Hil Mosi (1885-1933)
| Wednesday, 06.13.2007, 08:15 PM |  

Hil Mosi

Hilë Mosi (1885-1933)

Jetëshkrimi

Hilë Mosi lindi në Shkodër me 22 Prill 1885, dhe qe i biri i Mark Mosit, i cili qe ndër atdhetarët mâ të vlefshmit, qi kah mbarimi i shekullit të kaluem luftuen për idén kombtare, tue dalun nepër male me pushkë në krah dhe tue shpërndám në kohën e robnís libra shqip dhe flamuj me rrezik kreje.

Në Shkodër i filloi mësimet në shkollën italjane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e mâ vonë ndoqi degën e mësuesís në Shkollën Normale të Klagenfurt-it. Tue ndjekun shembullin e prindit, që në moshë të ré, i u kushtue propagandës kombtare e tue u gjetun në Vjenë, në vjetin 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesín e Gjergj Pekmezit bashkëpunoi në shoqënín letrare “Dija”, e cila mot për mot botoi nji kalendár, dhe qiti nji fletore me emën “Vllaznija”. Qysh prej aso kohe Hila filloi të shkruente me pseudonymin Sakoli proza dhe vjersha atdhetare. Mbassi u çpallë Kushtetuta e Turqve të Rij në vjetin 1908, ktheu në Shkodër, ku themeloi shoqnín “Gegnija” e mâ vonë qe përfaqsues i saj në Kongresin e Monastirit.

Gjatë pushtimit austrijak në Shkodër (1916-1918) qe mis i Komisís Letrare, të cilën detyrë e vijoi edhe mâ vonë kúr Shkodra u bashkue me qeverín e Tiranës mbas lirimit të vet nga ushtrít franceze. Në vjetin 1919 me 16 të Frorit shoqnít e Shkodrës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” u bashkuen dhe sajuen shoqnín e vetme me emnin “Vllaznija”, e cila qe nji ndër shoqnít mâ t’organizuemet e Shqipnís dhe qi me veprimtarín e vet letrare, theatrore, muzikore dhe gjymnastike pati nji meritim të madh për zgjimin e rinís shqiptare, sidomos me botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes “Agimi”. Hilë Mosi qe kryetár i kësaj shoqnije për një kohë të gjatë dhe me artikujt e përkthimet e veta të ndryshme e zbukuroi organin e shoqnís. Në këto përkthime âsht për t’u përmendë studimi historik mbí Vlonën e kohës së mesme, të nxjerrun nga vepra e historjakut Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me me Milan Sufflay dhe Tallotzi-n mblodhën dokumentat e historís së Shqipnís dhe i botuen në dý vëllime të mdhaja me titull “Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia.”

Jeta e Hilë Mosit âsht nji shembull i gjallë atdhedashunije, zelli, veprimtarije dhe vetmohimi për qellime kombtare: e dishmojnë shoqnít e themelueme me nisjativën e tij, të përkohëshmet dhe fletoret qi nxori ai vetë, ase qi i përkrahi me bashkëpunimin e vet. Jeta e tij qe nji jetë ravgimi, dhe kudo qi zuni vend, edhe për pak kohë, u pá menjiherë vepra e tij shoqnore dhe letrare, e frymzueme përherë prej njij shpirti dynamik dhe prej dishirit të zjarrtë për t’u liruem nga zgjedha e huej. U përshkue nepër shum lëvizje politike tue përballuem trimnisht pengime dhe kundërshtime të mdhaja. I shërbei kombit edhe me veprimtarín e vet të pareshtun si zyrtár shteti: si mis i Komisís Letrare të Shkodrës, si deputat, prefekt, si Drejtuer i Përgjithshëm i Sigurimit botuer, si Ministër i Arsimit.

Vdiq në Tiranë në frorin e vj. 1933 dhe u vorrue në Shkodër.

Veprimi letrar

Thamë mâ përpara se Hilë Mosi tue qênë endè në moshën e ré nisi të shkruente nepër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnji nxanës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania” të Konicës me pseudonymet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofís, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Belgradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktuer, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botnore.

Në vjetin 1913 botoi në Trieshtë nji grumbull poezísh me emnin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpilueme, mâ të shumtën, mbas frymës popullore, ku qindron si faktuer i parë malli për atdhé. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipnín kúr kjo vuente, dhe kúr coptohej prej diplomatís së pamëshirshme europjane, për të ngopun lakmít e popujvet fqîj.

Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botueme në vjetin 1916 përfsîn nji tubë lirikash me landë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; nji pjesë e këtyne janë originale, të tjerat janë përkthime të lira shkërbime auktorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bâni nji botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” tue i shtuem vjersha dhe balada të reja dhe tue përmirsuem të parat.

Në nji vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershavet të veta dhe të shokvet të vet qi këndoheshin prej kryengritasvet nepër malet shqiptare në luftat kundra Turkís, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës.

Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njifet nepër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ká punuem lirisht tue i a përshtatë gjendjes shqiptare; nepër “Filja” dram trí aktesh nga Theodor Koerner-i, tue e prûm ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komedít e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”.

Poezít e Hilë Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë nji vlerë aq të madhe hartistike, por të gjitha janë të mveshuna me ndiesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm.

Nji meritim të veçantë për historín e letërsís shqiptare ká Hila për poezín prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919 në të cilën takohet prova mâ e para e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhânë nji përfundim të pëlqyeshëm.


(Nxjerrë nga «Letratyra Shqype» e J. Rrotës, fq. 194-195)

SHKRIMTARËT SHQIPTARË, Pjesa II, Tiranë, 1941.


Pregatiti: Henrik Lacaj

(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •