Sikur te isha djale - Pjesa 06
| Saturday, 01.13.2007, 07:36 PM |  

29 Prill
Jam e dobët nga shëndeti. Nji hafsh i nxehtë m'a ka kapullue krejt shtatin dhe më duket sikur jam tue u djegë mbrenda nji furi. Edhe kolla po më cyt mjaft dhe ndi dhimbje në krahnuer. Dje disa herë përshtyna gjak. S'dij se të gjitha këto a janë shenjat e ndonji sëmundjeje apo të shkaktueme nga i ftofti që mund të kem marrë. Më pëlqen të rrij shtrimë e në qetësi. I thashë babës që të më sillte nji mjek, por ai i shtrembnoi turijt dhe duel tue e tundë kokën e tue murmuritë:
- Sa shpejt bahet goca për doktor se?!... Nji çikë t'i dhem koka ase barku, menjiherë, kërkon doktor!... Kam frigë se ka me kërkue doktor edhe kur t'a zajë lemza!
Ç't'i thojsha? Ai nuk i nep randësi shëndetit dhe kujton se njeriu asht i sëmunë vetëm atëherë kur rrëzohet e bije në shtrat për të... vdekë. Oh sikur t'a kisha pranë Shpendin që të ma fërkonte ballin që më digjet si nji saç i nxehtë. Sigurisht do të shërohesha menjiherë kur të prekte dora e tij mbi ballin t'em dhe nuk do të ndijsha as dhimbje krahnori as edhe dobësi trupi. Por ku asht! Sa lakmi e kotë.

1 Maj
Pranvera e simjetshme, guditënisht, ka kalue me shina dhe ka qenë mjaft e flladëshme. Shiu që pat fillue disa ditë ma parë dhe vazhdoi me ndërpremje të shpeshta, dje mbas dreke pushoi ma. Dje mbrama kemi pasë nji qiell të kthjellët e të mbushun me yj xixëlluese. Asnji re nuk dukesh në hapsinë. Ishte nji natë e kandshme që do të gdhinte në ditën e parë të Majit dehjës e ngacmues i zemrave të reja. Ishte nji natë që të mbushte plot malle e dëshirime të pakufishme, që t'a ambëlsonte jetën dhe t'a dhetfishonte forcën e dashunis. Ah sa lakmova që t'a kisha pranë Shpendin për me e shijue bashkë bukurin e natyrës.

3 Maj
Po të vehen re fëmijt kanë ndryshime në mes të njeni tjetrit dhe njeni i gjason t'atit, tjetri s'amës. Gjasimet fizike i spjegon shkenca dhe theoria e sajë mund të pranohet vetëm përsa ka të bajë me dukjen e me shtatin e fëmis. Sa për shpirtin, simbas mendimit t'em, ndryshon puna. Në të kujtoj se ndikon nji fuqi tjetër e padukshme, e cila i ban të mirë ase të liq, simbas asajë mbëhije që për ne asht misterioze. Të pakën kështu më duket mue. Pleqt e plakat më thonë se un, si në dukje ashtu edhe në shpirt, kryekëput i gjaj nanës. T'im eti i përhijë vetëm në gishtat e kambëve. Rizai i ka gjamë s'amës, si në të pame ahtu në shpirt, kurse Ferideja, Meti e Razija ma fort pjerrin kah em atë se sa kah njerka. Qysh tash duken në ta shenjat e prindëvet. Po. Rizai asht mjaft grindavec dhe nuk i len të qetë motrat e vëllaun. Por edhe Feridja duket se do të bahet kapricioze, se çdo gja që e pëlqen, don me e përvetue pa tjetër, qoftë edhe me damin e tjerve. Meti ndryshon fare prej tyne. Ky asht lulja e fëmijve. Fëmijvet t'onë u mungon edukata, pse njerka s'e ka çamë kryet me i rritë simbas parimeve që epin fryte të dobishëm. Nji grue që nuk ka pasë vetë nji edukatë të shëndoshë familjare dhe as ma të voglin mësim, asht e natyrshme që edhe fëmijt e vet t'i rrisi e t'i edukojë simbas mendësis së vet të ngushtë e të mykët. Ç'mund të mësojnë fëmijt nga nji nanë e padijshme? Natyrisht kurrgja të mirë dhe shumë të këqia e marrëzina. Fëmijt e nji nanës injorante rriten të dobët nga shëndeti, nga mendja dhe nga shpirti, pse ajo i tremb me gogola, i kuen me bestutnina dhe i mojt me marrëzina. Për shembull kur bije rrëfeja, u thotë njerka fëmijve se engjëjt e gjuejnë dreqin me pushkën e Zotit dhe kur bije shi thotë se engjëjt luajnë livere në qiell! Për kët shkak fëmia e nji nanës injorante nuk mund të ketë asndonji ndihmë paraprake prej saj dhe rritet e trembun, e shtypun dhe e torrullueme. Un, herë mbas here, përpiqem me u a ndreqë gabimet fëmijve, por qortimet e mija nuk u bajnë efektin e dëshëruem, mbassi nuk gëzoi ndonji autoritet kundrejt tyne, pse veshët e tyne me mija herë kanë ndigjue të shahem e të përbuzem prej nanës së tyne. Veç kësaj qortimet apo këshillat e mija, simbas njerkës, janë porosina të mbrapshta dhe të damshme për fëmin. Prandaj ajo i porosit që të mos m'a venë veshin. Për shembull kur mundohem me u spjegue se ç'asht shiu ase rrëfeja, ajo i tharton turijt dhe më kundërshton tue më fye si e pa fë. Edhe kur i porosis cucat që të krifen, nxehet dhe thotë se nuk janë... nuse.
Kështu ngjan edhe kur u kërcnohem që të mos gënjejnë, që të mos i kruejnë hundët, që të mos i hanë thonjtë me dhambë, që të mos mvishen trashë, që të mos flasin me gojë plot gjellë, që të jenë të pastër dhe që të mos flasin f jalë të ndyta. Asht nji dhanti e madhe me u bamë nanë, por nji nanë e mirë që ka cilësin dhe zotësin me përgatitë qytetarë të mirë. Parrizi asht nën kambët e nanës ka thanë Muhameti përmend Dajë Haxhiu. Por un kujtoj se në këtë shprehje profetike asht qëllimi për nanën e mirë e jo për ato që i përgatisin cuba shoqnis njerzore. Nanat e mira i bajnë të lumtuna familjet dhe këto shoqnin. Që të jetë e mirë nji nanë, po e përsëris, ka nevojë për edukatë e mësim. Po të kishte pasë nji edukatë shkollore eme njerkë, padyshim, do t'ishte krejt ndryshe, se shkolla do t'i a herte veset dhe fëmijt do t'i rritte në mënyrë të pëlqyeshme. Por mjerisht asaj i mungojnë të gjitha ato që duhen për të qenë nji nanë e mirë. Edhe un, po të mos isha edukue në shkollë prej mësuesve të mira e t'urta dhe po të mbetesha në duert e sajë, sigurisht do t'a ndiqsha shembëllin e saj. Sikur t'a kisha pasë pushtetin e nji diktatorit, kurrë nuk do të lejojsha të martohen femnat ase mashkujt që nuk kanë nji edukatë të shëndoshë, sepse pjella e tyne do t'a shrregullonte e do t'a pengonte mbarëvajtjen e shoqnis. Sot ndër ne as femna mund të bahet nanë e mirë as edhe mashkulli atë i mirë, pse ma të shumët janë injorantë, pa edukatë dhe si të tillë vazhdojnë t'a ndjekin me besniki mendësin prapanike të prindërve. Me këtë mënyrë, asht e dijtun, përvëneret shoqnia me jargët e tyne. E un, sikur të kisha qenë djalë, do të bërtitsha e do t'a ngrejsha zanin deri në kupë të Qiellit që të mundesha me e sigurue mësimin dhe edukimin e femnës ma shumë se të mashkullit, sepse femna asht edukatorja e parë e njeriut.

 

8 Maj
Eme njerkë, tue bisedue sot me nji Zojë që kishte ardhë në vizitë, po i thoshte se ajo nuk ishte ma shum se 35 vjetsh. U çudita kur ndigjove se njerka po i hiqte disa fasha moshës së vet! Un mbaj mend shum mirë se ajo kur u martue me t'em atë kishte nja 32-33 vjet mbi shpinë dhe quhej gjysmë grueje prej grave të fisit t'onë. E qysh atëhere, në mos gabohem, kanë kalue nja 13 vjet. Njerka i a kishte kthye shpinën derës. Kur hyna mbrenda për t'i dhanë kafe Zojës, ndigjova t'i thotë:
- Un kur erdha këtu Dijen e gjeta njikaqi të gjatë - tha dhe bani shenjë me dorë që të diftonte se sa e madhe dhe e gjatë kam qenë kur asht martue ajo me t'em atë. U çue pak nga karrika dhe e ngriti dorën, sa mundi, naltë për t'a matë shtatin t'em t'asaj kohe. Un, edhe sot që jam një vajzë 17 vjeçare, nuk jam e gjatë n'atë masë që tregoi ajo. I kafshova buzët që të mos qesh.
Përse gënjen? Përse i mshef vjetët e moshës së vet? Mos pandeh se përtrihet tue mos e thanë të vërtetën?
Mos kujton se, me këtë mënyrë, ndalohet rrota e jetës e nuk rrotullohet? Sa të lehta janë ato femna që mundohen me i gabue të tjerët tue i mshefë vjetët e tyne, sepse edhe ndigjuesin e venë në pozitën e të marrit, mbassi ai lypset t'a kuptojë përafërsisht moshën e tyne nga dukja. Mirë, por ato kujtojnë se kurrkush nuk e ka kuptue rrenën dhe as që mundet me e njoftë moshën e vërtetë të tyne. Kjo grue, që arrin me gënjye kësodore nji njeri të painteresuem në moshën e sajë, kush e din se si e rren t'em atë. Ndoshta atij i thotë se nuk asht as 30 vjeçare dhe ndoshta dhe ai i beson. Po t'i apim nji farë përfillje fjalës që thonë se pleqnia asht vdekja e femnës, do t'i epsha nji farë të drejte njerkës që t'i skontonte vjetët e moshës së vet, por jo edhe aq shumë
de se po të bahet nji farë llogarije do të shofim se ajo ban nji zbritje gati 25%!... Sigurisht kurrkuj nuk i pëlqen të mplaket dhe t'i avitet çastit kobar të vdekjes, por jo tue e gënjye vetëhen dhe tue i mashtrue të tjerët kaq trashanikisht de. Un nuk besoj të përulem aq shum sa t'arrij me i gënjye tjerët mbi moshën t'eme edhe sikur t'a dij se do t'i humbi thesarët e lumnis s'eme, sepse ma e randë më duket rrena se sa mosha e madhe që do të më randojë mbi korriz.

14 Maj
Shpendi i kishte dërgue letër sot Irenës dhe nji fotografi familjes. Prap pyeste për mue dhe më falesh me shëndet. Fotografin m'a diftoi Irena. Un e mora dhe, mbassi i hudha nji vështrim kinse mospërfillës, e fuga mbi tryezë. Me këtë mënyrë dojsha të diftohem sikur nuk e çaj kryet për të, por sikur të më vente mendjen Irena kishte për t'a dallue ndryshimin e madh që pësoi fëtyra e eme në çastin që ndeshën syt e mij në fëtyrën e tij. Veç kësaj ajo s'vuni re se un po e kundrojsha tinzisht fotografin, të cilën e kisha hudhë mbi tryezë nergut në nji pozë që të mundesha me e pamë ma së miri.
Indirefentë janë njerzit kundrejt tjerve ase sendeve që nuk i interesojnë, por janë të pashqitun dhe të pasionuem kundrejt atyne që i pëlqejnë e i dëshirojnë, Ku t'a dinte Irena se sa vlerë kishte për mue ajo pikturë që e hudha me nji farë përçmimi. Jo vetëm që un nuk i kam dhanë rasë për me e kuptue tinëzin e zemrës s'eme, por edhe lumnia e vet, e endun nga dora e Zefit, nuk e lejon të shofi se ç'ngjan rreth e rrotull. Syt e Shpendit, edhe në fotografi, gjajnë sikur nxjerrin rreze drite t'ambla, por edhe gaca zjarmi që djegin e përcëllojnë. Ah ata sy! Ata derdhën në zemrën t'eme helm e nektar dhe më banë të qaj e të qesh, të rrënkoj e të gëzoj. Po t'ishte e mundun që t'a përvetsojsha këtë fotografi, isha gati të baj fli disa vjet nga jeta e eme.
„Shënimet me datë 17, 21, 24, dhe 30 Maj janë shly në mënyrë që të mos këndohen." „Vetëm në shënimin e fundit dallohen këto pak fjalë që s'janë shly mirë mirë dhe që janë të shpërndame në rreshta të ndryshëm: „ mbasi i mbusha 14 vjetët . . . . . . e ndiva vetëhen dhe herë mbas here shifsha . . . . shifsha . . . . n'andërr shkrihesha prej kënaqësis nji turbullim shpirtnuer dhe nji shkrehje të gjymtyrve Edhe nashti e shof zemrën . . . . . dhe më duket sikur "

3 Qershuer
Dje mbasdreke më kishin zanë ethet. Qeshë shtrimë mbi nji shilte në nji kthinë poshtë, se përtojsha me u ngjitë naltë për me ra në shtrat t'em. Kur po përpushesha nga dhimbjet e trupit e të kokës erdh hallë Hatixheja. Qëndroi nji copë herë ke kryet t'em tue m'a fërkue ballin. Kur u largue, tue drashtë se mos ftohem, e kshilloi njerkën që të më mbulonte me dishka. Un pata të nxehtë dhe s'dojsha që të mbulohem, por nuk bëzana se s'kisha fuqi as edhe me folë pse isha raskapitë fare. E njerka, që t'a çonte në vend porosin e hallës, më kishte mbulue asokohe, kur më kish katëllue gjumi.
Kur u zgjova dhe i hapa sytë pashë se isha mbulue me nji jorgan të vjetër që ishte copa copa e me njolla që i vinte era uthull e djersë. E hoqa, me neveri dhe e hudha tej at jorgan, i cili sigurisht do t'ishte pasunia e trashëngueme prej stërgjyshes plakë e të dergjun në shtrat vjet me rradhë. Nuk dij se qysh nuk e ka diktue im atë e t'u a shitte tregtarëve të vjetërsinave si jorganin e Adamit.
- A s'gjete nji jorgan tjetër që më kishje mbulue me atë fëlliqsinë? - i thashë kur u ngrita.
- Pse a s'të pëlqeu a? Ku t'a gjejsha ma të mirin? - m'a bani me buzë të mvarun.
Jorganë kemi plot, por ma të ndytë e ma të vjetër se kët nuk kemi asnji. Edhe un çuditem se si ka shpëtue pa u hudhë në plehën kjo vjetërsinë e fëlliqun që sigurisht përmban miljona mikropë. Sa shpirt të lig ka kjo grue dhe sa fort m'urren. Edhe në gjanat ma të vogla kërkon të më hidhnojë; edhe në rasat ma të parandësishme përpiqet me më zemërue. Tue mendue se un jam rritë në këtë shtëpi, ku ajo zotnon, çuditem se si nuk kam plasë përpara se t'arri në këtë moshë. Mjerë ata bonjakë që bijen në duer të njerkave të tilla. Un, po të kisha qenë djalë dhe po të hetojsha se mbrenda katër mureve të shumë shtëpiave mundohen vazhdimisht bonjakë të njomë, sikundër un, kisha me e çue peshë botën dhe do t'a detyrojsha prokurorin e Shtetit që t'i paditte prindët dhe njerkat e atyne fatzijve n'emën të së drejtës botnore. Po, do të kërkojsha denime shembëllore si për njerkat e liga ashtu dhe për prindet sylesha që nuk kujdesohen për mirërritjen e bonjakëve të shkretë, se me këtë mënyrë do t'i shërbejsha njerzimit.

8 Qershuer
Dajë Haxhiu kishte ardhë ke ne sot në mëngjes për vizitë. Ai asht daja i nanës. E quejnë Hasan, por un e thërres Dajë Haxhiu, pse ka qenë në Mekke. Ai asht edhe hoxhë dhe shum i fortë në punët e fës, por im atë e quen „rafëzi", ndoshta pse ai i shfaq
lirisht gjykimet e veta dhe ndoshta pse këta nuk pajtohen me konceptin që ka formue im atë mbi fën. Për shëmbëll Dajë Haxhiu thotë se vena asht e ndalueme me u pimë, për shkak se e damton shëndetin e mbralin e njeriut, por lejohet me u përdorë n'asht
se e porosit mjeku për t'a përmirësue shëndetin e nji të sëmunit të dobsuem. Em atë e kundërshton rreptësisht dhe thotë se nuk fut në gojë asnji pikë edhe sikur të jetë tue vdekë, pse ai që pin venë dyzet ditë dalka prej Imanit!....
- Njeriu fetarisht asht i detyruem me e ruejtë shëndetin e vet, sepse trupi asht nji ndërtesë hyjnore. Për kët shkak dhe për arësye se njeriu lypset t'a kryejë misjonin e vet në këtë jetë, vetëvrasja asht e denueme rreptësisht prej fës si nji nga mëkatët ma të mëdha. E ata që nuk kujdesohen me e ruejtë shëndetin e tyne, me mjete e mënyra që nuk i sjellin ndonji dam tjetrit, dita ditës vazhdojnë t'a vrasin vetëhen dhe, me këtë mënyrë, e kundërshtojnë dëshirin hyjnuer - thotë ai, por ku merr vesh im atë se?!... Në bisedim e sipër, s'dij se qysh, e preku Dajë Haxhiu çashtjen e mbulesës dhe nevojën e mësimit të femnës. Im atë e shiqoi shtrembët dhe e kundërshtoi me nji f jalë të trashë. Atëhere ai i a priti dhe i tha:
- Profeti porosit që t'a kërkojmë dijenin qysh nga djepi deri në tabut dhe thotë. se titujt ma të mëdhej të nderit në këtë botë janë ata që siguron dijenia e jo forca ase pasunia.
- Mund të ketë urdhënue Pejgamberi që t'a kërkojmë dijenin, por atë të Dinit e jo të Frengut – përgjigji im atë.
- Ai nuk e ka kufizue dijenin vetëm n'atë të fes. Bile në radhë të parë e ka vu dijenin e shëndetit dhe mbasandaj tjerat - spjegoi Dajë Haxhiu.
- Sidoqoftë dijenia mund t'i hyjë në punë nji mashkullit, por jo nji femnës - tha em atë tue kujtue se i a lidhi kryet f jalës,
- Jo, mor i uraem, jo, se dijenia nuk asht monopol'i mashkujve dhe, po t'ishte nji privilegj vetëm për burrat, ai do t'a shpallte pa u drashtë as prej meje as edhe prej femnave që mund t'i zemroheshin. Përkundrazi thotë se dijenia asht e domosdoshme si për mashkujt ashtu për femnat Myslimane. Veç kësaj duhet të dijsh, miku i em, se historia Muslimane asht plot emna femnash që kanë pasë zotnue nji kulturë të gjanë dhe që i kanë sjellë shërbime të çmueshme njerzimit - tha Dajë Haxhiu, por em atë pat thanë nji herë jo e nuk mund të thoshte po.
- Ndoshta asokohe ka pasë femna të dijshme, por nashti grueja s'ka nevojë për dijeni - tha im atë mbassi u mendua pak.
- Përse? - pyeti Dajë Haxhiu.
- Sepse femna e kësaj kohe asht dreqi vetë dhe, po të stërhollohet edhe me mësime, ka me sajue djallëzina dhe ka me na qitë njimij ngatrresa në ditë.
- Djallësit e ngatrresat mund t'i bajë nji femën që s'asht zhvillue nga mendja e nga shpirti me anë të mësimit, por jo ajo që gëzon nji dijeni, pse nji femën e shkollueme i çmon detyrat dhe i din të drejtat e veta - i a bani Dajë Haxhiu.
- M'a merr mendja se, po t'a kishe pasë ti në dorë, do t'i zbulojshe femnat dhe të gjitha shtëpiat do të na i bajshe shkolla - tha im atë me qesëndi.
- Po t'a kisha pasë në dorë do t'a grissha çarçafin dhe nuk do të lejsha femën pa shkollë, pse grueja asht themeli i shoqnis njerzore, pse ajo asht burimi I moralit, pse ajo asht nyja e shenjtë e qenëjes, pse ajo e mbjell farën e dashunis vëllaznore në mes të njerësve. E kur ajo lihet mbas dore vuen e tanë shoqnia njerzore.
- Pun e madhe!... Do të vuejtkemi të gjithë, pse s'dijnë me këndue e me shkrue flokë-gjatat!... E si kemi jetue deri sot? Dish zotin leni dreqkat, se na s'dijmë vetë - i a bani im atë me nji farë mërzije.
- Mirë, por ti me nji anë mbahesh si fetar i mirë dhe m'anë tjetër nuk ban si urdhëron ajo - i tha daja.
- Pse?
- Sepse Pejgamberi thotë se çdo gja asht një gja, por padijenia s'asht kurrgja. Do me thanë se e porosit mësimin. Veç kësaj në nji verset të Kuranit thuhet se kurrsesi nuk mund të ketë barasim në mes të dijshmit dhe të padijshmit.
- Përse?! - pyeti em atë i çuditun.
- Sepse njeri rron në dritë e tjetri n'errësinë, njeni shef gjithkah dhe tjetri asht i verbët. Pejgamberi, që t'a theksonte randësin dhe vlerën e dijenis, thotë se ma i pëlqyshëm asht gjumi i të dijshmit se sa lutja apo falja e të padijshmit. Im atë heshti e nuk foli ma. Dajë Haxhiu asht mjaft gjakftofët dhe shum i urtë. Nuk nxehet lehtë. Vetëm kur shef se po shtremnohet e drejta ase cenohet e mira, bahet i egër e nervoz. Kështu ngjau edhe sot kur im atë përpiqesh me i dhanë mësim dhe me ia tregue rrugën që ai kujton se asht e drejtë.
- Mëkati ma i madh i jueji - i tha me zemrim - asht guximi që tregoni tue u a predikue tjerëve fën sikundër e keni keqkuptue ase si ju pëlqen juve. Ju e bastardhoni fën dhe e ulni në shkallën e nji zakonit të lig që nuk ka asndonji bazë logjike e morale. Prandaj ju kshilloj që të mos e përsëritni edhe nji herë kët faj. Po t'a përsëris edhe nji herë se e keqja dhe veprat që nuk i përshtaten logjikës nuk janë pronat e fes s'onë. E ju, që nuk keni as ma të voglin mësim, mos përhapni në popull helm e vëner, se do të jeni përgjigjës para njerzis e para Perëndis. Em atë e pat mbyllë gojën ma dhe nuk kundërshtoi. Shumë herë ai e cyt Dajë Haxhiun dhe, me paditunin e vet, përpiqet me e mundë. Im atë, sikundër duket, kujton se zotnon nji dije të gjanë mbi fe, kurse s'din gja. Veç kësaj ai mbahet ma sheriatçi e ma fetar i mirë se hoxha vetë. Sikur t'isha në vend të Dajë Haxhiut do t'a rroksha flamurin dhe do t'i shpallsha luftë asajë turme të pandërgjegjëshme dhe injorante që kërkon t'a mbajë femnën nën zgjidhën e padijenis dhe i a mohon të drejtat e saja njerzore.

14 Qershuer
Pesë ditë e pesë net ndejta ke Dajë Selimi. Edhe ky asht njeni nga dajallarët e nanës. Më kanda të shkoj e të rri ke ai, pse më duket sikur aty e ndij voksin e frymës së nanës dhe dashunin e pastër që ata kanë për bijën e vetme t'asajë q'e patën si syt e
ballit. Veç kësaj Xhevrija dhe Sanija, dy gocat e dajës, janë shum t'urta e të shoqnueshme. Me to kalohet jeta e ambël dhe pa mërzi, pse kanë nji farë cilësije, dhanti prej natyre, me t'a hjekë të keqen me dy fjalë ase me nji nënqeshje.
- Te lumtun do të jenë ata që do të bahen burrat t'uje - u thashë pardje mbas dreke në bisedim e sipër.
- Kujton ti, Dije, se do të jemi të zojat me i bamë fatbardhë burrat t'onë? - pyeti Xhevrija tue më shique amblas me syt e zij.
- Nuk kujtoj, por besoj Xhevrije - përgjigja.
- N'asht se do të keni fat me u martue me asish qe kanë meritën me e quejtë njeri, me asish që kanë tru e ndërgjegje, do të çmohen cilësinat t'ueja të rralla dhe do t'i bani të lumtun.
- Ku e dijmë na të gjorat se ç'fat na pret. Apo mos kemi të drejtë me i zgjedhë vetë shokët e jetës? - i a priti Sanija tue e përkulë kokën me nji anë dhe tue e palue, me gishtat e hollë, kindin e fustanit të vet.
- Ke të drejtë - i thashë tue hofkëllue dhe heshta.
Heshta se s'kisha si me i ngushullue, mbassi edhe un isha si ato, pa as ma të voglin privilegj dhe pa ndonji fuqi që të mundesha me e fitue atë të drejtë aq natyrale që duhet t'a gëzojmë. Më shkoj mendja, menjiherë, ke Shpendi dhe m'u rrëqeth shtati kur e kujtova vështirësin që mund të ndeshi për me e bamë shok jete. Ah femna shqiptare Muslimane. Ajo përgjithësisht
asht e vorfën shpirtnish, e pazhvillueme mentarisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk i asht dhanë mundësia që t'a argëtoje shpirtin, që t'a ushqejë mendjen dhe t'i gëzoje dhantit e natyrës për t'u bamë e fortë dhe e dobishme për shoqnin ku ban pjesë. Ajo s'ka kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s'mundet dhe s'ka se si t'i kushtohet së mirës, së bukurës e të virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.
- Xhevrijen e kërkoi dikush, por s'e dha tata - tha Sanija mbas pak tue e këputë kështu vargun e mendimeve të mij.
- Kush që ai? - pyeta.
Xhevrija u skuq dhe e uli kryet.
- Nji farë Sabri... Dega - gjegji Sanija.
- A e njifshe ti Xhevrije? - pyeta.
- Ajo heshti e nuk bëzani.
- Përse nuk flet Xhevrije? Mos të vjen turp edhe prej meje?
- Jo. Nuk e njifsha - tha kadalshëm pa e ngritë kryet.
- Pse s'të dha Dajë Selimi?
- Sepse ai qenka pijanik - gjegji Sanija në vend të saj.
- A!? - bana si e habitun për vendimin e përshtatshëm që paska dhanë Dajë Selimi tue mos i a dhanë vajzën nji njeriut që e helmon vetëhen me alkool.
Sa mirë paska bamë se?...
- Edhe kjo nuk e donte - plotsoi Sanija.
- A dashunon ndonji tjetër? - pyeta.
Ajo u skuq dhe më ngjajti sikur u trondit. Nuk bani za.
- Po - i a priti Sanija me atë thjeshtësi që e ban të shquhet ndër shoqe.
- Cilin?
- As ajo s'e din si e quejnë. E ka pamë, disa kohë ma parë, tue kalue këndej rrugës.
- Nga asht?
- Ku t'a dijmë na - tha Sanija tue i mbledhë krahët.
- E shkreta vajzë - thashë me vetëhe dhe e qava atë dhe vetëhen, pse edhe un isha në gjendje të sajë. Po. Edhe un dashunoj nji djalë që e pashë rasësisht në shtëpi t'Irenës, por që nuk kam mundë me folë makar nji fjalë me të. Edhe un, si Xhevrija, nuk
e dij se a më dashunon apo jo dhe se ç'fat e pret dashunin t'eme. Un, ma shum se ajo, pata fatin t'a mësoj emnin dhe të marr njoftime mbi familjen e tij, por kurrgja ma shum dhe asgja të kënaqshme për sigurimin e lumnis s'ardhëshme. Oh sa vajza, si na, lëngojnë gjatë jetës dhe vdesin pa i a kallzue kuj sëmundjen e zemrës. Sot kur po iksha, tue u përshëndetë ke porta, më pëshpëriti Sanija ke veshi:
- Dashnori i Xhevrijes asht me vesh të shpuem.
- Me vesh të shpuem! - thashë me za të këputun.
- Po. Asht i bukur: Ka dy sy të zij që të merr më qafë kur të shiqon; ka shtat të plotë e të mesëm; rrin me kokë jasht dhe flokët e zij i lëshon mbrapa - spjegoi Sanija.
- Mos e quejnë...
S'e mbarova f jalën. U pendova.
- Nuk e dij se si quhet.
- Ku rrin me shtëpi?
- S'e dij, jo. Për herën e parë e patëm pamë nga dritarja aty kah mezi i Prillit, por mbas katër a pesë ditësh u shduk ma. Ndoshta asht i huej - bani ajo tue më shique në sy.
- Ai asht - pëshpërita me vetëhe dhe ika si e hutueme.
Tash dashunis s'eme i u shtue edhe zilia dhe vuejtja shpirtnore u dyfishue.

17 Qershor
Feja e moda, simbas mendësis së disa tru-ndryshkunve, qenkan shemra që s' pajtojnë kurrë. Un, të them të drejtën, nuk po mundem me e kuptue arësyen e rrjedhjes së këtij kundërshtimi kaq t'ashpër që zhvillohet në mes, t'antarve të të dyjave. Për shembëll disa kohë ma parë u ba kijameti prej njerkës, pse un kisha premë nji fustan pak të shkurtun. Ajo u ba spec prej zemërimit dhe thoshte se fustani lypset të jetë i gjatë deri ke themrat e kambëve. E ai i emi ishte nji pëllambë nën gju. Me gjith
që qysh atëhere ka kalue shumë kohe ende s'ka pushue grindja e fustanit. Do të mveshin këmishë zjarmi në xhehennem - thotë njerka dhe ket kërcnim e përsërit shpesh e shpesh.
Këto ditë pat nisë nji grindje tjetër: Ajo e flokve të shkurtun. Shumica e femnave, simbas modës së sotshme, i kanë premë leshnat dhe i kanë lanë nja nji pëllambë të gjata. Edhe un, që t'i përshtatem modës dhe që të mos dukem ndër shoqe si dhi e egër, shfaqa dëshirin me i premë, por njerka kundërshtoi tue thanë se asht mëkat i madh. Dy ditë rresht nuk i prani goja tue folë mbi këtë mëkat. Të tretën u tërbue farë kur pa se un, kundër porosis së sajë, i kisha premë. Po. I preva. I a dhashë Irenës gërshanët dhe iu luta të m'i presi. Njerka tash vazhdon të çirret tue thanë se u prish dynjaja. Për fat të mirë dhe për çudi, em atë nuk m'u vërsul me at mëllef që më msyeni njerka. Ai më shiqoi me nji farë përbuzje dhe më tha:
- Ç'paske bamë ashtu moj? Qenke bamë si dhija shutë eh të marrtë mordja!
- Në kohnat t'ona - thotë njerka tue fry ndër hundë - edhe Dielli ngrofte ma shum edhe Hana shkëlqente ma fort, pse na e kishin frigë Zotin dhe nuk bajshim kësi maskarallëkesh. Nashti hyni dreqi në zemër të njeriut. Këto që bani ju janë nishane kijameti. Të mjerat na që i a mbrrimë kësaj dite. A thue se me të vërtetë do të bahet kijameti pse i preva un flokët? A thue se, përnjimend, ka me u zemrue Perëndia, pse na i shkurtuem flokët e gjatë? Nuk besoj dhe nuk kujtoj që zoti të ketë vumë nji
ligjë të posaçem për t'a regullue çashtjen e flokve, Nuk e kuptoj se ç'lidhje kanë flokët e mij me lamshin e dheut. Mos asht lidhë lamshi i dheut në fijet e flokve të të mij dhe, tash që i preva, do t'a humbi drejtpeshimin dhe do të rroposet?! Në qoftë se do të bahet kijameti pse un i preva flokët, në qoftë se do të shkatrrohen rrathët e Dheut për shkak të flokve të shkurtuna ase të gjata, le të bahet çika çika dhe pluhun fare, se edhe neve nuk na vlen ma. Disa ditë ma parë e pyeta Dajë Haxhiun mbi këtë çashtje. Ai më shiqoi çuditshëm dhe më tha:
- Përse më pyet moj bijë?
- Pyes, se disa thonë se asht gjynaf me i premë - përgjegja.
- E pse qenka gjynaf? Ç'ka të bajë floku i gjatë ase i shkurtun me fën? Në qoftë se asht gjynaf për ju duhet të jetë edhe për ne burrat, se edhe na i presim - gjegji.
- Ashtu?! ... - bana e habitun nga përgjigja e tij plot logjikë.
- Ashtu po. Ban si të duesh bijë. Vetëm kije ndërmend se Zoti interesohet për shpirtin t'and, për veprën t'ande të mirë ase të keqe në këtë botë, se sa për flokët e tu të gjatë ase të shkurtun nuk don me dijtë gja - spjegoi. Mirë, por eme njerkë nuk asht nji mendimit me Dajë Haxhin. Disa vjet ma parë qenka zakon me i a premë flokët vajzës së fejueme ditën që do të nusënoheshka.
Simbas këtij zakoni apo besimi vetëm gocat paskan pasë të drejtë me mbajtë flokë të gjatë e gërsheta, kurse femnat e martueme lypseshka të kenë flokë jo ma të gjatë se ke supet, pse floku i gjatë, për gruen e martueme, baheshka gjarpën në Xhehennem. Ma vonë paska ndrrue ky zakon dhe të gjitha femnat, pa u përjashtue edhe njerka e eme, paskan nisë me i mbajtë
flokët të gjatë. Për kët shkak paskan ndodhë shumë grindje në mes të fanatikve e të liberalëve sa paskan lanë shumë kujtime të hidhta. Tash që moda kërkon t'i shkurtojmë, prap ka nisë me fry ai murran i egër i kundështimeve dhe i grindjeve në mes të të dy palëve. Qysh nga Eva e deri më sot, sigurisht, mija volume do të jenë shkrue mbi bukurin e flokve të gjatë të femnës dhe un, po t'a kisha pasë në dorë, do t'a kundërshtojsha modën e premjes së flokve, por qeh se nuk më pyet e nuk më ndigjon kush!...
Dëshiri për me e shkërbye femnën e qytetnueme ka nisë me e ngacmue edhe femnën Shqiptare, por ky farë ndikimi ka mbetë vetëm për sa ka të bajë me modën e jo ma shum. Duket se edhe burrave u pëlqen mveshja e mertisja e grave simbas modës, pse po diftohen mjaft toleruesa dhe herë e verbojnë njenin sy herë e shurdhojnë njenin vesh. Me gjithë kundërshtimet e plakave e të pleqve fanatikë moda i ka futë turijt edhe në banesat ma të harrueshme të vendit tue e shtiem nën zgjedhë shumicën dërmuese të femnave. Me këtë mënyrë femna Shqiptare ka nisë me bamë nji shkërbim të sipërfaqshëm pa qenë e zoja me bamë nji ndryshim rranjësuer në gjendjen e vet për me u bamë shoqe e vërtetë me ato që rrojnë jasht kufijvet t'onë. Mos kujtohet se i mungon vullneti ase dëshiri për me e arri atë të qytetnuemen, jo. Ajo don, por pengohet e luftohet. At ças që të shfaqen shenjat e këtij vullneti, do të ndeshi në kundërshtimin e fortë t'atyne fanatikve që i ka verbue llomi fetar i prodhuem dhe i shpikun prej disa njerësve të padijshëm e të pandërgjegjshëm, kurse feja, sikundër thotë edhe Dajë Haxhiu, kurrë nuk e pengon zhvillimin dhe përparimin e femnës, bile përkundrazi e nxit dhe e urdhëron. S'dij se kur do të shduket kjo fanatizmë nga vendi i jonë dhe cili do të jetë ai fatbardhë që ka me e shpëtue kët popull nga këto këthetra. Ah sikur t'isha djalë dhe t'a merrsha un flamurin e kësaj vepre, me të vërtetë, madhështore e njerzore.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •