Agonia
| Sunday, 01.14.2007, 06:40 PM |  

Isha në pallatin e vdekjes. Atje pashë... Pashë ca kufoma. Ato (kufomat) ngrinin kokat që nga dyshemeja ku ishin shtrirë dhe duke kulluar gjak, as të kuq as të zi, më pyesnin:

- Çfarë do, o njeri i gjallë, në këtë pallat të vdekurish? Ti që je jeta. Na thuaj pra, ç'është jeta?

Unë vetëm vështroja kufomat dhe sytë e tyre, që kullonin prej kalbjes. Pamja e tyre të hapte oreksin jo për të ngrënë, as për të folur, por për të vjellë e për të urryer vetveten. Përgjigja ime më dukej e pavlerë, e pakuptimtë. E për çfarë mund të hynte në punë jeta në botën e të vdekurve?! Vdekja tundte egër kamzhikun e vet, teksa unë rrija dhe vështroja kufomat e përditshme që më prishbnin qiellin e ditëve të mia të panënshtruara nga vdekja, që kishte pushtuar hapësirat e tokës së shndërruar në ferr.

- Pse nuk flet, o qenie?- m'u drejtua një mosqenie tejet mase e prishur.

- E për çfarë mund të flas, o kufomë?- thashë, duke zënë hundët me dorë.

- Fol për atë që është e ndaluar të flitet në botën e të vdekurve.

Atëherë m'u desh të flisja. Dhe gjoja më me kuptim, përmes atij moskuptimi total, ishte thënia e sasia e fjalëve krejt pa vlerë ose e disa ankimeve, që i shkonin përshtat terrenit të vdekjes.

- Jeta është një thes me kotësira.

- Jo, jo. Gabohesh- u dëgjua ulëritja e kufomave në kor.- Jeta është një fushë e minuar me femra në të cilën çdokush, qoftë ky dhe president shteti, është i detyruar të shtrihet barkas.

- Po vdekja- pyeta unë- vdekja ç'është?

- Eshtë padroni ynë-u përgjigjën kufomat.

Qesha me të madhe. Pallati i vdejes oshëtiu.- Po shëmbet nata- u dëgjuan ca ulëritje. Mërmërima të shkundra nga rrufetë pollën kufoma të reja. Në fund mbërritën kanibalët, në një gosti tragjike të ëndërruar.

Grimcat e jetës së një gringoje nuk para u interesojnë gjysmënjerëzve të kryqëzuar me gjysmëmajmunët. Por ditët e marta janë ditë të marta dhe as unë e as ata nuk kemi nga t'ia mbajmë. Të martat do t'i quajmë të marta dhe të mërkurat do t'i quajmë të mërkura.

Të gjitha të martat ne i kalonim duke u marrë me asgjë. Nuk e di, por mua dhe Nardit, shokut tim të ngushtë që di të heshtë me një heshtje presidenti, (gjynah që s'është president) na ishte krijuar përshtypja që ditët e marta ishin ditë terse. Të martat e shkreta nuk ishin aspak të tilla. Pro ja që ne kjo gjë na ishte tiposur në kokë dhe hajde e gdhendi kokat e gringove, si puna jonë.

Të martave ne kishim frikë të hanim shumë sepse mund të na dhimbte stomaku, të pinum se mund të ziheshim me njerëzit rrugës, t'u propozonim femrave sepse nuk arrinim t'i fusnim në dorë dhe së fundi dhe të punonim, sepse nuk na ecte puna.

Thyerjen e kësaj bindjeje e bëra unë, një të martë prilli.

- Dua t'i propozoj një femre dhe pikë-thashë.

Nuk hasa as në kundërshtimin dhe as në miratimin e shokëve. Gjëja e parë, për të cilën ne e vramë mendjen, ishte gjetja e pikës nga ku vajza do të kalonte dhe mënyra se si do ta ndalja. Kjo nuk qe aspak e lehtë, për ne. Duke shfaqur mendime në lidhje me këtë, shokët përpak sa nuk u rrahën.

- Rrihuni ju se propozimin e bëj unë- thashë dhe zbatova parimin e mirënjohur, pyet njëqind vetë e bëj si di vetë.

- Pasi u sorollatëm mirë e mirë nëpër qytet, zumë vend prapa një pallati katërkatësh dhe pritëm.

- Po vjen- tha njëri.

- Kush? – pyeti tjetri.

- Gomarica- mori përgjigje.

- Ikni!- urdhërova unë.

Ata ikën.

Ajo po vinte. Ishte Agonia nike të provimit të fizikës në shkollën e mesme, e cila më kishte “nisur me shërbim” për vjeshtë, duke vulosur përbri emrit tim katrën e zakonshme klasike.

- Zonjushë,- thashë duke i prerë rrugën- dua të bisedoj me ju.

- Me mua!- u habit ajo duke vënë dorën në gjoks.

- Sigurisht.

Iu afrova.

- Ç'kishit për të thënë, shpejt se nuk kam kohë- dëgjova si në mjegull, nga hutimi, fjalët e saj.

Emocione, o ndjenja që na bëni budallenjtë e momentit- mendova. Ç'keni me mua gringon mospërfillës të këtij qyteti? Të gjitha fjalët që kisha përgatitur më tradhëtuan.

- E di si është puna- thashë duke u përtypur...unë...unë... të dua...

Ajo qeshi me hutimin tim të plotë, më shtyu tutje dhe duke kukurisur, u largua prej meje.

- Gomar- më shau njëri nga shokët prapa.

- Hajvan- përforcoi tjetri.

Hajvan! Ç'ti bësh? Isha treguar hajvan i vërtetë.

Kur në drekë po përtypja pa oreks një copë mishi, që më kishte vënë përpara nëna, idea se isha treguar gomar m'u duk aq e tmerrshme sa më erdhi të shqyeja turinjtë me pirun.

I dola dhe herë të tjera përpara, por ajo pasi kuptoi që kisha rënë kokë e këmbë në thesin e saj filloi të tallej keq e më keq me mua. Tallja me mua arriti gjer atje sa ajo më vuri si kusht për të më pranuar të thurja një triko me lesh gomerësh. Kjo kërkesë do të qe disi e arsyeshme sikur të ekzistonte në botë ndonjë kompleks për rritje gomerësh. Por unë jetoja në mes të një qyteti dhe ndryshe nga komshinjtë tanë sherraxhinj, serbët, ne i përbuznim gomerët.

Rimi, që ne e thërrisnim “Kopil i lagjes” (Ç'ti bësh. Fajin ia kishte e ëma), propozoi diçka sa interesante aq edhe absurde. Zgjidhja, sipas tij, qe e thjeshtë. Deshët le të quheshin gomerë dhe gomerët deshë. Mjafton që të thurrej trikoja.

Nuk arrija të kuptoja se si mua, gringos më të madh të një qyteti, një femer prej province, me emrin Rajmonda, të më përbuzte dashurinë. Për më tepër më dukej krejt absurde dhe nuk arrija ta kuptoja si ishte e mundur që para saj të ndjeja një dobësi të jashtëzakonshme. Dikur, unë gringoja numër një i këtij qytti, tallesha me shokët e mi dhe sa herë që ato binin në dashuri, i akuzoja se qenë të prekur nga sëmundja e marrjes së mendve dhe e dridhjes së gjunjve. Mirëpo tani, pa e kuptuar dhe vetë, qeshë prekur nga e njëjta sëmundje.

Në përgjithësi, të gjitha femrave u thërrisja me një emër të përbashkët, “Dosa” dhe isha i mendimit se përderisa asnjëra prej tyre nuk bënte coca-cola në vend të ujit të hollë, nuk ksiha pse të kisha simpati për ndonjërën. Por kisha gabuar. Ose më saktë, kisha rënë në dashuri. Përfytyromëni mua, që ngjaj si një ari, të rënë në dashuri.

Pasi provova pa sukses të shprehja arsenalin tim huliganistik në drejtim të dashurisë, arrita në përfundimin se të dashurosh do të thotë të jesh i marrë. Veçse një marrëzi e tillë është krejt e pranueshme dhe preferohet pothuajse nga e gjithë shoqëria njerëzore. Studentja, që unë pata zgjedhur, qe një konviktore simpatike, që ia patën hedhur grepat shumë gringo të tjerë. Por të gjithë kishin dështuar.

- E mo ti...dhe një konviktore nuk thyen dot- u tallën shokët me mua, mes mërmëritjevef të një pijetoreje të vogël, në një ditë vampire, dhe unë, nga inati, pasi ktheva shishen gjysmëkilëshe të rakisë me fund tamam sikur të ish ujë, u ngrita nga tavolina dhe theva shishen në dysheme.

- Injorantë. Debila me origjinë nga Kuçi- shfryva dhe desha të iki. Por në çast më ra ndërmend se nën tavolinë, mbështjellë me gazeta, qëndronin dy shishe të tjera të strukura në çantë. Nuk lëviza. Çimi qeshte. Nardi trokiste mbi tavolinë me gishtat e tij, gjithë nervozizëm. Të tjerët rrotullonin krejt ka kuptim gotat nëpër duar. Në të vërtetë pata qejf të bëja pak grusht. Grushti më dukej sporti më burrëror për të mos thënë më hyjnor. Të bësh grusht do të thotë të tregosh klasin tënd. Po ku janë ata burra që bëjnë grusht pa hile? Zakonisht në zënkë përdoren ose shkelmat, ose thikat, ose tullat dhe pas këtyre gjërave jo rrallë kërcet revolja e mbajtur pa leje. Sipas logjikës së shokëve të mi, sporti më i mirë është të qëllosh në shenjë me gjysëmtulle.

Çdo ditë vazhdojmë të pijmë. Pija në të vërtetë duket si diçka argëtuese. Por mos e pandehni ashtu. Pija është një nga marrëzitë më të mëdha që trashëguam nga paraardhsit tanë të mërzitur nga jeta plot vuajtje dhe qejfe. Ja unë, ju betohem me sinqeritetin pa kufi të një gringoje, se nuk do të pranoja të pija me... ...shokët e mi debila sikur të mos kisha rënë në dashuri. Në raste të tilla, kur fundi i gotës është i thyer dhe fundi i zemrës i shqyer, pirja është marrëzia më e madhe, që të ndihmon të harrosh marrëzitë më të vogla.

Dita e mërkurë mos ardhtë kurrë. Këtë mendim patëm ne për të mërkurën që shkoi. E enjtja dhe e premtja kaluan me të dy duart në xhepa. Të shtunën vendosa të shkoj tek Akademia e Arteve të Bukura.

Holli i madh ishte në një qetësi të këndshme. Përveç dy të njohurve që më përshëndetën me mërmërima nën hundë dhe habi, (sigurisht ata menduan:”Çfarë do ky në Akademi”?) nuk takova tjetërkënd të njohur. Pastaj dola në oborrin e vogël midis godinave. Ishte një ditë e vranët. Ditë të tilla sikur të shtypin me putër në fyt dhe mua një boshllëk pafund më pushtonte hapësirat e gjoksit tim leshtor.

Të them të drejtën qeshë me fat. Ajo nuk kishte mësim dhe qëndronte e ulur, me një shoqen e vet, në një stol ngjitur me murin e godinës. Ndjeva dobësinë e zakonshme. Për fat të keq ishte mëngjes dhe nuk kisha pirë asnjë gotë të vetme që të mund të flisja pa emocione. Por sidoqoftë e mblodha veten dhe nuk u dorëzova.

- Rajmonda- e thirra duke i bërë me shenjë të vinte drejt meje. Fjalët:”Eja të lutem”, m'u dukën krejt të padenja për t'u përdorur nga një gringo. Ajo shtrembëroi buzët, diç i tha shoqes së vet dhe u afrua tek unë.

I zgjata dorën por ajo nuk pranoi të ma jepte. Atëhere ia kapa unë dorën dhe ia shtrëngova me forcë.

- Dëgjo,- i thashë, - nuk bën mirë që sillesh kështu.

- Mos vallë, duhet t'iu pyes se si të sillem me zotërinë tuaj?- ma ktheu ajo dhe nisi të rregullonte flokët sikur asgjë nuk i interesonte në botë.

- Mos bëj si buburrec patateje i helmuar- thashë unë befasisht.

Ajo nuk e përmbajti dot të qeshurën.

- Ti vërtet je kapo, por përpara meje kthehesh në qengj-vazhdoi ajo, jo pa qëllim, sepse donte të më mbushte mendjen se sundimi i saj mbi mua ishte absolut.

- Metamorfoza e kthimit të ujkut në qengj, është e përkohshme- e ndërpreva.

Gjëja më e jashtzakonshme ishte se unë po tregohesha i mençur. Nuk i thashë si herë të tjera “të dashuroj” e as “vdes për ty” por pa pijë droje i hodha duart në qafë aq sa ajo u hutua: Atëherë, përfitova nga hutimi i saj dhe pasi përfshiva hapësirën përreth me një vështrim pirateks e putha me një afsh të marri. Ajo pas puthjes sime të gjatë psherëtiu dhe më tha me gjysmë zëri se më donte. Se më donte tmerrësisht ndërsa unë gomari kujtoja se më urrente. Madje nga gëzimi ajo filloi të qante. Të them të drejtën të qarat unë nuk i duroj dot. Por këtë radhë e qara e saj m'u duk krejt hyjnore. Shpirti im prej egërsire po zbutej dhe tani isha një njeri i dashuruar. Më kot nuk ka thënë një farë Çurçilli:”Ta martojmë Hitlerin, që të heqë mendjen nga lufta”. Edhe unë nga dashuria hoqa mendjen nga zënkat dhe pija.

Kur asaj i tregova për pallatin e vdejes ajo deshi të më mbyllte gojën me dorë.

- Ç'është ky pallat?- më pyeti me një naivitet të shtirur.

Dhe unë i tregova. Gjatë tregimit tim fjalët më dilnin copa copa të ndërprera me dhëmbët që kërcisnin a thua se në qenien time binte një tërmet katastrofik. Monda, e zverdhur, më pyeti mos isha sëmurë. Unë nuk u përgjigja veçse volla ca grimca buke me copa djathi që kisha ngrënë në mëngjes. Bota m'u bë jeshile e errët me ca shirita të zez. Pallati shtrihej i ftohtë, kryeneç, me themele të tij në dy të tretat e botës. Hymë brenda. Vinte sërish një erë e rëndë kufomash.

- Çfarë je ti që vërtitesh përmes kufomave?- thashë me një zë të çjerrë.

- Jam lugat- erdhi përgjigja.

Nxorra revolen, që e mbaja pa leje.

- Kot e nxjerr- më paralajmëroi lugati.

Monda u shtrëngua rreth krahut tim dhe filloi të dridhej; madje një çast, nisi të qajë. E urdhërova të pushonte. Pastaj bëra kryq. Mora shenjë dhe qëllova. U dëgjua shkreptima e armës. Shpërtheu një flakë dhe kufomat nisën të digjen. Lugati u përmbys mbi një kufomë. Ishte kufoma e perandorit të kuq. Ikëm me shpejtësi që të mos na zinin gjuhët e flakëve. Pallati i vdekjes oshëtiu në një shpërthim të tmerrshëm dhe u shemb sapo ne kaluam portat e tij.

Gjëja që më tundonte më shumë, në orët e mesnatës, ishte idea e një vetvrasjeje. Vetëvrasja sillej rreth kokës sime si një ide fikse dhe shpëtimtare. Do të shpëtosh nga kjo botë mënxyrë – i thoja vetes në depresion. Vrit veten. Mirëpo të nesërmen ngrihesha në mëngjes dhe drita më pushtonte beben e syrit duke më larguar dhe idenë e vetvrasjes. Nuk mundem, i kam thënë për të njëqindënherë vetes e prap nuk e kam tërhequr dot këmbëzën.

Kur një ditë krejt pa dashje i thashë Mondës se më mundonte idea e një vetvrasjeje ajo qeshi me mua. Kujtoi se unë po tallesha.

- Do të lësh një fatkeqe në këtë botë- më tha si me përkëdheli.

- Derisa të gjejë një tjetër- iu përgjigja, duke buzëqeshur hidhur.

Dashuria... Kisha përshtypjen se dashuria do të më shpëtonte nga katastrofa e rënies sime por nuk qe ashtu. Gjithnjë e më tepër po shoh sesi shuhen vitet. Një gjysmë shtazarak. Jetoja në ferrin e kotësisë, tani jetoj në ferrin e dashurisë. Viet e mia kaplojnë butë një e nga një. Dhe jeta im vdes kështu gradualisht. Agonia. Agonia duket kudo. Sidomos kur bëj dashuri me të dashurën.

Pallati i Vjetër i vjetër i vdekjs u shëmb. Por u ngrit njerëzia të ngrejë një të ri. Themelet e të riut tashmë shtrihen në të gjithë botën. Ky pallat i ri vdekjeje po mbushet me kufoma të reja. Dhe ti që nuk ke parë ndonjëherë pallat vdekjeje, eja që të kesh oreks, sigurisht jo për të ngrënë, por për të vjellë e për të urryer vetveten. Në je kanibal eja të hash se nuk ke sofër më bujare se bendia e këtij pallati. Por kujdes, kujdes o kanibalë. Me kockat e mia mos u merrni se do të thyeni dhëmbët. E di që fati im është më kanibal se juaji por unë po mundohem ta zbus, shkurt, ta bëj njerëzor.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •