11/05/2008 Reportazhe dhe ese që himnizojnë vendlindjen
(Shënime për librin “Orakuj të harruar” të publicistit Zylyftar I. Hoxha)
Sapo ke mbaruar së lexuari librin e publicistit Zylyftar Hoxha ”Orakuj të harruar”, të duket se ke përpirë në shpirtin tënd atë që të ka munguar prej vitesh. Shumëkujt që e lexon i bie në sy menjëherë se ai me lapsin e tij të mprehtë prej specialisti, në përshkrimet e reportazhet e sjell Skraparin në mes të Tiranës.
“Merreni, thotë, se u ka marrë malli për të!”.
“Orakuj të harruar”, janë disa perla të një orakulli të paharruar, të një dore atdhetare që dridhet nga malli kur shkruan për këtë trevë, e cila tej e tej ka një histori luftërash dhe në çdo pëllëmbë mban flori. Floriri më i shndritshëm është njeriu i kësaj krahine, krenar për ekzistencën e vet mes këngësh e plumbash, mes gurësh e lisash, plot zhaurima e cicërime.
Mbi 22 shkrime (midis tyre s’bëhet fjalë të ketë të paarrira, por vetëm një edhe mund të ishte jashtë këtij vëllimi) vijnë me aromë të shumëllojtë në 222 faqe libri modest në kuptimin më të plotë të fjalës.
U vini veshin numrave: sundon dyshi. Ekzistenca e të dyve: skraparlliu dhe Tomori; kënga dhe dyfeku; lakrori dhe çyreku; nusja dhe dhëndëri; gjarpri dhe varri; lumi dhe ura; dëbora dhe mali; mësuesi dhe nxënësit; mekami dhe bektashinjtë; gjenerali dhe ushtarët; udhëheqësi dhe fshatari; vala gjermane dhe Ilmiu sevranlli; plaku me përvojë dhe i riu i guximshëm; poeti dhe lexuesi; i sinqerti i kudogjendur e faqebardhë dhe i pabesi i maskuar faqezi; burrërori dhe servili; punëtori dhe dembeli; fitorja e përhershme (por me aq sakrifica) dhe humbja e përkohshme (dhe aq e dhimbshme); e bukura dhe e shëmtuara; e vjetra plagosëse dhe e reja ngadhënjyese…
* * *
Portrete që të duket se je duke u dhënë dorën për t’i ngjatjetuar, ndonëse përshkruhen me fjalë të kursyera.
Në libër renditen edhe çetat e Skraparit për liri e pavarësi; luftëtarët e tyre me pushkë e me penë. Autori gjen vend të na shkruajë për Gramshin e Tomorricës që dikur ishte qytet, por nxjerr se nga ky fshat ka dalë arkitekt Kasemi që bëri emër në kohën e Perandorisë Osmane. Edhe frashërllinjtë tanë të mëdhenj,origjinën e tyre e kanë pikërisht nga ky fshat. Por ai vijon e flet edhe për Antonio Gramshin e shumë figura të tjera. Shkruan për heronj si Lace Backa e Kahreman Ylli, e sa e heronj të tjerë që e deshën Skraparin e luftuan për të. Ai nxjerr në pah se skraparlliu pushkën dhe mikpritjen nuk i ndante. Edhe kur flinte dyfekun e mbante te buxhaku, nën jastëk. Bukur janë përshkruar traditat, mikpritja, zakonet e bukura, këngët e vallet që këndohen e hidhen në ato zona.
Ndjenjat e tij janë ulur këmbëkryq në ato vatra, me bukën e ponicës në dorë dhe pjatat me fasule laragushe aq të shijshme. Aty edhe me gjizën e shakullit edhe turshitë. Kadaja përpara e kënga zien. Jashtë dëbora qëndis faqet e maleve. Janë të përziera bashkë ndjenjat dhe mallëngjimi, krenaria dhe krijimtaria…
Xhebro Gjika në Ostrovicë, një madhështi skraparo-vlonjate! Një pikturë shpirti.
Xhevahir Spahiu, një lloj Naim Frashëri i ditëve tona, siç shprehet ambasadori ynë në Kroaci, edhe pse është lindur në Malind. Një poet sa i madh aq shpirtdelikat, sa i thellë në vargun dhe fjalën e tij poetike, margaritar, aq i parë vëngër (nga disa që dinë të shohin veç ashtu); një gur, peshën e të cilit kanë për ta treguar shekujt në Skrapar, Shqipëri, Ballkan e më gjerë. Është Xhevahiri i përkthyer në 15 gjuhë të popujve të botës…
Iljaz Kapxhiu, (i spikaturi, në mos i vetmi në ato përmasa, në Skrapar),“gjembi” therës aq i saktë për anët negative të shoqërisë socialiste, që historikisht nuk lipset mohuar. Ndonëse me fjalë të thjeshta, humori i shndritshëm i Iljazit qe dhe mbetet një… kapak për të gjitha tenxheret boshe apo plot të kohës. Ai ishte mjeshtër i fjalës kritike për të mirën e njerëzve; e Zylua, me të drejtë, i mëshon shumë kësaj ane: humori të luajë rolin e një force lëvizëse të shoqërisë e jo të vulgarizojë apo të poshtërojë…
Petro Marko, ky detar demon i Bregut tonë, që kurrë s’u përkul…
Dhimtër Shuteriqi në Çorovodë…
Një episod tepër të rrallë për të madhin e të mëdhenjve në letrat dhe historinë shqiptare, Fan S. Nolin dhe Skraparin…
Sulejman Qafa e Tefik Rama, Medi Kushe e Vala Tunger, për të mos harruar Dritëro Agollin, të madhin e popullorin e të gjithëve…, galeri personazhesh që me anë të detajit dalin të plotë në madhështinë e tyre.
Personazhi më intim, i goditur dhe tepër i dashur është edhe vetë autori në faqet që fillojnë me numrin interesant 199.
* * *
Autori, që i përket një plejade gazetarësh të rritur tok me shtypin e median shqiptare të pas viteve 1960, si profesionist, jep edhe një shembull tepër sinjifikativ se si mund të shkruhet shkurt për të bërë biografinë e vendlindjes.
Artistikisht, objektivisht dhe historikisht libri është një biografi anatomike e dhe shpirtërore e Skraparit dhe e skraparllinjve, si njerëz dhe si vende.
Shkrime me tik-take zemre dhe hijeshi trimash.
* * *
Emërtime tepër të bujshme në pamjen e parë, por plotësisht të merituar që kalojnë gjatë marshimeve nëpër vite e shekuj qysh nga paganët e deri në ditët e sotme, gjejmë në librin e Zylos: “Burrat e Backës”, (kjo na kujton atë tjetrën, “Zonjat e Çepanit”); xhins Dangëllije; kryevendi Frashër; kryeqyteti shqiptar i luftës; vigani nëntokësor ushtarak... fle gjumë...
Osumi ky Kolorado shqiptar, është privilegj vetëm i Skraparit. Me thjeshtësi historike do të thoshim edhe diçka më shumë: kur 90 fshatrat e Skraparit e Tomorricës (midis tyre edhe Qafa, vendlindja e autorit) kishin nga 13 deri 42 shtëpi, Nju-Jorku dhe Toronto nuk ekzistonin fare në hartën e botës, por ekzistonte paralelisht me Osumin edhe lumi Kolorado...!
* * *
Po Skrapari i trimave të luftës e të punës nuk mund të kuptohet pa marrëdhëniet me krahinat kufitare e fqinje: Berati, Përmeti, Gramshi, Kolonja… e më tej Tepelenën, Dumrenë, Elbasanin… Zylua e bën me kënaqësi përshkrimin e hollësive që tregojnë lidhjet psikologjike të banorëve të këtyre trevave. Me një saktësi historike, autori flet se Tomorrica ka qenë dikur krahinë më vete dhe me një histori të begatë; fshatrat e jugut të Skraparit i kanë lidhjet martesore me shumë me Përmetin e Kolonjën se sa me të tjera të rrethit të vet dhe jo vetëm kaq, por lidhjet e ngrohta janë një fill i fortë i pakëputshëm në të mirë e në të keq…
* * *
Një libër xhepi, udhëheqës dhe udhërrëfyes, (guidë thonë disa), për ta njohur në hollësi e thellësi këtë krahinë shqiptare me aq shumë histori… Kështu mund të thuhet nga një që nuk e ka shkelur ndonjëherë. Është një zbërthim i historisë dhe i gjeografisë së këtij rrethi do thoshte dikush tjetër; një jetëshkrim i krahinës së Skraparit nga më seriozët i bërë deri tani, me një këndshikim të veçantë dhe me anë të reportazhit dhe përshkrimeve paksa kronikale e të shkurtra, por tepër të ngjeshura, të qarta e të sakta, të cilat nuk të lodhin, madje të japin qetësi dhe çlodhje.
Ilmi S. Qazimi, studiues
Mehmet A. Dume, kolonel në pension
20 kryevepra nga shekulli i 20-të
Janë 20 kryevepra të letërsisë botërore dhe shqiptare të shekullit të 20. Njëzet romane, që vijnë nga shtëpia botuese "Koha ditore" në Prishtinë. Nga lista e kryeveprave shqiptare, në këtë kolanë janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare; “I humburi” nga Fatos Kongoli; “Gjaku i Dallëndyshes” nga Zija Çela e “Ujku dhe Uilli” nga Vath Koreshi.
Shumica e kryeveprave të përzgjedhura u përkasin autorëve që nuk e kanë fituar çmimin “Nobel” për letërsi, ndërkohë që nuk mungojnë as romanet më të mira nga ata që e kanë fituar Nobelin.
Kështu mund të përmendim "Dashnori" (në frëngjisht L'Amant), një roman autobiografik i shkruar nga Marguerite Duras, publikuar në vitin 1984. Ky është një roman i përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe që më 1984 mori çmimin prestigjioz të letërsisë franceze "Goncourt". I vendosur në sfondin e Vietmanit si koloni franceze, “Dashnori” paraqet intimitetet dhe telashet e një romance klandestine mes vajzës adoleshente të një familjeje franceze të rrënuar financiarisht dhe një burri kinez të moshuar dhe të pasur.
Autobiografia e Duras
Më 1929, një 15-vjeçare pa emër po udhëton me traget përgjatë deltës Mekong; po kthehej nga pushimet në shtëpinë e familjes së saj në fshati Sadec, për në shkollën e saj në Saigon. Ajo tërheq vëmendjen e një 32-vjeçari, djali i një manjati kinez biznesi, një i ri i pasur me një trashëgimi të bollshme. Ai godet me një bisedë vajzën; ajo pranon të kthehet pas në qytet me limuzinën e tij.
E nxitur nga rrethanat e edukimit të saj, kjo vajzë, e bija e një vejushe të falimentuar dhe depresive, sapo ka zbuluar se ka një detyrë reale: të hapë rrugën e vet në botë. Në këtë mënyrë, ajo bëhet e dashura e tij, deri sa ai i bindet mospranimit të të atit dhe ndërpret lidhjen. Për të dashurën e tij, nuk ka dilemë mbi thellësinë dhe sinqeritetin e dashurisë, por vetëm shumë më vonë, vajza pranon para vetes ndjenjat e vërteta. Romani është ngjarja e jetës së vetë autores, e cila pati një dashuri në moshën 15-vjeçare. I dashuri real i quajtur Lee, vdiq në vendlindjen e vet.
Romani biografik “Ditë të qeta në Klishi” është një vepër thelbësore dhe shprehëse e karakterit të shkrimtarit amerikan Henry Miller, i cili njihet për përzierjen e seksit me filozofinë, si dhe është një vepër informuese për kohën në të cilën ai jetoi. Ai është shkrimtari i romaneve që u ndaluan për shumë vite nga publikimi dhe qarkullimi në SHBA dhe që vuri para sprovës ligjet federale përballë artit dhe pornografisë. Libri është një pasqyrë e ditëve që autori kaloi në Paris, në vitet ’30. Mënyra e hapur e diskutimit të tij për seksin bëri që romani të qarkullonte në Francë dhe shumë vite të tjera shumë më herët sesa të botohej në vendlindjen e autorit. Botimi i parë i kësaj kryevepre në SHBA u bë i mundur vetëm në vitin 1961. Romani është përshtatur edhe për disa filma të suksesshëm.
"Emri i Trëndafilit" është vepra më e famshme e Umberto Ecos. Ajo paraqet misterin e një vrasjeje të ndodhur në një manastir italian në vitin 1327. Romani u publikua për herë të parë në Itali, më 1980 dhe në anglisht u përkthye më 1983.
Bashkë me shoqëruesin e vet, "Adso i Melk" (emëruar sipas abatit Benediktin Stift Melk), frati françeskan Uilliam i Baskervilëve udhëton për në një abaci ku qe kryer një vrasje. Ndërsa fillojnë hetimet, shumë njerëz të tjerë vdesin në mënyrë të mistershme. Protagonistët eksplorojnë një bibliotekë mesjetare shumë të ngatërruar, fuqia diversive e qeshjes dhe përballja me Inkuizicionin. Bie në fuqitë e jashtëzakonshme logjike dhe të deduksionit të Uilliamit që të zgjidhen misteret e abacisë.
"I huaji", (L'Étranger), është kryevepra e Albert Kamy, (Camus), e publikuar për herë të parë më 1942. Është një udhëtim stilistik force që përmbledh shijen autentike të universit të absurdit dhe është konsideruar si vepër me rëndësi kritike për shkrimtarë dhe kritikët si Bartes, Rob-Gillet, dhe Sarute. Rrëfenjësi është Mjursault (Meursault), një algjerian me temperament instiktiv, por jo aq demonstrativ, i cili në pjesën e parë tregon ngjarjet e përditshme të jetës së tij që nga varrimi i të ëmës dhe vrasja e një arabi në plazh. Në pjesën e dytë detajet e vogla kthehen në provat dënuese në gjyqin e tij. Mekanizmi arbitrar i sistemit gjyqësor dhe dënimi me vdekje provokojnë te Mjursault pohimin e jetës kundrejt vdekjes.
"Këlthitja dhe mllefi", është romani i katërt i Uilliem Fokner, (William Faulkner). Ai u publikua në vitin 1929 dhe konsiderohet si kryevepra e parë e këtij autori. Ngjarja zhvillohet në vendin e Joknapatufas, një vend i krijuar nga fantazia e autorit. Ky është vendi ku zhvillohen ngjarjet e 15 romaneve dhe novelave të Folknerit dhe për nga përshkrimi ngjan me Misisipin e veriut, ku autori kaloi pjesën më të madhe të jetës. Megjithëse konsiderohet gjerësisht si shkrimtar jugor, shumë kritikë lavdërojnë te veprat e Folknerit temat humaniste universale. Libri u publikua në vitin e krizës së madhe të bursave, kohë kur shitjet e të gjitha mallrave qenë shumë të dobëta. Megjithatë, Folkner mori lëvdata të konsiderueshme nga kritikët si dhe famë për punën e tij.
Para se të shkruante "Këlthitja dhe mllefi", Folkner e kishte shumë të vështirë të shiste romanet e veta te shtëpitë botuese. Ai vendosi të përqendrojë vëmendjen e vet te një vepër shumë e mirë e për pasojë doli ky roman.
Frymëzimi për novelën erdhi nga historitë e tij të shkurtra nën titullin “Twilight” (Muzgu). Karakteri i Kadit ishte krijuar në këtë histori. Në një skenë ku Kadi ka hipur mbi një pemë dardhe duke shikuar nëpërmjet dritares vendin ku po mbahet varrimi i gjyshes së saj, vëllezërit e saj janë duke vështruar atë dhe pantallonat e saj të pista me baltë. Folkner e kishte aq për zemër karakterin e Kadit, sa mendonte se meritonte më tepër se një histori të shkurtër. Kështu lindi edhe “Këlthitja dhe mllefi”.