Ismail Kadare
| Tuesday, 12.04.2007, 11:49 PM |  

Ismail Kadare
Lindi ne Gjirokaster ne vitin 1936. Eshte Shkrimtari shqiptar më i famshëm në botë dhe njëkohësisht shkrimtari më i lexuar në Shqipëri. Romancier, poet dhe eseist i shkëlqyer, është gjithashtu autori shqiptar më i ekranizuar dhe më i dramatizuar.
Fëmijërinë e kaloi në qytetin e lindjes, ku kreu edhe gjimnazin. Më pas studioi letërsi në Universitetin e Tiranës dhe Institutin “Gorki”, në Moskë. Studimet i ndërpreu për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.
Fillimisht punoi si redaktor në gazetën “Drita”, më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”. Prej gati njëzet vjetësh është shkrimtar në profesion të lirë.
Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ‘60. Në tetor 1990, dy muaj para rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje të ngushta me Shqipërinë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë. Pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë.
Për shumicën e shqiptarëve, Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare dhe ambasadori më i mirë i saj në botë. Është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e tij është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Kadareja qysh në vitet ‘60 shënoi një kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e veprave të tij janë xhiruar film, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të tillë janë “Përse bie kjo daulle” (P. Milkani) sipas romanit “Dasma”, “Radiostacioni” (R. Ljarja) sipas romanit “Nëntori i një kryeqyteti”, “Ballë për ballë” (P. Milkani, K. Çashku) sipas romanit “Dimri i madh”, “Të paftuarit” (K. Çashku) dhe “Prilli i thyer” (L. Begeja) sipas romanit “Prilli i thyer”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (P. Mani, V. Prifti), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (L. Tovoli) dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (Dh. Anagnosti), “Emblema e dikurshme” (Y. Pepo).
Po kaq i madh ka qenë edhe interesimi i regjisorëve të teatrit, duke filluar me “Gjeneralin i ushtrisë së vdekur” (dramatizuar në dy versione, nga P. Mani e S. Fanku), për të vazhduar me “Natë me hënë” (E. Budina), “Kush e solli Doruntinën” (E. Budina, P. Mani), “Krushqit janë të ngrirë” (P. Mani), “Ëndrra e një nate dimri” (A. Bora).
Vetë Kadare ka shkruar vetëm tre vepra origjinale, dramën e parë “Kështjella dhe helmi” (1977), libretin për balet “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” (1987) dhe, së fundi, dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp” (2002).
Ne vitin 2005, Kadare nderohet me çmimin prestigjioz "Man Booker International Prize" (Çmimi Ndërkombëtar për Shkrimtarin më të Mirë).

ANG


Kanë thënë për Kadarenë

Proza e Ismail Kadaresë është krahasuar me atë të Gabriel Garcia Marquez-it. Sigurisht, që ai indukton të njëjtën ironi tek lexuesit me anë të këndvështrimit magjik të jetës së një fëmije që është shumë më i madh sesa i të rriturve. ( Leonie Caldecott / The New York Times Book )

Një mjeshtër i tregimit. Ai ka aftësi ashtu si Isak Dinesens për të krijuar një atmosferë shumë të largët në tregime që nuk kanë kohë. ( Chicago Tribune )

Prilli i thyer, një raport fantazmë i shpërthimit të hakmarrjes në Shqipërinë Veriore ndërmjet luftërave, është një nga kulmet e karrierës së Kadaresë. Romani përshkruan një “burg” të pritjes përpara vdekjes së mirëpritur dhe të pashmangëshme. Një fatalizëm të tillë dhe kod të nderit nuk mund të kishte zgjedhur në mënyrë kaq të saktë shkrimtari. ( Andrew Sinclair / The Times )

Përshkrimi i gjallë i një bote të mbushur me koincidenca dhe intriga të pazakonta, e vendos atë në romanet e kategorisë së parë të Elias Canettit Auto da Fe dhe Paul Auster Music of Chance.
( Bruce Bawer / Wall Street Journal)

Kadare e hedh metaforën e tij për burokracinë totalitare me shkëlqim dhe saktësi të madhe.
( Robin Smyth /Observer )

Kadare shkruan në një përmasë krejt të ndryshme nga realizmi profetik i George Orwell-it dhe Arthur Koestler-it, dhe, ndoshta, më errët sesa fantazia profetike e Franz Kafkës. Ai ka dhuntinë e të shkruarit me parabola të një peshe të madhe, në tonet më të lehta.
( Richard Eder / Los Angelos Times Book Review )



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •