Peshku Ekstasis
| Monday, 01.15.2007, 07:11 PM |  

E di se pak janë ata që kanë pasur rastin të shohin ndonjë peshk Ekstasis nga vetë shkaku se këta peshq janë aq të rrallë sa që mund të numërohen në gishtat e një dore. Prandaj do të mundohem ta përshkruaj sa më hollësisht. Peshqit Ekstasis jetojnë në kushte të veçanta; në ujë plotësisht të pastër, që do të thotë nëpër ata lumenj shtratin e të cilëve nuk e ka prekur asgjë tjetër pos dorës së natyrës. Nuk durojnë as ndotësirën më të vogël e lëre më ato papastërtitë e shumta që kohëve të fundit i hasim nëpër lumenjt. Nëpër shumë enciklopedi, të cilat kam pasur rastin t’i shfletoj, nuk kam hasur në të dhëna të mjaftueshme e që do të thotë se edhe shkenca nuk e njeh aq mirë këtë lloj peshku. Në të vërtetë, si edhe për shumë gjëra të tjera , të cilat vetëm përmenden nëpër enciklopeditë e shumta e jo rrallë jepen edhe të dhëna jo të vërteta, edhe për peshkun Ekstasis nuk do të gjeni atë që ju intereson, nëse vendosni t’i shfletoni. Nën shkronjën “E” përmendet emri i tij dhe ceket ajo se i kanoset zhdukja dhe se në kohë të fundit, kanë qenë të kota gjurmimet e zoologëve që të gjejnë ndonjë peshk të tillë.
    Peshku Ekstasis nuk rritet më shum se dhjetë centimetra, ka trup elipsoid dhe ka bisht çfarë kanë të gjithë peshqit e rëndomtë. Ajo që e bën të veçantë është vet fakti se kur e shikon duke notuar në ujin e pastër si loti nuk mund të caktohet ngjyra e tij. Në të vërtetë nga trupi i tij rrezatojnë ngjyra të ndryshme, varësisht se nga cili kënd e shikon dhe cila anë e ledhatojnë rrezet e diellit apo të hënës. S’di si të shpjegohet ndryshe ajo shumëngjyrësi e tij, pos të them se i ngjan ylberit i cili pandërprerë rrezaton me ngjyra të ndryshme dhe kurrë nuk mund të veçohet ndonjë dhe të thuhet se cila është më madhështore. Nuk shoqërohet me peshqit e rëndomtë dhe gjithmon noton i vetmuar. Kur ndonjë peshk i rëndomtë i afrohet Ekstasisit ndodh diç e çuditshme; peshku i rëndomtë shtanget dhe ashtu i ngurosur harron të notojë; kthehet me barkun të bardhë përpjetë dhe gjatë duket si i ngordhur. Edhe për këtë fenomen nuk kam hasur në sqarime shkencore prandaj as që mund të them diçka më shumë. Gjatë notimit, si të gjithë peshqit e tjerë, pandërprerë çel dhe mbyll kapakët e velëzave nga të cilat lëshon një si pluhur shumëngjyrësh. Nuk e di saktësisht a është pluhur apo ndonjë dritë e cila rrezaton nga brendësia e velëzave por kam parë se gjithmonë pas tij mbetet një muzavë nëpër ujë e cila gjatë nuk zhduket. Ky peshk është mu si dielli; nuk dihet kurrë se cilat rreze i ka më të bukura, ato kur lind apo ato kur perëndon. Ekstasisi zbukuron vetveten me bukurinë e trupit të vet.
    Kanë kaluar shumë vite që edhe unë nuk kam pasur rastin të shoh ndonjë peshk të tillë. Kot sillem buzë lumit, i afrohem vendit ku ai buron. Ka një peshk të ngjashëm me Ekstasisin, por lehtë mund të dallohet se nuk është ai të cilin unë jua përshkruaj. Edhepse edhe ky është shumëngjyrësh mund ta dalloni lehtë se nuk ësht peshk Ekstasis nga ajo se ngjyrat i ka të zbehta dhe jeton edhe nëpër lumenj të ndotur. Simbas të dhënave zologjike Ekstasisin e vjellin njalat, të cilat dy muaj më parë kanë gëlltitur ndonjë vezë peshku të rëndomtë. Kjo do të thotë se ikra e peshkut të rëndomtë çelë në stomakun e njalës e pas dy muaj shëtitjeje nëpër oqeane dhe dete, njala kthehet dhe gjen ndonjë lumë të përshtatshëm për ta nxjerrë nga goja Ekstasisin i cili në atë kohë i ngjan një pike shumëngjyrëshe.
    Ky peshk jeton vetëm tri vjet. Vitin e parë e kalon nën ndonjë gur të madh, ku është uji më i qetë, dhe ushqehet me pështymën e gaforreve trivjeçare. Vitin e dytë e arrin gjatësinë dhe formën e duhur dhe gati pandërprerë noton mbi sipërfaqen e ujit. Gjatë ditëve verore trupin gjithmonë ia rezatojnë dielli dhe hëna. Kur vjen dimri thuase tërë shpinën e mban mbi ujë dhe shpesh e mbulojnë fjollat duke krijuar një ujdhesë të vogël prej bore. Vitin e tretë Ekstasisi shndërrohet në ylber shumëngjyrësh dhe noton pandërprerë duke u larguar nga turmat e peshqve të rëndomtë. Sa me kënaqësi i pret valët, sa madhështor është kur e lëviz bishtin laraman. Tërë ditën e kalon duke lozur me valët e lumit. Në ujërat e qeta ndalet vetëm natën. Është pamje madhështore të shohësh Ekstasisin në orët e natës, kur lumin e mbulon terri; kthehet me kokën nga lindja dhe ashtu i palëvizshëm si ndonjë fëmijë i lodhur nga lojërat e ditës, e ndriçon tërë rrethinën e vet me ngjyrat e shumta. Në këto çaste nuk i afrohet asnjë peshk i rëndomtë, sepse mund të vërbohet nga ngjyrat e tij dhe drita që rrezaton. Derisa ai pushon, i afrohen shumë njala të cilat lozin rreth tij, ia ledhatojnë trupin dhe herë-herë bëhen kinse e kafshojnë, e në të vërtetë e puthin. Si duket Ekstasisi vetëm njalat i adhuron dhe nuk frikësohet prej tyre. Njalat atë e ruajnë natën dhe kur bën t’i afrohet ndonjë gaforre ato i vërsulen dhe e largojnë nga bujtina.
    Në një legjendë thuhet për këtë peshk se kurë nuk ngordh. Ka diçka të vërtetë në këtë thënie. Në të vërtetë ngordhja e tij është diçka e paparë, madhështore dhe enigmatike. Kur Ekstasisi mbush tri vjet, e kjo ndodh gjithmonë nga fundi i verës, ai fillon t’i bëjë pregatitjet e vdekjes. Muaj me radhë kërkon vend të posaçëm për një gjë të tillë dhe i ngjan qiririt që i ndriçon të tjerët e vet digjet. Ndalet në ndonjë pjesë të lumit, ku uji është i qetë dhe shtrati i mbuluar me guralecë shumëngjyrësh. Qëndron ditë me rradhë në atë vend duke pritur çastin e fundit të jetës. Vendin ku ai qëndron e rrethojnë njala të shumta të cilave thuase ndonjë zë sekret ua ka lajmëruar lajmin e dhimbshëm. Herë-herë njalat afrohen dhe e shikojnë të mahnitura nga bukuria e tij, nga ngjyrat të cilat tani janë edhe më të qarta dhe më madhështore se kurrë më parë. Njalat ia pastrojnë vendin ku qëndron, ia largojnë guralecët e mprehtë dhe kullosat ku mund të bëjnë qerdhe insekte të ndryshme. Qarkullojnë rreth tij të shqetësuara, e kafshojnë bishtin e vet dhe e bëjnë copë-copë ndonjë peshk apo gaforre të pakujdesshme e cila u afrohet. Ekstasisi ngordh vetëm natën dhe atëherë kur është hëna e plotë, kur në qiell nuk ka asnjë re. Është fshehtësi e veçantë ajo se si ky peshk në çastin e fundit të jetës së vet vendoset në vend të atillë ku hëna pasqyrohet mbi suprinën e ujit në orët e mesnatës, kur ngrihet në zenit të qiellit. Qëndron me natë në të njejtin vend dhe kur hëna pasqyrohet mbi lumë, duket se ai nuk është në fund të lumit, por qëndron shtrirë mbi hënën. Asaj nate kur hëna e merr formën e vet të plotë, ndodh ai akt madhështor, i cili as që mund të përshkruhet me fjalë. Atë natë Ekstasisi është më madhështor, dhe nga trupi i tij rrezaton më fuqishëm drita shumëngjyrëshe. Njalat thuase e kuptojnë se ka ardhur çasti i ndarjes, formojnë një kurorë të çuditshme rreth tij. Në të vërtetë ato thurrin një rreth. Më në fund, e ndajnë krejtësisht Ekstasisin  nga hapësira tjetër e lumit. Në orët e mesnatës, kur hëna pasqyrohet në vendin ku qëndron peshku, gardhi i krijuar nga njalat është plotësisht i njejtë me hijen e hënës në suprinën e ujit. Në atë çast zhduket uji ku pasqyrohet hëna dhe një fuqi e padukshme nuk u lejon valëve të lumit të depërtojnë nëpër njalat e thurura. Kur krejtësisht thahet uji ku qëndron peshku shumëngjyrësh, dëgjohet një muzikë melankolike dhe peshku zhduket, e gëlltisin rrezet e hënës. Prej diku një zë pikëllues jehon nëpër hapësirë: “Isha thesar i fshehur, dëshirova të më njohin, ju mahnita dhe ju ktheva vetes!” Pastaj, njalat e lëshojnë njëra-tjetrën, lumi merr rrjedhën e rëndomtë dhe vazhdon rrjedhën. Kam vërejtur se pastaj hëna qëndron gjatë e palëvizshme ndërsa njalat notojnë si të çmendura duke goditur me bisht valët e lumit.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  •  
  •