“Illyricum Sacrum”, ‘zbulohet’ korpusi historiografik
Titulli: ILLYRICUM SACRUM 10
Burime dhe dokumente (Botohen për herë të parë)
Autorët: Musa Ahmeti, Etleva Lala
Recensentët: Aleksandër Stipçeviq, Robert Elsie, Rexhep Ismajli, Josip Kolanoviq, Shaban Sinani
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Vepra që po merr në duar lexuesi, e titulluar “Illyricum Sacrum. Burime dhe Dokumente, vëll. 10, është një përpjekje për të sjellë më pranë tij një vepër të papërsëritshme të historiografisë botërore, me rëndësi të jashtëzakonshme për trojet shqiptare, përmasat e së cilës mund të krahasohen pa frikë me ato të një ajsbergu: pjesa e botuar është vetëm maja e ajsbergut, ndërkohë që vetë trupi i ajsbergut, d.m.th. pjesa më e madhe e punës që u bë për këtë vepër, gjendet nëpër arkivat dhe bibliotekat evropiane, duke pritur që të shohë dritën e botimit. Në këtë vepër jemi përpjekur që të parashtrojmë para lexuesit të dyja këto dimensione të veprës “Illyricum Sacrum”, duke vënë theksin tek pjesa e nënujshme e ajsbergut, pra baza burimologjike e kësaj vepre që gjendet e pastudiuar dhe e pabotuar nëpër arkiva, me qëllimin që jo vetëm të tregojmë vlerat e vërteta të punës së bërë për këtë vepër, por edhe të nxisim historiografët dhe studiuesit shqiptarë e më gjerë, që t’i kthejnë sytë nga këto burime që janë të gatshme, të mbledhura nga vetë autorët e “Illyricum Sacrum” për t’u inkorporuar në historiografinë shqiptare.
Korpusi “Illyricum Sacrum” është vepra më e plotë dokumentare e shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë së dikurshme të Justinianit. Themi kështu jo vetëm, sepse përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore, përkatësisht që nga antikiteti deri në shekullin e tetëmbëdhjetë, dokumente këto që u referohen të gjitha territoreve që quheshin Iliri në kohën e Justinianit, por edhe për shkak të shumëllojshmërisë së çështjeve që trajtohen në këto dokumente. Në këto dokumente gjenden të dhëna jo vetëm për vendndodhjen, historinë dhe kulturën e qyteteve dhe të qendrave të ndryshme të qytetëruara, ekzistuese apo të zhdukura me kalimin e kohës, por edhe për personalitete të ndryshme që janë pak apo aspak të njohura gjetiu. Është e vërtetë që këto personalitete vijnë kryesisht nga jeta dhe hierarkia kishtare, por ato përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së inteligjencës së popullsisë gjatë periudhës kohore prej Antikitetit e Mesjetës, dhe dokumentet që ndriçojnë këto personalitete na ndihmojnë për të parë në një dritë më të plotë jetën, aktivitetin dhe mentalitetin e individit në periudhat përkatëse, zhvillimet shoqërore, ekonomike, politike, tregtare, ushtarake, kulturore dhe shpirtërore të popujve që jetuan në këto treva.
”Illyricum Sacrum”, i cili erdhi në dritë si rezultat i punës së gjatë e gjithëpërfshirëse prej 125 vjetësh të tre studiuesve, që u përkisnin tri gjeneratave të ndryshme, dhe ndihmësve e kolegëve të tyre: at Filip Riçeputit (1667-1742), at Daniel Farlatit (1690-1773) dhe at Jakob Koletit (1734-1827), është quajtur me të drejtë edhe enciklopedi ilirike, për shkak të materialit të gjerë që përfshin.
Nga dorëshkrimet dhe dokumentet e mbledhura, at F. Riçeputi themeloi “Bibliotheca manuscripta Illyricana,” ose “Musaeum Illyricum”, qëllimi i të cilës ishte ruajtja e mirëmbajtja e lëndës arkivore, i kësaj pasurie që kishte jo vetëm rëndësi imediate për botimin e veprës, por edhe për brezat e ardhshëm që do të merreshin me historinë e Ilirisë. Në këtë bibliotekë/muze ishte mbledhur pothuajse gjithçka që kishte të bënte me historinë kishtare dhe laike të Ilirisë. Nga Iliria, por edhe nga Italia, Vatikani, Austria, Shqipëria, Dalmacia, Gjermania, Hungaria, e vende të tjera dhe ishte sjellë lëndë arkivore origjinale ose e noterizuar, dhe e barazvlefshme me origjinalin. Lënda e mbledhur përfshinte 359 vëllime me dorëshkrime si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej 627 zëra.
Për një studim të mirëfilltë të korpusit “Illyricum Sacrum” përveç vëllimeve të shumta me dorëshkrime, rëndësi të veçantë ka edhe letërkëmbimi i të tre autorëve: at Riçeputit, at Farlatit dhe at Koletit. Ky letërkëmbim përfshin një periudhë kohore prej 133 vjetësh; përkatësisht fillon me 17 nëntor të vitit 1694 dhe përfundon më 29 korrik të vitit 1827. Gjatë gjithë kësaj kohe janë shkruar një numër jashtëzakonisht i madh letrash nga autorët e korpusit “Illyricum Sacrum”, por edhe nga shumë të tjerë si p.sh. nga papë, kardinalë, udhëheqës urdhrash, kryeipeshkvë, ipeshkvë, prelatë kishtarë, intelektualë, shkencëtarë, historianë, fisnikë të familjeve të njohura të kohës si dhe persona të thjeshtë, të cilët në forma të ndryshme shprehim miratimet, inkurajimet, falënderimet, mirënjohjet e tyre për punën e jashtëzakonshme, por në anën tjetër pati edhe të atillë, që kërcënonin, fyenin, mohonin punën e bërë, shprehnin dyshime, ishin skeptikë dhe dëshironin të pengonin gjithë projektin. Të gjitha këto mund të ndiqen me saktësi, duke shfletuar me mijëra letra origjinale që ruhen nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme, jo vetëm shtetërore, kishtare dhe civile, por edhe në ato private. Janë shumë befasuese sfidat të cilat detyrohen të përballojnë autorët, veçanërisht at Riçeputi, në punën e tyre, duke treguar se me punë dhe përkushtim mund të arrihen rezultatet e dëshiruara.
Letërkëmbimi është i shkruar në disa gjuhë, por dominojnë gjuhët italiane, latine, frënge, greke dhe gjermane. Pjesa më e madhe e letërkëmbimit që na është ruajtur, është në origjinal, pra autograf. Ne kemi shfrytëzuar pjesën më të madhe të këtij letërkëmbimi, duke bërë indeksimin dhe identifikimin e tij si dhe duke përpiluar një regjistër kronologjik e alfabetik, me emrat e të gjithë atyre që u kanë shkruar autorëve të veprës. Historia fetare e shqiptare ka mbetur e paplotë deri më sot edhe për shkak të shpërndarjes së figurave të saj kishtare nëpër vëllime të ndryshme të këtij korpusi, që nuk ka qenë kurrë i tëri (me të gjithë vëllimet) në duart e studiuesve shqiptarë. Kjo gjë ua ka bërë të vështirë historianëve punën për gjetjen dhe paraqitjen e jetëve dhe aktiviteteve të tyre. Megjithatë, rëndësia e këtij korpusi qëndron kryesisht edhe në vetë vështirësinë për ta përdorur atë: pjesët përbërëse të tij janë të ndërthurura shumë mirë dhe të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën.
Megjithëse në kuadër të veprave të botuara, “Illyricum Sacrum” është vepra më e plotë burimore e shkruar ndonjëherë për historinë e Ilirisë, dhe vlera e kësaj vepre nuk është kapërcyer akoma, me gjithë arritjet e historiografisë në ditët tona, korpusi “Illyricum Sacrum” duket i paplotë dhe i papërsosur kur e krahason me gjithë materialin e pabotuar që është mbledhur nga autorët e tij dhe që akoma ruhet në biblioteka e arkiva të ndryshme të Italisë, Dalmacisë, Hungarisë, Austrisë, Francës, e më gjerë. Nëse një ditë do të mund të inkorporoheshin në këtë korpus edhe të gjitha dokumentet e mbledhura nga autorët e këtij projekti ambicioz, pa dyshim që nuk do të kishte më asnjë arsye për historianët për t’u ankuar për mungesë burimesh në lidhje me historinë e Ilirisë jo vetëm kishtare, por edhe në atë laike e në tërësinë e vet. Ky libër dëshiron pikërisht të ofrojë një ndihmë të tillë në identifikimin e materialit burimor të pabotuar dhe në theksimin e rëndësisë që ka ky material për historiografinë shqiptare, por edhe atë rajonale.
Përveç përmbajtjes së korpusit “Illyricum Sacrum” (kapitulli i parë i librit) profilit të autorëve dhe ndryshimit të projektit të tyre (kapitulli i dytë), një vend të veçantë në librin që lexuesi i nderuar ka në dorë zë edhe identifikimi i dorëshkrimeve të pabotuara dhe vendndodhja e tyre (kapitulli i tretë), si dhe korrespondenca e autorëve me të tjerët (kapitulli i katërt). Shpresojmë që ky libër do të shërbejë si një udhërrëfyes i mirë si për ata që duan të dinë për vetë korpusin “Illyricum Sacrum”, ashtu edhe për ata që duan të studiojnë burimet e pabotuara të mbledhura nga autorët e këtij korpusi.
Me "dhimbjen dashurore" të Cavalcantit
Poezia
Autori: Guido Cavalcanti
Përgatitur dhe shqipëruar nga Arben Dedja
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 500 lekë
Dashuria për Cavalcantin pikësëpari do të thotë brengë, frikë; ajo është një ndjenjë e dhunshme, turbulluese, bartëse e një force prekëse; është pasion i shpirtit, jo nxitje për përsosmërinë e virtyteve intelektuale. Ai është shumë më sensual se stilnovistët e tjerë, pra më konkret, me modern. Në pikëpamjet e veta ai është ateist (m'e pakta hajt të themi heterodoks), kështu që në vargje ai rimerr atë lidhjen e re mes filozofisë dhe poezisë që e çliron këtë të fundit nga skematizmi.
…Libri i këngëve të Cavalcanti-t është imcak, por poezia e tij është citë me mjaft personazhe të tjera, krahas treshes klasike: dashnori, vasha, dashuria. Vetja e poetit është e disintegruar, vizioni i tij për jetën dhe për dashurinë në kuptim të gjerë (e parë pra jo vetëm si përvojë erotike) është tejet konfliktual. Vende-vende C. flet për të si të ishte psikolog i këtij qindvjeçari (dashuria si impuls: as e mirë, as e keqe). Në vargjet e tij herë-herë mizore, gjen edhe mjaft autoironi. Të gjitha gjërat, me ose pa shpirt, "humanizohen" e sikur barten në një mjedis gotik. Kështu C. e zbulon, bashkë me stilnovistët e tjerë, por ndoshta në mënyrë më radikale, kontinentin e ri të dashurisë, që ai e pa më laik, më trupor. Sepse C. si shpirt i zgjedhur, shpirtndryshe, përcjell filozofinë pozitiviste (jo atë metafizike), averroizmin, epikureizmin.
Post-scriptum
Kjo pra, është e shqipëruar, krejt vepra e poetit. Taksur për një grusht të zgjedhurish, do të thoshte Poundi. Po unë, gjithsesi, shpresoj diku thellë meje që t'i hedhin një sy ashtu të shpejtë e inteligjent plot nxënës të dashuruar, studentë letërsie, arti (… mjekësie!), dashamirë të thjeshtë, që kurrë nuk i kanë munguar poezisë. Ndoshta Cavalcantit, dhe vetëm atij, do t'i pëlqente kjo mënyrë e shkujdesur e trajtimit të veprës. Se për mua ai mbetet gjithnjë ai poeti i pakohë që ndryshe nga radhorët e filozofëve dhe përvoja pikuese e jetës, na mësoi si ta shprehim dhimbjen: ja ashtu, me lehtësinë dhe ikshmërinë e erës. Po, doemos, Cavalcanti mbetet një djalosh i dashuruar me erën.
"Rrëfim" për Cezarin
Titulli: Cezari perandor
Autori: Max Gallo
Përktheu: Nasi Lera
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1000 lekë
Atë e njohim si mundës të Versinzhetoriskit dhe mashtrues të Kleopatrës, dimë që është një shkrimtar i shkëlqyer dhe një orator i mrekullueshëm, por a përfytyrojmë forcën, guximin, shkathtësinë politike dhe ushtarake që i është dashur për të arritur të pushtojë krejt vetëm botën mesdhetare në tërësinë e saj, nga Spanja në Azi, nga Egjipti në brigjet afrikane, duke bërë njëkohësisht një luftë civile kundër Pompeut, për t'u kthyer ngadhënjimtar në Romë dhe për të mbretëruar aty plotësisht? Por edhe duke qenë i madh, mund të humbësh drejtimin. Ulur mbi një fron prej ari, diktator dhe konsull i përjetshëm, pontife i madh dhe imperator, ai nuk diti të shohë, i verbuar nga vetë lavdia e tij, thikat që e përgjonin në hije.
Flitet shumë për fatin e Cezarit: por ky njeri i jashtëzakonshëm kishte tërë ato cilësi të mëdha, nuk kishte asnjë të metë, megjithëse kishte shumë vese, se ishte shumë e vështirë që çdo ushtri e prirë prej tij, të mos dilte fitimtare; dhe që në çdo republikë që formohej, të mos qeveriste.
Monteskjë- Arsyetime mbi shkaqet e madhështisë dhe rënies së romakëve, kreu XI
Për autorin
Maks Gallo u lind më 1932 në Nisë. Pedagog historie në fakultetin e Nisës, ai ka botuar më 1968 biografinë e tij të parë "Maksimilian Robespierri, historia e një vetmie". Ai fillon punën në "Express" më 1969, më 1974 aderon në Partinë Socialiste. Më 1976, boton "suitën romaniste", “Limanet e engjëjve”, që u shit me më shumë se 600 mijë kopje. Kjo suitë u pasua nga: "Makineria njerëzore" (10 vëllime), nga 1992 më 1999, "E kaltër, e bardhë, e kuqe" (3 vëllime) më 2000 dhe "Patriotët" (4 vëllime) më 2001. më 1981 zgjidhet deputet i Alpeve-Maritime. Më 1963-1984 është sekretar shteti, zëdhënës i qeverisë Mauroy. Më 1992 lë Partinë Socialiste. Më 1997, botoi, në katër vëllime, jetën e Napoleonit (800 mijë kopje të shitura), pastaj më 1998, atë të Sharl dë Golit; më 2001, "Viktor Hygo" në 2 vëllime dhe më 2002, "Të krishterët" në 3 vëllime.
"Përkushtim" fisnikëve
Titulli: Dritare fisnikërie
Autori: Mevlud Buci
Libër publicistiko-letrar
Shtëpia botuese: Dita 2000
Çmimi: 600 lekë
Ata janë shumë, mbi 300 "vetë": Një pjesë me portrete të plota, të tjerë me emrin "E artë"; 36 janë në poezi, 150 fisnikë janë edhe në fotografi.
Këta janë fisnikët që sjell Mevlud Buci në librin e tij "Dritare fisnikërie". Libri, një përpjekje për t'iu kushtuar "njerëzve që kanë lënë gjurmë diturie, gjurmë të fisnikërisë njerëzore", ka 345 faqe me tre kapituj e 102 shkrime.
Titulli: Mall i largët
Autori: Leko Mako
Poezi
Çmimi: 200 lekë
Titulli: Ju, o djem, do më kujtoni"
Autori: Leko Mako
Shtëpia botuese: Bota shqiptare
Çmimi: 600 lekë
Për "rilindasin" dhe "vendlindjen"
"Ju o djem do më kujtoni" dhe "Mall i largët" janë dy libra të rinj të Leko Makos, të dalë në qarkullim këto ditë.
I pari, është libër monografik kushtuar Koto Hoxhit. Një "lapidar" që përmes 50 shkrimeve, mbi 30 poezive dhe 95 citimeve, autori përpiqet t'ia ngrerë rilindasit.
Ndërsa librin me poezi "Mall i largët", autori ia dedikon "atdheut të vogël", vendlindjes së tij. Të 29 poezitë e tij janë si një "gjerdan" që ia dhuron Lunxhërisë. Poeti kujton e thur vargje për fshatin, rrapin, kambanën, portën e shtëpisë, kroin, emigrantët…
N. Blushi