese prestigjioze “Junimea”, e drejtuar prej një nga personaliteteve më të mëdha të letërsisë moderne rumune, Cezar Ivanescut, boton kësisoj romanin e dytë nga letërsia shqipe, pas romanit “Pallati i ëndrrave” të I. Kadaresë në vitin 2001. Romani është përkthyer nga dr. Luan Topçiu dhe redaktore është Simona Modreanu. Botimi i këtij romani vijon menjëherë pas botimit në rumanisht të novelës “E madhe është gjëma e mëkatit” të Mitrush Kutelit, nga shtëpia botuese “Privirea” me përkthim po nga Luan Topçiu.

Ky roman, i tipit onirik, shkruar teknikisht shumë pranë “romanit të ri francez”, botohet në vendin ku përvoja e romanit onirik njeh autorë që i takojnë onirizmit si drejtim letrar, siç janë Virgil Tanase, Vintila Ivanceanu, Dumitru Tepeneag, Leonid Dimov, të cilët u bënë të njohur kryesisht në Francë.

Romani i shkruar sipas “teknologjisë” së ëndrrës përbën një formë shprehjeje artistike tejet inteligjente, që i siguron thellësi domethënieve ndërtekstuale, krijon simbole që priren drejt universalitetit. Në pamje të parë, duket se onirizmi barazohet me një realitet virtual. Në fakt ëndërrimi dhe imagjinarja realizojnë simbolin, alegorinë, ai aludon për një realitet konkret historik, politik, ekzistencial. Onirizmi përbën një rrafsh estetik, një prosede letrare, suksesi i së cilës përcaktohet nga talenti dhe intuita, nga aftësia për të tekstualizuar ëndrrën.

Nga ana tjetër, “Verë pa kthim” ndërtohet mbi një shtrat mitik ballkanik, ku mund të dallojmë tri nyje semantike kryesore: atë të kthimit (Odiseja, Konstandini, Ymer Aga etj), në një paralele të kthimit të të vdekurit (Kostandin-Gori), atë të mbajtjes së fjalës së dhënë (Konstandini dhe Doruntina, Ymer Aga) dhe atë të pritjes (Sana-Penelopa). Autori nuk sjell simbolet e mitit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dëshmon gjallërinë e skemës mitike në bashkëkohësi. Vegimi i romancierit ndërtohet sipas kësaj formule ku bashkëjetojnë miti, ëndrra, realiteti. Ëndrra gjeneron mitin dhe miti gjeneron ëndrrën, për të mbërritur në një realitet ku pritja kthehet në absurd, e kthimi në një iluzion. Ëndrra e Besnik Mustafajt në romanin “Verë pa kthim” është e kontrolluar dhe i qëndron besnik skemës mitike ballkanike. Shtresimet kuptimore dhe vetë shpjegimi i romanit dhe i enigmës së tij onirike mund të dekodifikohet, në fakt, përmes këtij nënshtrati.

Besnik Mustafaj sondon në mitologji për ta aktualizuar atë, për të dëshmuar pjellshmërinë e tij, universalitetin e përmbajtjes, magjinë dhe pamundësinë e shpjegimit të tij. Autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe kanë sonduar në mitologji nga perspektiva e bashkëkohësisë, duke i dhënë kësaj letërsie përmasa moderne. “Verë pa kthim” shënon një përvojë evropiane të suksesshme të romanit shqip, dhe një pasuri të vetë romanit evropian. Nuk është aspak i rastit përkthimi i këtij romani në disa gjuhë të huaja si dhe suksesi plotësisht i merituar që gëzon tek lëçitësi dhe mendimi i specializuar i huaj. Përkthimi dhe botimi i këtij romani në rumanisht e bën më të pranishme prozën cilësore shqipe në këtë hapësirë kulturore, duke realizuar njohjen, komunikimin dhe dialogun midis dy kulturave tona.

Baki Ymeri (Bukuresht)

Këshilla për "pushtetin"

Titulli: Makiaveli në demokraci

Autori: Eduard Baladyr

Përktheu: Pëllumb Nako

Shtëpia botuese: Uegen

Çmimi: 500 lekë

…Populli shkon drejt atij që përpiqet ta joshë dhe jo drejt atyre që bëjnë sikur i nënshtrohen dëshirave të tij. Rrallë herë pushteti mund të fitohet rastësisht, apo të ta lënë konkurrentët.

Një pushtet i largët, indiferent, shumë shpejt do të shfaqet antinjerëzor, i panevojshëm. Po aq shpejt do të ngjallë krupë. Nuk do të vonojë edhe urrejtja për ta marrë me vete. Politikanët luajnë një komedi, temën e së cilës e zgjedhin vetë. Asnjë nuk mund të shpresojë t'i bëjë bisht ndikimit të gazetarëve; ata e kërkojnë informacionin, e përzgjedhin.

Kur kanë skrupuj edhe e kontrollojnë. E përsërisin deri në ngopje duke e transformuar në të vërteta të dukshme.

Politikani ka frikë se mos virtytet morale janë veçse

pengesa për suksesin. Është i besueshëm në fjalët që thotë? Do të gënjehet. I sinqertë? Do ta tallin. Konstant në bindje? Të gjithë oportunistët do ta braktisin që në vështirësinë e parë. E urren ai gënjeshtrën? Për të do të shpifin…

Pjesë nga parathënia

Ambicia për të cilën mungon talenti, është krim.

Shatobrian

Gjithçka ndryshon: raportet e forcës ndërmjet kombeve, shpërndarja e pasurive, gjendja shpirtërore; po ashtu dhe politika, domethënë lufta për pushtet. Marrja e tij, zotërimi, përdorimi. Arsyet për ta lënë apo për ta humbur nuk janë më të njëjta.

Lodhemi nga gënjeshtrat; aspak të papëlqyeshme këto për hipokrizinë e konformistëve. Betejat politike dhe parimet morale kanë qenë gjithmonë në konflikt. Është e vërtetë se çdo regjim i djeshëm është i njëjtë edhe sot. Tiranitë e ruanin kontrollin duke bërë që kudo të mbretëronte frika. Të gjitha mjetet ishin të mira: mashtrimet, masakrat, shkelja e besimit. Ishte një lojë e zhvilluar ndërmjet të mësuarve. Popujt mbeteshin spektatorë ose thjesht thirreshin për mbështetjen e rivalëve, para se të riktheheshin në skllavërimin e tyre të natyrshëm.

Diktaturat moderne, si ajo e Leninit, Stalinit, Hitlerit, Maos, Frankos, Musolinit, Pinoçetit apo Sadam Huseinit, pa folur këtu për ato të Afrikës, Azisë dhe Amerikës, nuk kanë vepruar aspak ndryshe nga njëra-tjetra. Thjesht mjetet moderne të propagandës, aq të domosdoshme për të siguruar bindjen e popujve, madje edhe për të krijuar iluzionin e protagonizmit spontan, e kanë bërë më efikas përdorimin sistematik të mashtrimit: mënjanimi i lirive publike pengon çdo kundërshtim.

Janë këto liri që i japin kuptim demokracisë. Kur mbretëron, politika nuk synon të shtjerë frikë, por të jetë e pëlqyeshme, të bëhet tërheqëse duke përdorur gjithë armët e joshjes si arsyetim. Nuk i kushton shumë vëmendje zgjedhjes së mjeteve, por liritë e bëjnë të jetë më e respektueshme, krijojnë mundësinë të diskutohet, të kundërshtohet, të vëzhgohet e të vihet në pikëpyetje. Brenda vetes politikani sheh se pushteti mund t'i hiqet vetëm nga vendimi i popullit dhe jo nga një forcë brutale në duart e një numri të vogël njerëzish. Koha ka ndryshuar. Dhe kjo patjetër duhet marrë parasysh…

Gjuha sipas Ajnshtajnit

Titulli: Fjalët e Ajnshtajnit (Gjuha e shkencës midis përpikërisë dhe poezisë)

Autori: Daniele Gouthier, Elena Ioli

Parathënie nga Tullio De Mauro

Përktheu: Mariana Ymeri

Shtëpia botuese: Dituria

Çmimi: 650 lekë

"Të bësh shkencë do të thotë të komunikosh shkencë. Autorët hulumtojnë karakteristikat e gjuhës shkencore, duke u ndeshur me problemin e komunikimit të shkencës", nënvizohet në botimin e "Fjalët e Ajnshtajnit" në shqip. Libri ndahet në dy pjesë. Në të parën, gjejmë shtatë rrëfime për shkencëtarë dhe idetë e tyre, nga Lavoiseri te Gell Manni, nga Claude Shannoni te René Thomi. Fjalët e këtyre protagonistëve të shkencës shërbejnë për t'iu futur temave të mëdha: metafora, ligjërimi, bukuria, të analizuara në pjesën e dytë. "Ligjërimi i shkencës nuk mund të përjashtohet nga një nivel ambiguiteti, i quajtur 'poetik', që i siguron qëndrueshmërinë. Një komunikim i efektshëm rifiton referimin me përvojën e përditshme dhe me përfytyrimin kolektiv; niveli poetik, në këtë kuptim, është thjeshtëzuar nga metaforat me të cilat shkenca, dhe pra komunikimi i saj, është i pasur: vrima të zeza, shije dhe ngjyrë e quarkeve, numra të bollshëm dhe binjakë, sa për të dhënë disa shembuj.

Lipset thënë që në krye: fjalët e Ajnshtajnit, titull i këtij libri, nuk janë terma të kahershëm dhe të mistershëm. Para së gjithash, ato janë fjalët më të zakonshme, ato që kushdo i ka pronë të vet, pa zor dhe mund. Këtë e kujton dhe e përsërit shumë herë vetë Ajnshtajni, që nga faqet e para të Mein Weltbild të vitit 1934, më pas në shënimin e shkurtër por të rëndësishëm "The Common Language of Science" të vitit 1942, e deri tek "Autobiographisches" të 1949-s. Joshja dhe referimi i çdo qenieje njerëzore ndaj ligjërimit të zakonshëm, i jepte Ajnshtajnit një argument vendimtar për të provuar natyrën thellësisht shoqërore të dijes dhe të kulturës: "Pjesa më e madhe e asaj që dimë dhe besojmë na është mësuar prej të tjerësh, përmes një gjuhe që të tjerët e kanë ngjizur. Pa gjuhë, aftësia jonë për të menduar do të ishte tejet meskine dhe do t'i ngjante asaj të gjitarëve të tjerë superiorë. Duhet pranuar që epërsia jonë mbi kafshët qëndron në mënyrën si jetojmë ne në shoqëri".

Që në zigzaget e këtij pohimi shquhet një mendësi që është larg si nga ideja për t'i njohur fjalës një funksion të thjeshtë si mjet i jashtëm i mendimit, po ashtu edhe nga ideja për ta "fryrë" funksionin, aq sa ta shohë fjalën si të vetmen dhe të domosdoshmen qelizë gjeneruese të koncepteve dhe të mendimeve. Lexojmë në shënimet autobiografike që Ajnshtajni me ironi i quan "nekrologji": "Unë ngul këmbë që kalimi nga shoqërimi i thjeshtë, nga ëndrra në mendim, karakterizohet nga funksioni pak a shumë mbizotërues që merr tek ky i fundit koncepti. Nuk është fare e nevojshme që koncepti të jetë i lidhur me një shenjë riprodhuese dhe të dallueshme nga shqisat, pra me fjalën. [...] Sa për mua, nuk kam fije dyshimi që mendimi ynë zhvillohet kryesisht pa u shërbyer nga shenjat, fjalët, dhe madje shume shpesh në mënyrë të pandërgjegjshme..." Po aty për aty Ajnshtajni shton se, kur një koncept i lidhet një fjale, "mendimi bëhet i komunikueshëm". Pra komunikimi nuk është i vetmi funksion i fjalës. Në përsiatjet më të specifikuara dhe më angazhuese të shënimit të vitit 1942, Ajnshtajni kthehet e reflekton mbi "lidhjen e brendshme midis ligjërimit dhe mendimit" dhe arrin në përfundimin: "Mund të priremi edhe t'i atribuojmë aktit të mendimit një pavarësi të plotë nga ligjërimi, nëse individi do të formonte ose do të ishte i zoti të formësonte konceptet e veta pa udhëheqjen e të tjerëve. [...] Mund të arrijmë në përfundimin që zhvillimi mendor i individit dhe mënyra e tij për të formësuar konceptet, varen në një shkallë të lartë nga ligjërimi. [...] Mendimi dhe ligjërimi janë të lidhur anasjelltas".

Sipas Ajnshtajnit, pikërisht kjo lidhje ka qenë dhe vijon të mbetet shtysa për të ndërtuar (në funksion të ndërtimeve konceptore të shkencave moderne), sisteme terminologjike që kapërcejnë kufijtë e identiteteve të veçanta gjuhësore kombëtare derisa, duke u nisur nga gjuhë të përbashkëta në larminë e tyre, arrihet në ndërtimin e një gjuhe shkencore universale, nga të cilat citohen si shembuj të parë të padyshimtë gjeometria euklidiane dhe algjebra. "Karakteri mbikombëtar i koncepteve dhe i ligjërimit të shkencës i detyrohet faktit që këto janë ngjizur nga mendjet më të shkëlqyera të të gjitha vendeve dhe kohërave. Të izoluar, dhe dikur të bashkuar në kërkimin e rezultatit përfundimtar, ato kanë krijuar mjetet intelektuale për revolucionet teknike që kanë shndërruar jetën e njerëzimit këta shekujt e fundit. Sistemet e tyre konceptuale kanë shërbyer si pishtar në kaosin e pështjelluar të perceptimeve dhe prandaj mësuam të kuptojmë të vërteta universale, duke u nisur nga vërejtje të posaçme". Ajnshtajni vëren sërish: "Lidhja midis koncepteve dhe thënieve [shkencore] nga njëra anë dhe të dhënave shqisore nga ana tjetër, vendoset përmes veprimeve të llogaritjes dhe masës, kryerja e të cilave është mjaft e përcaktuar..."

Të "mbretërosh" mbi stresin

Titulli: Mbretëresha e shtëpisë

Autori: Sophie Kinsella

Përktheu: Mira Kroqi

Shtëpia botuese: Dituria

Çmimi: 1000 lekë

Quhem Samanta. Jam 29 vjeç. Nuk kam pjekur kurrë bukë në jetën time. Madje, nuk mund të qep as një kopsë. Di të strukturoj marrëveshje financiare për një korporatë dhe t'i kursej deri në tridhjetë milionë paund klientit tim…

"Mbretëresha e shtëpisë" është historia e një vajze që ka nevojë të çlodhet. Të gjejë veten, të dashurohet. Të fillojë më në fund të jetojë. Dhe të zbulojë se… si hekuroset. Me talentin e Sophie Kinsellës, një komedi e re, me miliona fansa në botë.

E konsideroni veten të stresuar?

Jo. Nuk jam e stresuar.

Jam…, jam e zënë. Ka shumë njerëz që janë të zënë. Kështu është në të gjithë botën. Kam një punë shumë dinamike, një karrierë që për mua është e rëndësishme dhe që më pëlqen.

Mirë pra, ka edhe momente kur ndihem paksa e tensionuar. Si të thuash... nën presion. Po unë jam avokate në një qytet të madh, ç'mund të presësh tjetër?

Sa shumë po i mëshoj stilolapsit e grisa fare letrën, ta hajë dreqi! S'ka problem. Kalojmë te pyetja tjetër.

Sa orë në ditë shpenzoni në zyrë mesatarisht?

14 (jo)

12 (jo)

8 (po)

Bëni gjimnastikë rregullisht?

Kam në mend të filloj një program të rregullt noti. Kur të kem kohë. Kam qenë shumë e zënë me punë kohët e fundit.

Por është një situatë që do të kalojë shpejt.

Një "memorial" për (para)luftën në Kosovë

Titulli: Stuhi lufte mbi Kosovë

Autori: Jusuf Zejnullahu.

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 1300 lekë

Sapo ka dalë nga shtypi dhe është hedhur në qarkullim në Shqipëri e Kosovë libri me kujtime i autorit Jusuf Zejnullahu, një figurë e njohur politike e Kosovës së paraluftës, së fundi ish-kryetar i Qeverisë së Kosovës në vitet e luftës 1989–1990. Botimi përfshin kujtime, refleksione dhe analiza të autorit për ngjarjet në Kosovë në periudhën 1980–1999. Në mënyrë të veçantë përshkruhen nga autori raportet në vite midis Kosovës dhe Jugosllavisë dhe më pas Serbisë me statusin e saj si krahinë autonome dhe jepen të dhëna mjaft të rëndësishme për gjendjen sociale, ekonominë, popullsinë, arsimin, etj. Interesante dhe me rëndësi janë shënimet e autorit për marrëdhëniet me

Serbinë në prag të Luftës, institucionet e saj, takimet e krerëve kosovarë me Millosheviçin, dhunën dhe vrasjet e ushtrisë dhe policisë serbe, por, mbi të gjitha për revoltën dhe kundërshtimet e masave popullore në Kosovë.

Lexuesi do të njihet për herë të parë nga njëri prej drejtuesve kryesorë të Qeverisë së Kosovës në vitet e paraluftës edhe për marrëdhëniet midis figurave më të njohura të politikës shqiptare para dhe në prag të

Luftës në Kosovë, por edhe me raportet me disa prej emrave më të njohur të politikës, administratës dhe ushtarakëve jugosllavë apo serbë të kësaj periudhe, qëndrimet e tyre ndaj çështjes shqiptare. Për herë të parë në kujtimet e bashkëkohësve do të jepen edhe refleksione për qëndrimet e organeve të ndryshme të medias në Kosovë e jashtë saj,

si dhe me udhëheqësit e institucioneve fetare në Kosovë.

Libri “Stuhi lufte mbi Kosovë”, i shkruar 17 vjet pas gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe pas përfundimit të Luftës, i parë ftohtë, larg në kohë dhe pa qëndrime emotive nga ana e autorit, në prag të zgjedhjeve në Kosovë dhe në vigjiljen e shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, padyshim që do të ngjallë interes për lexuesin shqiptar kudo që ndodhet, por edhe refleksione, reagime dhe kundërshti, siç ndodh rëndom me libra të tillë që trazojnë memorien e popujve…

Dy fjalë për autorin

Jusuf Zejnullahu lindi më 1944 në Svirce të Medvegjes. Më 1968 diplomohet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe më 1971 përfundon studimet pasuniversitare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit. Punën e filloi në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës në Drejtorinë e Komunikacionit dhe Lidhjeve, për të vazhduar në detyrën e

këshilltarit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës, drejtor i Entit për Zhvillimin Ekonomik të Prishtinës, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, drejtor-gjeneral i kombinatit metalurgjik “Ferronikel”, nënkryetar i Odës Ekonomike të Jugosllavisë me detyrë të koordinimit të politikës monetare dhe sistemit bankar. Në vitin 1989 u zgjodh Kryetar i Qeverisë së Kosovës. Më 1990, bashkë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, u largua me anë të grushtshtetit të Serbisë dhe u detyrua të lërë vendin. Ky është libri i tij i parë. Është duke shkruar edhe dy të tjerë: “Rruga e mërgimit” dhe “Historia e ekonomisë së Kosovës”.

Një "çelës" për "kthesat evropiane"

Titulli: Masa dhe pushteti (V.I dhe II)

Autori: Elias Canetti

Përkthyes: Aristidh Ristani

Sociologji, Filozofi, Politikë

Çmimi: 1200 lekë X 2

Në veprën e vëllimshme sociologjiko-folozofike "Masa dhe pushteti" Elias Kaneti ka pasur si qëllim të japë ndihmesën e vet për shpjegimin e kthesave rrënjësore politike, sociale e kulturore në Evropën e shekullit XX. Lidhur me këtë, kritikët vënë në dukje se gjer më sot nuk ka libër tjetër që të merret me problemet e shoqërisë bashkëkohore në një mënyrë të përqendruar sa "Masa dhe pushteti", dhe shtojnë se masa dhe pushteti janë koncepte themelore për të kuptuar epokën tonë.

Ndërsa në vëllimin e dytë të kësaj vepre, Elias Kaneti analizon me hollësi "pushtetin" i cili lidhet ngushtë me "masën". Autori i ilustron gjithmonë hulumtimet e veta me shembuj të shumtë dhe tepër interesantë nga historia e njerëzimit. Kaneti shkruan ndër të tjera për mbretër afrikanë e aziatikë dhe sundimtarë të lashtësisë, megjithëse nuk bën shprehimisht krahasime me sundimtarë të lashtësisë, por këtë gjë ai ia lë lexuesit

Titulli: Përralla italiane

Orkidet për fëmijë

Përktheu: Klara Kodra

Botimet: Lindje e Perëndime

Çmimi: 250 lekë
 

Metropol


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.