Sikur te isha djale - Pjesa 07
| Saturday, 01.13.2007, 07:35 PM |  

20 Qershuer
Përsëri muer letër Irena prej Shpendit. Ai prap pyeste për mue. Në mes të tjerave i shkruente edhe se, mbasi t'a mbaronte shkollën, dëshironte me u shpërngulë nga Shkodra e me ardhë këtu. Ky lajm më gëzoi tepër, sepse do të mundem me e pamë nga ndonjiherë dhe ndoshta do të mundem edhe me folë me të. Më pëlqen t'a gjykoj si shenjë dashunije interesimin që tregon për mue, por nuk mundem me e besue kryekëput. Ah sikur të më dashunonte me të vërtetë. Po t'arrijsha me u dashune prej tij e me u . . . martue me të, kurrgja tjetër nuk do t'i kërkojsha Zotit. Por ah. Ndoshta ai pyet për mue i shtyem vetëm nga ndërgjegja dhe për të nderue regullat e etiketës apo të kalorësis që tash vonë kanë nisë me i përvetue të rijt e sidomos studentët t'onë. Dhe sigurisht kështu do të jetë. Oh ku kam fat un e shkreta me u bamë Mbretnesha e adhurueme e atij Mbreti të plotpushtetshëm që sundon mbi zemrën t'eme. Kush e din. Të them të drejtën jam me zemër të ngrime.

24 Qershuer
Eme njerkë asht edhe ziliqare. Po, asht edhe fort. Shumë herë e thumbon t'em atë dhe kërkon të dije se ku e kalon kohën, kur qëllon të vonohet me u këthye në shtëpi. Sonte, për shembëll, em atë i zanun me punë të shuma në dyqan, erdh pak vonë. Për këtë shkak ajo që tue luejt mendsh prej nakarit. Sa shkeli baba në prak të derës, ndeshi në njerkën që e priti me turi të mvarun dhe me nji breshën fjalë ankimi. Ai u habit dhe, pa e kuptue shkakun e vërtetë të kësaj furrejeje t'ashpër, spjegoi se kishte qenë i ngatrruem me punë tregtije në dyqan. Mirë, por ku i mbushej mendja asaj se! Ai vonë e muer vesh qellimin e këtyne sauneve të bame me nji gjuhë aq të fortë. Atëherë nisi me i folë ma shtruem që t'a bindëte se ai nuk ishte nga ata burra që mund t'i vehej në dyshim nderi. Nji copë herë, i lodhi fëlqijt tue u arsyetue dhe tue dhanë spjegime, por njerka vazhdonte t'a këndojë kangën e vet. Ma në fund babës i u sos durimi dhe e msyeni me nji varg f jalë t'ashpa sa i a mbylli gojën. E dij se zilia apo nakari në dashuni asht si krypa në gjellë. Gjithashtu e di se edhe dashnorët ngucen e besdisen fort kur hanë tepër nga kjo krypë njelmuese deri në helmim. Të gjitha këto i kisha ndigjuem prej atyne që i kanë sprovue dhe m'a merrte mendja edhe mue se, shumë herë, munde të ngjajnë moskuptime e dyshime midis atyne që u kanë rasë zemrave të veta nga nji kuintal ndiesi flakruese dashunore. Por nuk m'a merrte mendja se krymbi i dyshimit e i nakarit mundet me e brejtë edhe zemrën e nji grueje të mplakun dhe që disa herë asht bamë nanë. Mbasandaj prej kuj me dyshue se?! Prej nji burrit që ka kalue të 50 vjetët e moshës së vet dhe që, deri në fanatizmë, arrin me i respektue porosit e fes. Përmbi të gjitha ai nuk asht as edhe i bukur. Nuk them se asht i shemtueshëm, por s'asht edhe I bukur. Për shembëll ka sy të zij, por qepallet i ka mjaft të rralla; ka kokë vezake e faqe të plota, por hundën e ka të shtrrembët; ka shtat të plotë, por shalët i ka disi të shtrembëta si dy kiza me korriz jashtë; ka krahënuer të gjanë, por ka edhe do duer të mbëdha e plot lesh. Disa thonë se leshi ndër duer të meshkujve asht shenjë fisnikije, por mue, për Zotin, nuk më mbushet mendja se leshi mundet me e fisnikue njeriun. Përkundrazi kisha me thanë se leshi ndër duar asht shenjë primitiviteti, moszhvillimi ase papërsosmënije në pikpamje fizike. Un fisnikin e njerut e kuptoj nga veprat e nga sjelljet e tija e jo nga leshi i duerve. Shkurt ai nuk asht nga ata që mund të admirohet prej nji femne si i bukur dhe t'a trembi njerkën se mos i rrëshqet nga dora.
Asht provue se jo vetëm njerzit por edhe kafshët kanë zili. Gjithashtu asht vu re se femnat janë aq ziliqare sa e humbin mendjen dhe arrijnë me bamë gjithshka kur i kafshon grenza e nakarit. Por zili, them, do t'i kishte hije, deri diku, nji gocës që dashunon ase ndonji nuses së re e jo nji grueje të mplakun. Veç kësaj asht marrëzi me dyshue prej nji njeriut, si im atë, që kur kthen në shtëpi asht i ndragun kambë e krye me voj, me tëlyen, me uthull e me të tjera. Prandaj kurrsesi nuk e gjej t'arsyeshëm dyshimin e saj kundrejt t'im et dhe këtë farë zilije i a atribuoj mendjes së sa trashamane që nuk mbrrin me gjykue me kthjelltësi dhe me arsyetue drejt. Me këtë mënyrë njerka i ndjell vetëhes hidhënime e mërzitje pa qenë nevoja dhe pa pasë ndonji shkak t'arsyeshëm. Kësisoj vetë e cenon lumnin e vet. Po. Ka shumë njerës të lumtun në këtë botë që nuk e dijnë se janë të lumtun, pse mendjes së tyne i mungon drita e nevojshme për me e pamë jetën e vet ashtu si rrjedh rithmikisht. Këta typa, të shumtën e herëve, bahen manijakë të mërzitshëm dhe vetë kërkojnë jetën dhe bahen shokët e të mjerëve. Edhe njerka e eme hyn në rradhën e këtyne mendje-lehtëve, ndoshta e shtyeme prej Destenit për t'i lamë mëkatet e mundimeve që më ka bamun mue. Ndoshta.

27 Qershuer
Irena asht e lumtun. Po. Herë mbas here asaj I vjen i dashuni në shtëpi dhe, orë të tana, rrijnë tue bisedue. Ah sa lakmojsha me qenë si ajo. I kam zili. Ajo u fejue me atë që që dashunue dhe tash projekton se si t'a ngrehi folen e lumnis. Ku ka ma mirë? Kanë vendosë të martohen në Vjeshtë dhe prindët e tyne e kanë, pëlqye kët vendim. Prandaj, qysh tash, kanë nisë përgatitjet për dasmë. S'ka dyshim se të lumtuna janë ato që i kënaqin zemrat dhe të mjera janë ato që s'mundin me i argëtue dëshirat e tyne. Por ma të lumtuna janë ato që nuk gjejnë asnji pengim prej prindërvet të vet në realizimin e andrrimeve të tyne lumnuese. Edhe un andrroj nji lumni, por druej se do të ndeshi në pengime të ndryshme e sidomos në kundërshtimin e pathyeshem të babës, pse ai, për fat të keq, nuk asht në gjendje me e çmue të drejtën e bijës së vet.

2 Korrik
- Sihariq, Dije, se erdh Shpendi - më tha sot Irena sa më pa. Zemra më rrafi me hof dhe shtatin m'a kapulloi nji hafsh i nxehtë.
- Përse më thue... sihariq? - i thashë me za të dridhshëm.
- Kot. Dishka më shtyni. Më fal në të hidhnova - m'a bani ajo e qeshun dhe tue më shique ndër sy.
I ula syt, pse nuk guxojsha t'a shof ma gjatë. Druejsha se mos m'a hetojë atë që mshef mbrenda zemrës.
Dje paska ardhë bashkë me t'amën e të motrën. Paska zanë shtëpi këtu. Sot në mëngjes kishte ardhë ke Xha Simoni për vizitë. E paska mbarue shkollën tue dalë ndër të parët. Qe tash filuen netët e andrrave. Nisën netët që do të kalohen pa gjumë dhe tue i ndigjue rrafjet e zemrës së gandueme prej tij. Mbas sodi kam për t'i ndimë, ma fort se kurdoherë, dridhjet e zemrës së dehjun prej dashunis. Mbas këndej kam për t'i njoftë mëngjezet e trandafilta dhe kam për t'i shijue agimet e ndritshme që ka me pjellë imagjinata e dashunis vajëznore. Mbas sodi kam për t'a njoftë, ma së miri, botën e msheftë të dashunis. Oh sa ç'qenka dashunia. Ajo t'a ambëlsueka jetën, por të robnueka e s'të lanka me rrëshqitë nga prehni i saj. Qeh s'më merr gjumi. Mendoj se ai tash asht këtu. Vetëm disa rrugë e disa shtëpi më ndajnë prej tij. Mbas sodi ai ka me jetue këtu si bashkëqytetar i em.
Mbas këndej edhe ai, si un, ka me e thithë kët ajr që prekin, butas, buzët e mija të nxehta nga ethet e dashunis. Qeh më duket sikur jam tue e thithë at ajr që ai ka nxjerrë nga goja e vet e pastër. Më gjan sikur e ndi frymën e tij të vokët që m'a lëmon fëtyrën t'eme. Qeh syt e tij plot shkëndia gjallnije e flakëruese. Qeh fëtyra e tij e qeshun. E si mund të flej me zemër të trazueme që vlon përmbrenda? Natyrisht s'mundem. Nuk dij se në cilën lagje e në cilën shtëpi banon. Me gjith këtë u krijue në fantizin t'eme nji banesë që tash ka marrë hijen dhe dukjen e bukur të Qabës së dashunis s'eme. Qeh e shof, si nëpër vegim, se ka ramë mbi shtrat e po flen amblas tue marrë frymë lehtë si ndonji foshnje e padjallzueme dhe e njomë. Syt e zij janë të mbyllun. Qepallet e zeza bajnë hije mbi fytyrën e tij të bukur dhe gjajnë si ushta të zeza që ruejnë thesarët e grumbulluem n'ato dy kupa të ndritëshme. Flokët e zij, palë palë, i kanë ramë mbi ball. Krahët i ka nxjerrë, jashtë mbulesës së bardhë, ndoshta, për t'i a shtue asajë bukurin e bardhënis. Dorën e djathtë e ka livarë; të majtën e ka vu mbi zemër, si të donte me i pushue rrafjet e saja të forta. Buzët herë mbas here, lëvizin nga pak. Duket sikur flet përgjumshëm, por s'mundet me e kuptue çdo njeri. Vetëm veshi i zemrës së puthun prej tyne mundet me i
ndigjue e me i kuptue. Asht n'andër e kuvendon me dikë. Ndoshta me... mue. Ah sikur t'isha un, makar n'andërr, ajo së cilës i flet aq ambël. Më dridhet dora dhe s'po mundem me shkrue, pse m'asht shkri zemra. Ajo shurgullon përmbrenda nga valët e forta që përplasen në njena tjetrën me forcë të madhe.

4 Korrik
E pashë Shpendin. Ai kishte ardhë sot ke Xha Simoni. Ishte ulë buzë dritares së hapun në kthinën e Irenës. Un nuk e pashë, pse e kisha krrusë kokën.
- Irenë! - thirra kur u avita ke dera, pa vu re se kush ishte mbrenda.
- Dije! - gjegji ajo. - Ç'don? - pyeti.
Pa i u përgjegjë u futa në kthinë. Edhe kur hyna mbrenda s'e pashë. U drejtova kah Irena q'ishte ulë kundrejt tij.
- M'ep nji libër, Irenë, se jam mërzitë tepër – i thashë dhe u afrova ke bibliotheka. Kapa nji libër dhe e hapa.
- Ç'farë libri don Dije? - pyeti ajo.
- N j i . . . nji që të m'a hjek mërzin e shpirtit - thashë.
- Epi nji libër vjershash, nji libër që të dikojë gaz e harë, nji libër që t'a këmbejë, me nji fuqi magjike, mërzin në gëzim - tha dikush.
M'u duk si zani i tij. Kur e ktheva kryet pashë se ai po më pritte me buzë në gaz. Ai vetë ishte libri i gjallë i porositun prej tij, libri i dëshiruem aq fort prej zemrës s'eme dhe që ka fuqin magjike me më lumnue për jetë. Por kush mund i thoshte se?...
- A! - bana e harlisun dhe e mahnitun.
Nji kahkaha e fortë e Irenës ushtoi mbrenda kthinës me tingujt e hollë të nji kristalit që thyhet. Bana me ikë, por s'munda. Më ndalën në vend syt e tij plot shkëndia magnetike. Më mbajtën ata sy që un nuk mundem me u a durue shiqimin depertues.
- Përse ikni Zojushë? Na jemi pamë aq herë sa e ka humbë ma vlerën ai kuptim ase qëllim që ju ban
me u mshefë prej meje - tha.
Un ende qendrojsha në vend, në kambë. Nji harë e ambël m'a kishte pushtue shpirtin. Librin që kisha në dorë e kisha rrasë mbi zemër, pse ajo më rrifte fort. Syt e tij të qeshun, por edhe si lutës, ishin ngulë mbi mue si dy projektorë të fuqishëm që t'i terratisin syt. Fëtyra e tij dalë-ngadale, më gjajti sikur nisi me u qarkue me do rrathë rrezesh shkëlqyese. Isha mahnitë.
- Rri Dije, se s'të shef kush - më tha Irena tue më kapë për krahu. Atëhere m'u duk sikur u shkunda jermijet. E mblodha vetëhen dhe ika me vrull. Kur u ktheva në shtëpi u mbylla në kthinën t'eme për t'a qetsue zemrën e trazueme dhe për t'i mendue fjalët që më tha. Njimij kuptime u dhanë fjalëve të tija dhe njimij spjegime u dhashë veshtrimeve të tij përpise.

7 Korrik
Irena, me sa kuptoj, interesohet shumë që t'a lidhi zemrën t'eme me atë të Shpendit dhe të sigurojë mundësit
e lumnis s'onë. Sot mbas dreke më thirri dhe, mbassi më futi në shtëpi të vet, më njofti se kishte ardhë Mamë Hija, e ama e Shpendit, dhe se donte me më njoftë me të.
- Jo - i thashë - më vjen turp.
- Pse të vjen turp? Eja se ajo asht nji grue aq e mirë sa ke me e dashtë sa t'a shofish - më tha dhe, tue më tërhekë gati rrëshanas, më futi mbrenda.
- Hajde Dije - më tha Mamë Gjystina sa më pa,
Un u skuqa dhe mbeta në kambë, në fund të kthinës, si t'isha gozhdue aty. M'ishte nxemë krejt shtati. Përshëndeta vetëm me nji të luejtun të kokës dhe pa mund me qitë nga goja asnji fjalë. Irena përsëri më kapi për dore dhe, tue më tërhekë drejt s'amës së Shpendit, i tha:
- Nuk e njifni Zojushën Dije. Kjo asht shoqja e eme e dashun; asht fqija e jonë, bija e Zotni Sulë Kërthizës.
- Gëzohem që po të njof moj bijë. Për ty më ka folë shumë mirë Zoja - donte të thonte për Mamë Gjystinën - dhe Irena - tha tue më shique butë e ambël.
U avita dhe i a kapa dorën me i a puthë, por ajo më tërhoq dhe më puthi në ball. Mbasandaj m'uli ngjat vetëhes dhe nisi me më pyetë për vetëhe, për t'em atë, për njerkën e për fëmijt. Ma në fund më tha:
- Zoja dhe Irena, me sa kam kuptue, të dojshin fort, por ti me të vërtetë, qenke për t'u dashtë bija e eme. Këto paskan të drejtë që të lavdëruekan. Edhe un kam me të dashtë si Fijen e si Shpendin. Dashtë Zoti që të bahesh e lumtun në jetë. Tue folë kësodore m'i lëmonte flokët e kokës dalënga-dale.
Mamë Hija, sikundër do t'a thrres ase më pëlqen t'a thrres, ishte nji grue nja 45 vjeçare, me shtat të naltë, me kokë vezake, me flokë të thijun, me ball të gjanë, me vetulla të holla, me sy të zij, me hundë të drejtë dhe me qafë të gjatë. Tue i kujtue përpjekjet që kishte bamë ajo me gjindarmët me armë në dorë tha tue u mundue t'a
mas guximin e saj m'u shtue kërshëria për të. Mora kurajë dhe nisa me e shique, ma fort për të gjetë në fëtyrën e sajë shenjat dalluese t'amazonës Shqiptare dhe për t'a bindë vetëhen se ndodhesha para nji heroinës.
Shkathtësia në lëvizjen e duervet, xixëllimi i herëmbasëherëshëm i syvet të zij, mrrullja e vetullave në rasa ashpërimi të fjalimit dhe të matunit në të shprehun të mendimit, me nji f jalë zhdrivielltia e dallueshme në të gjithë gjymtyrët, më banë të besoj se ajo, përnjimend, kishte nji vullnet të madh, kishte nji veçanti dhe se ishte, me të vërtetë, nji kreshnike, nji trashëgimtare e Teutës krenare dhe se në dejt e saj vlonte gjaku i nanave Illyriane.
Syt e saj të butë e t'ambël, herë herë, egërsoheshin, shkrepshin e vetëdijshin. Atëhere të dukesh sikur po i shef sqenat e tmershme, sikur lufton me ata që i vranë burrin me dy djelmt e vet dhe mija e mija kreshnikë tjerë. Në këtë rasë, nga xixëllimet dhe fikjet e paprituna të syvet të saj, zbulohesh lehtas shqetësimi që i a mbushte zemrën. Shkurt në syt e saj pasqyrohesh nji mall i pambaruem dhe nji tristim i thellë. Kjo grue të bante t'a nderojsh dhe t'a duesh. E kjo ishte e ama e Shpendit, e atij që un e dashunoj me gjithë shpirt.

10 Korrik
Marr vesh se nji farë Fazli Pllaja më paska kërkue për grue, por im atë, për fat të mirë, nuk kishte ndigjue me më dhanë, pse ai s'qenka i rodit të mirë. Në kohen t'onë e në shoqnin t'onë të gjithë ata që nuk kanë nji pozitë të fitueme me pasuhi ase me fuqi, nuk janë nga rodi i mirë. Kultura e morali ende s'kanë mundë me u ngjitë në kikël dhe me e fitue çmimin e parë. Kjo ngjarje më bani të mendohem shumë për fatin t'em. Druej se mos më martojë im atë me ndonji njeri pa me më pyetë fare. Ç'të bëj? Edhe un nuk dij. Kam mbetë në mëshirën e fatit; jam e trembun nga droja se mos më qëllon ndonji shigjetë shituese e helmuese.

12 Korrik
Prap takova me Shpendin. Më gjet sot tue këndue nji libër ke Irena. U çova me ikë, por ai qëndroi ke praku i derës dhe tha:
- Ju, Zojushë, ishit njoftë me t'eme amë dhe ajo, menjiherë, ju kishte simpathizue. Mbassi u njoftët me të, përse nuk dëshironi me u njoftë edhe me mue? Un, ju siguroj se s'jam i egër. Jam biri i asaj grueje që ju
njoftët disa ditë ma parë. E në mos ju pëlqeu ajo, keni të drejtë me më përbuzë edhe mue.
- Jo - thirra menjiherë si t'isha shty nga nji fuqi.
- Lypset të krenoheni. Zotni, për atë nanë të mirë që kishit dhe duhet t'a ndini vetëhen të lumtun në pranin e sajë - i thashë tue bëlbëzue.
- Ju falem nderit shumë për simpathin që ushqeni për t'eme amë - gjegji dhe mandej bani nji hap përpara. M'a zgjati dorën tue më thanë: Ju lutem më lejoni t'ju paraqitem si...
- Epja dorën Dije - briti Irena.
U hutova. E ndiva se u skuqa, pse nji hafsh i nxehtë m'a mbuloi shtatin. Me gjithë turpin e math që kisha, dishka më shtynte me i u bindë dëshirit të tij. Prandaj i a dhashë dorën. Ai u përkul para meje dhe m'a shtrëngoi dorën tue më hudhë nji veshtrim t'ambël e të thekshëm. I ula syt. Veshtrimi i tij plot shkëndia e përcëlloi zemrën t'eme. Nji frigë e paspjegueshme, e bashkueme me nji kënaqësi të thellë, m'a trazoi shpirtin.
- Besomëni, Zojushë, se jam i lumtun në këtë ças dhe lus që të mos m'a kurseni këtë lumni edhe mbas sodi - tha.
- Ju....Ju.... S'munda me thanë gja, pse nuk isha e zoja t'a urdhënoj vetëhen e të gjej nji përgjigje të përshtatshme. Për fat të mirë m'erdhë Irena në ndihmë dhe më shpëtoi nga ajo gjendje kritike. Më kapi për krahu dhe m'uli mbi karrike tue më thanë:
- Rri, Dije, e mos fol, se disaherë heshtja asht shprehja ma e fortë se sa tallazi i fjalëve që shpërthen nga goja.
Me të vërtetë ashtu asht. Mbasi u ula e ngrita kryet dhe e pashë Shpendin që më shiqonte me buzë në gaz dhe me nji mënyrë të veçantë. Oh sa i hijshëm më dukesh! A thue se përnjimend, asht aq i bukur e i dashun, apo më vjen mue pse e dashunoj? Kush e din.
- Mos u tremb! - më tha Irena. - Rri e qetë, se un po përgjoj prej këtu mos vjen kush. Po erdh jot njerkë ase ndonjeni nga kalamajt, menjiherë, kam me e mshefë Shpendin në mësandër. Shpendi bani buzën në gaz. Irena tue e tregue me gisht mësandrën u ul buzë dritares që shef kah oborri. Un dridhesha. Dojsha t'i flas dishka, por nuk dijsha ç't'i them. Përpiqesha me i gjetë ato f jalë që netë e ditë me radhë kisha sajue për me i a thanë, por të gjitha i kisha harrue. Isha turbullue fare. I kisha ulë syt dhe po rrijsha si ndonji pulë e squllosun prej shiut t ë . . . . djersëve. Ai i dha dum se isha hutue. Prandaj, menjiherë, nisi me folë. Më pyeti se cilat libra më pëlqejshin ma fort, a më kandesh muzika dhe të tjera si këto. Mu atëhere kur un kisha nisë me u kthjellue, e ndiva zanin e njerkës që m'a thirrte emnin. U çova dhe ika mbassi i a shtrëngova dorën. Kur i a shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe nashti, më gjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që t'a pershkon krejt shtatin me forcë dhe të
ban të dridhesh. Pa dyshim ishte fuqia e dashunis ajo që m'a rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës. Oh sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të parreshtuna që më ban zemra. Oh sa i ambël e i dashun që asht! Oh sikur të më dashunonte e të bahesh i emi.

13 Korrik
Meti asht i squet e i dashun. Un at e due ma shum se të tjerët dhe më duket se kam të drejtë, pse ai ban disa lodra që të kënaq dhe të tërhek. Qeh nji shembëll: I ishte shqy sot topi i llastikut dhe s'kishte me se me luejtë. I kërkoi s'amës nji koron që të blente nji tjetër, por ajo s'i dha. E pashë se u pezmatue shum. U ul në nji kand të kthinës dhe nisi me shfry tue true me vetëhe. M'u dhims. U afrova dhe i hudha nji koron. Kur e pa koronin në prehën, menjëherë, brodhi në kambë dhe m'u hudh në qafë. Më puthi e më shtrungoi me dashuni.
- T'a kthej neser - më tha mandej.
- S'e due. T'a kam falë - gjegja.
- Ani se m'a ke falë. Edhe un t'a fal - m'a bani tue më shique me sy xixëllues.
- Mirë, por ti s'ke ku merr se...
- I marr tatës.
- Ai s'të nep për ditë.
- Kam me e bamë që të m'api - gjegji mbassi u mendue pak dhe fluturoi për me blemë top. Mbas darke, kur po rrijshim mbi rrogosa të shtrueme n'oborr, i u avit Meti babës dhe, mbassi e veshtroi me buzë në gaz, i tha:
- A bahemi shokë tatë?
- Si thë? - pyeti em atë që s'kish mundë me e përfshimë kuptimin e propozimit që i bahesh prej të birit.Të gjithë u habitëm.
- A bahena shokë po të them - përsëriti Meti.
Nji habi e bashkueme me nji nënqeshje të hollë u duk në fëtyrë të t'im et.
- Me ty me u ba shok a?... - i a priti.
- Po - gjegji Meti me të shpejtë.
- E çfarë shoqnije mund të baj me ty? - i tha em atë me nji farë përbuzje.
- Pse? A s' t'a mbush syn a?..... - i a bani Meti i prekun në sedre.
- Jo. S'po them gja, por nuk marr vesh se si don me u bamë shok me mue - spjegoi im atë.
- Njashtu ma! Si bahen gjith bota - tha Meti.
- Si? M'a thuej!
Të gjithë pritshim me padurim e me veshë të ngrehun se ç'farë përgjigje do t'epte.
- Qeh se si: Ç'të kem un kam me të dhanë ty e ç'të kesh ti ke me më dhanë mue. Kush të të ngasi ty kam me të dalë zot une kush të më ngasi mue ke me më mprojtë ti - spjegoi me serjozitet.
Të gjithëve na snpërtheu gazi. Meti e ktheu kryet kah un dhe m'a shkrepi syn.
- Po ti s'ke kurrgja mor hor - i tha im atë.
- Si s'kam? Eh se ç'kam un! Por ti s'din gja.
- Ndoshta. Por ty, veç kësaj, të rref jot amë, yt vëlla e motrat, kurse mue nuk guxon kush me më prekë me dorë.
- E për këto të mira deh due me u bamë shok me
ty - i a priti Meti.
Gazi shpërtheu përsëri.
- Hajt, pra, po bahemi - i tha baba i kënaqun nga përgjigja.
- M'a ep dorën - tha Meti dhe e zgjati të vetën.
- Përse me t'a dhanë dorën?
- Të m'a napish besën se nuk do të m'a bajsh me hile dhe se nuk do të luejsh prej f jalës.
- Mirë pra - gjegji em atë dhe ia shtrëngoi dorën.
Mbassi mbaroi lidhja u ul Meti ngjat babës dhe zu me na shique me kreni për fitimin që kishte pasë. Ndërkohe prap m'a shkrepi syn, por unë përsëri s'kuptova gja. Nuk kishin kalue as edhe pesë minuta qysh nga çasti i lidhjes së shoqnis, kur i a bani Meti:
- M'ep nji koron tate.
- Shka don.
- Nji koron.
- Thyej qafën!
- E! Po na u bamë shokë!... - tha me buzë të mvarun dhe shtoi: A kështu e mban besën?
- Uh ke paskam harrue mor Met - gjegji im atë si i turpnuem.
- Mos harro tjetër herë - verejti Meti tue e shikue me kujdes se mos tallet tata me të.
Na qeshëshim.
- Na, se e ke hak - tha im atë dhe i dha nji koron.
- Të falem nderit or shok - i tha Meti dhe, me koronin në dorë, erdh pranë meje.
- A të thashë? - m'a bani kadal dhe me sy të qeshun.
- Të lumtë! - i thashë dhe e putha me nji dashuni të dyfishueme.
- Menre - më tha mbas pak tue m'a rrasë dorën në prehën.
- S'e due. Mbaje se t'a kam falë.
- Po e mbaj, por mos gabojsh me m'a kërkue përsëri - gjegji dhe u çue. Kërceu nja dy herë prej gëzimit dhe iku tne flejtë tue na e urue natën e mirë. Sikur t'edukohesh mirë kjo fëmi e squetë kush e din se çfarë shërbime të çmueshme do ti bante Shqipnis e njerëzis.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •