Letërsia Shqiptare

Gjermanët na ‘okupojnë’, tani... me letra
E marte, 20-11-2007, 08:32pm (GMT)

Shkruan : Ben Andoni

Një antologji e prozës moderne gjermane në përmasa të tilla”. Përcaktim i thatë gazetarie. Në të vërtetë, “asnjë letërsi e madhe nuk e ka pasur këtë hapësirë në shqip”, shkruhet në pjesën e brendshme të kopertinës luksoze që mbështjellë emra, me po aq klas: nobelistët Heinrich Böll (1972), Elias Canetti (1981), Günter Grass (1999), Elfriede Jelinek (2004), midis 36 prozatorëve të tjerë me zë në hapësirën gjermanishtfolëse.
“Dëshira jonë minimale në përgatitjen e kësaj antologjie ishte që të hedhim një urë për te një letërsi e madhe, e cila, pasi e rifillon letërsinë, vazhdon traditat më të spikatura të paraluftës së Dytë Botërore. Dëshira më e madhe është që, përmes cilësisë së shprehjes, natyrisht edhe të shqipërimit, të ringjallet te ne dashuria për krijimin, fantazinë, depërtimin dhe zbulimin e njeriut përmes mjetit të pazëvendësueshëm nga asnjë medium tjetër: të shkruarit,” vëren Klosi.
40 tregimet e përzgjedhura në Antologji, që datojnë nga 1946 deri më 2007, janë sjellë në shqip nga pesë përkthyes. Emrave të njohur si Ardian Klosi apo Afrim Koçi, që i kanë dhuruar lexuesit shqiptar vepra të njohura nga gjuha e Gëtes, i janë shtuar në këtë përzgjedhje edhe pena të reja, si Jonila Godole, Lindita Arapi dhe Sonila Sadikaj. Prej tyre veçanërisht të bie në sy timbri i veçantë i Jonila Godoles. E njohur më shumë si gazetare, Godole ka preferuar të sjellë në shqip një ish-gazetar, Wolfgang Koeppen, zë i njohur i letërsisë gjermane. Një zgjidhje e veçantë e gazetares së njohur shqiptare për ish-gazetarin, që do t’i linte aq gjurmë në letërsinë gjermane. Pasi ka studiuar historinë e letërsisë dhe filozofinë, ai ka punuar si gazetar, aktor, dramaturg dhe redaktor. Merita e tij është se është marrë shumë me problemet e ditës në Gjermani. Ndërsa, triologjia e tij – “Tauben im Gras” (1951), “Das Treibhaus” (1953), dhe “Der Tod im Rom” (1954) – i kushtohet ringjalljes së fashizmit në periudhën gjermane të pas luftës. Ka një ironi që të grish, dhe që të tregon sesa afër është paradoksi me jetën tonë. Karroca e invalidit i dhurohet dikujt nga perandori, që i uron më pas jetë të lumtur...Por, drejt kujt?! “Frida”, kështu quhet tregimi i tij, ikën, sepse nuk vlen për asgjë. Një narracion i këndshëm me një kadencë të lehtë, që të mban me ankthin e një fati të zakonshëm njerëzor. Mrekullia e shqipes, do thonë patetikët. Në fakt, mjeshtëri e vërtetë përkthyesi. Ardian Klosi ka sjellë, veç shumë të tjerëve-austriakun Heimito von Doderer. Në një monografi, kushtuar autorit, thuhet se është shumë e vështirë për ta përkthyer. Por, mbase jo për të gjithë. Në një fat të madh për letërsinë shqiptare është se Klosi është i pjesës më intelektuale shqiptare, që gjithmonë është orvatur me sukses. Doderer ndjehet shqip. Bashkë me mjekrën e tij. Një etyd i mrekullueshëm kushtuar vetmisë, që në fund dorëzohet. Të Klosit janë edhe shumë e shumë përkthime interesante dhe që publikut shqiptar nuk duhet t’i shpëtojnë. Është Max Frisch, Friedrich Dürrenmatt, Wolfgang Hildesheimer, Bertold Brecht, W.G.Sebald, Elfriede Jelinek, Ingo Schulze etj...
Një pjesë tjetër, po kaq e rëndësishme i takon përkthyesit shumë të njohur Afrim Koçi. Veç emrave të njohur, ai ka marrë në përkthim Arno Schmidt. Për ata që nuk e njohin: Schmidt është një nga emrat më interesantë të letërsisë së shkruar gjermanisht. Pak për të dhe shumë respekt për përkthyesin, por edhe njerëzit, që e kanë përfshirë në antologjinë e tyre. I lindur më Hamburg, Schmidt mbahet si një individualist i spikatur. Disi i zhgënjyer nga eksperienca e tij në Rajhun e Tretë, ai ka pasur një pikëvështrimi tepër pesimiste për Botën. Në “Schwarze Spiegel”, ai e përshkruan utopinë e tij- si një botë të zbrazët pas një apokalipsi antropogjenik. Megjithëse, dukshëm një ateist, ai beson se bota është krijuar nga një mostër Leviatani, natyra e të cilit ka kaluar në qeniet humane. Akoma, ai mendon se- kjo monstër nuk ishte kaq e fortë sa të sulmohej...E për dreq në tregimin tonë, personazhi i Schmidt- përfundon teksa mundohet ta joshë një njeri i sektit të mormonëve. Pas një kalvari të zakonshëm ditor, sa shumë janë për njeriun e përditshëm, kthehet dhe “ e pleqëroj si më të udhës që të përshëndes me të dyja duart dhe të kthehem me bisht ndër shalë lart në shtëpinë time”. Ashtu, si bëjnë rëndom sot të gjithë njerëzit. Punë e këndshme e përkthyesit shumë të njohur, që ka përkthime dhe nga Bertold Breht, Martin Walser, Heinrich Böll, Stefan Heym, Adolf Muschg, Peter Bichsel, Daniel Kehlman Feridun Zaimoglu. Në antologji është e përfshirë shumë dhe Sonila Sadikaj, që ka një sërë autorësh, madje shumë të tillë të njohur si Kaschnitz, Bobroëski, Borchert, Wolf, Geiger, Hermann. Lindita Arapi, një tjetër emër i njohur i përkthimit ka sjellë Günter Grass, Elias Canetti dhe Felicitas Hoppe. Kjo e fundit, një letrare e ditëve tona. Eshtë lindur në vitin 1960. Fitoi Çmimin Ernst-Willner në konkurrimin e Bachmann për debutimin e saj në letërsi, me përmbledhjen me tregime Picknick der Friseure. Ky është ndjekur nga Çmimi Foglio për autorët e rinj dhe Çmimi tjetër “Aspekt”.
“Kush na kërkon do të na gjejë, aty ku gjenden njerëzit dhe arinjtë, në shpella mes gjetheve të fundosur në ëndrra, për të cilat çdo natë është shumë e shkurtër”. Është e vërtetë por, jeta e përshkuar përmes rreshtave të kësaj “rioshe” gjermane- tregon shumë më tepër. Sepse jeta është e tillë. Thomas Bernhard përmes “Italianit”, që është përkthyer mjeshtërisht prej Godoles, në një episod të shpjegon se :”pushtetin e kanë gjithmonë njerëzit e gabuar, në çdo shtet, në çdo kryeqytet, parlament dhe qeveri, pushtetin e kanë gjithmonë njerëzit e gabuar”. Por, të paktën letërsia mbetet në duar të mira. Në duart e murgjve të fjalës, që fatmirësisht nga gjermanishtja na kanë ardhur në shqip. Dhe, njerëzit e letrave nuk duan të dinë për pushtete, ngaqë pushtetin e tyre e kontrollon, në nj farë mënyrë vetë Providenca.

MAPO


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.