Trishtimi i Kaladarit
| Sunday, 01.14.2007, 06:26 PM |  

Dasëm. Dajre e daulle gërsasin paiada. Megjithatë Kaladari ban sikur nuk ndin asgja dhe me inat ngul thumbat në shollin e një kundre të cilën ka nji muej që e ka në dorë. Fillimisht tingulli dajreve i duket i njoftun, lëkurë e regjun mirë prej një dore mjeshtri, por zhurma e çakiçit mbi këllefin e kundrës e ndihmon mos me e pasë mendjen te dajret.

Sot nuk po i punohet hiç, e ndoshta fajin nuk e kanë dajret porse pleqnia. Çohet prej vendit të punës dhe i afrohet dritores, sheh rrugën dhe njerëzit e rrallë që kalojnë në të mbi kundrat që ai ka përgatitë për ta. Pothuej i gjithë qyteti asht mbathë prej tij, fama ka tejkalue qytetin, deri në kryeqytet, kryetari i bashkisë, prefekti, ndoj ministër deri edhe kryeministri kanë veshë kundra të punueme nga dora e Kaladarit, e jo vetëm punue por edhe firmosë prej tij. Jo për gja, po Kaladari përdor lëkurë dhish të egra që rriten maleve, lëkurë të vjetra të gjetuna në Punishten e Tabakëve, shembë mbas tërmetit, që askush nuk i pati dalë për zot, mandej ai veç të merrte nji lëkurë çdofarë në dorë dhe e kthente në kundër; ka patur raste që edhe kundra të vjetra që kurrkush nuk mendonte se mund të vesheshin ma, i ka kthye me durim në kundra të rehatshme, e nuk mjafton kjo, po kajherë kur ia kishte qejfi e zgjidhte vetë kafshën, ia ripte lëkurën dhe e regjte këtë të fundit pakepak ashtu si ia donte puna.

Ma vonë mbasi Kaladari u kthye prej një kursi nga nji vend i largët, në të cilin e dërgoi Bashkia, nisi prodhimin e kundrëve që vetëm ai di si i ban. Në fakt Kaladari asht një kundërtar i përkushtuem, ai punon me dashni, dhe nuk merret me asgja tjetër; nuk asht puna veç te lëkura që ai zgjedh, po ma vonë vijnë imtësina të tjera, jo marrja e masës, jo modeli, jo ngjyra, jo stina, shojet, takat, zami, thumbat, ajrosja, llapat, qepja, lidhëcat, mandej, rehatia, hapsina që xanë kundrat në raft, pesha, jetëgjatësia, qëndrueshmëria ndaj lagështinës, diellit, rrugët të pashtrueme të qytetit, lehtësimi i punës së lustraxhijve, shumëllojshmëria, fantazia, e në fund çmimi. Për të tana këto duhet me vendosë mbrenda një kohe të shkurtë, dhe nuk asht aspak e lehtë, mandej kundra shkon në fabrikë dhe shumëfishohet, hollësisht.

Gjatë kësaj kohe shpesh Kaladarit i asht dashtë me ba edhe punë të tjera përveç kundrve, prejse në qytet u lejuen edhejherë dasmat e hareshme, Bashkia e porositi me ba edhe dajre, daulle a gajde, dhe Kaladari prej frikës se mund ti hejkin edhe liçensen, e pranoi prorosinë. Pa harrue kurrë se ai asht një mjeshtër kundrave, me dembeli të madhe bani do dajre sa me ia mbushë mendjen bashkisë se asht i përkushtuem dhe iu lut kryetarit me u marrë veç me kundra. Atëherë Bashkia nuk porositi ma dajre tek Kaladari, por ngarkoi kundrtarë të tjerë, që të gëzuem se Bashkia po i kishte në mendje, vrapuen me ba dajre, daulle a gajde aq të hajrit, sa ahengu i dasmave ndihej edhe jashtë ndër qytetet e tjera fqinje. Nësa Kaladari, vazhdoi me lejen e Bashkisë me ba kundrë të rehatshme ashtu siç e kishte zakon. Si pasojë e kësaj pune, mbas do kohe kundrat e Kaladarit nisën me u pëlqye edhe jashtë shtetit, për këtë ndihmoi pak edhe Bashkia, por me thanë të drejtën edhe të huejt që ishin mësue me kundrë të rehatshme dhe elegante, i pëlqyen kundrat e dorës së Kaladarit.

Kështu ia ka këputë zemrat qytetarëve të vet Kaladari, kadalë, duke i sfidue të tanë kundrtarët e tjerë (sigurisht ata të kohës së vet) të kthyem tashma shumica me qejf të vet në dajrepunues, të cilët sot mjerisht e akuzojnë për monopol, se nuk u hap rrugë apo se ka lidhje me ishkryetarin e bashkisë, e akuza të tjera si këto. Por tashma famën e kundrëve Kaladar nuk e ka në dorë as vetë Kaladari, në shitoret e kundrave shiten veç kundrat e tija, njerëzit e shkretë shohin rehatinë e kundrës, modën dhe janë futë në një soj gare që sa herë Kaladari duket në rrugë, gjindja hjekin kundrat dhe turren me vrap në rradhë me firmosë kundrat prej dorës së mjeshtrit që i ka punue.

Tashma ka kalue shumë kohë qysh atëherë, Kaladari asht plakë, shtue kësaj edhe ulja e doganës së kundrave që vijnë prej jashtë shtetit, nevojës së njerëzve me ndryshue, si dhe mosmarrja e çmimit ma të madh The Gold Shoe që jepet në Londër, nga instituti Ndërkombëtar për Kundrat, e kanë ndryshue paksa gjendjen. Por kurrsesi nuk mundet me u thanë se Kaladari rrezikohet ndopak prej dajrepunuesve të qytetit, që me ndërrimin e Kryetarit të Bashkisë nuk patën ma porosi për dajre e iu kthyen kundrave, se edhe dasma të harlisuna nuk po kishte ma edhe aq shumë. Por kundrën po e le të len. Aq ma tepër kur i përkushtohesh dajreve me pasion, asht shumë e vështirë me të punue mendja për kundra. Kështu e ka kjo punë. Kundërtarët e rinj janë ende në fillim të punës së tyne, shumica të mbështetun prej tij, nuk përbajnë ndoj rrezik, të paktën tash për tash. Ma vonë nami le të bahet.

Por nuk asht kjo që e shqetëson Kaladarin, ai mundet me ba edhe kundra prej letre tashma dhe kanë me iu shitë si me kenë kundra të vërteta, siç edhe ka ndodhë. Jo, jo nuk asht puna aty. Kaladarin e shqëtëson tingulli i dajres, daullja dhe dasma. Dasmat në përgjithsi e kanë shqetësue, zhurmat e dajreve i kujtojnë kohën kur detyrohej prej Bashkisë me punue dajret si dhe kundrtarët dajrepunues; por tigujt që vijnë prej asaj lëkure të regjun mjeshtrisht, ky tingull i njoftun e shqetëson. Asht një tingull që e trishton, masëshumti se asht një tingull shumë familjar.

Kruen veshin majtë, mbasi nuk ndigjon mirë me të; kaherë nuk e kishte ndigjue kët tingull. Duhet të jetë ndoj dajre e tija e mbetun kushediku ndoj shitore, e pashitun, ase bleme ndoj cep rruge prej ndoj krushku të rreshkun prej rakisë. Ven në vesh veshzen e ndigjimit që e përdor shumë rrallë kur i duhet me provue tingullin e kundrave speciale, dhe mbërrin në ...mendimin se nuk asht dajre e dikurshme, lëkura asht e re, prej këtyne që përdoren kohët e fundit, asht lëkurë kundrash. Kaladari, hjekë veshzen pej veshit, ven shallin, me tërbim vesh pardesynë e tij kafe dhe del jashtë, në kërkim të tingullit të dajreve. I hedh nji sy rrugës pa njerëz. Ecë, me nxitim, pa u ndalë, shpejt, i hedh një sy këpycëve të veta dhe se si i duken. Vrapon drejt tingullit, që sa vjen e ndigjohet ma mirë, derisa në fund të rrugës bahet ma i fortë, merr kthesën dhe gjendet përiherë në shesh. Tingulli i dajreve bahet shurdhues. Asnji dasëm. Një zhurmë e tmerrshme dajresh. Para sheh një turmë prej nja dyqind vetësh që përplasin kundrat nëpër duer, në shenjë proteste kundër vendimit të Bashkisë për mbledhjen e lustraxhinjve në një vend të posaçëm në periferi të qytetit. Sheh me pikëllim se bahet fjalë për kundrat e tija. Lustraxhijtë tuj dashtë me ba shenjë para bashkisë, se puna e tyne ishte e lidhun me nji njeri të famshëm, që kështu bashkia me i kthye në vendet e maparshme, shkaktojnë zhurmën shurdhuese, që vjen siç duket prej përplasjes së njenës kundre me tjetrën. Dikush prej protestuesve gjuen me kundër xhamat e Bashkisë tuj hedhë mbrendë në zyrën e kryetarit kundrën dhe meiherë, kryetari sa e merr vesht se për çfarë kundrash bahet fjalë, i siguron protestuesit se kërkesat e tyne do të merren parasysh prej Bashkisë dhe vendimi do të pezullohet. Protestuesit shpërndahen qetë qetë dhe Kaladari që nuk do të kishte dashtë kurrë me e pa kët skenë fut duert në xhepa dhe nuk din kah shkon.

Qysh kur ai paska ba dajre tuj mednue se ato janë kundra? Pse njerëzit veshin edhe dajre në vend të kundrave kjo nuk don me thanë se ai duhet me kenë i kënaqun! Po sikur ndokush tjetër me pasë vesh kaq të hollë në qytet dhe m e e ndigjue zhurmën që shkatohet prej shkapetjes së kundrave alla Kaladar me njena-tjetren? Po Kaladari e din mirë se edhe nëse dikush ka veshë të hollë, kurrkush nuk ka me i besue, fama e tij e mbron edhe në këtë rast. Posikur njerëzit me e marrë vesht se…! Jo, jo nuk ka ndodhë ndoj herë që njerëzit me marrë vesht; kurrë njerëzit nuk kuptojnë pothuej asgja, edhe po të marrin vesht vetë ndoj gja ata bien pre të kujtimeve të tyne, nostalgjisë, fabrikuesve, shitësve, lustraxhijve.

E megjithatë Kaladari asht i trishtuem teksa merr rugën për në shtëpi, asht i trishtuem se ka vesh të jotëzakonshëm, ai e din se nuk mundet me ba kundra ma të mira se ata të dikurshmet, jo se nuk asht mjeshtër, por kaq e ka mundësinë, në fund të fundit ai nuk ka ba pak, ai ka ba maksimumin e vet, nësa të tjerët janë marrë me dajre. Nuk i ka mbetë tjetër me ba veç me mprehë veshtë mos ndoshta zbulon ndoj kundërtar me veshë aq të hollë, që të mundet me e ndjekë dhe iu lutë mos me folë me kërkend. Futet mbrendë në terrodë dhe nisë me kja; kjan, se nuk mundet me ba ma tepër, kjan tuj e ditë se me ba kundra të mrekullueshme, duhet me kenë artist e jo zanatli.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •