ATDHE I KUJT JE TI?
| Saturday, 06.16.2007, 12:09 AM |  

Ndërsa nata rrëzohet dhe Qielli fillon Shpirtit t’i afrohet,ndër ëndrrat e mia të arratisura vjen Berati.
Qyteti im i kapur prej dore me zhgjëndrrën (si të vinte prej Kashtës së Kumtrit, prej një tjetër bote) zbret tatëpjetë rrugës së Kalasë. I dëgjoj shpesh hapat e tij si pentagram sonatash të pashkruara mbi gjoksin tim të shndërruar në kalldrëm... Kalldrëmi mesjetar i Antipatreas me trokitjet e kuajve të Muzakajve dhe Vrionasve, rend rrugicave të Mangalemit, Kalasë, Gorricës dhe Urës mesjetare, që përbëjnë arkitekturën post-shpirtërore të shpirtit të qytetarit të ikur përtej mureve dhe kodrave me ullinj të qytetit të vet.
Ose më saktë, jo. Nuk janë hapat e tij. Ai gjithmonë aty ka qenë i palëvizshëm për më tepër se 2450-vjet. Janë hapat e mia vocërrake teksa me dy feta bukë të lyera me margarinë, pantallonat e shkurtra me dy gjunjë të gërvishtur si kutë-e-cingla, me koriçka të mpiksura gjaku, nga ndjekja e topit të futbollit në lagjen "22 Tetori" (nuk më kujtohet çfarë feste ka qenë kjo?,shkoja për në kopshtin "Konstantin Leka". Aty buzë rrugës për Kala, teksa fillonte zanafillën e vet e përpjeta. Në krahë të majtë, ndërsa ngjitesha, si në portat e një fillim-kufiri-jetësor metaforik, gojëmadhe dhe e madhërishme qëndronte Porta e Pashait. Pashait sot, askush nuk ja mban mend emrin. Por Porta me konturet mesjetare e ngritur nga energji skllevërish është ende aty.
Pas tre dekadash më vjen ndër mendje ai moment fëmijërie, ndërsa regjisorja e njohur e filmave për fëmijë zj. Xhanfize Keko, trokiti në portat e kopshtit "Kostandin Leka" në kërkim të personazhit të fundit që do e plotësonte ansamblin e aktorëve-fëmijë, për filmin "Tomka dhe shokët e tij" i xhiruar plotësisht në Berat, prodhim i "Kinostudios Shqipëria e Re". Ishte viti 1976. Fëmijë 5-vjeçar fillova të trashëgojë jetën nëpërmjet syve të kinemasë. Trashëgimi të cilën ndër vite e humba. Por që nuk kam humbur akoma zërat dhe thirrjet e asaj kohe që pastërtish ende i dëgjoj:
- Hej Guri do vish të bëjmë kala me baltë?! - dëgjohet një zë fëmije përtej sekuencave të filmit. Dhe personazhi i Gurit (unë doravet pa breçka) ashtu si me të vërtetë vocërrakët kridheshin në ujërat e lumit Osum përgjigjet:
- Ehu, unë do lahem!
Dhe që prej një ledhi të atyshëm : Bëlldummmm... Drejt e në rrjedhën e ujërave të Osumit. I kredhur në pështjellime të kthiellta. Shpesh herë të turbullta e plot baltë (gjanicë). Të rrjedhshme e të rrezikshme ndërsa shpesh kanë gëlltitur jetë fëmijësh. Të helmuara më vonë nga pesticidet e uzinës së baterive në Poliçan. Në disa vende lumi ishte i shtruara e i hapura nëpër zallishte. Dhe shpesh i vrullshëm pas shkëmbinjve të pllakave përfund “zarizanit”. Osumit i takonte kryqi i hedhur në çdo 6 Janar (dita kur jam i pagëzuar) në ditën e Ujit të Bekuar, ndërsa çunat e Beratit duke u dridhur prej të ftohtit së bashku me kryqin shpresonin në një të ardhme më të mirë. Plot hije dhe elegancë përposhtë rrapeve dhe parmakëve i gjunjëzuar midis këmbëve të Urës së Gorricës, teksa për kushedi se sa e sa jetë Osumi vazhdon pelegrinazhin e tij. Të gjitha këto metrazhe të një filmi bardh e zi prodhim tashmë i "Kinostudios Shqipëria e Vjetër". Film të cilin aq fortë do të dëshiroja ta shihja edhe një herë në sallën e kinemasë së qytetit tim, në atë vend ku fantazia edukohej dhe merrte krahë nën fluturime ëndrrash dhe realitetesh fëminore. Por nuk është e thënë. As e shkruar në rrotën e fateve. Në vitin e mbrapshtë 1997 kinemanë e qytetit e pushkatuan nën breshëri të çmendur kallashnikovësh skizofrenik. Muret e saj të zhgaravitura, gërmadha të turpshme, xhama të thyera, ende në këtë gjendje janë edhe sot. Kjo mjafton që të kuptosh, se si arti shqiptar frymon nën dihatje astmatike. Mjafton ky fakt që të besoj se Berati ka nevojë më tepër për qytetarë, se sa për emra heronjsh.
Por edhe plumbat e kallashnikovëve mbaruan një ditë. Dhe ajo çka ngeli ishte(është)përsëri imazhi i Beratit. Në lindje përherë mali i Tomorit. Në perëndim përherë mali i Shpiragut. Midis të dyve Kalaja. Nga ballkoni i ish shtëpisë time në qendër të qytetit prej katit të pestë përherë ky imazh më ka pas shoqëruar në historinë e legjendës e cila thotë :

Na ishte njëherë një djalë i fortë e shtatlartë që quhej Tomor. Në dashuri ra me vajzën më lozonjare të quajtur Kala. Me atë i dashuruar ishte edhe një tjetër djalë i bukur shtatshtruar i quajtur Shpirag. Të dy për një dashuri të vetme e të përjetshme rranë në dyluftim. Tomori e nxori shpatën dhe trupin i preu Shpiragut që edhe sot po ta sodisësh i ndarë në vija-vija është. Tjetri topuzin shtriu tej nëpër erë dhe trupin e Tomorit gropa-gropa e bëri. Edhe sot i tillë ka mbetur. Kalaja (Ah lozonjarja! E bukura!), duke i parë djemtë në dyluftim, filloi të qajë për plagët e tyre, dhe lotët e saj formuan lumin Osum!

E kam si tashti mu përpara syve në imazh të pashlyeshëm krejt qytetin prej së larti. Jo nga poshtë. Por pikërisht prej së larti. Mbi kodrën në zemër të qytetit. Të veshur me pisha, mbuluar me shkëmbinj ku kryeneçësish i kacavjerrur midis qiellit dhe tokës, jetës dhe vdekjes, për të parën herë mësova se ç'shije kanë buzët e vajzave të ndrojtura të qytetit tim? Se ç'shije kanë vargjet e para kur ende nuk di se si duhet t'i shkruash ato? Atje. Në majë. Në rrethina të mureve të kështjellës. Shumë afër dhe pothuajse jashtë saj...
...Jashtë saj. Në rrjedhën e lëvizshme të rrugëve në South Boston, ndërsa në orët e para të mëngjesit autobusin e linjës pres. Bën ftohtë. Një i ftohtë qensh që ti ngulin dhëmbët thellë, me kafshime gradësh nën zero. Dhe mundohem të mblidhem fortë pas palltos time. Dhe nuk gjej të ngrohtë.
- Në çfarë orë duhet të kalojë autobusi i ardhshëm i linjës? - pyes një vajzë përbri.
- Unë nuk di - përgjigjet ajo me një anglishte të kafshuar.
- Ti je e huaj këtu? - e pyes.
- Po jam Gjermane nga Berlini - më thotë - Ti di se ku është Berlini?
- Natyrisht - i përgjigjem - Unë jam nga Berati. Nuk besoj se e ke dëgjuar ndonjëherë. Qytet shumë më i vjetër se Berlini. Qytet shumë më pak i njohur se Berlini.
Berlin - Berat – Boston, ngjasojnë dhe aspak nuk ngjajnë me njëri tjetrin. E përbashkët është veç shkronja e parë. Por ajo që vjen më pas refuzon ta mbyllë vetveten tek B-ja. Dhe nuk e di, për dreq, se çfarë lidhje kanë të gjitha këto. Veçse ajo çka ndër mëndje më rrihte dhe zhvishte përgjatë krejt udhëtimit tim të mëtejshëm, i maste dhe kontrollonte impulset e zemrës time, më ekspozonte krejt lakuriq (si atëherë fëmijë pa breçka, i pavetëdijshëm, drejt e në rrjedhë të lumit të qytetit tim) ishin vargjet e poetit (Beqë Cufaj, Gjermani),që e trembnin dhe ndillnin njëkohësisht të ftohtin e këtij mëngjesi, nën rrjedhën e vërtetësisë, përgjatë venave poetike që kishin aq shumë për të kumtuar, gjithçka, ose thjesht asgjë:


Atdheu

(Dialog i imagjinuar i cili do të fillonte aty edhe ku mbaron)

Për ty Atdhe shumë njerëz thonë se të kanë
At e Dhé. Për ty shumë të dijshëm
e padijshëm lot derdhin. Ti e ke fuqinë
të gjitha t´i kesh. Trolli yt është i lashtë, qielli
i pambërrishëm, njerëzit pos Zotit e teje askujt
s´i takojnë. Edhe zogjtë, lumenjtë, fushat, gurët, detërat,
dhembjet, fëmijët, ëndrrat... Pushtuesit, poetët,
të dashuruarit, të tradhtuarit, trutharët!... Të gjitha
tuat janë... Edhe jeta edhe vdekja. Vetëm diç s´kam të qartë
Atdhe,
I kujt je Ti?


Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? Atdhe i kujt je Ti? ...

Boston, Nëntor 2005



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •