Sikur te isha djale - Pjesa 02
| Saturday, 01.13.2007, 07:40 PM |  

JETA E EME

7 Mars
Më shkrepi t'a shkruej jetën t'eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojnë xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, ashtu ndodh edhe me jetën. Kush e din se sa mallëngjehet xha Simoni kur e shef fotografin e vet të dalun në prehën të s'amës me sy të hapun që shikojnë, çuditshëm, kah aparati? Ndoshta ai tash ndin dhimë për atë foshnje që u rrit e u mplak tue kalue përmes shumë rreziqeve dhe tue vuejtë tepër për me e ngadhnye jetën.
- Ky asht Xha Simoni i vogël, moj bijë - më tha disa ditë ma parë tue m'a diftue fotografin me gishtin e trashë diftues dhe mandej shtoi: Oh ma mirë të mos ishte rritë kurrë e të mbetesh çilimi në prehnin e vokët të s'amës. Kur isha e vogël, nuk i kuptojsha mendimet e Xha Simonit të shprehun me këto fjalë, por tash e marr vesht se ai asht pendue q'asht rritë dhe ndoshta edhe që ka lemë, sepse edhe atij, si shum kuj, nuk i ka qeshë fati aq shum.
Mbassi e shiqoi edhe nji herë foshnjën e heshtun, q'asht strukë në prehën të s'amës, kaloi ke e dyta.
- Edhe kjo, po thuej, i gjason së parës - tha. - Asht e brydhët dhe ka anda t'a argëtojsh. Apo jo? - pyeti.
- Pooo - i u përgjigja tue e zgjatë o-në prej kënaqësis që ndijsha tue e kundrae atë foshnje të bukur.
- Kjo disi ndryshon nga të parat, se duket ma e xritun - spjegoi dhe kapërceu ke e katërta.
Këtu u ndal dhe më hudhi nji veshtrim me bisht të synit. Un shpërtheva në gaz dhe pyeta:
- Po kjo? Pse e ke zanë hundën me dorë e ke dalë për çudë?
E kafshova buzën që të mos qesh ma.
- Më pat thanë eme amë se kisha dasht me e kapë nji mizë që më kish oimbue në hundë. Prandaj dola, si qyq, me dorë në hundë - përgjegji.
Atëherë un qesha fort, por edhe ai u bashkus në gazin t'em. Nji nga nji m'i dëftoi fotografit e veta që janë ngjitë, me radhë, në faqen e murit. Ndër to ai shifet çilimi, djalë i ri, student, gjimnazi, i martuem – me Mamë Gjystinën q'asht mveshë me robe të bardha e me kunorë lulesh mbi krye -, burrë me fëmij dhe ma vonë plak i krrusun e i thijun, si asht sot. Un tash e njof mirë Xha Simonin qysh në fëmini. Më duket sikur kam jetue e jam rritë me të, sikur kam luejtë me të shkopaxinglli, guraçokthi, vorba, symbyllthi, varëza etje. Tash ai m'asht ma i afër e ma i miqsueshëm. Qeh se sa vlerë kanë fotografit. Un s'kam asnji, se im atë e quen për mëkat me u fotografue. E me të vërtetë kam ndigjue edhe un se fotografia në jetën tjetër ka me kërkue... shpirt prej njeriut! Mue, të them të drejtën, kurrsesi nuk më mbushet mendja se pikturat do të bajnë, në jetën tjetër, nji kërkesë të tillë. Në nji rasë të tillë kështu duhet të jet edhë pasqyra, qelqi ase ujt e kulluet që na e pasqyrojnë fëtyrën dhe shtatin. Sidoqoftë mue s'më hyn në punë kjo çashtje. Prandaj s'po e nxej kryet me të. Por sa për t'u fotografue, makar nji herë, nuk guxoj se më shkallmon em atë me dru. Na, në shtëpi s'kemi asnji fotografi, makar për bë, se nuk lejon im atë. Ai asht shum fanatik dhe po t'I zajë syni ndonji figurë njeriu ase shpendi, menjiherë, e gris dhe e flak tej me neveri. Vetëm Shqipen e flamurit nuk e trazon. Nuk dij se a e don a nuk guxon. Ahu se ç'kam shkrue! Ç'më hyjnë në punë këto gjepura, si thonë Toskët? Përse merrem me punë të kota që s'vlejnë me i përmendë e jo ma me i shkrue? Hëde! Por ani se, përveç meje, kurrkush nuk ka me i këndue këto fletë.
Të kthehemi ku qemë: Po. Sikurse fotografia t'a pasqyron trupin në mosha të ndryshme dhe t'a kënaq kujtimin, ashtu edhe përshkrimi i jetës prej njeriut vetë, besoj se t'a ngop dëshirin për me e rishfillue e me
c përtrimë jetën qysh në fëmini. Sa bukur se? Prandaj vendosa të shkruej, herë mbas here, në këtë fletor, ku do t'shënoj të gjitha ngjarjet, pësimet, mendimet dhe ndiesit e mija. Me këtë mënyrë ky fletor, dalë-ngadale, ka me u bamun si arka e tinzive të mija. Me ba e me e marrë vesht em atë, më grinë. Por ai shyqyr nuk din me këndue. Uh korba un se sa e marrë që jam! U gëzova pse em atë asht i padijshëm. Por jo. Kjo qe nji shprehje e çastit, nji farë... nji farë kënaqësije e shfaqun vetëm për këtë rasë.
Tash po e mbyll fletorin n'arkë, se m'a grisin fëmijt.

12 Mars
Përshkrimi i jetës s'eme do të jetë i paplotsuem dhe do t'i gjasoje nji shtati pa kokë, po të mos i përmendi këtu edhe kohët e kalueme, sidomos, kohët e arta të fëminis, me gjith që ato nuk kanë qenë dhe aq t'arta për mue. Prandaj mendova t'i përmbledh kujtimet e mija të deritashme, me sa m'asht e mundun, dhe t'i rendoj këtu.
Po filloj.
Eme amë më la katër vjetsh. Ajo vdiq e re. Thonë se nuk i kishte mbushë as të 23 vjetët kur ndrroi jetë. Pak e mbaj mend: Kish nji shtat të hollë e të ajthtë, sy të kaltërt, vetulla të holla, fëtyrë të bardhë, qafë të gjatë dhe flokë të gështenjtë që pjerrin kah e arta. Kaq mund të shënoj për dukjen e sajë. Nji kohë, kujtoj mjaft të gjatë, u dergj në shtrat. Shpesh më merrte në prehën dhe m'argëtonte me dashuni. Nji mëngjes, pak ditë përpara se të vdiste m'i lëmoi flokët e kokës dhe u zhgreh në vaj. Edhe un, kur pashë se ajo po qante s'dij se qysh, shpërtheva dhe qava me dënes të madh. Qysh atë ditë më rrëmbyen nga shtëpia dhe më çuen ke Hallë Hatixheja. Atje qëndrova nja nji javë. Disa herë, tue qamë e tue cingrue, kërkova të kthehem në shtëpi, por s'më lanë. Më kabojshin me sheqerka e me kuklla dhe më kërcnoheshin tue më thanë se do të më futshin spec në gojë po të mos rrijsha urtë. Mbas nja nji jave më suellën në shtëpi. Sa u futa mbrenda thirra: nan-o! nan-o! Më kishte marrë malli për të dhe dojsha të m'argëtojë. E kërkova në të katër anët e shtëpis dhe s'lashë çip pa vërejtë, me kujdes, se mos m'ishte mshefë, ashtu si bante kur luente me mue symbyllthi. Por s'e gjeta. Em atë ashtu edhe Hallë Hatixheja më ndiqshin me sy të përlotun dbe përpiqeshin me më ledhatue e me më ngushullue. Ma në fund më thanë se ime amë kishte shkue, diku, në gosti. Atëhere kërkova të më çojnë atje, por ata nuk u biridën. Mezi mundën me më gabue me lajka e lodra të ndryshme.
Gadi nji muej rresht e kërkova t'eme amë tue qamë e tue dënesë, por pa dobi. Oh ajo kishte shkue në gosti, kishte shkue diku larg, shum larg, tej caqeve të kësaj jete. Oh sikur t'ish e mundun me u ngjallë, të pakën për disa minuta, e të shifte se edhe nashti, mbas kaq vjetsh, e kam të përvëlueme zemrën prej mallit që ushqej për të. Oh sikur të ngjallesh që të m'argëtonte e të më puthte disa herë. Sa nevojë kam për të, me gjith që u rrita. Zjarri i këtij malli q'asht ndrye në zemrën t'eme, pa dyshim, nuk do të shuhet veçse kur të më mbulojë edhe mue dheu i zi.
Nji mbramje në shtëpi kishte nji lëvizje të jashtzakonshme. Përveç Hallë Hatixhes, e cila ndodhesh aty qyshse kishte vdekë nana, kishte ardhë edhe e shoqja e Xha Musait dhe e Xha Sadikut. Em atë u kthye në shtëpi ma heret se kurdoherë dhe darkën e hangrëm paperëndue Dielli. Mbas darke më vunë me flejtë heret, me gjith që un nuk dishirojsha. Të nesërmen në mëngjes, kur u ngrita prej gjumit, pashë nji grue të huej që po dilte nga kthina e t ' im et me tespijt e tija në dorë. Kur më pa u ndalue dhe m'argëtoi. Dora që m'i lëmoi faqet m'u duk e ashpër dhe e ftoftë. Ika me vrap dhe shkova në kthinën e bukës, ku ishin mbledhë të gjithë rreth votrës.
- Hajde ke halla - më tha Hallë Hatixheja sa hyna mbrenda dhe desh të më merrte, por un shkova dhe u ula në prehën të t'im et. Mbas meje u fut mbrenda grueja e huej dhe, mbassi i a vu babës tespijt përpara, nisi me i mbushë finxanët e kafes. Un po e shifsha, e çuditun, këtë grue që s'e kisha pamë kurrë. Kërshëria më ngucte që të merrsha vesht se cila që. Prandaj nuk durova shum dhe pyeta.
- Ajo asht jot amë. Mbas sodi atë ke me e thirrë nanë - tha Hallë Hatixheja dhe i zgjati duert me më marrë në prehen të vet. Un u shtëmanga që të mos më merrte halla dhe ia ngula syt grues së huej. Nji copë herë e shiqova, frigueshëm, atë grue zeshkane dhe aty vonë thirra:
- Jo; s'asht ajo nana e eme.
- Ajo asht - gjegji halla.
- Jo, jo; s'e due - brita dhe, tue e rrasë kryet në gji t'im et, zuna me qamë.
- Hesht moj bijë! Mos qajë - më tha em atë me nji za të mbytun e të përvajshëm tue m'i lëmue flokët. Duket se edhe ai ishte i pangushlluem nga humbja e nanës. Vonë pushova së qami. Më suellën kuklla, sheqerka, topa llastiku dhe nji macë të vogël. Ma në fund m'i muerrën ment. Kjo grue e huej ishte eme njerkë që kishte ardhë me e zavendsue t'eme amë. Ajo ishte, asokohe, nji gjysmë grueje, nja 32-33 vjetsh. Kishte nji trup të trashë, lëkurë të zeshkët, sy e vetulla të zeza, buzë të trasha, nofulla të fryta. Dhambët i ishin nximë dhe gjajshin si thëngjij. Me nji fjalë ishte si nji katundare e përcëllueme në Diell. Ajo, nji mot ma parë, e kishte përcjellë burrin e maparshëm për në jetën tjetër, ku kishte pas dërgue edhe nja dy fëmij. Em atë, atëherë, ka qenë nja 36-37 vjetsh. Me t'eme amë kish jetue vetëm gjashtë vjet. Fëmia e parë - nji djalë - që kishte pasë me t'eme amë, i kishte vdekë. Un rrojta. Ndoshta për të vuejtë. Me t'eme njerkë, sikundër duket, u pamë Hana jashtë. Un nuk e due fare, por edhe ajo m'urren për vdekje. Oh sa herë më ka rrafë, sa herë m'a ka mbushë gojën me spec që të rnos i kallzoj t'im ët, sa herë më ka lanë në rrugë e vetë ka dalë me shëtitë, sa herë më ka lanë pa hangër, sa herë më ka dhanë bukë e shëllinë kurse fëmijvet të vet u nepte gjellë të mira, sa herë m'a ka therë zemrën me f jalë fyese dhe sa herë më ka namë e mallkue. Kush i mban mend e kush mund t'i nurnërojë këto. Vetëm do të përmendi se më mundonte si të më kishte halë në sy dhe më shante me nji gjuhë shumë të pasun n'kspresione ndyesije, me nji gjuhë të marrun hua nga jevgat. Vdekja e s'ime amë, për mue, që nji kob, por martesa e t'im et me këtë shtrigë që nji mënyrë e vazhdueshme dhe e pambarueme kurrë. S'dij se ku e gjetën
këtë korbë.
„Fëmia pa. nanë, si nata pa Hanë" thotë nji fjalë popullore. Sa mirë e ka qëllue Shqiptari gjendjen e vajtueshme të foshnjes bonjake me këto fjalë. I ka hymë në palcë, në shpirt dhe na e paraqit fëmin të mbetun në mëshirën e fatit e në terr të natës së pambarueme. Mjerë ato nana që lanë mbas vetëhes fëmij të vegjël, pse shumica e etënve nuk kujdesohen, si duhet për to e njerkat, përgjithsisht, nuk dijnë dhimë për bonjakët që u kanë lanë si trashëgim ato që u kanë lirue vendin n'atë shtëpi. Ata bonjakë që janë rritë me njerka të këqia - se ka edhe të mira ndër to - e kanë kuptue se sa e hidhët asht me e humbë nanën. E këtë provë un e kam bamun.
Mbas martesës së dytë im atë e ndrroi qëndrimin e vet kundrejt meje. Nuk e çante kryet fort për mue dhe as që kujdesohesh të marri vesht se si më përdorte njerka. Dalë-nga-dale em atë ndryshoi kryekëput, Shpifjet që trillonte njerka për mue atij i dukeshin si qortimet apo kshillat e Hazreti Hatixhës. Kur un mprohesha ase ankohesha, atij s'i bante tërr veshi. Shumë herë, në vend që të më ngushllonte, më shante. Ndryshimi i madh që bani em atë mbasi u martue me t'eme njerkë, më bani të besoj se ekziston nji fuqi magjike dhe se ai u gazit e u skatarit me magji prej saj. Ndryshe nuk kam se si t'a spjegoj mospërfilljen e tij kundrejt meje dhe pjerrjen kah e shoqja. Në ditët e para të martesës nuk ishte kështu. Duket se ende nuk e kishte torrullue magjia. Shpesh më merrte në prehën dhe, tue m'argëtue me dashuni, më thoshte me za të çjerrun:
- Jot amë, Dije, që e urtë dhe e mirë si nji engjëll. Ti i gjan asaj kryekëput. Edhe kjo - m'a tregonte njerkën me gisht - do të bahet për ty nji nanë shum e mirë. Kur e ngrejsha kryet shifsha se syt e tij ishin plot lot. Më puthte, mandej, me nji dashuni atnore aq të zjarrtë sa edhe un, me gjith që foshnje, e ndijsha nevojën urdhënuese me e rrokë e me e shtrëngue për qafe me të tana fuqit e mija. Sigurisht asht forca e magjis ajo q'e ftofi mbasandaj prej meje dhe e bani të luejë mendsh mbas asajë lopës së murme. Gjendja e eme u vështirësue edhe ma fort kur leu Rizai - në krye të tre vjetve q'ishte martue. Atëhare em atë u dha kryekëput mbas të birit tue mos e nxe
kryet ma për mue. Qysh atë ditë eme njerkë u ba zotnuesja e plotpushtetëshme mbi t'em atë dhe tiranëja ma e egër mbi mue. Nuk guxojshja as edhe me qamë e jo me shfaqë ndonji mbëhi ase dëshir. Kurrkush mos u rritët si un!
Kur i mbusha shtatë vjetët më futën në shkollë. Nji të Hane në mëngjes kushrini i em Hamiti – çuni i Xha Sadikut - më muer për dore dhe më çoi në shkollë. Njerka nuk kundërshtoi fare. Ndoshta pse donte me më shporrë sysh. Jeta e shkollës më pëlqeu shum, për shkak se mësueset qenë si nana të mira dhe aty gjeta nji grumbull shoqe të dashtuna. Zonjusha Maria Frëni, njena ndër mësueset, m'argëtonte dhe më dhelatonte ma fort se tjerat. Kjo ishte jo vetëm nji mësuese e mirë, por edhe e bukur e simpathike. Duket se Hyu kishte bashkue në të bukurin e trupit e të shpirtit. Mbaj mend se kishte nji shtat të hollë e të zdrivielltë, sy të zij si
rrushi, vetulla të hollë e të harkueme, flokë të zij si mundashi, hundë të drejtë, gojë të vogël, buzë të kuqe dhe dhambë të vegjël. Ishte nja 19-20 vjetsh. Sa ambël më tingëllonte në vesh zani i saj kur më këshillonte se si të sillem para prindërve e kundrejt botës. Sa më pëlqente kur m'i lidhte gërshetat, kur m'i mbërthente sumbullat, kur m'i mshinte robet që ndragsha n'oborr të shkollës tue luejt me shoqet. Sa më kandesh kur më kërcënohesh amblas që të mos baj mbrapshtina dhe më porositte të jem e urtë, e mirë, dhe e pastër. Shkrihesha prej kënaqësis; sidomos, kur më dhelatonte e më puthte me dashunin e nji motrës së madhe. Mbas dy vjetsh ajo u shpërngul në nji qytet tjetër. Oh sa qava kur më puthi për herën e fundme. Qysh a'sokohe s'e kam pamun ma. Për të, edhe tash, ruej nji farë nderimi dhe nji mall të pashueshëm në zemër. Sjellja e mirë e mësueseve, veçanrisht e Zojushës Marije, m'a pat paksue pezmatimin që kisha nga humbja e nanës. Për kët shkak ma fort më pëlqente të rrij në shkollë se sa në shtëpi, ku më pritte njerka me mashë në dorë e me namë në gojë. Zonjushën Marie Frëni e zavendësoi Zonjusha Sabrije Qafëtrashi. Edhe kjo që mjaft e mirë, por kurrë sa Marija. Drejtoresha e shkollës ishte Zoja Sofije Filipiadhi. Si kjo ashtu edhe Zonjusha Kristina Petropullos flitshin Toskënisht, se ishin nga jugu. Për çdo, mëngjes, kur do të shkojsha në shkollë, simbas porosis që më kishin bamun mësueset, i a puthsha dorën t'im et ashtu edhe njerkës. Kësaj i pëlqente t'i a puth dorën e zeshkët e të plasarueme, por nuk i vinte mirë kur krifesha dhe mshihesha me kujdes që të mos më qortojshin mësueset.
- Hajde shporru ma! Mjaft u mertise, se s'je nuse - më thotshte me mëllef. Shpesh herë më kapte për krahu dhe më nxjerrte jashtë portës pa e lamë fëtyrëri e pa i gërshetue flokët. Disaherë nuk më lejonte fare me shkue në shkollë. Më mbante në shtëpi që t'ia përkundsha djepin e Rizait dhe ma vonë të Ferides e të tjerve. Të tanë ditën rrijsha pranë djepit tue e përkrundë foshnjën dhe fantazin t'eme që endesh rreth e rrotull shkollës, ku i shifsha tue luejtë e tue u prrallë shoqet e mija të dashtuna. Nuk ishin të rralla rasat që hajsha edhe flakurima prej njerkës, pse un, e tretun në mendime t'ambla tue i ndjekë shoqet e shkollës ndër lodra, harrojsha dhe e këputsha pëf gjysëm kangën që i këndojsha fëmis për me i ndiellë gjumin ase, e lodhun krahësh, e ndalojsha lëkundjen. Shumë herë më çonte në shkollë zbathun ase me nalle dhe nuk më lejonte me i mbathë këpucët edhe sikur të binte shi ase vdorë. Nji herë më takoi, mb'udhë, kushrini i em Hamiti dhe, kur më pa me nalle dhe pa çorapë në kambë. U lemeris fare, pse moti ishte i keq dhe po binte vdorë. Më muer për dore dhe më çoi në shtëpi të vet. Atë ditë nuk më la me shkue në shkollë. I kishte folë mjaft ashpër t'im et për mos përfilljen që tregonte kundrejt meje tue i a rrëfye edhe ngjarjen e ditës. Kur e pyeti em atë njerkën se pse më kishte çue në shkollë zbathë, faji mbet mbi mue, se ajo u shfaqsue tue thanë se un vetë s'kisha dashë me i mbathë këpucët.
- Unë nuk i kam vu mendjen se a i ka mbathë këpucët apo jo, por edhe në mos i mbathtë, s'kam seç't'i baj, mbassi nuk mundem me vu dorë mbi të, se më dhimbset - tha. Kjo grue e ligë që me qinda herë më kishte rrafë kot, kjo shtrigë që nuk kishte në shpirtin e sajë të zi as ma të voglën shenjë të dhimbjes e të mëshirës, thoshte se i vinte keq të vente dorë në mue! Em atë, si përherë, edhe kësaj rradhe i besoi asaj dhe mue më qortoi e më shau, pse kisha dalë pa këpucë! E un, e trembun nga shenjat kërcnuese që më bante njerka prej andaj, nuk guxojsha t'i a them të vërtetën o hidhët. Me mësimet shkova mjaft mirë. Mue më ndihmoi fati, se n'atë shkollë vazhdonte edhe Irena, bija e Xha Simonit, fqi me ne. Ajo ishte dy klasa ma naltë se un dhe më mësonte shpesh e shpesh.
Sonte po mjaftoj me kaq, sepse me nji anë u lodha dhe m'anë tjetër nuk po mundem me i përmbledhë mirë kujtimet.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •