Lahuta e Malcis - Deka
| Tuesday, 06.12.2007, 11:35 PM |  

[...]
por s' din Shkjau me mbajtë miq'sí !
Aman, Zot, kur duel Serdari,
se ç' kje ndezë Vranina zhari !
Aman, Zot, kur mbërrini Pera,
se shum krisi atëbotë potera ! 395
Por kur ránë Shkjetë e Vraninës
Shum u krisi plumbja shpinës !
Porsi shé qi m' nji natë gjamet
Rritet turr e del prej amet
Tue ushtue – e tue shkumbue, 400
shkapërderdhet npër zallina,
ashtu u derdh Shkjau te Vranina,
n' valë Shqiptarët krejt tue i përshi.
S' lufton ndryshe' e rrebtë kulshedra
e me dhambë edhe me kthetra, 405
zjarm e surfull tue flakrue,
kur drangojt ta kenë rrethue;
si i qindron sot Shkjaut Shqiptari
për dhé t' ambël qi i la i Pari:
kambë për kambë tue qitë padá, 410
tue korrë krena nepër Shkjá.
U janë ndezun flakë breshanat,
u kullojnë gjak n' dorë taganat,
e u kullon gjak edhe zemra,
veç se vendit s' u lot themra. 415
Por ç' dobí: dielli tue lé
– isht' tue lé m'atë ditë për Shkjé ! –
I ranë ndore Shkjaut t' tërbuem
Tridhetë t' vramë e dhetë t' shituem !...
O ata t' lumtë, qi dhane jetën, 420
o ata t' lumtë, qi shkrine vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t' Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t' Parët u pa'n punue ! 425
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
butë u kjoshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina :
e der' t' këndoje n' mal ndo'i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë, 430
der' sa t' shndërisin djellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n' kangë e n' valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
bân, o Zot, qi t' jesë tue vëlue 435
për m' ia xé zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit !
– Po vallë ! Osja ku do t' jetë ?
Oso Kuka a mos ka mbetë ?
N' Xhebehane ka zatetë ! 440
Ka zatetë n' atë kullë t' barotit,
ku ka bâ emnin e Zotit,
se për t' gjallë nuk ka me e lëshue,
shokët e vet për pa i pague
tridhetë t' vramë e dhetë t' shitue. 445
Kur pau Shkjau se pushka mêni
Si kah vau si kah Liqeni,
e se mbetë s' kisht Oso Kuka
me t' tjerë t' vramë, përjashtë ke suka,
m' Xhebehane u turr m' atëhera, 450
si kur t' lëshoje kah pranëvera,
vrullet bleta çark njaj zgjonit,
tue zukatë si rryma e përronit.
N' brohorí tue i lutë jetë Knjazit,
njiqind vetë këcyen n' kulm t' pullazit, 455
mâ t' përmendunt kah trimënia
njaq u ngjitën mbi frangjia,
tue thye muret n' gjak t' përlyeme :
– por ka gjobën shpia e thyeme ! –
krisi Osja atëbotë si ulani, 460
mje n' Cetinë i vojti zani :
« Ah kadalë, Nikollë, t' vraftë Zoti !
pse këtu i thonë Oso baroti :
se s' ké pá Shqiptár me sy,
se djeg vehten edhe ty ! » 465
Edhe zjarrë i dha barotit.
Aman, falë i kjofshim Zotit,
kur ka dhanun zjarrë barotit,
se ç'â dridhë Vranina e shkretë !
se ç'â hjedhë kulla përpjetë ! 470
se edhe L'qeni ç'ka gjimue
m' kalá t' Shkodrës tue ushtue !
Qepra, tjeglla, gur e trena :
Kambë e trupën, krahë e krena,
hi e tym e flakë e shkëndia, 475
shi mje n' Viri i hodh duhia :
I hodh duhmja shi n' breg t' Virit
Qepra, gur e gjymtyrë njerit.
Eni, eni, mori shkina,
eni, eni, te Vranina, 480
mblidhni vetë npër shpat e përrue
ehu ! kortarët e djelmve t'ue ;
edhe mësoni fëmijët mbas sodit
mos t' lakmojnë tokës s' Kastriotit,
pse u bjen shtrejtë, qe besa e Zotit ! 485
Njasi gjaku qi Oso Kuka
Sot ka derdhun ke ato suka,
si për Mbret, si për dhé t' Parëve
vëlon se vëlon ndër dej t' Shqiptarëve.
Pra, pa u djegun n' flakë t' agzotit 490
Si Oso Kuka n' kullë t' barotit,
s'ka me rá fisi i Shqiptarit
n' thoj t' pangishëm t' Gospodarit ! –
[...]



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •