XHUNGLA
| Saturday, 06.16.2007, 12:04 AM |  

Një vapë e tmerrshme, prej së cilës bulëza djerse lëshoheshin tatëpjetë ballit, përmes vetullave nëpër hundë, e prej aty pikë...pikë... rrëzoheshin përdhe, karakterizonte klimën për-rreth.
Që pylli ishte i tejskajshëm kjo të binte lehtë në sy, sepse ishte një pyll i madh i mbuluar me drurë dhe shkurrnajë të dendur. Një pyll i tillë e kënaqte pa masë imagjinatën time të sëmurë për të patur rreth vetes natyrë pa kufij, ku syri të ngopej me larminë e ngjyrave të pafundme.
Xhungla shtrihej tejembanë me qetësi misterioze të ndërprerë shpesh herë prej britmash të frikshme që thyenin kontrastin e ditës, njësoj si helika e një helikopteri policie në orët e para të mëngjesit, i vënë në ndjekje të keqbërësit.

- Kjo është xhungla... - fillova të rrëfehem përballë oficerit të emigracionit në fytyrën e të cilit ndiheshin dukshëm nota indiference dhe mospërfillje.
- Xhungla ime, në të cilën pa e kuptuar hyra në fillimin e viteve '90.

Në ‘të ecej me zor të madh, duke çarë shkurrnajën me vështirësi. Përpara meje printe gjithmonë shoqëruesi im, një engjëll zezak, rreth të dymbëdhjetave, trupshkurtër, me dhëmbët rruazë të bardha, buzë të trasha, dhe kaçurrela të ashpra, i cili më kishte treguar gjithçka që karakterizonte këtë vend me pafajësinë e të qenit i pafajshëm, sepse ishte një engjëll.
Printe vazhdimisht gjatë gjithë rrugës sime, e ndërsa hapte shtigje të reja, kisha mundësi gjatë gjithë kohës të shihja veç krahët e tij të bardhë e të mëdhenj pupëlor mbi shpatullat e zeza, që i jepnin vlera të cilat nuk mundej t'i kishte një engjëll i racës së bardhë, sepse do t'i mungonte pikërisht kontrasti midis dy ngjyrave ekstreme që ngjyrosin botën.
Përgjatë degëve shfaqej ndonjë gjarpër i madh fërshëllyes. Hapësirën e përtejme e çponte ulërima e ndonjë kafshe të egër që nëpërmjet forcës demonstronte kufijtë e territorit të vet.
- Në xhungël - më thoshte engjëlli im - çdo gjë është e ndërtuar në bazë të forcës të atij që mbijeton zotëri. Një lloj jete ku ligjin e bënë më i forti.

- Cila ka qenë arsyeja që të ka shtyrë të vije gjer këtu? - më pyeti krejt i ftohtë oficeri i emigracionit.
- Ndoshta, kërkimi i vetvetes - thashë.
- Si ta kuptoj këtë?
- Si përpjekje për një jetë më të mirë, në të cilën të kem mundësi të kuptoj më mirë aftësitë e mia zotëri.
- Pse, çfarë ju ka munguar në vendin tuaj?
- Krejt vetvetja...

- Cilat gjellë pëlqeni më tepër imzot? - ishte udhërrëfyesi im kësaj here që po më pyeste si gjithmonë për gjëra të kota në pamje të parë, por, që për ‘të kishin rrëndësi ekstremisht të veçantë, sepse nuk mund t'i shlyenin nga kujtesa përvojën e asnjë dite të uritur të fëmijërisë së vet.
E pashë me ngulm në dy sytë e tij, si të një tigri të uritur afrikan.
- Kuzhina mesdhetare. Më pëlqejnë ullinjtë, agrumet, djathi, peshku, verërat, dhe vreshtat e Mesdheut.
- Po tjetër imzot? - vazhdoi ai kureshtjeuritur si gjithmonë.
- I kam dashur të gjitha mëngjeset dimërore së bashku me një kafe të ngrohtë me qumësht të përgatitur nga duart e nënës time. E çfarë nuk do të jepja të rikthehesha edhe një herë atje... - thashë, ndërsa i prekja ato flokët e tij, korkolepsur nga një dorë e ashpër artizanale.
- Po përse imzot?, si ike prej andej?
- Është histori e gjatë, e koklavitur biri im, po të ishte gjithëshka mirë atje, nuk do të isha këtu - thashë, e prej aty kujtimet e mia ja nisën fluturimit të tyre për në Evropë, ku tashmë ka ardhur pranvera dhe zogjtë kthehen nga shtegtimi...

Ndërsa Athina përplaste qepallat e veta të lodhura rrëzë Akropolit, në orët e para të paradites, përmes rrënojave dhe ndërtimeve të reja, mundoheshim në një vend fare të ngushtë të hapnim një gropë të madhe të pakuptimtë, që nuk e di se për ç'arsye do të shërbente më vonë. Ishim katër vetë që punonim brenda gropës. Unë. Një bullgar që ishte spiun i padronit. Një polak që pinte jashtë mase. Një ish emigrant grek, kumarxhi, i rikthyer nga Gjermania pa asnjë dyshkë në xhep. Si dhe padroni, që pinte birë të ftohtë jashtë gropës në një hije atje tej, dhe ngjante tmerrësisht me këngëtarin e njohur grek Jorgo Dalara.
Bënte një vapë e tmerrshme, dhe punonim pa u ndaluar, të mbytur në djersë. Për më tepër, nuk e dinim dhe nuk po e kuptonim përse duhej kjo dreq grope kaq e madhe këtu mu në zemër të Athinës? Që prej një kohe të gjatë ajo punë nuk kishte fund, dhe ishte shumë pak e paguar. Ishte ngushtë, dhe bënte vapë brenda gropës, aq sa u detyrova ta braktis gërmimin.
Një javë më pas në gazetën Τά Nέά, u dha lajmi se në një aksident të papritur kishin humbur jetën tre të huaj në hapjen e një grope urbanistike në zemër të kryeqytetit grek. Njëri kishte qenë bullgari, për të cilin nuk më erdhi keq sepse ishte spiun i padronit. I dyti, polaku që nuk kishte marrë vesh gjë-prej-gjëje nga e gjithë kjo histori, për arsye se nuk i kishte dalë ende pija. I treti, një bashkatdhetar i im, shqiptar, që për fatin e tij të keq kishte vetëm një javë që kishte filluar në atë punë. Çuditërisht emri i grekut mungonte. Si mora vesh më vonë në momentin e aksidentit zari i fatit e kishte shpëtuar ashtu sikurse në një lojë kumari.
Gjersa gropa ngelej përherë e pa përfunduar, dhe gëlltiste jetë njerëzish, vendosa përfundimisht ta lë Greqinë, dhe të nisem në kërkim të fatit tim tjetërkund.

Në Milano mbërrita një natë të ftohtë dimri të vitit 1997. Ishte prag Krishtlindjesh, dhe për shkak të një mospërputhje të orareve, humba trenin që do të më shpinte për në Madrid po atë natë. Jashtë portës së mbyllur të “Stacione Centrale di Milano”, qëndronte një anglo-sakson simpatik, mesoburrë, i cili kishte humbur trenin e vet gjithashtu.
Më çuditi kur e pyeta "Si të quajnë?", dhe m'u përgjigj, "Xhejms Bond"
-Oh, ju lutem, mos u tallni me mua zotëri, - thashë duke qeshur.
Por ai ishte serioz. Më tregoi pasaportën e vet të Mbretërisë së Bashkuar në të cilën shkruhej ekzaktësisht emri në fjalë. U habita. Sidoqoftë më kujtohet se kaluam disa orë së bashku duke u dridhur nga të ftohtit. Në pamjen e parë ai njeri nuk krijonte asnjë lloj imazhi iluziv përveçse atij të agjentit të njohur 007.  Për më tepër mbante edhe emrin e tij në pasaportë.
Filloi të bënte shumë ftohtë dhe vendosa të shkoja në ndonjë hotel. Nga dritarja e taksisë i dhashë një përshëndetje “Bondit”, me jakën e pardesysë të ngritur, i mbështetur pas kolonave të pafundme të stacionit qendror, njësoj sikur të ishte i gatshëm për ndonjë mision sekret në Itali.
U vendosa në hotelin “Sempione”, pranë sheshit “Republica”. Gjithëshka ishte e pastër dhe e rehatshme në atë vend. Fjeta shumë rëndë me ndjesinë se dikush më ndiqte dhe nuk më ndahej këmbë-pas-këmbe.
Si jo shpesh herë në jetën time u zgjova diku rreth orës dhjetë të mëngjesit me dëshirën e vetme që të bëja një banjë, dhe të vihesha në kërkim të ndonjë kafeje përpara se të nisesha për rrugë. Përtej grilave të porsahapura vura re se rrugët i kishte mbuluar dëbora dhe nata e mëparshme duhej të kishte qenë e ftohtë. Mu kujtua Xhejms Bondi, të cilin e kisha lënë atje, përjashta.
Zbrita në barin e hotelit ku porosita një kapuçino, e cila sa s'më ra nga duart, për shkak se barman-i, jo vetëm që ngjante, por, edhe përzemërsisht më tha se quhej Marçelo Mastrojani.
- Nuk ka mundësi, - gati klitha nga kjo seri të papriturash të një-pas-njëshme.
Por, duke më treguar pasaportën e vet të Republikës Italiane, vura re se mbante me të vërtetë emrin dhe mbiemrin e aktorit të njohur.
Ndërsa tranzit kalonim nëpër Francë, në tren, nuk do ta besoni po t'ju them se u njoha me një student i cili njërën këmbë e kishte të prerë e quhej ekzaktësisht Artur Rembo.
Atëherë nuk prisja gjë tjetër nga ky udhëtim i çuditshëm, veçse, që me të mbërritur në Spanjë të “takohesha” me Frederiko Garsia Lorka-n e ringjallur. Por nuk ndodhi kështu. Kalova një natë të cilën nuk kam për ta harruar në hotelin “Asturias” në Madrid.
Kisha dhimbje koke dhe fjeta tmerrësisht keq duke ëndërruar se po shkoja së bashku me Lorkën drejt vendit të pushkatimit.
Në mëngjes e mblodha veten. Telefonova në Shqipëri. Prej ku më njoftuan se në mungesën time të këtyre kohëve një grup banditësh në Berat, nën kaosin që ka përfshirë vendin, kishin vrarë Robert Kolanin, mikun tim të fëmijërisë.
Mu duk kjo një parandjenjë e brendashkruar brenda ëndrrave të një nate të mëparshme. Kisha ëndërruar, pas pushkatimit, së bashku me Lorkën, shpirtin tim të hipur, në një kalë të bardhë me flatra, që vjedhurazi kishte shpëtuar nga mitologjia greke. Ikte. Tutje. Nëpër erë...

Me një aeroplan të shoqërisë “Iberia”, i cili për çudi si simbol mbante një Pegaso, u ngrita në qiell, duke e lënë pas tokën e kontinentin plak. Po bëja realitet një ëndërr të gjatë duke u nisur drejt një jete më të mirë. Por, gjithëshka nuk ndodhi sipas parashikimeve që kisha bërë. Mbi Atlantik aeroplani e humbi për shkak të erërave të forta drejtimin e vet drejt Amerikës, dhe në vend që te mbërrinte në Tokën e Premtuar, humbi në xhungël. Në të gjithë personat e humbur të kërkuar të kësaj historie vetëm emri im nuk ishte ai që duhej të ishte, sepse e kisha përshkuar Evropën, gjatë gjithë udhëtimit tim, me një pasaportë fallco, si refugjat, në të cilën nuk ishte shënuar identiteti im i vërtetë.

- Me të vërtetë e pabesueshme dhe e çuditshme historia jote, zotëri - tha i pakënaqur oficeri emigracionit.
- Jo aq e pabesueshme sa kjo që do t'ju tregoj më pas, zotëri  -  thashë.

- Uii... uii... uiiiii... 
E preu hapësirën një klithmë tipike majmunësh. I trembur shtrëngova fortë pushkën që mbaja ndër duar. Por ishte engjëlli që ma kapi duke e ulur poshtë grykën. Duke më bërë shenjë të qëndroja sa më gjakftohtë. Me gisht shënoi pikën prej ku duhet të shihja, diku lartë midis degëve të pemëve, nga vinte zhurma.
- Po ndodh çfarë? - pyeta me zë të ulët.
- Po ndodh diçka që nuk e keni patur fatin ta shihni më parë. Shikoni atje lartë. Kemi përpara syve një gjueti majmunësh, imzot - m’u përgjigj me ata sytë e tij të vëmendshëm të cilëve nuk u shpëtonte asnjë detal nga ato që ndodhnin në makinerinë xhunglative.
- Gjueti majmunësh? Nuk po kuptoj se çfarë është kjo? - e pyeta i habitur.
- Shiiiit ! - më bëri shenjë të heshtja me gishtin e zi të vendosur vertikalisht mbi buzët e veta të trasha. Nuk bëra zë dhe vështrimin e hodha përtej degëve andej nga zhurmat sa vinin dhe shtoheshin.
- Haaa... huuu... hooo...
Një majmun me trup mesatar kacavirrej sa nga një degë në tjetrën, i ndjekur për jetë a vdekje nga një grup majmunësh të jo së njëjtës racë me të. Poshtë degëve një grup tjetër të cilët duhet të ishin femrat dhe fëmijët e bashkësisë e shoqëronin  ndjekjen me thirrje histerike. Nga njëra degë në tjetrën, nga njëra pemë në tjetrën, nga një nivel më i lartë në një nivel më të ulët, ndjekja vazhdonte të bëhej edhe më e ashpër. Stimulohej gjithashtu edhe nga thirrjet e panumërta që sa vinin dhe shtoheshin.
Viktima është një majmun i një race tjetër që nuk bën pjesë në këtë bashkësi, - filloi të më shpjegonte engjëlli, - kurse ndjekësit nëpër degë janë meshkujt e kësaj bashkësie. Ato që sheh duke thërritur me histeri atje poshtë, janë femrat e bashkësisë. Kurse të tjerët, janë fëmijët, të cilët thërrasin të entuziazmuar nga kjo skenë, pjesëtarë të së cilës do të bëhen më vonë, ndërsa do të rriten.
Viktima i trembur nga thirrjet e panumërta gjithandej, i ndjekur këmba-këmbës, filloi të tregojë shenja lodhje që e bënin të zbriste gjithmonë e më poshtë. Gjersa një moment dora e fuqishme e ndjekësit kryesor e shkëputi nga më e afërta degë dhe e rrëzoi drejt tokës. Aty ishte fundi. Në një kohë të shkurtër mbi të u hodh e gjithë hordhia e meshkujve të cilët e godisnin me ç'të mundnin. Me grushte, gurrë, shkopinj, në trup, e në kokë. Më tej ia shqyen barkun me thonj, ende pa e lënë të jepte shpirt përfundimisht. Ia çanë kokën me një gurrë të madh.  Të gjithë të mbledhur rreth tij filluan të mbllaçitnin pjesë nga organet e përgjakura ende të ngrohta. Shihja se si nga buzët e tyre të pështira pikonin pika gjaku të freskëta. Dëgjoja thyerjen e gjymtyrëve dhe brinjëve të viktimës të përzier me thirrjet e gëzuara të fëmijëve dhe hungërimat e uritura të të riturve. Shqyerja e zhapave të barkut, zorrët e varura nëpër degë, më bënë të ndihem jo mirë, dhe me kokën mënjanë fillova të nxjerr gjithçka nga brenda stomakut. I ziu engjëll duke më parë me ata sytë e vet të pafajshëm, njëfarësoj me atë zgjuarsi dhe dije që e karakterizonte në shpjegimin e situatave të tilla, duke më mbajtur ballin, tha:
- Kjo është diçka e natyrshme, në xhungël, çdo gjë është e natyrshme, çdo gjë është e lejueshme...
Duke e shtytur fortë larg vetes iu hakërreva në fytyrë i nervozuar:
- Cila është e natyrshme?, që një majmun të shqyej në këtë mënyrë kaq makabre një majmun tjetër?!
- Natyrisht, gjithçka është brenda rregullave të lojës së xhunglës imzot - më tha me fytyrë të trembur.
- Si? E natyrshme është kjo skenë? - ulërita duke ia shkulur krahët e bardhë nga shpatullat e zeza.
- Kjo është e natyrshme atëherë?... kjo që do të bëj tashti? - thashë, dhe me grykën e pushkës drejtuar drejt turmës, godita mu në kokë kryetarin e bashkësisë, pikërisht atë që ishte edhe ndjekësi dhe ekzekutuesi kryesor i viktimës. Me rrëzimin e tij sa gjatë e gjerë mbi tokë e gjithë turma tjetër u shpërnda e frikësuar në panik. Përmes heshtjes së sapo krijuar dëgjoja pas vetes zërin e engjëllit.
- Ti nuk duhej... nuk duhej ta bëje këtë gjë... - thoshte përmes të qarave të ngashërrimtare - ata ishin brenda natyrës së tyre. Nuk kishe të drejtë të qëlloje. Nuk ke të drejtë të prekësh krahët e mi. Nuk ke të drejtë... - lotët e mbytën ndërkohë.
- Briri im, ata e meritonin, - i thashë i bindur në gjithçka që kisha bërë, dhe më tej për ta qetësuar vazhdova - Sa për krahët e tu mos u mërzit. Do të blej të tjera në supermarket apo në dyqane mode sapo të mbërrijmë drejt tokës së premtuar, ose të bekuar, si të duash mund ta quajmë, në perëndim.
U qetësua. Vazhduam rrugën duke lënë pas gjithçka.

Oficeri i emigracionit po më shihte me ngulm si të ishte përballë një formule algjebrike zgjidhja e së cilës po e mundonte së tepërmi.
- E më tej? Ndodhi çfarë, më tej? - më pyeti për të parën here me sy kureshtar.
- Asgjë e veçantë - thash indiferent  - Një njeri i vetëm nuk mund t'i ndryshojë dot ligjet e kësaj bote...
Ai më pa gjithë dyshim dhe ngaqë kureshtja po e brente më pyeti:
- Po me engjëllin çfarë u bë?
Për të parën herë gjatë gjithë kohës së intervistës sime po vëreja se oficeri ishte një person i racës së zezë, seriozisht kureshtar.
- Ah, se për pak harrova. Me të mbërritur në perëndim atij nuk i pëlqyen krahët e shtrenjtë engjëllor “Made in Armani” që i bleva; "nuk janë të vërtetë" më thosh’,  ndaj dhe vendosi të qëndronte ashtu pa krahë, me këmbë në tokë. Nuk e di se ku bëhet tashti, por nga një telefonatë e disa kohëve të mëparshme më thoshte se shpërndante pica në Bronks të Nju Jorkut. Ishte i kënaqur dhe fitonte jo keq.
- Okej zotëri, jeni i lirë, mund të shkoni tash e të prisni një përgjigje nga ana jonë se ç'do të bëhet me ju - më tha me sy që i ndrisnin i bindur se e kishte gjetur zgjidhjen e formulës algjebrike e cila e kishte munduar kaq shumë.
Porsa dola nga zyrat e emigracionit, brendia e së tashmesëshkuarësëardhmes nuk konfiguronte veçse si një “zero e madhe absolute”, që të jepte idenë se diçka ndryshon...

Nën këpucët dimërore ndjeva se si akulli i trotuarit thyhej poshtë këmbëve të mia, duke e krahasuar zhurmën e tij, me thyerjen e gjymtyrëve të asaj qenie të pafajshme, që më kishin zënë sytë në atë gjueti majmunësh.
Imazhi i xhunglës më shoqëronte në të gjithë kohëzgjatjen e hapave nga ndërtesa e zyrave të emigracionit gjer në barin e cepit të rrugës, ku më prisnin miqtë e mi për të kthyer ndonjë gotë së bashku.
Gjatë rrugës ndihesha i lumtur që kisha mbërritur gjer këtu përmes këtij dimri të shtruar nga dëbora.
Veriu i largët kishte diçka parajsore dhe në të mbusheshe lirshëm me frymë.
Me të hyrë në barin e ngrohtë menjëherë u ndjeva si në shtëpinë time.
Aty ishin të gjithë personazhet e kësaj historie, duke i afruar njëri tjetrit për të pirë. Të lumtur ata flisnin e qeshnin me zë të lartë.
Në fakt në një pikë nuk i kisha treguar të vërtetën oficerit të emigracionit, në lidhje me engjëllin që më kishte shoqëruar në xhungël. Përveç armëve dhe rekordeve policore në jetën reale, ai ishte rebel, dhe nuk punonte si shpërndarës picash në New York, por shiste dhe konsumonte njëkohësisht marijuana, si duket për të kujtuar dhe ngelur brenda kufijve të kohës parajsore kur kishte qenë një engjëllfëmijë.
Në krahun tjetër, miku i fëmijërisë sime Robert Kolani, ishte shndërruar tashmë në një engjëll.
Pronari grek Vasili, që i ngjante këngëtarit  Jorgo Dalara, si dëshirë të vetme të jetës së tij kishte patur këngën ndër deje, e meqenëse nuk e kishte realizuar si ëndërr, u pinte gjakun punëtorëve të tij refugjat, duke i shfrytëzuar si skllevër të kohëve moderne.
Bullgari kishte filluar të pinte jashtë mase për të gjithë kohën e humbur të spiunllëqeve të tij në mërgim.
Në të kundërt polaku e kishte ndërprerë plotësisht pijen dhe i ishte përkushtuar punës dhe familjes.
Bashkatdhetari im ishte rikthyer në atdhe, me një thes me rrecka për të katër fëmijët e tij, që i priste një fat jo më i mirë se ai i babait të tyre.
Kurse Kosta, kumarxhiu i vjetër grek, në ditën që kishte vdekur nga pleqëria, u kishte kërkuar të afërmve të tij që ta varrosnin së bashku me zaret e kumarit.
Xhejms Bondi, emri i vërtetë i të cilit ishte Lary, ishte një irlandez-verior nga Belfasti, nën pseudonimin “The Edge”, që kërkohej nga shërbimi sekret britanik për aktet e veta.
Marçelo Mastrojani dhe Artur Rembo ishin veçse tipa romantik e ëndërrimtarë. Njëri, fshatar sicilian i punësuar në veri, në Milano. Tjetri, homoseksual parisian, student letërsie i ngelur në vjeshtë. Një jetë të tërë kishin ëndërruar të bëheshin ata që nuk ishin bërë dot kurrë.
I përjetshëm poet kishte ngelur Lorka edhe mbas pushkatimit të tij nga fashistët në Spanjë.
Ndërsa unë, jam akoma në kërkim të një identiteti të përjetshëm për një jetë më të mirë së bashku me personazhet e mi.
Ah, se për pak harrova, oficeri i emigracionit që nga koha e diktatorit Dyvalie e kishte braktisur Haitin, dhe ngaqë kishte dyshime se e shoqja e tradhtonte me një tjetër person të racës së bardhë i shikonte të gjithë njerëzit me mosbesim. Ndaj nuk jam shumë i sigurt nëse e besoi historinë time apo jo.
Përsa u përket të gjithëve ju, që e njihni tashmë këtë histori, me zë të lartë duke ngritur kupën time, sinqerisht ju them:
- Gëzuar të dashur miq!
- Gëzuar! - ma kthyen shëndetin  personazhet e mi nga të gjitha ambientet e barit të jo-fort-ndriçuar, dhe filluan të duartrokisnin me admirim pa qenë nevoja të kuptonin nëse kjo histori u përkiste edhe atyre në një farë mënyre ose jo, sepse ishin pjesë e saj. Unë krijuesi i tyre, ose, krejt e kundërta. Teksa dëgjohen duartrokitje, të qeshura, thirje të gëzuara, ndihet vet e qeshura dhe zëri im me droje duke thënë:
-Ju faleminderit! Ju faleminderit të gjithëve, që më krijuat...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •