Blerina Goce - Metropol
Titulli: Meditime mbi rrënoja
Autori: Nuno Judice
Poezi të zgjedhura
Përktheu: Anton Papleka
Shtëpia botuese: Koçi
Bashkëkohësia e theksuar e Nuno Judices
Luciana Stegagno Piçhio
Nuno Judice, i cili më 1986-n ka marrë Çmimin e Parë për poezinë nga PEN -Klubi portugez dhe sot është në Portugali një ndër poetët më të shquar të breznisë së re, ka thënë: "Rëndësia e një poeti qëndron tek aftësia e tij për të imponuar një ligjërim dhe për ta imponuar atë me anë të veçantisë së tij". Mirëpo kjo veçanti është edhe vetmi. Nuk është fjala vetëm të gjesh një vend të lirë në letërsi dhe të ngulesh aty, pa pasur ambicie për të krijuar medoemos një shkollë, pa pasur epigonë, por është e domosdoshme t'i marrësh parasysh pasardhësit, edhe pse bashkëkohësia e theksuar e kësaj poezie ngjan sikur është një dukuri e shkëputur, e veçuar.
Nuno Judice është poet e kritik. Kjo përmasë e dytë nga njëra anë i jep mundësi të mbajë një qëndrim pothuaj të ftohtë gjatë vlerësimit të veprës së vet. ("Unë qenkam ultraromantik? Ndoshta, po të nisemi nga njëfarë parapëlqimi që kam për mjediset e natës dhe për skenarët e ndjenjës që janë lënda e çdo poezie, por mënyra se si ballafaqohem unë me këtë botë është mjaft objektive, pa atë projektim të unit që është karakteristik për romantizmin"). Nga ana tjetër, kjo përmasë nënkupton një analizë "diturore", një pranim të kategorive estetike dhe të përkufizimeve të sotme, të kontekstit, në të cilin bën pjesë dhe fiton ato karakteristika që ka. Në një mikrokozmos portugez që, siç thotë edhe Judice, zakonisht vetëpërkufizohet me triada letrare (Pessoa, La -Carneriro, Pascoais, poetë të gjysmës së parë të shekullit XX; Herberto Helder, Ramos Rosa, Eugénio de Andrade, tre poetët e mëdhenj të sotëm), Nuno Judice, që lindi më 1949 në Mexilhoeira Grande, një fshat i largët i Algarves, profesor i Universitetit të Ri të Lisbonës, një njeri fjalëpakë dhe mbase i druajtur por jo modest, që zotëron një ironi të hollë, e cila në dukje i jep mundësi të rrijë mënjanë gjithçkaje, duke qenë plotësisht i angazhuar, vërtet është një ishull. Shqetësues, siç janë të gjithë ishujt. Etiketën e postmodernizmit, e cilësuar si diçka e përgjithshme dhe e zakonshme, unë po e përdor sot më tepër në funksion kohor dhe stilistik, si një mënyrë për ta inkuadruar e, për këtë arsye, për ta përcaktuar Nuno Judicen. Siç duket, ai vetë na i jep disa çelësa: "Zbulimi i imazhinistëve, i Poundit dhe i Eliottit më ndihmuan t'u shpëtoja ndikimeve të poetëve portugezë, sidomos ndikimit të Pessoas. Para së gjithash, Pessoas Alvaro Campos më shumë sesa heteronimëve të tjerë". Ose: "Ka edhe autorë që i kam njohur në universitet, siç është Mallarmeja". Ai shton edhe këtë: "Thjeshtësia më trondit". Megjithatë, ata që i qasen kësaj poezie së jashtmi si dhe nga një univers tjetër përfytyrimesh e shprehjesh, nuk mund të kenë asnjë dyshim në lidhje me përkatësinë e tij. Jo vetëm gjuhësisht, me një gjuhë të tendosur e të ngjeshur, me një nivel të lartë, por me një kompleksitet që është më tepër konceptual sesa kulturor, ai i përket kozmosit të poezisë portugeze. Me fjalë të tjera, edhe sikur këto vargje të ishin paraqitur të përkthyera, edhe sikur të ishin hequr të gjitha referimet vendore, nuk do të mëdysheshim për t'i cilësuar si "portugeze": thjesht nga substanca e tyre. Siç del nga ky shqyrtim i shpejtë antologjik, aty ka një prirje simboliste të poemës në prozë, e cila u përdor nga modernistët e parë, por pati një lulëzim të ri në tërë poezinë portugeze të gjysmës së dytë të shekullit XX...
Titulli: Estetika e misterit
Autori: Ragip Sylaj
Botimi: "Elena Gjika"
Autor tashmë i njohur dhe i verifikuar, që ka botuar nëntë libra nga fusha e letërsisë, prej të cilëve pesë libra të poezisë dhe katër libra të tjerë të tregimeve, Ragip Sylaj kësaj here sprovohet me një lloj të ri të krijimtarisë letrare–eseistike. Libri më i ri i këtij autori është ai i kritikës letrare periodike, me titull “Estetika e misterit”. I paraprirë nga hyrja e autorit “Në kërkim të estetikës së misterit”, materia e librit është strukturuar në këto njësi: Libri i poezisë, Libri i prozës, Libri i kritikës dhe i esesë. Libri përfshin vështrimet, përkatësisht esetë letrare të autorit për librat e rinj, të botuar deri në vitin 2002 në të përditshmen “Zëri” të Prishtinës, ku punon aktualisht, madje në disa të përditshme të Tiranës, siç janë gazetat “Tema”, “Albania”, “Fjala” etj., por edhe në shtypin periodik të Prishtinës, “Fjala”, “Sheshi”, “Jeta e re”, etj. Mëtimi i autorit me shkrimet e këtij libri është të përmbushë vakuumin ndërmjet librit dhe lexuesit. Kjo do të mbështetej në arsyen se kritiku letrar shpeshherë është lexuesi më i thellë dhe më ideal i letërsisë. Ndonëse togfjalëshi ‘estetika e misterit’ ndodhet si titull i një shkrimi të këtij libri, megjithatë ky nocion bart diçka nga esenca e kërkimit të tij në akëcilën vepër letrare. Mbi të gjitha, në këto shkrime, përveç paraqitjes së librit para lexuesit, s’do mend se është kërkimi i harmonisë estetike ajo që e ka provokuar dhe preokupuar autorin e këtij libri. Ragip Sylaj (1959) me krijimtari letrare merret qysh nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun tonë letrar u paraqit në fund të viteve shtatëdhjetë. Ka punuar mësimdhënës, gazetar në gazetën e studentëve "Bota e re", në të përditshmen "Bota sot", ndërsa tani është gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën e përditshme "Zëri" të Prishtinës. Përveç shkrimeve nga fusha e gazetarisë dhe e publicistikës, Ragip Sylaj shkruan edhe poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare. Shkrimtari Ragip Sylaj deri tani ka botuar këto vepra letrare: “Hije e gjallë (poezi, 1986), “Anatomia e rrënjës” (poezi, 1989), “Obsesioni” (tregime, 1992), “Lisi i shenjtë” (poezi, 1993), “Përhitja” (tregime, 1996), “Mëngjes qumështor me akull” (poezi, 2000), “Humbella e fërgëllisë” (tregime, 2001), “S’kam kohë të jetoj me vdekjen” (tregime, 2004), “Eliksir” (poezi, 2007).
Për punën e tij krijuese është shpërblyer disa herë edhe me çmime letrare. Për librin e poezive "Hije e gjallë" është laureuar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej nga revista “Zëri i rinisë” për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu, është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare brenda dhe jashtë vendit.
Poezia e këtij autori është përfshirë në antologjinë e Ali Podrimjes, “I kujt je, atdhe” (Sprovë për një antologji, 2), (Prishtinë, 2003), të Ardian-Christian Kyçykut; “Un alfabet al poeziei albaneze" (Një alfabet i poezisë shqipe), antologji e poezisë shqipe në gjuhën rumune (Bukuresht, 2003), etj. Poezi të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhët angleze, rumune etj.
Librin “Estetika e misterit”, me përkrahjen materiale të Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport, i Kuvendit Komunal të Therandës (Suharekës), e botoi shoqata për kulturë dhe art “Elena Gjika–Dora d’Istria” dhe ka 230 faqe. Përgatitjen teknike dhe artistike të librit e ka bërë dizajneri Refki Gallapeni.
Box
Autorët, veprat e të cilëve (në poezi, prozë, kritikë e ese) janë marrë në prizmin e analizës së Sylajt në librin e tij “Estetika...”: Jorge Luis Borges, Eva Lipska, Zbignjev Herbert, Bllaga Dimitrova, Sabri Hamiti, Gani Xhafolli, Riat Ajazaj, Kujtim M. Shala, Vehbi Miftari, Besnik Mustafaj, Sali Bashota, Osman Gashi, Agim Ramadani, Adem Gashi, Arben Veselaj, Zejnullah Rrahmani, Lazër Stani, Kim Mehmeti, Ardian Christian Kyçyku, Musa Ramadani, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Veli Karahoda, Mehmet Kraja, Eqrem Basha, Kujtim Rrahmani, Ibrahim Berisha, Ibrahim Ibishi, Binak Kelmendi, Daut Demaku, Anton Nikë Berisha, Rexhep Murtez Shala, Xhemail Mustafa, Ali Aliu, Rifat Ismaili, Petrit Palushi, Xhavit Beqiri, Paulo Coelho, Ali Podrimja.
Titulli: Shkrimtarët shqiptarë (Nga Buzuku tek arbëreshët e Greqisë-1)
Histori e Letërsisë Shqipe
Autori: Namik Resuli
Nën kujdesin e Ernest Koliqit
Shtëpia botuese: Pakti
Çmimi: 800 lekë
Namik Resuli (1908-1985)
Namik Resuli lindi në Berat më 10 shtator 1908. U laureua në degën e Glotologjisë në Universitetin e Torinos. Nën udhëheqjen e prof. të famshëm Matteo Bartoli, themelues i neolinguistikës italiane, mbrojti tezën e doktoraturës “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”. Në fillim të viteve ’30 kthehet në atdhe, emërohet profesor në Shkollën Normale të Elbasanit, më pas në gjimnazin e Shkodrës dhe të Tiranës. Në prill të vitit 1939 emërohet as. prof i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, ku shërbeu për 10 vjet. Njëkohësisht në vitin 1940-44 shërben si inspektor Superior i Ministrisë së Arsimit dhe si anëtar i “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë. Më 1948 emërohet anëtar efektiv i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Palermos ku paraqiti studime mbi historinë linguistike të shqipes, mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe shkrimtarët më të shquar arbëreshë. Në vitin 1954, boton në Torino revistën “Shpirti shqiptar”. Në vitet 1957-1971, “Instituti Oriental” i Universitetit të Napolit i beson dr. Resulit drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe dhe të Filologjisë lirike; mban mjaft kumtesa në tubimet shkencore ndërkombëtare të linguistikës si dhe të mërgatës në Shtetet e Bashkuara. Vepra e Namik Resulit merr mjaft zhvillim në fushën e historiografisë të letërsisë shqipe (Milano, 1986) dhe të linguistikës, duke kulmuar në botimin e parë të plotë të “Mesharit” të Gjon Buzukut të transkriptuar, Vatikan 1958; si dhe veprën gjuhësore “Grammatica Albanese”, (Bolonjë,1985). Ndonëse pjesën më të madhe të jetës e kaloi në mërgim, Namik Resuli mbeti një apostull i kulturës shqiptare në perëndim, derisa vdiq në Torino në 12 shtator 1985, duke lënë dy fëmijë nga martesa me gruan e tij italiane.
Leka Ndoja
Harris, jeta "në hije" e një spiuneje
Titulli: Kiti Harris, spiunia me 17 emra
Autori: Igor Damaskin dhe Geoffrey Elliott
Biografi dhe kujtime
Përktheu: Florenc Mene
Botimet: Max
Çmimi: 500 lekë
E lindur në Londër në një familje emigrantësh hebrenj, Kiti Harris ishte një nga figurat kryesore të rrjeteve të spiunazhit sovjetik në mbarë globin. Ajo drejtoi agjentë në Londër, Berlin, Shangai, Meksikë dhe Los Alamos. Ishte agjentja, drejtuesja, por edhe e dashura e Donald Maklinit, si dhe gruaja e dytë e Ërl Brauderit, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Amerikës. Kiti luajti një rol të madh për depërtimin në projektin “Manhatan” (që zhvilloi bombën atomike) dhe ndihmoi në organizimin e rrjetit të spiunazhit në qytetin e Meksikos. Si mjeshtre e fshehjes pas identiteve të ndryshme, Kiti Harris ka mbetur një figurë pothuajse e panjohur, me gjithë ato që janë zbuluar në lidhje me sistemin e spiunazhit sovjetik gjatë viteve të fundit....
Vlerësime
“Pika e fortë e këtij libri është se shfaq historinë e operacioneve sovjetike dhe i kundërvihet në mënyrë të shkëlqyer letërsisë së dobët të spiunazhit.”
The Times
“Një studim i shkëlqyer... një rrëfim i detajuar dhe informues për një jetë të kaluar në hije.”
Focus
BOX
...Tani është zbuluar se Kiti, një zeshkane trupvogël me sy të zinj, ishte e dashura si dhe kontakti i parë i NKVD-së me Donald Maklinin, gjatë fazës më të rëndësishme të punës së tij si agjent sovjetik. Ajo nuk ishte "spiunia e përkryer", por ishte kokëfortë, naive, e padisiplinuar, tekanjoze, zemërhapur dhe nganjëherë pak syleshe. Nuk ishte e mirë si operatore radioje, ndonëse ishte stërvitur nga ilegali U. Fisher (që më vonë u bë i njohur me emrin Rudolf Abel), nuk ishte e zonja të fotografonte dokumente dhe kishte arsimim të mangët. Madje, as identiteti i saj nuk ishte dhe aq i fshehtë, ngaqë në njëfarë mënyre ishte martuar me Ërl Brauderin, udhëheqësin e mëvonshëm të Partisë Komuniste Amerikane (CPUSA), dhe kishte punuar me të në një mision të fshehtë të Kominternit në Kinë, ku kishte tërhequr vëmendjen e zbulimit amerikan dhe FBI-së.
Ajo u identifikua si agjente sovjetike më 1939-n nga vetë dezertori sovjetik i nivelit të lartë, Valter Krivicki, ndërkohë që motrat e saj kishin lidhje të ngushta me tregtinë zyrtare sovjetike dhe agjencitë e shtypit sovjetik në SHBA. Motra e Brauderit, Margarita (që ishte shoqe e ngushtë me Kitin), ishte agjente e zonja e NKVD-së në Evropë, ndërsa mbesa e saj, Helena, u martua ndërkaq me Itzhak Akmerovin, rezidentin ilegal sovjetik në Shtetet e Bashkuara, dhe u bë edhe vetë ilegale...
Titulli: Odiseja dhe rrënojat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit me temë homerike me variacione
Autori: Vasil S. Tole
Shtëpia botuese: Uegen
Çmimi: 500 lekë
Studimi, temë me variacione 'Odiseja dhe Sirenat...” niset nga shqetësimi i kahershëm për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të iso-polifonisë shqiptare, si një dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit të vetë muzikës. Në të pleksen, ashtu si në një temë me variacione muzikore, teza dhe hipoteza mbi këtë simbolikë dhe për më tepër, mund të gjenden motive të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohërat e qytetërimeve antike. Qe kënaqësi marrja me këtë lëndë, çka se shpeshherë, gjatë kësaj pune joshteruese për zgjedhjen studimore, na u desh të merremi edhe me çështje që i tejkalojnë kompetencat dhe dëshirën tonë për një interpretim thjesht etnomuzikologjik të “Odisesë" së Homerit.
Titulli: Folklori muzikor, iso-polifonia e monodia
Autori: Vasil S. Tole
Shtëpia botuese: Uegen
Çmimi: 1500 lekë
"Harta etnomuzikore" - makrostrukturë e folklorit muzikor shqiptar. Në analizat që do të bëjmë më poshtë mbi lëndën muzikore folklorike shqiptare do të vërejmë se brenda për brenda këtij folklori ekzistojnë parapëlqime të ndryshme, si për mënyrat e të kënduarit, shkallët muzikore, veglat apo muzikën vokale, etj. Këto parapëlqime, pa dyshim janë të lidhura me një makrostrukturë që mund ta quajmë "harta etnomuzikore" shqiptare, brenda së cilës do të gjejmë tiparet dhe vetitë e përbashkëta, por dhe diferencat që ekzistojnë brenda folklorit muzikor shqiptar. Si hap të parë, do të vërejmë se lumi Shkumbin, përveçse është një kufi midis dialekteve gegë dhe atij toskë, në vështrimin tonë shërben edhe si një orientues natyral për ndarjen e hartës sonë etnomuzikore në dy pjesë. Nga lumi Shkumbin dhe më në jug do të kemi zonën iso-polifonike të të shprehurit muzikor (dy, tre dhe katërzërëshe)apo atë shumëzërëshe, siç jemi mësuar rëndom ta quajmë, dhe nga lumi Shkumbin e më në veri do të kemi zonën monodike të të shprehurit muzikor (monodi, monodi me shoqërim apo edhe homofoni). Sipas Sokolit "...atje ku flitet gegënishtja kemi muzikë homofonike, kurse përposhtë këtij lumi ndihet dhe isoja së bashku me veçoritë e tjera polifonike". Në zonën e jugut të Shkumbinit do të përfshihen Toskëria, Labëria, Çamëria, Myzeqeja, ndërsa në atë të veriut të Shkumbinit gjithë veriu i Shqipërisë me ndarjet përkatëse të zonave etnografike. Po kështu, si në një ekuacion, zona iso-polifonike jugore ndërlidhet ngushtë vetëm me shkallët muzikore pentatonike, ndërkohë që zona monodike ndërlidhet ngushtë vetëm me shkallët modale, diatonike, por dhe ato kromatike. Për rrjedhojë, këto veçori pasqyrohen edhe në parapëlqimet për veglat muzikore popullore, për veshjet, arkitekturën popullore, etj. Siç do të shohim, në folklorin muzikor shqiptar do të kemi vegla mbarëshqiptare, por dhe vegla muzikore popullore, të cilat janë të lidhura ngushtë me këtë skemë të ndarjes së folk-muzikës sonë. Ndër ta, si mbarëshqiptar, do të përmendja fyellin dhe, si të veçantë për zonën monodike, lahutën dhe çiftelinë, dhe për zonën iso-polifonike biculën, gajden apo llautën.
Është e kuptueshme se lumi Shkumbin nuk mund t'i ndajë si me thikë këto zona, pasi në të dy brigjet e tij, si në atë verior, ashtu edhe në atë jugor, shtrihen disa mikrozona, të cilat le t'i quajmë kufitare, në folklorin e të cilave shkrihen tiparet që reflektohen nga të dyja anët...