Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 05-07-2008, 01:14pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Libri
 
Botimet e reja te javes
E diel, 09-12-2007, 05:47pm (GMT)

Dëshmia e një antifashisti për luftën italo-greke dhe qëndrimet e shqiptarëve ndaj saj

Nasho Bala: “Si i ndihmuam grekët gjatë agresionit fashist”

Nga Niko Lirëza

Ai tani është një plak që del gjithnjë e më rrallë nga shtëpia, mosha dhe pleqëria kanë bërë të vetën. Mbi shpinën e kujtesës ruan mbi 80 vjet kujtime, të cilat nuk dëshiron t’i marrë me vete në burgun e harresës, por i ka përjetësuar në një libër.

Dikur, në fëmijërinë e tij të vështirë e plot privacione në vendlindje, atje në Pilur të Himarës, nuk e zinte minuta në një vend: që 10 vjeç iu desh të punonte si bari për të siguruar mbijetesën duke bredhur fshatrave Pilur, Piqeras, pastaj nga Risilia e Vlorës e deri në Vurgun e Delvinës. Ende adoleshent, si shumica e atij brezi, ai u bë pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Madje, jo si dëshmitar apo viktimë e rastit, por si aktor e protagonist i njërit prej aspekteve më speciale të asaj lufte, që, më vonë, si paradoks historik, do të bëhej burim polemikash dhe mosmarrëveshjesh midis dy vendeve dhe popujve që patën të njëjtin pushtues dhe armik: fashizmin italian.

84-vjeçari Nasho Pano Bala nga Piluri i Himarës, përmes librit të tij “Piluri, ballkon i Bregdetit…”, dëshmon historinë fantastike të njërit prej fshatrave më të bukur të Himarës dhe krejt bregdetit shqiptar. Por në librin e tij do të gjesh edhe një faqe mjaft intriguese: atë të rolit të himarjotëve gjatë inkursionit të fashizmit për pushtimin e Greqisë fqinje. Siç dihet, sulmi i Italisë fashiste ndaj Greqisë duke shfrytëzuar territorin e pushtuar shqiptar, do të shërbente më vonë, pas lufte, si një “argument” nga qarqe të caktuara greke për të ulur kredibilitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, madje duke kërkuar ndëshkimin e saj në forumet vendimmarrëse pas kapitullimit të fashizmit. Për më tej, siç dihet, “bashkëpunimi” i shqiptarëve me fashizmin ishte një argument kryesor efektiv i grekëve për dëbimin, spastrimin dhe sekuestrimin e pronave të shqiptarëve çamë në Greqi.

Nasho Bala, autori i librit “Piluri, ballkon i bregdetit …”, thjesht dhe pa asnjë ngarkesë politike apo nacionaliste, pa bërë asnjë konkluzion dhe referencë me zhvillimet e mëvonshme për këtë aspekt të antifashizmit shqiptar, tregon historinë e vet dhe të krahinës që i përket gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nasho Bala rrëfen se si në atë kohë të trazuar, ai dhe bashkëfshatarët e tij ditën të orientoheshin drejt duke luftuar pushtuesin fashist dhe njëkohësisht duke ndihmuar fqinjët grekë në këtë luftë. Me gjithë përpjekjet e fashizmit italian për të implikuar organizativisht edhe shqiptarët në agresionin ndaj Greqisë, faktet tregojnë të kundërtën: shqiptarët u solidarizuan me antifashizmin grek, duke marrë pjesë aktive në luftën e përbashkët të asaj kohe. Madje, antifashizmi shqiptar ka meritën që jo vetëm e çliroi vendin me forcat e veta dhe pa ndihmën direkte të vendeve aleate, por edhe ndihmoi fqinjët e saj si Jugosllavinë e Greqinë në këtë luftë. Vetë autori i librit, Nasho Bala, partizani i Brigadës së 5-të, do të arrestohej dhe burgosej për ndjenjat antifashiste dhe solidaritetin e shprehur me qëndresën greke ndaj agresionit fashist.

Historia e Pilurit dhe e birit të saj, veteranit Nasho Bala, është e gjatë, por ne kemi përzgjedhur vetë disa fragmente që ilustrojnë më së miri rolin e shqiptarëve gjatë agresionit fashist mbi fqinjin e tyre.

Fragment nga libri:

Solidariteti antifashist i popujve

…Gjatë zhvillimit të veprimtarive luftarake në tokën shqiptare, ushtria greke pati ndihmën dhe përkrahjen e gjithanshme të popullit tonë. Ato pak reparte shqiptare që u mobilizuan me forcë nga ana e pushtuesit fashist, me të filluar veprimet luftarake ose dezertuan, duke organizuar sabotime e diversione kundër italianëve, ose kaluan në anën e grekëve. Duke folur për këtë rast, kreu i fashizmit italian Musolini, më 10 nëntor 1940 u detyrua të pohonte: “Në vend të një kryengritje që pritej të shpërthente në prapavijat e ushtrisë greke, u verifikuan fenomene shumë të rënda nga ana e disa nënreparteve shqiptare. Përveç rastit të batalionit “Tomori”, i cili e braktisi frontin, u mësuan edhe hollësira të tjera: Dezertimet dhe shpërndarja e fletushkave po bëhen gjithnjë më të shpeshta”.

…Ardhja e ushtrisë fashiste në Shqipëri, si dhe fillimi e vazhdimi i luftës italo-greke më vonë, krijuan një situatë të rëndë politiko-ekonomike në fshatin Pilur. Me gjithë kërkesat e përsëritura që u bëri Moreti, sidomos në muajin gusht 1941 (në prag të luftës italo-greke), i cili doli vetë në fshat që të rekrutoheshin milicë, me qëllim që t’i kishte kontingjent për luftën e ardhshme italo-greke, në Pilur nuk u regjistrua asnjë milic, të cilëve iu premtua dhe një pagesë mujore.

Luftën italo-greke e ka paguar shumë shtrenjtë populli i Pilurit, fshati efektivisht u bë shesh lufte; artileria italiane tokë-ajër shkatërroi pjesën dërmuese të banesave. Në Pilur ishin dislokuar trupat greke. Në pranverën e viti 1941 nuk u mboll asnjë bimë pranverore, ndërsa të mbjellat e vjeshtës të vitit 1940 ishin shkatërruar; vreshtat, pemët u bënë barazi me tokën, mushkat dhe ushtarët kishin bërë kërdinë. Nga disa përllogaritje që u bënë në atë periudhë (pas kthimit në fshat), doli se mbi 70% të bagëtive të imëta ishin zhdukur.

…Megjithëse fshati Pilur në fakt u bë shesh lufte dhe megjithëse gjendja ekonomike e varfëria e rëndoi shumë fshatin, populli i Pilurit jo vetëm që qëndroi i patundur në krah të ushtrisë greke e të luftës së drejtë që bënte ajo, por vuri në dispozicion të tyre të gjitha burimet njerëzore, furnizimet që dispononte, udhëhoqi me trimëri tërë formacionet në vende e shtigje të pashkelura nga ushtria greke; mbi të gjitha vuri në dispozicion të gjithë fuqinë morale të tij, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë kryente një detyrë sa fisnike, aq edhe humane ndaj popullit heroik grek, i cili luftonte dhëmbë për dhëmbë me një okupator, që ishte shumë herë më i madh si në numër, edhe në potencialin ushtarak…

Është shumë vështirë që të gjendet edhe një rast tjetër si ky që ndodhi me fshatarët pilurjotë. Pas tërheqjes të ushtrisë greke në prill 1941 dhe rikthimit të ushtrisë italiane në Himarë, në Pilur u bë kërdia mbasi karabinieria dërgoi fletëthirrjet si të pandehur për 41 persona. Ata akuzoheshin se kishin udhëhequr ushtrinë greke gjatë luftës italo-greke. Pilurjotët qëndruan për 18 muaj nëpër burgjet e fashizmit pa u gjykuar (në Vlorë, Tiranë e Burrel). Disa prej të cilëve gjatë procesit hetimor u torturuan e u sakatuan. Midis pilurjotëve të burgosur ishin: Savo Prifti, Polo Prifti, Neço Prifti, Stefan Prifti, Nasho Pano, Vasil Bala, Kate Qurku, Kolë Boçi, Kate Çakalli, Pilo Mërtiri, Petro Nika, Çevo Qurku etj. Me këmbënguljen e dy grave pilurjote (Marë Gërdhiqia dhe Marë Boçia), të cilat qëndruan me ditë të tëra para oborrit të Mëkëmbësit italian Jakomoni, pas 18 muajsh u çel gjyqi ushtarak në Tiranë për dënimin e pilurjotëve. Gjykata dënoi Savo Priftin etj. me 12 vjet burg, ndërsa Kate Qurkun e Kolë Boçin me 5 vjet burg. Fiset që u persekutuan më tepër nga fashizmi italian kanë qenë fisi i Priftit dhe i Balet, sepse edhe numri më i madh në të arrestuarve ishin nga këto të dy fise. Dihet nga të gjithë se arrestimi dhe dënimi masiv i pilurjotëve u bë për të vetmin “faj”, sepse kishin ndihmuar e udhëhequr ushtrinë greke. Sigurisht, që në këtë ndihmë, u kryqëzuan dhe urrejtja që kishin pilurjotët ndaj fashizmit italian për internimet masive që kishin bërë ata në vitet 17-20, disa prej të cilëve, si Jorgo Mërkuri, mbetën të vdekur nëpër ishujt e Italisë.

Pavarësisht se spiuni i SIM-it, tenente Moreti, ishte mirinformuar nga njeriu i tij në fshatin Pilur, për emrat e pilurjotëve që kishin marrë pjesë në luftën kundër Italis, ai thirri kryepleqësinë e fshatit, të cilëve u kërkoi emrat e tyre. Ai u tha njerëzve të thirrur se në këtë rast do të provojmë sesa të sinqertë jeni me qeverinë italiane. Pasi ndodheshin para faktit të kryer dhe duke mos patur asnjë rrugëdalje tjetër, të pranishmit pohuan përbërjen e listën emërore të atyre që kishin luftuar kundër italianëve. Kur u kthyen në fshat, njëri nga anëtarët e kryepleqësisë, i cili ishte dhe më i ndershmi, pohoi para mexhlisit te rrapi i fshatit: “I dorëzuam me dorën tonë djemtë e fshatit”. Në aktakuzën që na dhanë prokuroria ushtarake italiane, dëshmia kundër nesh dilte njëri nga pjesëmarrësit në mbledhje, dilte pikërisht ai që kishte dërguar listën para thirrjes së tyre te tenente Moreti.

…Fashizmi, i trembur nga traditat trimërore të popullit tonë, kishte grumbulluar nëpër burgjet e qelitë e tyre të gjithë patriotët që kishin ndierë peshën e shtypjes; pikërisht në këtë kohë dhe për këto arsye midis 800 të burgosurve në një sipërfaqe prej disa qindra metra katrore ndodheshin dhe shokët e mi: Dervish Hekali, Ali Demi, Minella Koleka, Petro Marko, Kastriot Muço, Luftar Bolena, Shyqyri Alimerko, Fejzo Gjomemo etj. Me ta kalova një periudhë të gjatë në kolektivin e burgut, atje ku edukoheshin dhe së bashku ushqeheshin sipas mundësive ekonomike që kishim.

Kur okupatori për disa herë rresht, tentoi të internonte në Itali disa nga antifashistët e burgut, të gjithë ne së bashku, si një trup i vetëm bëheshim barrikadë dhe nuk lejuam asnjëherë që t’i nxirrnin jashtë hekurave të burgut. Solidariteti midis shokësh në burg qëndronte më lart se sa ai i shkollës, i ushtrisë dhe i punës, mbasi këtu i bashkonte qëllimi i përbashkët: Lufta për çështjen e madhe të atdheut, kështu që krahas sakrificave të mëdha të burgut, kur dolëm atje, ishim të frymëzuar nga urrejtja për armiqtë e tradhtarët.

Siç dihet, pas tërheqjes së ushtrisë greke nga toka shqiptare më 15 prill 1941, pas tyre u larguan bashkë me ta pothuajse i gjithë populli i fshatit Pilur në drejtim të Greqisë. Në fshat kishin mbetur vetëm 2 vetë: Dhimitër Lapa dhe dhëndëri i tij, Dhimë Mërkuri. Ata që kishin bagëti ikën në drejtim të Janinës me këmbë, ndërsa fshatarët e tjerë (disa qindra) ikën me motobarkat që ndodheshin në portin e Sarandës në drejtim të ishujve të Greqisë, Korfuz e Zaqintho etj. Një panik i tillë u shkaktua nga frika se pas rikthimit të italianëve, do të fillonin reprezaljet të cilat në fakt ndodhën. Megjithatë, pa marrë parasysh asnjë nga këto reprezalje, shkatërrime, vrasje dhe dëmtime, populli i Pilurit u radhit në krah të luftës së drejtë të popullit grek. Shembujt e mëdhenj në këtë drejtim janë të shumtë. Midis të tjerave, këto vërtetohen edhe me motivacionin e dërguar në Gjykatën Ushtarake të Tiranës nga ish-n/prefekti Hysni Lepenica se “Nasho Bala është i pandehur si bashkëpunëtor i ushtrisë greke kundër ushtrisë italiane gjatë zhvillimit të luftimeve me Greqinë”(Shkresa nr. 261/1 datë 12.3.2000 i arshivës shtetërore).

(Marrë nga libri i Nasho Pano Balës “Piluri, ballkon i bregdetit…”)

Udhëtim me Beckettin

Titulli: Udhëtim i mbyllur

Autori: Samuel Beckett

Përktheu: Urim Nerguti

Roman

Shtëpia botuese: Skanderbeg books

Çmimi: 600 lekë

Mercier dhe Camier na ftojnë në udhëtim. Viset që ata do të përshkojnë, një ishull që nuk i përmendet emri, njihet fare lehtë. Është Irlanda, e përshkruar këtu në mënyrë të mrekullueshme, me bokërimat dhe shkurrajat e saj, me krahët e porteve të lëshuar si për të përqafuar detin, me shtigjet përmes baltës së kënetave, me digat e kanalit të Dublinit, një peizazh aq i shtrenjtë për Samuel Beckett dhe aq shpejt i pranishëm, si fill i kuq në tërë veprën e tij. Qëllimi i udhëtimit të Mercier dhe Camier nuk është aspak i përcaktuar. Bëhet fjalë për "të shkuar përpara". Ata janë në kërkim të një gjetke që, nga vetë natyra e saj, zhduket sapo mbërrihet. Përgatitjet e tyre kanë qenë tejet të kujdesshme, por asgjë nuk ndodh siç u parashikua. Fillimisht duhet nisur, por kjo nuk është kurrsesi një çështje e vogël. Do të duhet pastaj kthim nga rruga për të marrë forca e për t'u vënë përsëri në ecje. Do të bjerë shumë shi gjatë udhëtimit. Ata kanë vetëm një mushama për të dy, dhe pas disa përpjekjesh, çadra e tyre do të refuzojë të hapet më. Biçikleta e tyre e vetme do të kthehet shpejt në pak gjë: ia vjedhin të dyja rrotat. Mercier dhe Camier do të na çojnë rreth e përqark në bare dhe kafene ku uiski të jep zemër. Sepse duhet ca zemër për të përballuar takimet e tyre shpesh të rrezikshme me personazhe të çuditshme, tërheqës ose shqetësues, madje armiqësorë, deri kur do të ndodhë një vrasje. Nga ngatërrime në keqkuptime, nga grindje në pajtime, kështu vazhdon dialogu i vazhdueshëm mes Mercier dhe Camier, të cilët flasin dhe përçartin në ecje e sipër. Ata janë të bashkuar përballë vështirësive dhe sado të ndryshëm të jenë në karaktere, duken të pazgjidhshëm me njëri-tjetrin. Kjo lidhje, a do t'i mbijetojë peripecive të udhëtimit? Ku do të mbërrijnë ata? Dhe a do të mund të mbeten ata të pandryshuar edhe pas një endjeje kaq të trazuar?

Titulli: Rusia dhe Kosova

Autori: Shaqir Vukaj

Shënime të një diplomati

Çmimi: 1200 lekë

Në kushtet delikate të një përfaqësuesi të shtetit shqiptar, autori me një përgjegjësi të lartë intelektuale e profesionale, ka arritur të reagojë në kohë dhe me diplomaci. Mbi të gjitha, me dashurinë e një profesionisti ka ditur të grumbullojë në mënyrë të përditshme materiale, deklarata, botime që janë pjesë e brendshme e këtij libri dhe që qartësojnë më së miri shumë çështje kardinale, me të cilat ndeshet aktualisht apo mund të ndeshet në perspektivë vetë bota shqiptare, politika e diplomacia e shtetit shqiptar dhe ajo kombëtare, pozicionimet dhe orientimet e tyre. Nga ana tjetër, dokumentimi dhe interpretimi me korrektësi, deri neutralitet, i fakteve, kultura e përzgjedhjes dhe roli i saj, sidomos në komentet dhe analizën politike, janë një anë tjetër e autorit të këtij libri, që në një pamje apo tjetrën përbëjnë dhe "memuaret e tij" në detyrën e përfaqësuesit të Shqipërisë në Moskë, në momente mjaft delikate për fatet e kombit shqiptar. I parë në një këndvështrim realist, libri i Sh. Vukaj e plotëson më së miri kërkesën kulturore e profesionale të një shikimi të paanshëm të marrëdhënieve ruso-ballkanike, duke detajuar e ilustruar aty dhe përbërëset ruso-serbe apo ruso-sllave (të jugut) dhe ato ruso-shqiptare, ndikimin e tyre në historinë ballkanike, në zhvillimet rajonale dhe ato shqiptare, në perspektivën e tyre, etj...

Titulli: Për një Kosovë shqiptare

Autori: Skënder Hiso

Shtëpia botuese: Geer

Çmimi: 500 lekë

Miti i Kosovës dhe alibitë e rreme serbe

Kosova, është shumëçka për shumë njerëz. "Djepi" i serbëve. Djepi i shqiptarëve. Zemra e humbur e Ballkanit. Vendi ku Sllobodan Millosheviçi nisi ngjitjen drejt fundit të tij. Vendi ku Perëndimi ndërhyri për të korrigjuar gabimet e bëra në Bosnje. Çështja e Kosovës është e mbështjellë me shumë mite, të cilat i ka mbajtur gjallë me kujdes e për

një kohë të gjatë elita kulturore e politike serbe dhe i ka pranuar gjerësisht publiku perëndimor, duke mos pasur njohuri rreth historisë së marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Natyra e problemit të Kosovës nuk mund të vlerësohet drejt pa i zhdukur fillimisht këto mite. Ndoshta miti më shkatërrimtar, për sa u përket shqiptarëve, mbetet ai që Kosova është tokë e banuar historikisht nga serbët dhe shqiptarët janë ardhacakë në këtë rajon. Historianët serbë shprehen se shqiptarët lëvizën nga Shqipëria për në Kosovë varg e varg duke filluar nga shekulli i 17-të deri vonë në Luftën e Dytë Botërore. Miti i Kosovës është aq i fuqishëm, sa qysh në fëmijëri serbëve u mësohet se ky rajon është djepi i Serbisë, i cili u çlirua në vitin 1912 pas pushtimit shekullor turko-shqiptar. Te serbët është zhvilluar "kompleksi i Kosovës".

Miti i Kosovës për politikën serbe është një bazë shumë e fortë. Në Serbi, shumë shpejt po rritet papunësia: edhe atje po ndodh një privatizim radikal dhe njerëzit e thjeshtë kanë plotësisht të drejtë të rebelohen kundër qeverisë së tyre. Është pikërisht shovinizmi serb për Kosovën, ai që po ua pamundëson këtë rebelim që të luftojnë edhe ata për të drejtat e tyre sociale. Klika apo pjesa e privilegjuar e Beogradit e sheh si shumë të domosdoshme të mbajë popullin në këtë frymë shoviniste për Kosovën, në mënyrë që të parandalojë edhe një konflikt të brendshëm në Serbi. Por në të vërtetë, e drejta për vetëvendosje e Kosovës është në interesin objektiv të njerëzve të thjeshtë, të klasës punëtore në Serbi...

Titulli: Platforma

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu: Xhelal Kurtina

Roman

Shtëpia botuese: Skanderbeg books

Çmimi: 900 lekë

Michel, një nëpunës i administratës shtetërore franceze, vendos të marrë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë. Në këtë rastësi të tij, ai do të gjendet, herë si spektator e herë si aktor, në rrjetin e turizmit seksual botëror. Ai nuk mban një qëndrim të vetin, por konstaton dhe konstatimi i tij është ironik, therës, asgjësues. Kjo lloj natyre e kultivuar nga jeta sedentare dhe pa motive, do të ndryshojë dalëngadalë. Ai do të bjerë në krahët e një dashurie që do ta shtyjnë të hyjë në zemër të kësaj platforme, ku duket se kërkon të mbështetet kjo botë, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. Michel Houellebecq është cilësuar nga media si shkrimtar me nuhatje profetike. Fare pak pas kohës së daljes së këtij libri, në fundin e të cilit përshkruhet një akt i rëndë terrorist, ndodhi 11 shtatori. Bota letrare ktheu kryet nga paralajmëruesi; ai ishte autori i parë që me gjuhën e tij të mprehtë, ia parashikoi botës së fjetur këtë kërcënim për prishje të ekuilibrave njerëzorë. Michel Houellebecq është ndër autorët më kontraversalë evropianë dhe i njohur tashmë në të gjithë botën për rrëfimin e tij ironik. Gjuha e ashpër dhe e drejtpërdrejtë e përshkrimit të turizmit seksual prej tij, është gjuha e shpjegimit të një realiteti, jo tashmë të fshehur e kërcënues, por ekzistent dhe vrasës.

"'Platforma' nuk është një ese mbi turizmin seksual. Është një roman i shkëlqyer mbi çështjen e përhershme të marrëdhënieve të komplikuara mes burrave e grave, mbi keqkuptimet e përjetshme, të mohuara një ditë nga një takim autentik, një lloj mrekullie, një revolucion intim."

Le Monde des Livres

Titulli: Arsyeja ndërmjet mitit, iluminizmit e refleksionit kritik (Shkolla e Frankfurtit)

Autori: Adriana Anxhaku (Zeneli)

Shtëpia botuese: Maluka

Çmimi: 1000 lekë

Në librin e tyre "Dialektika e iluminizmit", Horkhajmer e Adorno, këta përfaqësues me zë të Shkollës së Frankfurtit, patën shtruar një nga pyetjet më tronditëse të shekullit të 20-të, e cila vazhdoi të riformulohej në trajta të ndryshme deri sot e që tingëllon pa a shumë kështu: Përse njerëzimi, në vend të që të hynte në një gjendje me të vërtetë humane e më të lartë, siç hamendësuan iluministët, u gjet i zhytur në një lloj barbarizmi të ri?

Kështu parashtrohet përgjigja e pyetjes se pse vendoset koncepti i arsyes në qendër të shqyrtimit, në hyrje të këtij botimi... Nënvizohet se koha kur u shkrua libri ishte ajo e Luftës së Dytë Botërore dhe përgjigjen e kësaj pyetjeje ata e kërkonin pikërisht tek koncepti i "arsyes" ose "racios". Tashmë nuk bëhej fjalë thjesht që të përdorej arsyeja për të kuptuar botën, por për një lloj reflektimi metafilozofik ndaj këtij koncepti të kudogjendur e gjithorientues, sidomos të kulturës perëndimore ose të qytetërimit perëndimor.

"Vëmendja e studimit është drejtuar këtu drejt rrymave të reja bashkëkohore të mendimit filozofik e sociologjik modern. Duke lexuar punimin, bindesh plotësisht për vlerat që ka studimi, si në drejtim të parashtrimit të teorisë kritike në tërë rrugën e zhvillimit të saj, ashtu edhe në njohjen e rolit të kësaj teorie në kritikën ndaj shoqërisë ekzistuese. Mendoj se njohja e saj do të ndihmonte edhe studiuesit shqiptarë në zbërthimin e kuptimit të mjaft dukurive edhe të shoqërisë sonë, ...sidomos atyre negative për artin e kulturën që janë kthyer shpesh vetëm në mall”.

Kudret Velça (Profesor e Doktor në Universitetin e Tiranës. Profesor i Filozofisë së Artit në Fakultetin e Shkencave Sociale. Profesor në Akademinë e Arteve, Tiranë. Diplomuar në Hungari për Filozofi pranë Georg Lukaçit)

"Kemi të bëjmë me një punim, i cili trajton një problematikë shumë të vështirë filozofike, historike, sociale dhe psikologjike... Nga ana tjetër, ky punim ka një fokusim shumë të mirë konceptual. Ai synon dhe ka arritur me sukses të paraqesë thelbin e filozofisë së Shkollës së Frankfurtit nisur nga një prerje tematike që vendos në qendër të saj konceptin e arsyes njerëzore, aq të trajtuar nga autorë të njohur në filozofi si: Horkhaimer, Adorno, Markyz, Habermas, Fromm, etj. Arsyen autorja e ka parë herë si ndërgjegje kolektive, herë si patologji e opinionit publik, herë si subjektivitet shkencor e një herë tjetër si ndërgjegje individuale të tjetërsuar, pra në të gjitha ato forma që janë shtjelluar prej përfaqësuesve të Shkollës së Frankfurtit.

Artan Fuga (Profesor e Doktor në UT, Doktor në Shkencat e Komunikimit dhe Informimit në Universitetin Paris 2-Assas, Doktor Habilitatus në Filozofi në Universitetin Paris 10-Nanterre)

Titulli: Stalinizmi shqiptar (Anatomia e një patologjie politike)

Autori: Arshi Pipa

Kolana "Ad Memorandum"

Përktheu nga origjinali në anglisht: Çapajev Zera

Botoi: Instituti i kontakteve kulturore & Princi

Çmimi: 890 lekë

Vepra politologjike me titull "Stalinizmi shqiptar: aspekte ideo-politike" e studiuesit Arshi Pipa u botua nga Universiteti i Kolumbias, SHBA, në vitin 1990, pikërisht në prag të ndryshimeve demokratike në Evropën Lindore, si një botim akademik në serinë e botimeve "Monografitë Evropiane të Lindjes". Vepra është shkruar dhe botuar në gjuhën angleze dhe ka pasur dhe vazhdon të ketë peshën e vet të veçantë për politologët dhe vendimmarrësit politikë të perëndimit dhe pas botimit të saj në gjuhën shqipe edhe për politologët dhe politikën shqiptare në vazhdim.

Myftar Gjan

Prof. Arshi Pipa:

"Stalinizmi shqiptar mund të shpjegohet si një rishfaqje ataviste që i ka rrënjët në një traditë të gjatë

të kulturës bizantine që frymëzoi Shqipërinë e Jugut -socializmi shqiptar është mutadis mutandis një produkt shqiptar jugor. Në këto rrethana, stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm-leninizmit, është nominalisht marksist, minimalisht leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste. Emri më i 


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Botimet e reja te javes (06-12-2007)
LANSIMI I ROMANIT TË BESNIK MUSTAFAJT NË PANAIRIN E LIBRIT GAUDEAMUS NË BUKURESHT (25-11-2007)
“Hamleti…” i Kadaresë gjen edhe lexuesin frankofon (24-11-2007)
Libri/ “Bunkeri i seksit”, tregime përtej erosit (21-11-2007)
Gjermanët na ‘okupojnë’, tani... me letra (20-11-2007)
Botimet e reja te javes (18-11-2007)
Botimet e reja te javes (14-11-2007)
Libër me vështrime e trajtesa publicistike për artin letrare e pamore (11-11-2007)
Botimet e reja te javes (07-11-2007)
SHTËPIA BOTUESE BRAZILIANE “PROTEXTO” BOTOI LIBRIN E ENGJËLL KOLIQIT – “NDJENJË DRITE” (SENTIMENTO DE LUZ) (21-10-2007)
Botimet e reja të javës (01-10-2007)
Botimet e reja te javes (16-09-2007)
“Klithma e Mallit” vëllimi më i ri në bibliotekën e poezisë shqiptare (04-09-2007)
Spiro Mëhilli: Romanovët dhe "joshja historike" (14-08-2007)
Rikrijimi i Evës (29-07-2007)
Botimet e reja te javes (29-07-2007)
“Shkretëtira gllabëruese” e Podrimjes lexohet italisht (29-07-2007)
Botimet e reja te javes (23-07-2007)
Preç Zogaj i kthehet romanit (15-07-2007)
Botimet e reja te javes (15-07-2007)
Shqiperia me pushime: Librat erotike me te kerkuarit (11-07-2007)
Botimet e reja te javes (10-07-2007)
Libra (06-07-2007)
Zinxhirët e turpit (01-07-2007)
Jim Belushi: "Një burrë nuk thotë kurrë më fal" (18-06-2007)
Libra (14-03-2006)
Koha e madhe, sipas Carmine Abates (13-03-2006)
Libra (07-03-2006)
Valentina Madani: Engjëlli përsoset rrugëve (07-03-2006)
Simon Con: Sekretet e Engjëj e Djaj (07-03-2006)
Pano Taci: Pani Plak (06-03-2006)
Libra (03-03-2006)
Jaho Brahaj: Kronika e deres se Gjon Buzukut (02-03-2006)
Samuel Beckett: Dashuria e pare (24-02-2006)
Azem Shkreli: Kompleti i veprave (20-02-2006)
Gjetë Ndoj: Udha e shqiptarëve (18-02-2006)
Enver Bytyçit: Shqiptaret , serbet dhe greket (18-02-2006)
Luan Topçiu: Vetmia nostalgjike në poezi (18-02-2006)
Mujo Buçpapaj: Fitorja e padukshme (18-02-2006)
Virgjil Muçi: Shtrigat (18-02-2006)
Sigmund Freud: Konsiderata aktuale mbi luftën dhe vdekjen (18-02-2006)
Miradie Maliqi: Unë dhe shpirtbukura (18-02-2006)
Lulzim Hana, Ilia Telo: Tranzicioni në Shqipëri: arritje dhe sfida (18-02-2006)
Ralf Dahrendorf: Njeriu sociologjik (18-02-2006)
Ramiz Lika: Dashnorja e të gjithëve (18-02-2006)
Ornela Vorpsi: Vendi ku nuk vdiset kurre (12-02-2006)
Libra (01-02-2006)
Luljeta Lleshanaku: World Beat (01-02-2006)
Engjëll Fino: Vargje në rrjedhen e viteve (31-01-2006)
Murat Gecaj: Filologe qe nuk harrohen (30-01-2006)
Libra (30-01-2006)
Libra (16-05-2005)
At Bernardin Palaj: Eposi i kreshnikëve (12-05-2005)
Lazer Stani: Denesje ne dru (14-03-2005)
William Faulkner: Një trëndafil për Emilinë (11-03-2005)
Fatos Kongoli: Lëkura e qenit (10-03-2005)
Xhevair Spahiu: Rreziku (01-03-2005)
Fatos Kongoli: Te porta e shën Pjetrit (19-02-2005)
Gabriel Garsia Markez: Kurvat e trishta (14-01-2005)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]