NJË VAJZË NË BREGDET
| Saturday, 06.16.2007, 12:02 AM |  

Deti i turbullt shtatoras dhe plazhi i braktisur janë të bukur jashtë sezoni, kur ajri i zhveshur nga këmisha e thirrjeve njerëzore, është i tendosur mbi tehun e një brisku vetmie. I vetëm vështroj kotësinë e rërës. Kur shkruajmë emrin tonë mbi të, ai humb mbi pafundësinë e milionave grimcave të saj. Ne, më kotë si të verbër në kërkim të dritës, mundohemi ta gjejmë. Shpirti im pilot, thjesht, ka zbritur në të gjithë përmasën e pejsazhit. Eci. Nuk kam asnjë pikëmbërritje. Asnjëherë s'kam pasur një qellim të fatëzuar. Eci me ritmikën e valëve të detit. Me rrahjen gjithmonë shpresëdhënëse të krahëve të zogjve shtegtar. E ndiej veten totalisht brenda pamjes. Aty ku fillon pamja. Aty ku njeriu ka nevojë për më tej. Për më tepër. Sepse është nga natyra e tij i pangopshëm. Nevoja e pashmangshme e menjëhershme të flas me dikë, shndërrohet në mollë të pjekur në pemë, që pret dorën e kopshtarit ta shkëpusë nga fati i përbashkët i degëve. Eci. Një siluetë e bërë njësh me pejsazhin më hyn si halë peshku ndanë sy. Një plakë e veshur me të zeza (si të gjitha mesdhetaret) thërriste drejt një siluete të dytë njësuar me pamjen përreth, drejt një vajze të larguar, përgjatë vijës bregdetare.
"Ana, Ana..." thërriste plaka "Anaaa.."
Zëri i saj mbytej nga zhurma e detit. Vajza nuk dëgjonte aq larg sa kishte shkuar. Pavetëdije u vura në ndjekje të hapave të saj që deti m'i fshinte me valët e tij, njësoj si emrin tim mbi rërë pak më parë. Tashmë edhe unë e kisha lënë plakën shumë pas. Ndodhesha disa hapa larg kurrizit të luspët shpinore të qenies së cilës doja t'i dëgjoja zërin. I thirra. Asnjë përgjigje. I detyruar atëherë i dola në krah. Vështroja profilin e saj. Tipare të ç'rregullta. Sy të shpërqendruar. Gojë si grykë shisheje e lëshuar në detin e pakufi, në të cilën është mbyllur mesazhi që kurrë se lexuam. Vajza këndonte një këngë që me vështirësi e shqiste nga buzët e plasaritura si toka në pritje të shiut. Ndodhesha midis saj dhe këngës. I padukshëm. Ajo magjishëm injoronte gjithçka nga prania ime. Pikërisht tash, që me të vërtetë, doja të flisja me të. Sot vazhdoj të eci. Dikush që dëshiroja t'i flisja më qëlloi i pa gojë. Kushedi se me ç'mënyrë udhëtonte në atë trurin e vet lundërtar? Në tjetër det. Në tjetër plazh. Jo si ky i sotmi këtu, vjeshtor dhe i turbullt.
"Ana, Ana..." i fola edhe njëherë tjetër me intonacione më të ëmbla "Anaaa..."
Por zërin tim zhurma e detit e mbyti. Ndërsa ajo vazhdonte e pafajshme këngën e saj në udhëtim. Ishte një këngë për detin, diellin, si dhe rërën që thërrmohej poshtë këmbëve të saj...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •