Sikur te isha djale - Pjesa 04
| Saturday, 01.13.2007, 07:38 PM |  

18 Mars

Dje mbas dreke Marku e fotografoi t'amën e motrën me nji aparat që kishte sjellë nga Austria. Mbassi i fotografoi ato, veç e veç, dëshiroi të fotografohet edhe vetë me to. Prandaj e përgatiti aparatin dhe m'a la mue që t'i a shkrep thumbin. Kështu u fotografuen të tre, në nji grup, nanë, motër e vëlla. Sa mirë e sa kujtim i bukur.
- A don me u fotodrafue edhe ti Dije? - më tha Irena kur po çohesh nga karrika.
- Jooo - përgjigja.
- Përse? - pyeti.
- Ti e din... Nuk guxoj prej babës.
- Fotografoju, se nuk e merr vesht yt atë. E mshef un. E mbaj un, se e due t'a kem si kujtimin t'and - tha.
- Ç'e don fotografin, Irenë, kurse më ke gjallë këtu e më shef, të pakën, dhetë herë në ditë? – përgjigja me buzë në gaz.
- Ahu Dije! Po ti nesër do të martohesh dhe un, kush e din, nuk kamë me të pamë... veçse në të rrallë. Të gjithë qeshën. M'u vunë shum. Ma në fund u binda dhe u fotografova vetëm. Sot e pashë vetëhen të fotografueme. Ajo paraqitte nji blondinë 17 vjeçare që ka qëndrue në këmbë si e trembun prej dikuj me gjithë që asht mundue të buzëqeshi. Filmi u hudh dhe kopjet i mbajti Irena. Në njenën nga kopjet bana nji shënim për Irenën tue e shprehë krejt dashunin që ushqej për të. Me ketë mënyrë dhe simbas mendësis së fanatikve, dje bana nji mëkat apo faj të pafalshëm që... duhet ndeshkue rreptë. Po e muer vesht im atë më hangër dreqi.

21 Mars
Kushrinit të njerkës i paska lemë djalë dhe kjo ishte grishë sot në pallagajat. Kishte vendosë me e marrë me vetëhe edhe Metin e Fazijen. Ndërsa ajo po Sikur t'isha djalë 33 mvishesh e po mertisesh në kthinë të vet, un i lava fëmijt. Por me qenë se s'dijsha se ç'duhej t'u mveshi, shkova me e pyetë. Kur e hapa derën, me habin ma të madhe, pashë se ajo, e zveshun lakuriq nga mezi e naltë, po e lyente pjesën e sipërme të krahnorit ashtu edhe fytin me zhivë të bardhë me qëllim që të dukesh e bardhë kur t'i mvishte robet dekoltë. Me gjith që mbahet si fetare e madhe dhe me gjith që s'len fjalë pa thanë kundër atyne femnave që e ndjekin modën, s'e ka për gja t'a zbulojë nji pjesë të krahënorit tue u mveshë dekoltë!... Trupi i saj i trashë, si nji kërcu, dukej ma se i murmë dhe gjijt e mëdhej i ishin livarë si dy kunguj të zi e të vyshkun. Fëtyrën e kish lyem nji gisht trashë; mollzat e faqeve i kish ngjyem rrie të kuq tue bamë nga nji rrotull sa nji tresh Turku; buzët i kishte skuqë trashë e trashë; vetullat i kishte nximë dhe i kish zgjatë deri ke tamthat! Vetëm dhambët e nximë prej zhivës që përdor, nuk kish mundë me I zbardhue. Me nji f jalë ishte bamun nji karikaturë e çuditëshme sa me t'a futë lëngjyrën. Edhe ndër gishta të duerve kish vumë nji grumbull unaza argjandi e florini, si t'ish shoqja e grave të liga.
Në çastin e parë u tremba kur e pashë në këtë gjendje. Pandeha se mos ndodhem para nji gogoles. Por mbasandaj e mblodha vetëhen. I kafshova buzët që të mos shpërthej në gaz dhe i fola shpejt e shpejt. U largova s'andejmi me nji habi të përzieme me gaz. I mvesha fëmijt, simbas porosis që më bani, dhe shkova
në lulishte, ku nisa të mendohem.
- A beson kjo grue se asht zbukuruem me ato ngjyra që ka vumë? - i thashë vetëhes. Çuditem se sa fort i mungon gustoja kësajë femne. Në na e marrtë mendja se e zbukurojnë ngjyrat nji zezake, kemi të drejtë të besojmë se edhe kësaj i a shtojnë bukurin. Për të, simbas mendimit t'em, do t'ishte ma mirë sikur të mos e trathtonte ngjyrën e zeshkët të natyrës dhe të mbëtesh e thjeshtë, se sa të bahesh si nji kukull për t'i trembë sorrat në kopsht. Mirë, por ec e thuej po deshe! Ajo ndoshta kujton se asht tërhekse dhe e bukur. Ndoshta. Dhe asajë bukurije nashti don t'i shtojë edhe vetë dishka ase atë që s'ka dijtë me i a dhanë krijuesi!... Ndër ne nuk asht zakon të lyhen e të ngjyhen gocat. Vetëm mbas martese fillon të tregohet aftësia e tualetës. Un jam kundër këtij farë operacioni, pse më pëlqen bukuria natyrale, ajo që ka jetë, ajo që nuk shduket bashkë me errësinën e natës. Fund'i fundit nji tualetë të vogël me nji çikë kremë e me pak pudër mund të mos e neveris, mbassi e mbajnë mirë lëkurën, por kur e kalon këtë masë kujtoj se njeriu, në vend që të zbukurohet, shëmtohet e deformohet. Shum herë e kam pamë njerkën të lyeme e të, ngjyeme, por kurrë si sot. Të them të drejtën u çudita e u përshtypa aq fort sa nuk besoj t'a harroj për shum kohë.
Tash rrij e mendoj se si em atë e dashunon këtë grue që nuk ka asndonji cilësi, asndonji meritë ase ndonji shenjë bukurije dhe habitem se si ai ka bamë me të plot katër fëmij. Un, po të kisha qenë mashkull, - për Perëndi - do të më vinte efsh t'a prek, makar me dorë, at trup q'asht si nji lëkurë e madhe e mbushun me voj. Do t'a neveritsha dhe nuk do t'i afro hesha edhe sikur të më sigurojshin e të më premtojshin kush e din se shka. Mirë, por em atë e don dhe e dashunon aq fort sa asht bamë vegla e saj e verbët. Tue përfundue më vjen të pyes e të marr vesht se a im atë asht i magjepsun, apo un jam e verbët e nuk mundem me e dallue bukurin e sajë? S'dij. Prandaj po hesht.

25 Mars

Sot në mëngjes, si çdo vjet, njerka e bani rnagjin e zakonshme për me mos na kafshue insektet gjatë këtij viti. Në kët veprim magjik edhe un marr pjesë, pse me nji anë më ka stërvitë ajo qysh në vogjëli që të jem ndihmësja e saj dhe m'anë tjetër nuk mundem me e kundërshtue se duhet t'i shijoj hidhësit e nji zihjes me të. Për shembull vjetin e kaluem u zumë e u bamë për pesë pare pse un, tue thanë se magjia asht nji bestydni e marri, s'dojsha me i ndihmue. Prandaj edhe simjet i u binda. Muer njerka ni spagë, nja dy pash të gjatë, dhe e lidhi në hatllat e gjelltores. Mbasandaj u drejtue kah un tue më shique në mënyrë që më dha të kuptoj se ishte gati për t'a nisë veprimin magjik. Atëhere un pyeta:
- Ç'lidh ashtu?
- Buzë-kuqet - gjegji dhe bani një nyje në spagë me besim fetar.
- Ç'lidh ashtu? - pyeta prap.
- Buzëzezët - tha dhe lidhi nji nyje të dytë.
- Ç'lidh ashtu?
- Brinjë-zijt - përgjigji dhe lidhi nji nyje të tretë.
Me këtë mënyrë u ba nji varg nyjesh për mos me na kafshue buzëkuqet - çimkat -, buzëzezat – mizat -, brinjëzit - akrepët -, kërcimtarët - pleshtat -, rrëshitsit - gjarpijt -, fërshëllyesat - miskonjat. Përveç pyetjeve e përgjigjeve të caktueme asnji fjalë tjetër s'duhet folë kur bahet magjia, se prishet e nuk banë dobi. Gjithashtu nuk lypset të përmenden insektet me emnat e tyne të vërtetë, por me emna të përshtatun. Fjala ven çimkat përmenden me fjalën buzëkuqet, mizat me fjalën buzëzezat etj.
Kështu njerka që sigurue nga besdia cimbuese e insekteve për simjet, por për fat të keq të saj Meti na e kishte zgjidhë e marrë spagën e magjis. Po. Atij i qenka dashtë nji copë spagë për balonin që do të vente në fluturim dhe, tue kërkue andej e këndej, i a zen syni spagën e livarun në hatllat e gjelltores. Gjen mënyrën dhe e merr. E muer, por i kushtoi tepër shtrejt, pse kur e muer vesht njerka e zbruni me grushta e me shqelma. Për kët shkak na u desht t'a përsërisim magjin tue lidhë nji pë tjetër. Me gjithë që njerka e përsërit magjin në çdo pranverë dhe me gjith që edhe baba, nga ndonjë herë, ngjit ndër mure nuska të shkrueme për kët qëllim, prap se prap na kafshojnë miskonjat me shoqe dhe s'duen të dijnë as për magjit e njerkës, as edhe për nuskat ë
babës!

28 Mars
Edhe sot në mëngjes, si shumë herë, krisi poterja në shtëpi t'onë. Shkaku i zihjes që kafja dhe mungesa e do sumbllave në nji këmishë të t'im et. Em atë ka disa vetia, por si njeri mishi ka edhe disa vese e mani që nuk i hjek sikur t'i a presish kryet. Për shembull vetë i lan syt e nuk don që t'i shërbejë tjetri; nuk ban potere po të bahet ndonjë dam, as edhe nuk zemrohet kur merr vesht se e shoqja ka dalë me shëtitë pa lejen e tij. Por po gjet këmishë ase brekë pa sumblla dhe po i u vonue kafja, nxehet e bahet prush prej zemrimit. Bindet edhe dreqi nga britmat e tija, sidomos, kur i vonohet kafja e mëngjezit. Deri aty nja nji mot ma parë un i shërbejsha t'im et dhe mundohesha me i a përmbushë nevojat e tija, por në nji zemrim që pat me njerkën për shkak të nji mungese, më porositi që mbas asajë dite të mos preksha gja me dorë ma. Me këtë mënyrë ai donte me provue se a plotsoheshin prej njerkës porosit e tija apo Sot në mëngjes nana - njerka - vonoi t'i a sjelli kafen. Ai u zemrue dhe shfreu tue nimtë e tue mallkue. Ajo u mundue të shfajsohet tue thanë se e kishin pengue fëmijt, por ku merrte vesh ai se. Pa u shafitë mirë kjo potere krisi e dyta, pse këmisha që do të ndrronte sot im atë, për fat të keq, kish qëllue me dy sumbulla mangut. Ushtoi e buçiti shtëpia, nji copë herë, nga britmat e t'ime ët.
Çuditem në pakujdesin e kësaj grueje dhe nuk marr vesh se pse nuk i ven menden me i përmbushë dëshirat e porosit e të shoqit. Nji grue që s'ka regull në punë, që s'ka kujdes me i përmbushë nevojat e burrit, që nuk përpiqet me i kuptue veset ase vetiat e bashkëshortit të vet, nuk vlen asnji dysh dhe nuk meriton të jet as shërbëtore e jo ma Zojë shtëpije. Nga shkaku i grindjeve të shpeshta që ngjajnë në mes të t'im ët e të njerkës edhe mue më prishet qetësia dhe më cenohet prehja, pse ajo, e zemrueme me t'em atë, kërkon rasë që t'a shprazi në mue dufin e vet. Për këtë arësye shpesh herë shtrëngohem me u mprojtë nga shigjetat helmatuese që hedh me gjuhën e sajë të mpreftë. Vetëm jam e kënaqun se ky zemrim që shpërthen në mëngjes me aq forcë e furri, nuk ka fuqi të jetojë veçse derisa të perdëndojë Dielli dhe disa herë edhe ma heret. Mbas bubullimave dhe shiut len Dielli! Po. Në mbramje paqtohen dhe bahen ... mjaltë e tëlyen, si thotë f jala popullore. Un, tue i pamë në mbramje që ligjerojnë amblas e me buzë në gaz, shpesh dyshoj se mos kam shkallitë. Nuk i besoj vetëhes dhe më duket sikur e kam pamë n'andërr atë grindje që me tingujt e vet kumbues e karakteristik, e ndijnë edhe fqijt me veshë të ngrehun në ndigjesë, por me fëtyrë të thartueme. Sidoqoftë, paqtimi më pëlqen. Em atë, me gjithë që pak nopran dhe injorant, ka atë të mirë që nuk mban hidhnim. Veç kësaj edhe kur zemërohet nuk arrin me e sha randë ase me e rrafë të shoqen, ashtu si bajnë shum të tjerë gojë prishun e mizorë. Ai kurrë nuk e kapërcen kufinin sa t'a fëlliqi gojën me fymje e poshtnime ase t'a humbi ndërgjegjen e veprës për me e rrafë bashkëshorten e vet. Ndokush mund të kërkojë me i a ulë vlerën kësaj sjelleje njerzore tue thanë se ai e frenon vetëhen për shkak se druen mos bie nga kunora dhe trembet nga porosia e rreptë që ban Kur’ani për me u sjellë mirë e njerzishëm kundrejt grave, e jo nga nderimi e dhimja që lypset të ketë kundrejt tyne si njeri. Nji pretendim i tillë ka gjasë t'i përgjigjet së vërtetës, por sidoqoftë mue m'intereson fakti e jo qëllimi apo shtytsi. Mbasandaj e mira, nga do që të vijë, nuk e vdjerr vlerën dhe lypset të çmohet si e tillë. S'dij se çfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje. Grueja që poshtrohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që t'i meritojë ase të ketë interes apo frigë nga burri që nuk e këput atë lidhje që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për t'a shtëmangë çdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të bamë nji familje të lumtun, ata që do të martohen - përpara se t'a bashkojnë fatin e jetën - lypset të jenë njoftë, t'i kenë pajtue karakteret dhe t'a kenë dashunue njeni tjetrin. Për ndryshe s'bajnë tjetër veçse krijojnë nji Ferr për me e torturue vetëhen dhe për t'i përcëllue në flakët e tija edhe fëmijt që do t'u lejnë.
- Mirë, por femna Muslimane asht e mbulueme dhe s'asht e lejueme me u njoftë me atë që do të martohet, - më përshpëriti dikush në vesh me nji za që gjante sikur vinte nga thellësit e njej vorri. Ndoshta që zani i ndonji martyres Muslimane. Ndoshta. Qeh edhe këtu del para çarçafi dhe e prish punën krejt. Shpesh kemi ndigjue të flitet, me përbuzje, për ata djelm që martohen me vajza të hueja. Martesa e djelmve Shqiptarë me goca të hueja, deri diku, asht si nji farë neveritje që i bahet femnës Shqiptare, pse ajo, si zogu në kuvli, pret t'i zgjatet nji dorë e vokët për me e përkëdhelë dhe me i a ambëlsue jetën. Por edhe djali - mos na ndigjojë kush - ka të drejtë, se psenuk mund të martohet symbyllazi pa e pamë e pa e njoftë ate që do të bahet shoqja e tij e përjetëshme. Për shembull nji student, nji djalë që asht pajue me nji kulturë të shëndoshë dhe që e çmon vlerën e jetës me bashkëshorten, si mund të martohet me nji femën që kurrë nuk i ka pamë fëtyrën, që nuk i a njef veset e vetiat, që nuk i a din gradën e mendjes, që s'ka as ma të voglën kulturë dhe dhe që nuk e ka dashunue? Martesa lypset të jetë akti i lidhjes së dy zemrave, i pajtimit të karaktereve, i përshtatjes së pjerrjeve dhe i bashkimit të të gjitha pikpamjeve. Për ndryshe ndjell kobe e mbjell mjerime për palën e bashkueme. Ndër ne ka shumë që ankohen për kët importim femnash të hueja që bahet nga djelmt t'onë dhe kërkojnë të merren masa ndeshkimi për me e ndalue hovin. Këta njerës kujtojnë se e kanë zgjidhë problemin tue u impozue tjerve, me forcë, që të vepronë kundër vullnetit e dëshirit edhe në çashtjet e tyne jetësore. Sa gabohen! Këta, në vend që të bajnë kundërshtime të kota, do të bajshin ma mirë sikur të përpiqeshin për emansipimin e femnës Shqiptare, për naltësimin e nivelit të saj kultural dhe për shpëtimin e saj nga verigat robnuese të çarçafit që, mandej, të mundet me u bamë e dëjë me u bashkue me djalin e kulturuem ndër shkolla t'Europës. Për ndryshe kurr nuk mund të sigurohet nji barasim i drejtë dhe i nevojshëm, kurr nuk do t'i arrihet qellimit të dëshiruem dhe femna Shqiptare, e lanun mbas dore si ndonji plaçkë e padobishme, nuk do të jetë e meritueshme për t'u bamë bashkëshorte dhe nanë e mirë.
Them femna Shqiptare e nuk po baj ndonji dallim, pse edhe Katoliket e Orthodhokset - me përjashtimin e disa të paktave që rrojnë ndër qytete dhe që kanë nji farë ndryshimi - janë në nji gjendje me femnën Muslimane. Un po të kisha qenë djalë, do t'a ngrejsha zanin dhe do të kërkojsha lirin e femnës, do të lypsha që të provohet kapasiteti i saj për me i zhvillue cilsit e mbrendëshme dhe për me n fisnikue shpirti i saj i shtypun e i mbytun deri tash, pse përparimi i nji kombi shkon krahas me atë të femnës dhe poshtnimi i femnës e çon kombin në grëminë.
Tue përfundue due të them se martesa nuk asht nji lojë zarësh ase nji llotari që pa kokëçamje të madhe provon fatin e lojtarit; nuk asht nji lodër symbyllthi, por asht nji kontratë që lidh për gjithmonë fatin e jetën e dy vetve dhe që efekti i saj shtrihet në të tanë shoqnin, pse nji shoqni e lumtun përbahet nga familjet fatbardhe e jo nga ato që janë mjerue.

1 Prill
Tue i krefë flokët sot para pasqyrës më shkuen syt ke nji shenjë që më ka mbetë në ball qysh në vogjëli. M'u rrëqeth shtati kur m'u kujtue ngjarja e hidhët që si trashigimtarin e vet m'a la këtë shenjë. Me qenë se e paskam harrue me e shkrue kur e përshkrova jetën t'eme të kalueme, po e shënoj sot, mbassi ajo asht si nji njollë e pashlyeshme për njerkën t'eme zemër gur dhe si nji pikë e zezë në kët ditar që përmbledh në gji të vet të gjitha shfaqjet e jetën s'eme. Me bije ndërmend se në nji mbasdarke Dimni, kur un do të kem qenë nja 5 - 6 vjetsh, ndodhesha vetëm me njerkën në shtëpi. Em atë kishte shkue s'dij se ku. U ngrita me pimë ujë. Kur u ktheva me u ulë në vend, më ngeci gishti i kambës së djathtë në nji të grisun të qylimit dhe u përplasa mbi tagarin e q'ishte plot me push. S'dij se qysh, por të dy duert e mija u rrasën në prush dhe hunda më ndeshi në tefin e tagarit. Nji klithmë e thekshme, që u shkëput nga shpirti i përvëluem, plasi nga goja e eme si ndonji dinamit. Mandej nji breshën lotsh shpërthyen nga syt dhe u përzien me gjakun që kullonte nga hunda e çame në buzën e hollë të tagarit.
- Plaç, mori shtrigë, se më trembe - m'a bani njerka me njiherë dhe më mshoi me nji grusht. Përnjiherë u përplasa për dheu tue piskëllue nga dhimbja e hundës që m'ishte çamë, nga duert që m'ishin djegë dhe nga grushti i njerkës. Kur un qajsha e ulërijsha nga djega e madhe që kisha ajo, tue më sha e mallkue, m'urdhënonte me pushue.
- Mjaft ma, moj buçë, se m'i shurdhove veshët - thiri ma në fund dhe u çue nga vendi si e trenueme. Muer nji grusht spec të kuq dhe m'a rrasi në gojë me përdhunë. Nji gjamë dy herë mneruese dhe nji dënes i trefishuem e ndoq mandej këtë barbarizmë. Atëhere u mërzit ma fort. Më rroku për krahu dhe, tue më tërhekë rrëshanas, më çoi e më mbylli në kthinë t'eme tue m'u kërcënue se do të më futte në pus po të vazhdojsha me qamë. Edhe nashti çuditem se si s'plasa atë natë nga dhimbjet e mëdhaja që pata. Të nesërmen në mëngjes Mamë Gjystina më bani do barna dhe m'i leu duert e hundën. Nji kohë mjaft të gjatë vuejta. Plaga e hundës më la nji shenjë dhe kjo dalë nga dalë u ngjit deri në ball. Tash ka arri mu aty ku fillojnë flokët. S'mbaj mend se si i qe parashtrue ngjarja t'im et. Kjo asht njerka e eme me trup njeriu, por me shpirt prej bishe.

6 Prill
Cili që ai? S'e dij dhe as guxoj me pyetë se më vjen turp, se druej mos vehem në lojë prej Irenës. Ndoshta asht i krishtenë, i vluem ase i martuem. Kush e din. Oh ma mirë të mos e kisha pamë. Syt e tij, të zij, më gjajti sikur më magjepsën në ças. E ndiva se u turpnova, pse m'u nxe shtati përnjiherë. Desha me ikë, por s'munda, se s'kisha fuqi. Mbeta shtang dhe u struka në kandin e kthinës. M'u duk sikur m'a kapulloi shtatin nji dishka që më hutoi e më shpërdrodh nën forcën e vet. Sa bukur e sa ambël tingëllonte zani i tij! Kishte kumbimin e nji melodis harmonike që t'a kilikos zemrën. Ishte nji muzikë në vetëhe. Ka disa njerës që s'u vete fare qeshja. Kur qeshin u shtremnohen turijt, u rrudhen faqet, u qajnë syt dhe shëmtohen aq shum sa s'të kanda t'i shofish. Por atij i kishte hije si qeshja ashtu edhe nënqeshja. Kur flitte, me buzë në gaz, t'a merrte mendjen. Shkurt nji ndiesi, e panjoftun prej meje deri m'at ças, m'a mbushi shpirtin me... dishka.
- Mos ju trazova Irenë? Duket se Zonjusha... - tha kur u fut mbrenda kthinës, pa pandehun, por s'e mbaroi f jalën. Më hudhi nji veshtrim të mpakët e të thekshëm. M'a tronditi zemrën.
- Jo; s'ka gja. Ajo asht... - gjegji Irena dhe më shiqoi me buzë në gaz. E kuptova se ajo qe tue shpërthye në gaz nga shqetsimi që tregova tue dashë t'i mshifem atij djaloshit të huej. Ma në fund ika, por më duket se dishka lashë aty nga... zemra e eme. A thue kështu asht dashunia? Jo or jahu! Ajo do të jetë, kush e din, disi ndryshe. Mirë, por ç'qe ajo që më lëvizi në thelb të zemrës dhe më bani tak? Demede kështu qenka dashunia. Demede e... due. Por jo. S'asht e mundun. Si mund të përftohet dashunia vetëm me nji ndeshje vetëm me nji veshtrim? Kjo asht marrëzi, asht foshnjëri... Por ç'po baj? Më duket se s'jam në regull. Për cilin po mendoj kësodore? Kush m'ep të drejtë me u shprehë, në këtë mënyrë, për nji djalë q'asht i panjoftun për mue dhe ndoshta kushrini i Irenës? Ndoshta ai asht ndonji prej fisit të saj dhe tash, sikundër tha edhe vetë, ka ardhë këtu për t'i festue Pashkët. E un ende po e vras mendjen me marrëzina që nuk përkohen kurrsesi me të vërtetën ase me dëshirin. Mbasandaj, sidoqoftë, mue s'më ka hije me u marrë me djelmt e botës. Turp, për Zotin, turp! Oh si u bana! Lene e mos e trazo ma! S'kam me e kujtue dhe s'kam me e përmendë kurrë. S'kam as arësye që t'a lodh mendjen me të. Mos e dashunoj? Jo. Atëhere kalo e mos bëzaj.

7 Prill
Ububu si pësova! E humba fare. Më duket se më hyni fitili, më gjan se më kapi grepi i dashunis. Mbramë vonë më muer gjumi, pse mendojsha, padashas, për at djaloshin e... bukur që pashë dje ke Irena. Edhe n'andërr më shfaqesh me buzë në gaz dhe, tue m'i ngulë syt e vet si shtiza, avitesh të më kapi për dore. Jam tue ndimë nji farë turbullimi në shpirt. Kujtimi i pamjes së tij s'më hiqet mendsh; fëtyra e tij gjithnji më paraqitet para syvet të mendjes së trazueme jashtzakonisht. Sikur nuk mjaftojshin të gjitha këto ngucje që më bahen nga duer të padukshrne edhe Irena më tha sot në mëngjes se ai kishte pyetë për mue.
- Ai pyeti për ty Dije - tha tue më shique me nji mënyrë të veçantë që s'u gjasonte atyre të herëve tjera. Un, si ato që druejnë se mos u zbulohet tinëzia, e ula kokën, por edhe pyeta:
- Ç'pyeti?
Më ças u pendova për pyetjen që bana. E ndiva se isha skuqë në fëtyrë dhe zemra më rrafi me hof.
- Pyeti se cila je dhe e kuj je - gjegji ajo. M'u mveshën syt nga nji re e... kuqe. Isha turbullue.
- Mbasandaj? - bana pa dashas dhe e hutueme.
- Kurrgja ma tepër - tha Irena dhe mbassi m'argëtoi në sup, shtoi: Mos u shqetso, Dije, se ai asht nji djal' i mirë. Asht biri i nji famljes fisnike që meriton të... nderohet prej kombit t'onë si familja që pjell heroj për t'u bamë fli për ideale të nalta. Asht trashëgimtari i dëjë i nji atit që e ka kalue jetën e vet ndër përpjekje e lufta të lavdërueshme për...
- Hof Irenë! Ç'më interesojnë mue këto? - I thashë me padurim.
Me të vërtetë nuk m'interesonte të dij se ai qenka biri i nji familjes fisnike apo trashanike, i nji të vorfënit. Qeshë tue plasë nga padurimi. Un dojsha të marr vesh se cili asht, ç'asht dhe ç'farë lidhjesh ka me Irenën. Shkurt m'interesonte personi i tij e jo familja, nga e cila zbritte. Mirë, por ajo vazhdonte të më flasi për shkallën dhe pozitën e familjes së tij. Me fjalë të tjera ajo flitte mbi origjinën e trandafilit, mbi rranjët, degët e gjethet. Por për trandafilin vetë nuk më thosh kurrgja.
- Pse po mërzite Dije? - m'a bani kur i a preva fjalën. - Un dojsha me të kallzue se ai, me që zbret nga nji familje e ndershme, asht i... mirë.
- Ahu Irenë! Për mue gjith njerzit, derisa të mos e kem provue ligësin e tyre, janë të mirë. Sa për rodin...
- Mirë pra. E lamë - tha tue m'a prë fjalën.
Nuk guxova, t'a pyes ma. Oh se ç'm'a punoi!... Un dojsha të flitte, por jo për prindët e tij. Dëshirojsha të më rrëfejë se cili asht dhe... deri ku interesohet për mue. Por ajo flitte kot më kot. Ma në fund heshti dhe më la në terr. Ajo kujtoi se u zemërova pse po më bante fjalë për të, për nji djalë të huej. Natyrisht nuk mund t'i a merrte mendja se ç'kisha pësue qysh at ças që syt e tij ndeshën në të mijt. Mbeta me gojë hapët dhe e harlisun. Për nji ças u humba fare sa, për pak, qeshë tue e shamë për mundimin që po më bante aso dore. Me gjithë atë e mblodha vetëhen. E ndrroi bisedimin Irena dhe s'po prekte andej ma. Un nuk e kisha mendjen ke ajo. Mendja e eme, ndërsa flitte ajo, përpiqesh me bamë zbulime dhe zemra uronte q'ajo të kthehesh rishtazi në kallzimin e gjendjes s'atij djalit me vesh të shpuem. Mirë, por ajo nuk pushonte së foluni për sende që, për mue, nuk vlejshin asnji dysh. Hof se ç'm'a plasi shpirtin! Por mirë m'a bani, se edhe un nuk durova pak, derisa ajo të shpjegohesh ase të lodhesh tue folë për prindët e tij. Po të mos isha ngutë me e mësye me atë vrejtje t'ashpër, pa dyshim, ajo do t'a vazhdonte rrëfimin dhe ma në fund do të vinte ke ai. E un tash do t'isha shlirue nga ky ankth që më randon mbi zemër. Po, do t'a kisha marrë vesht se cili asht e çfarë asht. Për të parën herë i mora mëni Irenës dhe m'u duk sharllatane, mërzitëse, e pamëshirshme dhe... mizore. Un, si t'isha ulë mbi gjemba, shkëpurdhesha në vend dhe urojsha të kthehet në bisedimin e maparshëm. M'anë tjetër mundohesha me gjetë nji veregzë, nji farë pyetje të tërthurtë që t'a shtyjsha me folë mbi shka dëshirojsha, por ku i mbeten mend njeriut në rasa të tilla? N'ata pak minuta, që më gjajtën sa vjetët, trillova njimij mendime për me e arri qellimin, por prap s'guxojsha nga droja se mos më kupton e mos më heton. Ta pyes kështu? Jooo. Ta pyes ashtu? Prap jo, se nuk ban, thojsha me vetëhe dhe nuk mundesha me e çikë fare çashtjen. Ndërkohe hyni mbrenda Mamë Gjystina. U ul pranë meje dhe, tue m'i lëmue flokët e kokës, më pyeti për shëndetin t'em. Nashti e humba ma keq. Natyrisht, pse nuk mund të flitesh faqe sajë për nji djalë q'ishte i huej për mue. Veç kësaj ajo nisi me e pyetë të bijën për do punë shtëpije që për mue ishin të pashijëshme, mërzitëse dhe të kota. U mërzita. Mendova t'iki e të vij në shtëpi pa e zgjatë at lamsh që m'a kishte bamë lamsh mendjen e zemrën, por nuk m'ikesh se!... Dishka më ndalonte. Po, kisha shpresë se mos marr vesh gja. Bashkë me zemrën më rrifshin edhe tamthat. Përnjimend isha shqetsue dhe isha bamë nervoze. Prandaj i mora tamthat në të dy shuplakat e duervet dhe, e mbështetun me bryla në tryezë, po mundohesha me u qetsue. Dalënga-dalë kisha humbë ndër mendime. Dikur u çue në kambë Mamë Gjystina dhe thirri e gëzueme:
- O mirë se erdhe mor bir!
- Mirë se të gjej Mame. Dje s'të gjeta këtu. Prandaj erdha me të pamë.
Ky bashkëfjalim kumboi në veshët e mij si nji pëshpëritje që vjen prej së largu, si zana që ndigjohen në gjumë. Dikush më preku rië sup të majtë dhe m'a thirri emnin në vesh. E ngrita kryet dhe, si e zgjueme nga jermia, pashë para meje fëtyrën e tij që shkëlqente nga nji buzëqeshje e ambël. Menjiherë u çova në kambë si e kapun në faj dhe bana me ikë. Tue u rrotullue, syt e mij ndeshën në t'atij, mu n'at ças kur e kishte përqafue Mamë Gjystina. Ika e hutueme dhe me shpirt në hundë. Vraga që e madhe. Me gjithë që kapërceu mesnata ende s'po flej, se s'më merr gjumi. Nuk dij se si u bana kështu. U skatarita fare. Nuk më hiqet mendsh fëtyra e tij e kandëshme dhe njikohësisht pak si e egër. E shof, si në vegim, të më shfaqet me shtat të plotë e mesatar,
me krahënuer të gjanë, me kokë vezake të stolisun me flokë të zij e të spërdredhun pak. Syni i tij, përherë I qeshur, robnon çdo femën që e shiqon. Goja e tij gjan sikur kullon mjaltë. Veshin e majtë, s'dij se pse, e ka të shpuem. Typ i çuditshëm dhe i përsosun. Nji typ që ka bashkue në vetëhe bukurin dhe egërsin, ambëlsin dhe ashpërsin, butësin dhe vrashdësin. I mbylla syt që të mos e shof, por nuk mbyllen syt e mendjes e të zemrës qi ai preku me nji fuqi tërhekëse. Duket se përnjimend e... dashunoj.

8 Prill
Pata vendosë që të mos shkojsha sot ke Irena, por a mund të qëndrojsha se?... S'më zinte vendi në vend dhe u bana si e trenueme... Prandaj s'e zgjata. Shkova. Po, shkova, se sot ishte edhe dita e parë e Pashkëve dhe duhej t'u a uroj të kremten. Me këtë mënyrë u justifikova edhe para vetëhes. Mbasi e urova Xha Simonin, Mamë Gjystinën dhe djelmt me rradhe shkova në kthinë t'Irenës për me e urure edhe atë. Kur hyna mbrenda pashë se ajo po bahesh gati me luejtë, me vijolinë, nji pjesë të nji muzikanti të përmendun. - Hajde Dije, se sot do të gostis me muzikë - tha tue më kapë për dore dhe tue m'ulë mbi nji karrike afër vetëhes. I a urova Pashkët dhe u ula, pa dashas, mu n'at vend, ku nji ditë ma parë kishte qëndrue ai... djaloshi veshshpuem. E mbështeti thuprën Irena mbi telat tue më shique me buzë në gaz dhe e luejti dorën, menjiherë, si me nervozitet. Më ças cingëroi violina. Mbasandaj nisi me jehue, kadalas, ambël e butë si me dashë me të marrë me të mirë, si me të premtue dishka të mirë, të bukur, të lumnueshme e të... hyjnueshme. Irena i kishte mbyllë syt e zij, ma të zij se rrushi, dhe, me fëtyrë të qeshun, qëndronte në kambë si statuja e venusit, e tretun, ndoshta, ndër andrrime e vegime të nji lumis së pritun. Edhe un isha dehjë. Qëndrojsha me gojë hapun dhe s'merrsha frymë. Kisha tretë fare e rrëmbyeme nga nji harë e paspjegueshme. Zemra e eme ishte çue peshë nga ngacmimet e jehit dhe më dukej sikur fluturojsha nëpër hapësinat e kaltërta të Qiellit, më gjante sikur s'rrojsha ma në këtë botë, por në nji tjetër, ku endeshin miljona fatbardhë me kunora rrezesh mbi kokë dhe me lule ngjyrash ndër duer.
- Mirë e ka Tolstoi kur thotë se duhet të dënohen muzikantët që e nxisin dhe e cysin shpirtin virgjin të njeriut - thashë me vetëhe kur pashë se isha rrëmbye nga duer të padukshme dhe isha përplasë ndër oqeanet e paskajshme qiellore.
- A din ti, Dije, se Shpendi interesohet shumë për ty? - tha befas Irena tue e hjekë thuprën nga violina.
- Si thë?
- Për Zotin s'të rrëjë. Ai dje pyeti shum për ty. Por ti mos m'u hidhno.
- Cili?
- Shpendi. Ai djali që të ka ndeshë këtu dje e pardje - tha tue më shique amblas ndër sy.
Shtanga dhe u hutova. Më gjajti sikur më gugulluen veshët.
- Ç'pyeti? - bana si e raskapitun.
- Pyeti se cila je, e kuj je, a je vlue, a ke ndonji të dashun. Me nji fjalë pyeti gjithshka mund të pyetet për një vajzë që asht në moshën t'ande.
- Ç'e keni ju kët djalë? - pyeta me shpirtin pezull, pse nga përgjigja mvarej fati i zemrës s'eme.
- At e kemi kumbarë. Im atë i a ka qethë flokët - gjegji.
- Ashtu?!... Xha Simoni qenka nuni i tij?!. - pëshpërita me za të mpakët e të dridhshëm.
- Po.
- Si the e quejnë?
- Shpend.
- Çfarë emni ky?
- I bukur, apo jo?
Nuk i u përgjigja, se më rrafi zemra me hof e s'kisha fuqi. Isha tronditë. Nji farë ligështije e dobsije e papërballueshme m'a pushtoi shtatin. „Shpend" thashë si në murmuritje dhe, e raskapitun, e mbështeta kryet mbi tryezë.
- Ç'ke Dije? - pyeti Irena e shqetsueme tue më pamë të zbeme.
- Kurrgja - i thashë mekshëm dhe me buzë të dridhshëm.
Ajo u tremb se mos u vilanisa. Më kapi dhe më vu në shtratin e vet. Mbasandaj u zhduk për të marrë ujë. Unë me të vërtetë isha ligshtue aq fort sa s'kisha fuqi as me lëvizë e me folë. I mbylla syt që të qetsohem pak. Mbas pak më ngjiti Irena nji gotë ujë ke buzët. Kur i hapa syt pashë pranë shtratit Xha Simonin, Mamë Gjystinën, Markun, Gjonin, Kolën, Irenën dhe, atje poshtë, Shpendin. I xixëlluen syt Shpendit kur pa se i hapa syt. Më gjajti sikur më shiqoi me dhimje e me... dashuni. Oh sa kënaqësi më ndiu zemra kur pashë se nga syt e tij shprazej, në mos gabohem, nji dhimbje shpirtnore e trazueme me nji farë gëzimi të pa çansueshëm. Oh se çfarë force, çfarë magneti kanë ata sy që të bajnë me vdekë vetëm për nji të shiquem të tyne. Ku e dijnë djelmt se sa shum na bajnë me vuejtë na të gjorat kur na hudhin shiqime të thekshme. Shyqyr që s'e dijnë. Ata kujtojnë se vetëm syt t'ona djegin e përcëllojnë. Nuk mund t'a dijnë ata se sa fort lodhemi na të ngratat për me i zbulue pjerrjet e zemrave të tyre nga veshtrimet që na hedhin. Nuk mund t'a dijnë ata se neve na duket sikur pasqyrohet në syt e tyne jeta e jonë e ardhshme plot premtime lumnuese ase leqe mjeruese, e tanë qenëja e jonë dhe krejt bota e mendimeve, e shpresave dhe e andrrimeve t'ona. Vall ç'u kish thanë Irena atyne rreth dobësis s'eme? A thue e ndin ai se vet asht shkaktari i kësaj tronditjeje që pësova? A thue se përnjimend i vjen keq apo më gjajti mue, mendova at ças kur pashë se po më verente. Ai kishte pas ardhë aty në drekë, i grishun prej familjes.
- Ç'pate moj bijë? Mos të zemroi Irena? – pyeti Xha Simoni me nji za që kumbonte i dridhshëm.
- Jo; s'më tha gja ajo, por u ligshtova- thashë tue e shique Irenën që qëndronte atje tej, e zbetë dhe e pikllueme tue kujtue se ishte fajtore. U mata të çohem, por s'më la Mamë Gjystina.
- Hiqu mor plak, se s'ka gja vajza - i a priti Mamë Gjystina tue e largue Xha Simonin dhe tue m'a fërkue ballin me dashuni amtare. Mbasandaj shtoi:
- Na e kanë marrë më sysh çikën. Rri e qetsohu pak moj bijë.
Të gjithë, veç Shpendit, qeshën. Mbas pak u çova dhe erdha në shtëpi. Tue u largue, me nji farë mënyre, e ktheva kryet mbrapa dhe e pashë edhe nji herë at që më kishte robnue për jetë. Edhe ai më ndiqte me sy të turbulluem. Oh sikur të shifsha që ata sy të derdhshin lot për mue. Tash e dij ma se ai s'qenka kushrini i Irenës. Ky dyshim, që m'a brente zemrën si nji krymb, nashti u shduk, por nji varg tjetër e zavendsoi menjiherë: Po. S'asht fisi i tyre, por mund të jetë i Krishtenë dhe kësisoj bashkimi i jonë do të jetë i ndaluem prej fës. Po në qoftë i vluem ase i martuem? Po në qoftë se ka ndonji dashnore? Nji grumbull pyetje të tilla i bana vetëhes me shqetsim dhe s'munda me i dhanë asnji përgjigje.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •