Letërsia Shqiptare

Botimet e reja të javës
E diel, 03-02-2008, 09:20pm (GMT)

Lexime filozofike me "Ideart"

Titulli: Utopia

Autori: Thomas More

Përktheu: Erion Kristo

Çmimi: 500 lekë

“Utopia” e Thomas More është cilësuar gjithmonë si një nga librat më të lexuar të kohëve. Kjo, falë stilit të shkëlqyer të këtij peshkopi-shkrimtar dhe filozof, formës së këndshme në të paraqiturit të gjërave, si dhe përqasjes së idesë se duhet të jetojmë gjithnjë e më mirë, në një shoqëri gjithmonë e më njerëzore, shoqëri e ngritur mbi parime humane. Si letërsi dhe filozofi, libri ka pasur shumë admirues, por edhe shumë pasues, pasi dëshira e krijimit utopik të një bote tjetër, imagjinare, të ëndërruar, por edhe ndjellëse, ka qenë gjithmonë e qenësishme për këdo. Kështu, nën këtë frymë i kanë shkruar veprat e tyre edhe Tomaso Kampanela, Frensis Bejkën, Xhonatan Suift, Deni Didëro, nobelisti Anatol Frans, Xhorxh Oruell e plot artistë e filozofë të tjerë. “Shëtitje nëpër intelektin dhe ndjeshmërinë e njerëzimit”, kështu është çmuar kjo vepër e kolanës “Lexime filozofike” që duhet shijuar si lexim.

Titulli: Këshilla për jetën

Autori: Artur Chopenhauer

Përktheu: Erion Kristo

Çmimi: 500 lekë

“Këshilla për jetën” është një nga veprat më të pëlqyera dhe më popullore në lexueshmëri e filozofit që të ngushëllon përmes pesimizmit: Arthur Schopenhauer. Në këtë vepër autori hyn në kontakt dhe bën të prekshme ato zona ku lexuesi i zakonshëm, por edhe natyrat meditative gjen krahë për të zbuluar gjithçka të ndryrë brenda vetes, për të zbuluar më mirë atë dhe për ta vendosur veten në raport me botën dhe të tjerët. Pyetjet më ekzistenciale për qenien bëhen me një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe po kështu jepen edhe përgjigjet e autorit nga përvoja e vet dhe përvoja e njerëzimit. Ç’kuptim ka jeta për ty? Po nderi? Po paraja? Po të jesh i lumtur, a ka kuptim? Po të brengosesh, a ka vlerë? Po artet, ç’vlerë kanë? Po dituria? Këto dhe shumë të tjera janë pjesë e këtij libri të shkëlqyer që të shoqëron gjithë jetën.

Titulli: Një kënaqësi e vetmuar

Autori: Albert Camus

Përktheu: Sonila Meksi

Çmimi: 300 lekë

“Unë nuk mund të jetoj pa artin tim. Por asnjëherë nuk e kam vendosur këtë art mbi gjithçka. Ai është i nevojshëm për mua, sepse nuk më ndan nga askush dhe më lejon të jetoj ashtu siç jam, bashkë me të gjithë të tjerët. Për mua arti nuk është një kënaqësi e vetmuar. Ai është një mënyrë për të prekur sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, duke u paraqitur atyre një imazh të privilegjuar të vuajtjeve dhe të gëzimeve të përbashkëta.”

Titulli: Filozofia e artit

Autori: Hippolyte Adolphe TAINE

Përktheu: Erion Kristo

Çmimi 600 lekë

Autori e fillon librin me natyrën dhe krijimin e veprës së artit, për të arritur te përcaktimi i thelbit të artit. Sipas konceptit të estetikës së tij, arti, megjithëse imitim (mimesis), nuk është riprodhim i thjeshtë i natyrës kundruar në pikëvështrimin e dëshirave më të larta të shpirtit. Vepra e artit nuk është fryt i pakuptueshëm i fantazisë apo i tekave të artistit, por ajo mund të shpjegohet përmes shkaqeve: pra është shprehje e një ideje të natyrës dhe jetës. Filozofia e artit rindërton,

përmes analizës së të gjithë elementeve, mjedisin, konceptimin e jetës dhe vlerat e shpirtit nga të cilat lind vepra e artit. Artisti është filozof, është kundrues i bukurisë ideale. Ai arrin ta kapë atë dhe të kuptojë “tërësitë”.

Titulli: 70 radio shqip në 70 vite (1938-2008)

Autori: Arben Muka

Profili dhe veçoria e çdo stacioni radiofonik në Shqipëri. Themeluesit, protagonistët, emisionet dhe rubrikat më të pëlqyera

Botimi: ABC Media Center

Në vend të hyrjes

Transmetimi i ndeshjes së futbollit mes ekipeve të Tiranës dhe Kavallës së Greqisë, më 1 shtator 1938, nën komentin e të madhit Anton Mazreku, mendohet se është direktja e parë radiofonike në Ballkan.

Transmetimi i parë zyrtar radiofonik në Shqipëri daton më 28 nëntor 1938, në valët e Radio Tiranës.

Të gjitha pajisjet e studios së Radio Korçës u dogjën nga ushtarët gjermanë në shtator të vitit 1943, për t'u ndërtuar nga fillimi afro dy vjet më pas.

Në transmetimin e parë të Radio Gjirokastrës, më 20 mars 1945, u fol nga një megafon në ambient të hapur dhe u lëshua muzikë nga një gramafon, aq sa njerëzit aty rreth kujtuan fillimisht se ishin prezent në një aheng.

Radioja e parë private në Shqipëri është Radio Vlora, që nisi nga transmetimet më 17 nëntor 1994.

Radio Ime është stacioni i parë privat në Tiranë, më 12 mars 1997.

Radio Top Albania është stacioni më i madh radiofonik shqipfolës në Evropë.

Radiot private që kanë nisur aktivitetin në banesat e themeluesve ose pronarëve të tyre janë Radio Vlora, Radio Hot, Radio Stinët, Radio Koha, Radio Dea, Radio Ruzvelt, Radio Intervista, Radio e Parë, etj.

Zyrtari që ka qëndruar më gjatë në krye të një radiostacioni shqiptar është Alush Ceno, që ishte prej 40 vjetësh drejtor në Radio Shkodra.

Radio 1 është stacioni i vetëm që ka transmetuar të plotë në valët e saj një bisedë të përgjuar në Shqipëri nga shërbimet sekrete, një dialog mes një diplomati të rëndësishëm perëndimor të akredituar në Tiranë dhe njërit prej qeveritarëve kryesorë shqiptarë, në gusht të vitit 1997.

Radio që ka marrë licencën e parë nga Këshilli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve është Radio Gras, në vitin 1998.

Radio Enter është stacioni i vetëm që ka ndërruar për 48 orë rresht siglat e saj identifikuese, duke përdorur ato të Radio Kontakt, në shtator të vitit 1998.

Viti 1998 ka qenë viti më pjellor për lindjen e stacioneve private, 16 të tilla, ndërkohë që një vit më parë u krijuan 14 radio.

Dita e Shën Valentinit, 14 shkurti, është dhe data që kanë nisur zyrtarisht nga puna më shumë radio private në Shqipëri, 4 të tilla, madje më 14 shkurt të vitit 2004 kanë lindur 3 radio: AMC Love Radio e Super Star në Tiranë dhe +3 në Fier.

Radio Gramshi është e vetmja që ka aktivizuar për të përgatitur dhe drejtuar njërin nga programet e saj më të ndjekura, në vitin 1998, një të verbër, i diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Gjatë krizës së Kosovës, në vitin 1999, në Radio Kukësi janë lexuar rreth 20 mijë njoftime për njerëz të humbur, apo për bashkime të familjeve kosovare që u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e pronat e tyre nga forcat policore dhe paraushtarake serbe.

Spikeri i parë që ka folur në mikrofonin e Radio Fierit ishte bojaxhiu që leu ambientet e radios, një djalë i pasionuar pas muzikës, i cili punoi afër dy muaj si DJ për programet muzikore, në vitin 1999.

Radio Studenti u vodh dhe u plaçkit qysh në tetor të vitit 1999 dhe ende nga autoritetet policore nuk ka një variant zyrtar për autorët dhe rrethanat.

Boom Boom Radio është stacioni privat me numrin më të madh të anëtarëve të stafit që kanë punuar ose punojnë për programet e saj, 33 vetë.

Radio e Parë, që transmeton nga qyteti i Burrelit, është i vetmi stacion që ka organizuar programin muzikor në bazë të kërkesave të dëgjuesve dhe pa linjën telefonike, duke i ftuar ata të vijnë direkt për ta shprehur dëshirën e tyre në mikrofonin e studios, në vitin 2000.

Radio Klea, në Elbasan, e ka siguruar reklamën e parë qysh në emisionin e parë të saj, në maj të vitit 2002, pas interesimit të drejtpërdrejtë të drejtuesit të një sipërmarrjeje private në qytet, i cili dëshironte të promovonte aktivitetin e vet në valët e kësaj radioje.

Radio Intervista është stacioni i vetëm që ka krijuar shoqatën e dëgjuesve dhe fansave të programeve të saj, shoqatë që ishte mjaft aktive në organizimin e veprimtarive argëtuese dhe ekskursioneve edhe jashtë Tiranës.

Radio New Planet ndërtoi një marrëdhënie të veçantë me dëgjuesit e saj, duke organizuar për disa të diela aktivitetin "Magic bus", ku një autobus i prenotuar ishte në shërbim të fansave të radios për ekskursion jashtë Tiranës, në një itinerar udhëtimi që vendosej nga vetë ata.

Radio +2 është i vetmi stacion privat që ka institucionalizuar organizimin e një festivali mbarëkombëtar të muzikës moderne shqiptare, quajtur "Mikrofoni i Artë", qysh prej verës së vitit 2002.

Radiostacioni që ka organizuar dhe bashkëorganizuar më shumë veprimtari koncertale jashtë studios së saj, me këngëtarë vendas dhe të huaj, është Club FM.

Emisioni më i gjatë radiofonik është "Pa gjumë", një variete 11-orëshe që transmetohej pa ndërprerje, nga ora 20.00 e ditës së shtunë deri në orën 07.00 të së nesërmes, në valët e Radios Tirana 2, në periudhën shkurt-maj 2004.

Radio Logos, në Pogradec, është stacioni më korrekt në zbatimin e të drejtës së autorit, për programet që ajo blen ose huazon nga të tjerët.

Radio Alfa, në Elbasan, është i vetmi stacion që ka nisur nga puna me një emër tjetër (Hit FM) dhe në një frekuencë tjetër, nga ajo që transmeton aktualisht.

Radio Maria është i vetmi stacion që transmeton nga dy studio, në një distancë rreth 120 km larg njëra-tjetrës, një në qytetin e Shkodrës dhe një në kryeqytet.

Çelësi drejt magjisë

Titulli: Kopshti sekret

Autori: Frensis Hoxhson Bërnet

Shqipëroi: Ajsela Koka

Botimet: Dritan

Çmimi: 620 lekë

Vogëlushja Meri është një jetime e ardhur nga India për të jetuar me të afërmit në Angli. Kushëriri i saj, Kolin, është

një djalë shëndetlig, që jeton në të njëjtën shtëpi të madhe e të ftohtë, ku Meri është dërguar. Të dy fëmijët janë egoistë e të vetmuar, të trishtuar në mënyra të ndryshme. Vetëm kur Meri gjen një çelës të vjetër e të ndryshkur, i cili hap një kopsht të fshehur prej shumë kohësh, ata mësojnë të gjejnë dashurinë dhe lumturinë.

Në misterin dhe bukurinë e natyrës së gjallë, Meri dhe Kolini i kapërcejnë problemet e tyre dhe hidhen në krahët e magjisë e të mrekullive çudibërëse që i rrethojnë.

Titulli: 1021 urtësi

Autori: Petro Dudi

Botimet: Emal

Çmimi: 300 lekë

Petro Dudi, autori i mirënjohur i 17 librave (shumica me poezi), pas një pune studimore dhe hulumtuese botoi e hodhi në qarkullim “1021 urtësi”. Të 1021 urtësitë që fillojnë me thënien “Dashuria është Alfa dhe Omega e jetës” përfundojnë me aforizmin “Njerëzit, të çoroditur në shkretëtirën e pikëllimit, kërkojnë e s’po gjejnë dot oazin e jetës”, janë të shpërndara në 11 kapituj. Faqet e librit ilustrohen me 44 fotografi, një poezi popullore lunxhiote e shekullit 19, me emrat e figurave të shquara të artit, diturisë e filozofisë që kanë ndikuar në mendimet e Dudit. Është një libër xhepi apo tavoline që bazohet në filozofinë e jetës. Libri pasqyron edhe “urtësitë” e “burimit të fisnikëve të mençur” të Lunxhërisë në breza dhe vendlindjes së autorit.

N. Blushi

"Konservatori" Burke përballë "racionalizmit"

Titulli: Refleksione për revolucionin francez dhe shkrime të tjera

Autori: Edmund Burke

Kolana e filozofisë dhe shkencave politike

Përktheu: Daut Gumeni

Shtëpia botuese: ISP& Dita 2000

Çmimi: 500 lekë

Edmund Burke, 1729-96, teoricien politik, filozof dhe estet, orator dhe parlamentar britanik (1765-94), themeluesi i konservatorizmit modern. Për të, racionalizmi i pakufi është shkatërrimtar për shoqërinë njerëzore; ai vlerëson rëndësinë e zakoneve e të paragjykimeve, si dhe të vijimësisë së përvojës politike.

Refleksione për revolucionin francez, 1790 përfaqëson një nga veprat më të komentuara dhe ndikuese të Burkes. Fillimisht, Burke ishte për reformat politike që filluan në Francë, por radikalizmi dhe përdorimi i dhunës, programet racionaliste dhe shkelja e të drejtave të fituara të pronës etj., e bënë t´i kundërvihej Revolucionit Francez. Ai vërejti rrezikun që i vinte lirisë individuale, autoritetit e institucioneve të ndërtuara në shekuj prej rrjedhës së dhunshme revolucionare. Jeffersoni, Paine midis shumë të tjerëve iu kundërvunë Burkes për këtë qëndrim dhe e quajtën madje reaksionar, por ngjarjet vijuese i dhanë të drejtë atij.

Edmund Burke, filozof dhe politikan anglez i shekullit të 18-të, një nga klasikët e politikës, përfaqëson tipikisht një mendimtar që ka influencuar jo vetëm në lëmin e mendimit filozofik-politik, por dhe si politikan aktiv në zhvillimet e kohës së vet. Me Burke dhe De Maistre mund të thuhet se lindi konservatorizmi si doktrinë dhe filozofi politike. Ky libër do t’u shërbejë studiuesve të shkencave politike dhe filozofike që në "puzzle"-in e ideve, të kenë mundësinë të gjejnë apo ta vendosin këtë rrymë të mendimit politik. Burke iu kundërvu Revolucionit Francez si një mendimtar që vërejti rrezikun që i vinte si lirisë individuale ashtu dhe autoritetit e institucioneve të ndërtuara në shekuj në Angli dhe Evropë, prej rrjedhës së dhunshme të Francës revolucionare. Kërcënimi që paraqiste racionalizmi i përkthyer në politikë nëpërmjet aktit të përmbysjes së dhunshme të regjimit të vjetër në vendin fqinj, po gjente vend dhe në artikulimin e disa politikanëve anglezë. E gjithë kjo ndodhte rreth një shekull pas Revolucionit të lavdishëm dhe trashëgimisë politiko-juridike të tij. Për Burken institucionet dhe autoriteti nuk mund të jenë produkt i racionalitetit njerëzor, i cili është i pamjaftueshëm për të qeverisur shoqëritë, por produkt i një rendi moral më të lartë.

Jeta. I lindur në Dublin, Irlandë, më 12 janar të 1729-s, nga një baba anglikan dhe nënë katolike, bashkë me vëllain Richard, edukohet si anglikan, që të mundet në të ardhmen të nisë një karrierë në sferën publike. Ndërkohë e motra, ashtu siç ishte zakon në Irlandën e asaj kohe, mori edukim katolik. Por mjedisi katolik ku de facto jetoi dhe përkatësia etnike si dhe studimet e kultivuara kontribuan që të krijonin tek Burke atë që është përcaktuar si "stampë e mendimit katolik". Në vitet e 1743-1748 studion arte liberale në Trinity College të Dublinit duke u formuar me autorë klasikë grekë dhe latinë: Ciceronin e Aristotelin. Këto lexime të "mjeshtërve të retorikës dhe mendimit, ndikuan që Burke në karrierën e tij të konsiderohej si një nga prozatorët më të mëdhenj të gjuhës angleze dhe filozofisë politike. Në 1750-n studioi për drejtësi në Londër dhe i lodhur nga pragmatizmi materialist dhe metodologjia mekaniciste me të cilat u impenjua gjatë studimeve, duke kundërshtuar babain e tij, i përkushtohet karrierës letrare... 

Metropol


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.