Sikur te isha djale - Pjesa 05
| Saturday, 01.13.2007, 07:37 PM |  

9 Prill
Sot në mëngjes erdh Irena me më pamun. Më gjet tue u mveshë në kthinën t'eme.
- Mirë mëngjezi Dije - më tha tue hymë mbrenda.
- Mirë mëngjezi Irenë.
- Hej si je sot?
- Ma mirë.
- Dish Zotin më thuej. Dije, se ç'pate dje? Mos të fyeva me ndonji fjalë? - pyeti e shqetsueme dhe e trishtueme.
- Jo, Irenë, jo. Dje, qysh ma parë se të vijsha ke ju, qeshë pak e dobët nga shëndeti.
- S'e besoj. Don me më mashtrue.
- Besomë se u ligshtova.
- Domosdo u ligshtove, por përse?
- Sepse... - bana tue u mendue se si t'a gaboj
- Sepse u zemërova në mue.
- Jo, për Perëndi, jo.
- Po ç'pate?
- Të thashë dë! Lene këtë, por më thuej se ç'ngjau, mbassi më vune mbi shtratë?
- Asgja.
- Fare, fare?
- Fare Dije. Ç'mund të ngjiste? Un, kur të pashë se u dobsove, shkova mora ujë për me të flladitë.
- Mbasandaj?
- Mbasandaj të gjithë erdhën e u kujdesuen për ty.
- A e humba mendjen?
- Jo. Vetëm se u meke fare.
- Po ma?
- Em atë më shau tue kujtue se të kisha hidhnue.
„Ajo asht e ajthtë, ndin fort dhe ti do t'a kesh ngucë me ndonji fjalë të papeshueshme mirë mori e marrë", më tha i egërsuem.
- E pashë se atij i erdh shum keq.
- Po, por ma fort se të gjithë, për çudi, u pezmatue Shpendi.
- Kush? Shpendi thë? - i a bana me nji za të mpakët që provonte kjartazi se sa fort isha ndrydhë e pëltucë nën forcën e dashunis, por ajo s'e vuni re.
- Po Shpendi - gjegji dhe vazhdoi: U zbe e u ba dyll i ngrati. I dridhesh buza dhe krejt shtati. Un u tremba se mos mpaket. Mue përsëri m'iku fëtyra. E ndiva se po tronditem. Prandaj u ula, plogshëm, mbi nji karrike që u ndodh aty afër dhe pyeta:
- Nga asht ai?
- Asht Kosovar. Ka vetëm nji nanë. Tatin dhe dy vëllaznit e tij ma të mëdhej i a kanë vramë gjindarmët.
Oh sikur t'a dijshe se çfarë trimash kanë qenë ata. . .
E pashë se ajo do të zgjatesh në kallzime mbi trimnin, burrnin dhe besnikin apo fiknikin e atyne që kishin ramë dëshmorë. Prandaj i a preva fjalën tue e pyetë:
- Mirë, por un kurrë s'e kam pamë at djalë ke ju.
- Ai parvjet ka ikë bashkë me t'amën. Na atëhere, shkuem me i pamë, E mban mend kur shkuem në
Shkodër?
- Po, e mbaj.
- Edhe vjet pat ardhë Shpendi këtu. Por nuk qëndroi veçse nji ditë. Prandaj ti nuk e ke pamë.
- Vetëm t'amën e paska marrë me vetëhe?
- Po ti, më duket, më pate thanë se asht i martuem apo i vluem? - pyeta me nji farë mjeshtrije.
- Ai?!. Ç'thue moj Dije? Ai ende asht foshnje. Tash në vjeshtë i mbush 23 vjetët.
- Gabim e paskam marrë vesht - thashë me qëllim që t'a humb gjurmën.
Tash isha shlirua ma, nga ato veriga që më lidhshin ma parë.
- Jo xhanëm. Ai as asht vlue, as asht martue - përsëriti Irena me nji za që dikonte siguri të plotë.
U përpoqa të trilloj nji farë pyetje që të merrsha vesht se a ka ndonji dashnore, por nuk munda.
- Edhe ai më ka pyetë shumë për ty, Dije dhe më ka kërkue aq spjegime sa u çudita - tha Irena mbas nji heshtjeje të vogël.
- Përse pyeste?
- S'e dij, por më duket se. . .
- Ç'fare?
- Mos m'u hidhno se po të them, por më duket se të . . . don.
- Më don thë? - i a bana si e luejtun mendsh dhe u hudha në prehën të saj.
- Ç'ke Dije? - thirri ajo e tmerueme.
- Kurrgja - thashë me za të mbytun, gati të përvajshëm.
- Ç'ke mori? Fol!
- Asgja - gjegja tue e mshefë kryet në krahënuer të saj.
Dojsha me i a hapë zemrën, por më vinte turp. Me gjith që asht nji mbëhi e pamohueshme me i a çilë zemrën nji shoqes dhe me gjith që ajo nuk e ka mshefë prej meje as dashunin e Zefit as edhe kurrgja, un s'mundesha me i folë për çka kisha në zemër. Ajo e ngrata u hutue fare. M'argëtoi dhe u përpoq të më qetsojë. Tue kujtue se më kishte prekë në sedrë e më kishte fye, u pendue pse më kishte folë asodore. Un s'i thashë gja. Tash më gjan sikur m'asht lehtësue shpirti, më duket sikur u shkri, pjesërisht, ai akull që m'ishte rrasë në zemër, pse shpresoj se më dashunon dhe ai s'qenka as i vluem as edhe i martuem. Po në qoftë i Krishtenë? Edhe sikur të rroposet bota nuk mund të bashkohem me të, pse nuk lejon feja, nuk len im atë. Ky mendim tash m'asht ngulë gozhdë në tru. Oh sa e marrë që jam! Ç'më duhet t'a dij a asht i Krishtenë apo Musliman, kurse nuk dij a më dashunon apo jo? Irena, e mbështetun në pyetjet që i ka bamë për mue, kujton se më dashunon, por kush mundet të besojë? Ndoshta ai asht ndonji djalë i lig dhe pyet me paramendime e me qëllime t'errta. Mos janë të rralla rasat që djelmt pyesin për gocat që shofin? Natyrisht nga këto farë pyetje që drejtohen me qëllime djallëzore ase për të kënaqë kërshërin, si për ndonji teshë që të zen syni në vetrinë të ndonji magazinës, nuk mund të nxirret ai kuptim që neve na pëlqen, nuk mund të kujtohet se ai e dashunon vajzën, për të cilën kërkon spjegime. Por sikur të më dashunojë! Në më dashunoftë ku ka me mue? Do të jem 'e lumtun. Për ndryshe sharrova. Oh se ç'qenka dashunia. Ajo qenka si nji mulli që rrotullohet gjithnji dhe me forca të përtrime.

10 Prill
Prap sot mbas dreke shkova ke Irena me shpresë se mos e shof Shpendin, por ai s'erdhi. U mërzita tepër dhe qeshë tue plasë. Kush e din se ku ka shkue. Ndoshta ai këtu ka ndonji dashnore që luen mendsh për të dhe tash asht... ndoshta asht tue i dhurue asaj thesarët e zemrës e të rinis së vet. Ndoshta ai tash, i dehjun nga forca e alkoolit të dashunis, e ka humbë vetëhe dhe e ka harrue krejt botën e jo ma t'i bijë ndër mend për mue.
Oh sa shpejt gobohemi e gënjehemi na femnat. Nji shiqim i thekshëm mjafton me na dërmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s'guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën me nji veshtrim të mpakët ase me nji nënqeshje të kandeshme. Zemrat t'ona janë ma delikate se qelqet. Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamëshirshmit, i then dhe i ban thërime për t'u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat t'ona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot. Sa e sa prej nesh janë bamë viktimet e naivitetit dhe të sinqeritetit të tyne tue u besue lajkave e premtimeve të gënjeshtërta. Vera, stina e pushimeve shko llore, asht koha në të cilën nis me u zhvillue akti i parë i asajë aventure që, të shumtën e herëve, mbaron tragjikisht për femnat e gjora të trathtueme prej të rijve e sidomos prej disa studentave që kthehen nga Europa, pse këta përdorin njimij djallëzi për me e thye qëndresën e asaj që lakmojnë me e mposhtë. Shpesh më kanë ramë në vesh ngjarje të tilla që e cenojnë kryenaltësin Shqiptare. Dëshiron të dashunojë vajza Shqiptare, por mbrenda caqeve të pastërtis morale; lakmon të lumnohet e gjora, por mbrenda kufijve që përfshijnë ligjët e çerdhes familjare; don t'a shijojë jetën e ngrata, por tue mos e humbë vlerën e nderit dhe tue mos e e cenue sedrën seksuale.
- Uh ti qenke e marrë! Qenke nga ato që ende e këndojnë kangën e Mukës! S'qenke e qytetnueme si gocat e Europës - i thonë djelmoshat kur shofin se ajo qyqarja mbahet me mos u përkulë para lajkave ngacmuese, përpiqet të mos ndrydhet para premtimeve mashtruese, mundohet të mos e shkallmojë magjen e virtyteve, të nderit e të sedrës. E kur i bahet kjo vërejtje e ashpër ajo e kujton vetëhen ma poshtë se shoqja Europjane dhe, tue dashë që të diftohet se asht naltësue në shkallën e sajë, dobsohet e bije në lak. Mbasandaj djali i kthen shpinën tue u zgërdhimë dhe tue e përqeshë. Asht e dijtun se nuk janë të tillë gjithë të rijt, por në mes të tyne ka mjaft asish që e humbin ndërgjegjen kur ndeshin në femna Shqiptare. Ndoshta edhe Shpendi asht ndonji bandill që kërkon të mbledhi mjaltë nga çdo lule që i shef syni i tij derptues. Ndoshta edhe ai asht ndonji kusar zemrash e gjuetar nderi. Ndoshta edhe ai ka lanë mbas shpine ndonji dyzinë goca që tash qajnë e ulërijnë me dëshprim prej kobit që kanë pësue. Ndoshta edhe ai asht ndonji mizuer i mshefun nën atë shtat të bukur dhe nuk i nduket ndërgjegja nga rrënkimet e atyne që ka vramë me... shigjetat e synit të vet.
Ndoshta, por jo. Ai s'mund të jetë zemër gur; s'mund të ketë shpirt bishe e fëtyrë engjëlli. Syt e tij të vranuem, kur un u dobsova në shtëpi të Irenës, pasqyrojshin dhimbjen që ndinte zemra e tij, diftojshin se ka shpirt të mirë e njerëzi, provojshin se asht i dejë të quhet njeri. Prandaj ai nuk mund të futet në grumbullin e atyne që kanë zemra vagabonde, t'atyne që dashunojnë vetëm për t'i ngopë lakmit e tyne prej kafshe ase që dashunojnë për... sport. Ai, sigurisht, asht nga ata që kërkojnë të kenë nji shoqe ideale në këtë jetë, nga ata që përpiqen të ndërtojnë nji pallat lumnije në këtë botë, nga ata që e çmojnë kuptimin e naltë të jetës bashkëshortore. Më duket se kanë të drejtë ata që thonë se luen mendsh femna kur dashunon përnjimend. Edhe un më gjan se e pësova. Më duket sikur kam nji votër me prush në zemër që më shkrumon. Ç'baj kështu? Për cilin po shkruej në këtë mënyrë? Natyrisht për nji djalë që i a njof vetëm dukjen, por që nuk kam as ma të voglën dijeni mbi karakterin, mbi moralin dhe mbi mendjen e tij. Për nji femën mos asht bukuria e mashkullit i vetmi sigurim i lumnis së dëshirueme? Pa dyshim jo. E atëhere përse po trenohem tue u kënaqë me ato bukuri që e argëtojnë vetëm synin dhe që shduken mbrenda pak kohe? Ato që kanë mend dhe që duen nji lumni të paperëndueshme kërkojnë bukuri shpirti, pajtim karakteresh e qellimesh. Po un ç'kërkoj? Un shkallita fare. S'kam me e përmendë

12 Prill
Pashkët shkuen e mbaruen, por ai s'u duk ma. Duket se ngeci ndokund. Familja e Xha Simonit asht vrahthue e shqetsue shum për të, pse nuk dijnë se a ka shkue në Shkodër apo mos ka pësue gja. Qenka edhe i pasjellshëm. As nuk erdh me u përshëndetë me këta kur u largue. Ndoshta asht zhytë në ndonji pellg të ndytë këtu e s'mund të dali. Oh sa keq! Sa keq i vjen njeriut kur shef se në nji trup të bukur ka nji shpirt të keq! Me gjith këtë e ndi se e dashunoj. E mjera un. Sharrova!... Dashunia e vërtetë qenka si nji lulishte e rrethueme me mure të pakapërcyeshëm që ka vetëm nji portë dhe që ajo hapet vetëm për të hymë e nuk çilet kurrë për të dalë. Era e kandëshme e luleve të tërhek me u futë mbrenda. Hyn lehtas, por ngec mbrenda për jetë. Qeh pata vendosë që të mos flas ma për të, por nuk e mbajta fjalën. Duket se përnjimend e dashunoj. A ka zemër ky djalë? Në qoftë se ka, vall ç'ka mshefë ajo mbrenda? Kush mundet me e dijtë. Ndoshta zemra e tij nuk ndin kurrgja, pse asht dhanë mbas epsheve. Ndoshta asht mpimë fare, pse vuejtjet e përpjekjet e ashpra që ka pasë do t'i a kenë shkambëzue. Ndoshta.
Sot, tue kuvendue me Irenën e me Mamë Gjystinën, ra fjala ke ai. Mamë Gjystina, e prekun thellë nga shdukja e Shpendit, foli nji copë herë mbi gjasat ë nji së ligës. Mbasandaj kapërceu ke familja e tij dhe rrëfeu se sa herë kishte luftue i ati i tij Dan Rëfeja kundër Turqve e gjindarmëve dhe sa herë ishte plagosë. Kallzoi se si ai nuk i duronte mizorit e tyne dhe sa fort e urrejshin ata. Ma në fund spjegoi se si e kishin rrethue në shtëpi në nji natë Vere, si kishte luftue bashkë me tre djelmt e vet e me të shoqen, si e kishin çamë gardhin e ishin aratisë, si ishin ndeshë mandej shpesh herë me patrullat, si e kishin spastrue vendin nga disa cuba që i bijshin më qafë gjindjes, si ishin rrethue ma në fund në nji katund afër kufinit, si ishte vramë Dani dhe mbasandaj dy djelmt ma të mëdhej Bardhi e Sokoli, si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t'amën dhe si e kishin kalue kufinin. Ajo flitte me za të përvajshërn dhe me sy të përlotuem për këtë familje të mjerueme. Un u hutova fare. Kur mbaroi zuna të mendohem për me gjetë se si kishte shpëtue Shpendi bashkë me t'amën nga drapni i mordjes. Dojsha me pyetë, por nuk guxojsha. Ajo, si t'a kish hetue pyetjen që më vinte në majë të gjuhës, shtoi:
- Shpendi, moj bijë, ishte në gjimnaz të Shkupit. Qeveria e kishte marrë e çue në Shkup me bursë kinse për t'a mësue, por në të vërtetë e kishte marrë si peng për t'i a rrudhë guximin t'atit. Në Verë, me rasën e pushimeve, djali ishte kthye në shtëpi dhe u ndodh aty kur u zhvillue kobi. Kur u rrethuen, si herën e parë ashtu edhe të dytën afër kufinit, edhe ai ishte mbrenda. Mbas vrasjes së Danit tre djelmt - Bardhi, Sokoli, Shpendi - bashkë me t'amën i dhanë zjarmin shtëpis dhe, tue përfitue nga tymi e nga errësina e natës, I msyen gjindarmët. Në rrëmujë e sipër vranë mjaft nga anmiqt, por edhe Bardhi e Sokoli mbetën. Shpendin e muer nji plumb në vesh të majtë dhe t'amën në kofshë. Dy ditë ngelën të ngujuem në nji pyll dhe të tretën mundën me e kalue kufinin. Tash e mora vesht se pse e paska të shpuem veshin e majtë.
- Nana e din mirë ngjarjen, se asokohe u ndodh në Kosovë, ku pat shkue me e pamë të motrën – verejti Irena.
- Po - i a bani ajo tue fshamë. - Kur e kapërceva kufinin ata i gjeta në Kukës. Mbasandaj bashkë erdhëm deri në Shkodër, ku zunë vend.
- Më duket se patën mjaft të holla me vetëhe - tha Irena, mbassi më shiqoi mue si me dashtë të m'a tërheki verejtjen.
- Po - përgjigji ajo - se Dani - dritë i pastë shpirti - e kishte parapamë kobin që po i afrohesh. Prandaj ishte mbledhë. Kur u vra, Hija i a hoq qemerin dhe e ngjeshi vetë.
- Kush i a muer qemerin? - pyeta.
- Hija, e ama e Shpendit - gjegj Mamë Gjystina.
E Hapa gojën të pyes mbi rranjën e këtij emni, për mue i pandigjuem dhe i çuditshëm, por m'a preu fjalën Irena. Mbasandaj, e turbullueme nga ngjarja e rrëfyeme prej Mamë Gjystinës, harrova fare me e pyetë.
- Tash Shpendi vazhdon në gjimnaz të Shkodrës për t'i mbarue ato dy klasa që i mbetën pa i krye në Shkup - plotsoi Irena.
- Të themi të drejtën, edhe qeveria u kujdesue për t'a - bani Mamë Gjystina.
- Asht e dijtun - tha Irena - se ata e nderuen kombin t'onë. Tash Kosova u këndon kangën atyne kreshnikëve dhe asht krijue nji legjendë popullore rreth ngjarjes.
Nji heshtje e ftofët e mërzitëse plakosi mandej. Të tria po mendoheshim, natyrisht, mbi ngjarjet e zhvillueme. Imagjinata e eme ishte ndikue. Ngjarjet po më sinematizoheshin të pikturueme e të kjarta. Zhurmë e potere, britma e rrënkime, shamje e shfrymje, mburrje e lavdërime, përzihen në mes të kafkufeve të thata t'armëve që shprazen. Krismat e pushkëve dhe bubullimat e bombave dendësohen. Flaka e tyme e mbulojnë çerdhen e viganve dhe duken do hije që vërsulen nga mbrenda jashtë. Edhe nji herë ashpërsohet beteja dhe mandej shuhet për me mos u përsëritë, për nji kohë, n'at rreth. Mbasandaj shfaqet para syvet të mendjes dendësia e nji pylli, ku shifen të strukun nji nanë spartane me të birin pranë. Nji hero e nji heroinë i a lidhin plagët njeni tjetrit, pa bëzajtë e pa rrënkue, pse shpirtnat e mëdhej i durojnë hidhnimet dhe i lëbyrin dhimbjet me heshtje. Tabllo e shëmtueme, por njikohësisht madhshtore për nji komb që kërkon liri, për nji zemër që ndin dhimë. A s'asht mëkat që ky djalë, hero, të jetë shpirt lig e me vese që e njollosin emnin e atyne që ranë dëshmorë? Fatkeqsi.

14 Prill
Sot jam e gëzueme, pse mora do lajme të kënaqshme. Shpendi paska dërgue letër nga Shkodra. I kishte shkrue Xha Simonit se, simbas nji telegrami të marrun prej s'amës, qenka shtrëngue me u nisë për Shkodër, pse motra e tij bashkë me të shoqin paskan dalë në Kukës për t'ardhë në Shkodër. Kërkonte ndjesë që s'kish mundë me u përshëndetë, pse kish gjetë nji automobil gati për nisje dhe kështu s'kishte pasë kohë. Motra i paska ardhë mbas dy ditësh. Veçanërisht i kishte shkrue edhe Irenës. E pyeste për shëndetin t'em dhe i thoshte të më përshëndesi nga ana e tij. Irena, tue drashtë se mos i zemrohem, nuk më tha gja. M'a dha letrën t'a këndoj. Kur i pashë përshëndetjet që më bante m'u nxe e m'u ba prush shtati dhe zemra më rafi me hov prej gëzimit. Por nuk bëzajta fare. Tash jam pendue plotsisht për shka kam dyshue për të. Fëtyra e tij tash nisi me u shfaqë ma e kjartë dhe ma e ndritshme n'imagjinatën t'eme. Në syt e tij tash dallohen shenjat e përvujtnis, por edhe të krenaris, të pastërtis; duken shenjat e gjallnis, të fisnikis e të trimnis, por edhe t'egërsis s'ambëlsueme. Vlera e tij morale u dyfishue dhe po më duket si nji hero mito llogjik që ka bamë krushqi me Perëndit e jo si nji njeri i rendomtë.
- Sa mirë ka bamë që ka ardhë - tha Irena.
U këput për gjysmë filli i mendimeve të mija.
- Kush? - pyeta.
- Motra e Shpendit. Sa e mirë asht se...!
- Cila? - pyeti Mamë Gjystina tue hymë mbrenda.
- Fija e Xha Danit - gjegji Irena.
- Po, - tha Mamë Gjystina - Fija asht yll si në bukuri ashtu edhe në sjellje. Besa të rralla i ka shoqet.
- Si e quejnë? - pyeta e çuditun.
- Fije - përgjigji Irena.
- Ç'farë emnash paskan këto?! Çudi! Njenës i thonë Hije e tjetrës Fije! Paskan emna... - Thuej se Shqip - i a priti Irena me buzë në gaz.
- T'amën e Shpendit e quejnë Fet-hije, por për shkurtim i thoni Hije. E të motrën e quajnë Sofije, por për dhelatim i thërrasin Fije, ashtu si të thonë ty Dije, kurse emnin e ke Shadije.
- Po këto paskan emna Muslimanësh - thashë e torrullueme.
- Po Muslimanë janë moj bijë - gjegji Mamë Gjystina.
- A!? S'qenkan të Krishtenë?! - thashë e mahnitun dhe e harlisun.
- Jo, jo - tha Irena tue më shique me vërejtje. Fëtyra m'ishte zbemë dhe zemra më rrifte me hof. Po. Më shungulloi zemra e shitueme nga ky lajm që m'i haptë dyert e lumnis. Për pak qeshë tue u përplasë për tokë e vilanisun, por turpja e madhe që kisha prej Mamë Gjystinës më bani të mbahem. Po të mos më vinte turp, të pakën, do t'i përqafojsha këto që më shpëtuen nga ky kujdes dhe do të derdhsha lot gëzimi. Tash ma ishte ndriçue krejt errësina që e rrethonte personin e Shpendit. M'ishte lehtësue shpirti dhe s'drojsha ma se mundet me na e pengue feja lumnin.

20 Prill
Lulet m'i kanda fort. Ato tash kanë nisë me dhanë shtat. Shinat e simjetshëm, që ranë në gjysmën e fundit të Marsit, e penguen zhvillimin e tyne. Vetëm nashti kanë fillue me u mkambë e me u-forcue. Sot mbas dreke isha ulë në mes të tyne dhe po lexojsha nji libër që më huajti Irena. Qershia, ku e kisha mbështetë kryet, ka çelë lule dhe ka nisë me lidhë kokra. Në nji degë të sajë kish zanë vend nji bilbil dhe po këndonte mallëngjyeshëm. Ndoshta ai s'këndonte, por qante. Kush e din. Ndoshta ai i vargëzonte vjersha trandafilit dhe e vajtonte mbarimin tragjik të vetëhes që do të ketë tue u therrë nga ndonji gjemb i tij. Po t'a dijsha gjuhën e tij do t'a kuptojsha mirë poetin e zoqve dhe sigurisht do të merrsha vesht se edhe zemra e tij, ndoshta ma shum se e emja, lëndon nga dashunia që e ka pushtue. Mblodha nji tubë lule për t'i vu në kthinën t'eme. Oh sa do të dëshirojsha të mbledh edhe për Shpendin nji tufë. A thue se do të vijë nji ditë q'ai të kërkojë me m'a kënaqë zemrën tue më dhurue tuba lulesh të mbledhuna nga kopshti i shpirtit dhe i zemrës së tij? Kush e din. Atë ditë do të isha femna ma e lumtun e botës dhe kurrkuj nuk do t'i kisha zili. Mund t'a ndrrojsha krejt jetën t'eme me nji ditë të vetme lumnije që mund të më fali ai, ai që ka në dorë çilsat e Parrizit t'em. Mora nji lule dhe nisa me i a këputë fletët, ashtu si bante dikur Irena, për të provue se a më dashunon apo jo dhe tue thanë: po, pak, aspak shpitrnisht. Tue i shqiptue këto fjalë, që për mue kishin nji fuqi mystike, vazhdova t'i këpus fletët e lules dhe arrina në gjethin e fundit me fjalën: Shpirtnish. Me gjith që e dij se bestydnia asht krijesa e imagjinatave të sëmuna, kësaj rradhe më pëlqeu t'a besoj profetin që bani fleta e lules dhe më kërceu zemra prej gëzimit. Oh se ç'qenka dashunia. Ajo të baka foshnje, të marrë e të mjerë, por njikohësisht edhe të lumtun. Po, se edhe dashnori i mjeruem nga fati i lig, sigurisht do të jetë i lumtun dhe e kënaqë zemrën me të vetfnen nënqeshje që ka marrë dikur nga ajo që e ka futë nën zgjedhën e saj të florintë. Edhe un ndoshta do t'i kujtoj me mall të zjarrtë dhe me urim përsëritjeje ato të paka nënqeshje që më ka dhurue, ndoshta pa dashas, Shpendi i em. Ndoshta do të jem nji e mjerë e lumtun tue u përshkue përmes mendimeve përvëluese, por përnjiherë edhe argëtuese e shijuese. Ndoshta.

24 Prill
Irena u fejua sot me Zefin, me at që dashunohesh prej kohesh. Ajo asht dhe duhet të jetë e lumtun, mbasi shkeli në prakun e asaj jete që pat lakmue e andërrue për vetëhe. Shumë të rij i hudhin letrat, i djegin fotografit dhe i hanë me bukë premtimet që u napin dashnoreve, por Zefi duel besnik dhe nuk trathtoi. Kjo besniki provon se përnjimend e dashunon Irenën dhe se lumnia e tyne asht e garantueme prej zemrave që rrafin për njena tjetrën. Të pakë e të rrallë janë ata djelm që me të vërtetë derdhin lot për dashnoret e tyne. Të shumtët kërkojnë dashuni nate, nji dashuni të përkohëshme e trashamane. Ka gjithashtu shumë mashkuj që i ndrrojnë dashnoret me atë lehtësi që i këmbejnë robet e shtatit dhe mandej s'çajnë kryet për to. Ka plot të rij që tinzisht përpiqen t'a spekulojnë sinqeritetin e femnave për t'i shkullue burimet e tyne të nderit; ka asish që premtojnë
shumë e me bujari të madhe por s'apin kurrgja; ka edhe t'atillë që me shkathtësin e nji akrobatit vërsulen mbi femnat për me i gjuejtë zemrat e tyne me shigjetën e dashunis që mandej të munden me i mposhtë me lehtësi. Dhe, ma fort se kushdo tjetër, këta njerës që kanë zemra elastike guxojnë me e akuzue femnën tue thanë se asht dreq. Dreq apo engjëll asht femna? Ajo krijesë që krijon tue u bamë nanë, ajo që rrit dhe edukon fëmij me nji durim shembëlluer, ajo që lidh plagë shtati e zemre, ajo që asht burim i pashterrun ngushullimi, dashunije e dhimshunije qenka dreq? Do të ishte mirë sikur t'ishte dreq kundrejt këtyne typave, por nuk asht se... se natyra e ka krijue për engjëll. Zefi s'ban pjesë në këtë kategori të bastardhueme. Ai asht i dejë për Irenën e mirë e të bukur. Un marr pjesë në gëzimin e tyne ashtu si merr motra për vëllan e motrën. Irenën nuk' e penguen prindët e vet në zgjedhjen e shokut të jetës. Ata e kryen detyrën e tyne tue u kufizue vetëm në qortime e këshilla, por kurrë nuk e urdhënuen e nuk e shtrënguen që të martohesh me ndonji tjetër, ashtu si bajnë shumë prindë në vendin t'onë. Xha Simoni e Mamë Gjystina mendojnë krejt ndryshe dhe nuk u gjasojnë prindëvet t'onë. Ata besojnë se e drejta e zgjedhjes së shokut të jetës i përket atij ase asaj që do të martohet, pse vetëm ai ase ajo do t'a shijojë hidhësinën ase ambëlsinën e këtij vendimi. Me fjalë tjera, ata nuk duen me marrë përgjigjësi morale para atyne që do të martohen. Sa mirë se? Ata që martohen, simbas mendësis së Xha Simonit e Mamë Gjystinës, lypset të jenë në gjendje që t'a çmojnë randësin e veprës dhe t'i kuptojnë kshillat drejtuese e ndriçuese të prindëvet të vet. Për ndryshe paçin vetëhen më qafë.
Fatin e Irenës kisha me i a urue edhe vetëhes, por kush e din se ç'ka rezervue destini për mue. Ndoshta edhe Shpendi asht shoku i atyne djelmave që përmenda ma sipër. Ndoshta ai asht edhe ma i lig se ata e nuk don të dijë për atë zemër që lëngon prej shigjetave që i nguli ai me syt e tij. Por jo. Ay asht i mirë, i urtë, i pastër, i ndershëm dhe i... papërlyem nga veset e liga.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •