| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Botimet e reja te javes E enjte, 06-12-2007, 07:35pm (GMT) Cezari "flet" shqip Titulli: Mbi luftën civile Pas veprës "Komploti i Katilinës", të historianit të madh romak Salust Krispi, përkthyesja Nermin Basha na vjen për të dytën herë me një përkthim tjetër në gjuhën shqipe, atë të veprës "Mbi luftën civile" të Jul Cezarit. Të dyja këto vepra, të shkruara në gjuhën latine dhe të përkthyera nga origjinali nga Basha, shënojnë ngjarje të rëndësishme në momente kruçiale të historisë së Romës në shekullin I para erës së re. Urojmë që vepra të çmuara si këto, të karakterit historik, letrar, filozofik, retorik e të tjera, të qytetërimit të shkëlqyer grek dhe romak, t'i vijnë lexuesit tonë sa më shpesh, për të mbushur atë zbrazëtirë, të cilën e vërejmë sot në morinë e botimeve, qofshin të përkthyera apo edhe në origjinal. Nuk mund të rrimë pa vënë në dukje pasionin dhe punën e lodhshme që i është dashur të bëjë përkthyeses për të kapërcyer vështirësitë që hasen kur përkthen, sidomos nga një gjuhë siç është latinishtja, dhe kur përballesh me një stil kaq elegant dhe vezullues, siç është ai i Salustit dhe i Cezarit. Bashkohem me mendimin e prof. Jup Kastratit, i cili ka bërë një analizë të hollësishme e me kompetencë të vlerave të larta të përkthimit në gjuhën shqipe të veprës së Salustit "Komploti i Katilinës", përkthim që e ka bërë historianin romak të flasë në një shqipe elegante dhe kristaline. Gjuha latine, nga e cila Nermin Basha ka përkthyer këto dy vepra, shquhet për sintaksën e vështirë, ndryshe nga gjuha greke e vjetër, që shquhet për morfologji të vështirë. Në gjuhën latine mund t'i njohësh të gjitha fjalët, madje dhe strukturën morfologjike, e të mos arrish të nxjerrësh me lehtësi kuptimin e fjalisë apo të periudhës, lidhjet logjike me njëra-tjetrën. Në këtë vështrim do ta quanim latinishten gjuhë sintetike. Përkthyesja jonë ka arritur t'i zbërthejë e t'i shkoqitë këto lidhje, falë njohjes së gjuhës latine dhe përvojës së përftuar nga leximi i veprave në këtë gjuhë… Me veprën "Mbi luftën civile" të Jul Cezarit, lexuesi njihet imtësisht me kuadrin në të cilin u rrokullisën ngjarjet në luftën e ashpër për pushtet mes Cezarit dhe Pompeut, luftë kjo, që sintetizon në një periudhë të shkurtër historinë e gjatë të përplasjes midis koncepteve politike të republikanizmit dhe diktaturës, në pamje të jashtme, sepse në thelb ishte luftë për pushtet. Cezari sundoi në Romë në një moment trazirash të ashpra civile, por diti ta zotërojë kaosin me dorë të fortë, për të hapur rrugën e diktaturës, me qëllim që të vendoste rendin. Pushtetin nuk e përdori për favore dhe përfitime personale, mbrojti të varfrit dhe me armiqtë ka qenë në përgjithësi i butë, sikundër na kumtohet nga tradita historike. Sipas historianit të lashtë, Plutarkut, "Cezari ishte shumë popullor. Falë aftësive të jashtëzakonshme oratorike në fjalimet e mbajtura në gjyqe, korri suksese të shkëlqyera, ndërsa me sjelljen e tij plot kujdes dhe miklim, fitoi dashurinë e popullit të thjeshtë. …I pajisur nga natyra me talente nga më të ndryshmet, Cezari nuk ishte vetëm një nga burrat e shtetit dhe një nga luftëtarët më të adhuruar të të gjitha kohërave, por ishte edhe orator, poet, historian, filolog, astronom. Në të gjitha këto do të kishte mundur të shkëlqente, po të mos ishte i zënë me fushata luftarake dhe me konflikte politike qytetare. Sipas Salustit, historianit biograf romak, që në moshën 23-vjeçare, Cezari filloi të fliste në popull, duke zënë vend në radhët e para të oratorëve të shquar romakë. Kuintiliani, mësuesi i shquar i oratorisë, shton se "…sikur Cezari t'u ishte kushtuar çështjeve të Forumit, do të quhej rivali i Ciceronit. Te ai ka kaq forcë, kaq shpirt, kaq lëvizje, sa besojmë se do të vinte të njëjtën zemër për të folur, sa vë për të bërë edhe luftën." Virtytet e shquara të Cezarit shkojnë paralel me synimet ambicioze për ta bërë Romën një perandori që të shtrihej aty ku lind dielli, deri aty ku perëndon… Madhështia e Jul Cezarit qëndron më shumë në vlerat mendore e shpirtërore, se sa në ato ushtarake. Dramaturgu i madh irlandez, Xhorxh Bernard Shou, në shënimet e tij për dramën "Cezari dhe Kleopatra", Milano 1927, fq. 289, shkruan: "Cezari është më i madh jashtë fushës së betejës, sesa në të." Po sipas këtij dramaturgu, "…nga gjithë jeta e tij është e qartë se ajo që është quajtur tek ai ambicie, nuk është veç instinkt i zbulimit, i eksplorimit." Në këtë vështrim, vepra "Mbi luftën civile" e Cezarit është një përvojë historike me vlera të përgjithshme analogjike për gjithçka ka ndodhur në tronditjet politike e sociale që nga antikiteti greko-romak deri në ditët tona. Është një përvojë, me tingëllimë aktuale, që vjen së lashti dhe troket kuptimshëm në dyert e kohës sonë… Vepra "Mbi luftën civile" është pajisur me një aparat me shënime të hollësishme për tekstin cezarian dhe me fjalorë shpjegues për terma historikë, për emra të përveçëm, për emra gjeografikë, çka i bashkëngjitet tekstit si një enciklopedi e vogël me vlera të mëdha njohëse. Prof. Myzafer Xhaxhiu (marrë me shkurtime nga parathënie e librit) Titulli: Karli i Madh (Biografi të mëdha) Abacia e Shën Mauricit është një nga vendet e para të kultit të krishterë, e ngritur mbi themelet e një kishe të stërlashtë, që u ndërtua mes këtyre gërxheve vetëm treqind vjet pas. Krishti ishte kryqëzuar në Golgotë. Edhe më shumë se sot, ndihej në këtë vend vetmia dhe ashpërsia e natyrës dhe e shpirtrave. Ata pak shtegtarë që kaptonin ato Alpe kryeneçe, pelegrinë a tregtarë qofshin, doemos do të kalonin nga Shën Maurici. Meqë ishte e vetmja rrugë, s'kishin si t'i shpëtonin taksës. Në kohën ku mata guximin të kthehem, pra përpara viteve 1000, në shekullin e tetë pas lindjes së Krishtit, i pari i abacisë ishte një murg katana dhe ca batakçi, që quhej Uberto. Askush s'mund t'i kalonte Alpet pa pëlqimin apo jashtë mbikëqyrjes së tij. Kush pranonte ndihmën e abatit, duhej të paguante të dhjetën ose haraçin, kush nuk e pranonte, rrezikonte të plaçkitej e të mbetej trokë. Pra, duhej ta mblidhje mendjen e ta bëje top: pa ndihmën e tij, Gran San Bemardon s'mund ta kaloje për së gjalli. Një ditë dhjetori të vitit 753, në fillim të dhjetorit, në të ngrysur, Etat Ubertoja trupbëshëm nga dritarja më e lartë e abacisë po këqyrte rrugën që zbriste nga shtegu dhe nuk po e mbante vendi. Me sa dukej, priste ndonjë njeri të rëndësishëm, ky dhe ishte shkaku që dukej aq i trazuar. Se një burrë i ashpër si ai, i rrahur me vaj e me uthull, s'para trazohej lehtë. Për ta kuptuar gjendjen e tij shpirtërore, lypset të kemi parasysh se ç'rëndësi kishte ajo ditë dhjetori e vitit 753 për atë vend të harruar. Asokohe të kaloje Alpet, të cilat rriheshin rrallë nga këmba e njeriut dhe vetëm ndonjë kokëshkretë mund të kuturiste andej pari, ishte e pazakontë. Shenjë e thekshme e shpërbërjes së Perandorisë romake ishte lënia pas dore e rrugëve, që ngjanin si venat e një kufome. Rrjeti rrugor, që e kishte çuar Cezarin deri në Gali, ishte varrosur nën togjet e dheut pas ortekëve. Vetëm rrallë e tek ndonjë kokëkrisur mund të nisej për udhë atyre gërxheve, madje këtë mund ta bënte vetëm në stinën e ngrohtë. Në dimër kurrë. Dëbora, akulli, mjegulla, stuhitë e erës krijonin pengesa të atilla, që i ligështonin edhe udhëtarët më sypatrembur. Netët pllakosnin herët dhe s'kishte kurrfarë strehe, që të mbroheshe nga acari e thëllimi i atyre shkrepave. Dhe nëse do t'ia dilje mbanë t'i mposhte këto rreziqe, zor se mund t'u shpëtoje cubave, që zinin pusi në fund të shtegut dhe të plaçkitnin, por të hiqnin edhe kokën. Gjithsesi dikush pritej të vinte atë mbrëmje dhjetori në Shën Mauric. Dikush që e kishte kaluar Gran San Bernardon e zhytur në dëborë, u ishte qepur atyre shkrepave kanosës dhe po çante përmes shtigjeve të ngrirë, herë ngjiste pjerrësitë dhe herë zbriste teposhtë nëpër rrëpirat, ndërsa mjegulla e mbulonte me një tis të trashë dritën e mekur të ditës. Pikërisht për këtë njeri misterioz ishte në merak Ubertoja. Merakosej edhe për vete, pasi ishte bërë dorëzënë për një udhëtim thuajse të pamundur. Kishte vendosur përgjatë rrugës si udhërrëfyes të gjithë njerëzit që kishte, me ushqime e pishtarë në duar, aty ku velloja e trashë e mjegullës nuk të linte të hidhje një çap… Titulli: Ditar në kohërat e kometës "U rrita në erën e fjalëve, në xhunglën e fjalëve. Fjalë nanuritëse, magjepsëse përrallash treguar me ëmbëlsi nga im atë. Isha një profil i brishtë fëmije që bartte përroin e fjalëve në shpinë në një qytet plot ndryshk rutinë e rrape si tempuj. Por mbas fjalërimave që shtjelloheshin herë të sheqerosura, herë drithëruese, të trishta, të pezullimta, të vakëta, të çmendura, të magjishme, të zbrazëta, herë-herë si një lëndinë me reliev të shqetësuar, shihja një hon me heshtjeje të kobshme. Atëherë kur në përgjigje të pyetjeve të mija ndeshja mjegullën e padukshme të trishtimit në sytë vjeshtorë të babait, në humorin e tij të sforcuar, atëherë kur shihja mamanë tek falej fshehurazi, atëherë kur në lëvizjet plot transparencë të saj dalloja tisin e vazhdueshëm të shqetësimit, deri në një çrregullim obsesiv, kontrolli i saj në mënyrë të përsëritur se mos kish lënë furnelën e vajgurit ndezur, dritaren hapur, hekurin në prizë… E kuptova që e vërteta nuk fshihej në fjalë por në heshtjen. E kuptova se nuk mund ta zbrisja të vërtetën, por duhet të ngjitesha tek ajo. Dhe shpesh shihja hieroglifet e fatit në pëllëmbë, e trembur nga enigmat, nga pyetjet pa përgjigje... Unë, një urë e luhatshme e frymuese e fëmijërisë, e shpërhapur, e pezullimtë... E kuptova se lumturia ishte fasadë e dhimbja reale atëherë kur dëgjova sesi një ditë babain e kishin shëtitur në rrugë me pranga në duar (me akuzën për rrezikshmëri shoqërore)… E kuptova se të jesh e lumtur është tepër e vështirë, thuaj e pamundur, atëherë kur një polic i quajtur Pertef, trokiste rregullisht në të njëjtën orë në derën e shtëpisë për të bërë apelin tonë. Ajo trokitje sa vinte e çdo ditë bëhej një trokëllimë rrëqethëse, që të drithëronte e terrorizonte e i bënte të dimërt sytë e prindërve të mi... Ndalen, këputen,lodhen e shterojnë mendimet e mia plot mund e pikëllim në atë ditë funebër, atëherë kur hamendja u konturua si dukuri, rroba të hedhura në rrugë nga policia dhe ne fëmijët shtrënguar pas mamasë si ca statuja të mjera gotike. Ishin sekuestruar mobiliet e kolltukët vjenezë, pasqyrat e kristalta, sixhadetë, pirunët e lugët e argjendta... U derdhëm rrugëve për te njerëzit e mamasë, në Elbasan, ndërsa babai punonte në një kantier të largët i kamxhikuar nga mundi e pikëllimi. Por edhe Elbasani na ofroi një realitet plot drithërima trembjeje e gjeratore marramendëse. Kaluan vite. U bëra një piktore që hedh ngjyra mbi telajo për t’i pëlqyer. Krijova imazhin tim për jetën, jetën që dukej aq e pafund, aq lojcake, plot mani e rrëzëllime yllësie në fëmijëri, por më pas plot drithërima trembjeje, plot enigma... Jeta ishte budallallëk, zvetënim, mërzi, dhimbje. E ndjeja në lagështinë e në ftohtësinë e bodrumit ku na kishin plasur, e ndjeja tek shpërthenin ujërat e zeza të pallatit aty ku ne jetonim. E përbaltur, melankolike, e zhgënjyer, lënguese adoleshenca ime. E ndjeva groteskun, kur fotografia ime e shkollës së lartë nuk u ekspozua në fasadën e krenarisë së institucionit, kur u refuzova të punoja si pedagoge, kur edhe pse mbarova shkëlqyeshëm studimet, u emërova në një fshat të largët e të humbur dhe më duhej të udhëtoja pesë orë më këmbë çdo ditë me bashkudhëtar një përrua idhnak, me myshk të kadifenjtë, që më përpinte në errësirën e agut e më lëshonte në muzg. Atëherë kuptova Niçen: “Jeta është spektakël, ku tipat me vlerë i ekspozohen shkatërrimit”. E kuptova në ato seanca terapie në spitale me kripëra ari e biopsi, kur tashmë isha nënë. Fati im ishte shkruar. Jeta ishte jo vetëm një spektakël i mjerë, i mundimshëm, por edhe një opera e tmerrshme e kompozuar keq, dirigjuar keq, luajtur keq, se unë isha viktimë e një faji fatal, isha armike klase, e damkosur, isha e destinuar të vuaja, isha një shënjestër e lëvizshme. Por jo, nuk do të isha kundërshtare e vetvetes. Do të ishte absurde. Duhej të fitoja vetveten. Ato hapësira të pushtuara nga fobia duhej t’i rimerrja, për hir të fëmijëve të mi, për hir të bashkëshortit tim… Ashtu siç kishte bërë babai e mamaja ime…" (Në vend të parathënies) Miti i thagëve në "misteret" e Salgarit Titulli: Misteret e xhunglës së zezë Është epopeja e Tremal-Naikut, gjahtarit të gjarpërinjve, "një tip i lezetshëm bengalezi, mbi të tridhjetat", që lëviz me shpurën e maharait besnik Kamamuri, të Darmës, tigrit, dhe të Puntit, qenit. Mjedisi është ai i deltës moçalore labirintike të Sandërbandeve të mistershme, të pyllit të virgjër që në çdo hap të ofron dëshmi të mrekullueshme, të vë përpara takime dhe kurthe të paparashikuara dhe që e bën këtë libër një nga më magjepsësit mes shkrimeve të Salgarit. Në zemër të pyllit, Tremal-Naiku sheh vegimin e paharrueshëm të një vajze, e cila e shtyn drejt një kërkimi të çmendur. Është Ada Korishant, një adoleshente e ëmbël si Perla e Labuanit, e cila është caktuar të bëhet Virgjëresha e Pagodës, priftëresha e hyjneshës Kali, nga një sekt i dhënë pas theroreve barbare. Hyn në botën salgariane miti i thagëve, fanatikë që fshehin mbi kraharor një tatuazh të gjarprit me kokë gruaje dhe që hedhin një gjalmë mëndafshi, e cila në fund ka një sferë plumbi, për të mbytur viktimat e tyre. Këta sektarë gjenden kudo dhe kryetari i tyre, Sujodana, biri i ujërave të shenjta të Gangut, ushtron një pushtet mizor, nga i cili është thuajse e pamundur të mbrohesh. Me mitin e thagëve zhvillohet shija salgariane për okultin, për ritet e fshehta, për zakonet dhe skenat ekzotike. Ngjarja thekson tiparet e një lëvizjeje dhe të një përmbysjeje të vazhdueshme. Tremal-Naiku, i kapur dhe i lidhur nga shantazhi i thagëve, duhet të vrasë kapitenin Mekfërson, babanë e Adës. Vetëm një mrekulli do të mundësojë lirimin e armatosur pa njollën e krimit të pandreqshëm… Serxho Kampaila Për autorin Emilio Salgari, lindur në Veronë më 1862, frekuentoi Institutin Teknik Detar të Venecias. E kreu praktikën e tij letrare duke bashkëpunuar me disa gazeta, si: “Arena e Re”, pranë së cilës botoi edhe tregimet e para. Arriti një sukses shumë të madh në publik me një seri të gjatë romanesh me aventura, të mjedisuara në peizazhe ekzotike, si: “Cikli i Sandokanit” dhe “Pirati i Zi”. Vdiq shumë i varfër në Torino në vitin 1911. Një puthje nga Çehovi Titulli: Puthja Ditën e 20 majit, në orën tetë të mbrëmjes, të gjashta bateritë e një brigade artilerie në rezervë, rrugës për në repartin e tyre, ndalën për ta kaluar natën në fshatin Mesteçki. Në kulmin e gjithë rrëmujës, ndërsa disa oficerë merreshin me topat dhe të tjerët ishin grumbulluar në sheshin kryesor pranë gardhit të oborrit të kishës për të marrë fletën se ku do të kalonin natën, dikush i veshur civil doli që prapa kishës, hipur mbi një kalë të çuditshëm: ishte trupvogël, me ngjyrë në të zezë, qafën e kishte të hollë, kurse bishtin të shkurtër dhe dukej sikur ecte anash në vend që të bënte përpara, ndërsa lëvizjet e këmbëve sikur kërcente i bënte si t'i binte kush me kamxhik… Titulli: Filozofia e jetës Arkivisti i vjetër e me përvojë, studiuesi e arsimtari në pension Xhetan Strazimiri punoi për 55 vjet në mbledhjen e fjalëve të urta të popujve të ndryshëm të botës dhe thënie të mençura të njerëzve të shquar. Fryt i gjithë kësaj pune të gjatë ishte botimi i vëllimit të parë të "Filozofisë së jetës". Ky botim është model në llojin e vet. E veçanta e tij është ndërthurja e thënieve me përkufizime, trajtesa e shpjegime. Nga fondi i madh i aforizmave, rreth 25 000, dhe literatura mjaft e pasur e vendit dhe e huaj në këtë fushë që dispononte autori, përzgjodhi për librin më të përdorurat, më të dobishmet, më të spikaturat. Aforizmat janë vendosur në tema sipas kuptimit kryesor dhe rendit alfabetik. Në një kapitull të veçantë janë dhënë tema të shkurtra me vlerë filozofike e praktike. Në të 277 faqet përfshihen edhe prezantimi, hyrja, burimet, treguesit e autorëve dhe proverbave, si dhe shpjegimet për disa popuj e kombësi. Ky është një libër "tavoline" aktual, me vlerë për çdo njeri dhe "thesar" për brezat. "Në këtë vëllim, -shkruan autori në hyrje, - kam hedhur bazamentin e ngritjes së kësaj ngrehine, e cila do të lartësohet me vëllimet e tjera…". Niko Blushi - Metropol |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||