LAMTUMIRË FJALË!
| Saturday, 06.16.2007, 12:11 AM |  

( Polemikë apo Elegji? )


Në librin Brihadaranyaka – Upshanishad , gjendet fabula e Hinduve ku përshkruhet fragmenti i zbërthimit të fjalëve “Datta, dayadhvam, damyata”, fjalë që lëshohen shpateve të malit Himavant, njërit prej përbërësve të maleve Himalaje, fjalë që zbresin mbi qeniet njerëzore nga maja më e lartë e planetit, përpos zërit të bubullimës. Fabula flet për zotat e njerëzve dhe demonëve, që me radhë iu lutën at Prajapatit me fjalët “Folna , o Zot!”. Çdo grupi të veçantë Ai ia kthehu përgjigjen me një të vetme rrokje: “Da”. Secili syresh e shkoqiti atë rrokje të vetme të bubullimës sipas mënyrës së vet. Disa prej njerëzorëve e interpretuan si fjalën “Datta” (që do të thotë: jap lëmoshë). “Da” tha bubullima, dhe të tjerë e interpretuan si fjalën “Dayadhvam” (që do të thotë: ushqej dhembshuri). Të tjerë nuk nguruan ta interpretojnë madje si fjalën “Damyata” (që do të thotë: ushtro vetëpërmbajtje). Pra me një rrokjezim të vetëm të Fjalës së Qiellit, u gjithpërfshinë dhënia e ndihmës, dhembshuria dhe  vetëpërmbajtja.
Fjala në të folmen zakonore shqiptare, në këngët epike dhe legjendat, ka një karakter të gjithëpushtetshëm mbi ndërgjegjen e çdo individi, si të jetë e diktuar prej së larti, ku çdo funksion i saj ndërlidh fate jetësh njerëzore. Shprehjet “I kam dhënë fjalën”, “Ia kam marrë fjalën”, “Fjala vret më tepër se pushka”, “Fjala shëron”, “Jam në besë të fjalës”,etj, i japin fenomenit Fjalë, një karakter mitologjik ndër shqiptarët. Fjala, për Grekët e lashtë do të thotë Logos, dhe “logos” përfshinë çdo lloj komunikimi. Mund të shqipërohet edhe si Mesazh. Te Ungjilli sipas Gjonit thuhet: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë. Në fillim, (kur Perëndia krijoi gjithçka), tashmë ishte Ai që quhet ”Fjala”. Ky kishte qenë gjithmonë me Perëndinë dhe ishte vet Perëndi. Në Atë është jeta; dhe jeta ishte drita e njerëzve... Dhe Fjala u bë mish, dhe jetoi mes nesh, dhe ne pamë lavdinë e Tij, Lavdia e të vetëlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” Për Shën Gjonin Fjala ka një domethënie të tillë saqë ai e përdor për ta njëjtësuar me Krishtin, por njëherazi, ajo shërben për të siguruar identitetin e qenieve njerëzore, shkruan Dr. Hart Wegner.
Me tingujt e parë të zilkave diabolike të celularëve që njoftuan mbërritjen e kohëve moderne dhe ndërprerjen e fjalës burrërore të bisedave në mes miqsh; me betonimin e pa shpirt të bregdetit të Durrësit ku gjysma e tabelave mbartin emra të huaj dhe gabime drejtshkrimi; me ndotjen e ujërave dhe dhunimin e shtratit të lumenjve; pothuajse qiellgërvishtjen e plotë të Tiranës; me shkatërrimin natyral dhe arkitektonik në mbarë vendin; me kufizimin e pamjes ku të merr malli të përqafosh një degë të vetmuar pishe, apo të puthësh një lule të vetme, që përbën shpirtin e ekzistencës; me konservimet e mërzitshme televizive dhe me mishin e tymosur të fjalëve mediatike; me kompjuterizimin dhe dixhitalizimin e të menduarit të lirë; me asfiksimin e gjuhës shqipe në bunker; Fjala, gjithmonë e më pak ngelet e gjallë ndër libra të bukur-shkruar; edhe këta dyshues disa herë në krahasim me epideminë që rritet duke zbehur imunitetin shpirtëror të një brezi rinor që pothuajse nuk shfleton asnjë faqe letrare, që ushqehet nxitimthi me hormonet e sandviçit të shpejtë, Made in McDonnald’s, të globalizmit të atij brezi që haptazi e konsideron poezinë si ushqim që u bie shtëng në stomak, dhe që u djerrit kohën e ekspozimit të llapës që shpërvilet ditë-kafeneve. “Mendoj se poezia e vërtetë, shkruan Xhim Morrison, nuk përpiqet të thotë, ose deklamoj, diçka. Ajo thjesht të jep çelësin e mundësive, ose përzgjedhjeve. Të hap të gjitha portat. Ti mund të hysh në cilëndo prej tyre që e ke të hapur përpara vetes, dhe që e shikon të arsyeshme. Dhe është kjo besoj arsyeja e vetme, që arti poetik ka kaq shumë vlera sepse të drejton drejt përjetësisë. Ai është i përjetshëm. Për aq kohë sa njerëzimi do të ekzistoj do të ketë fjalë, dhe kombinime artistike fjalësh. Asgjë tjetër, nuk mundet të mbijetojë kundrejt shkatërrimit total përveç poezisë, vargjeve dhe këngëve.”
A ka ardhur koha të themi: Lamtumirë Fjalë!? A duhet konsideruar kjo, si një polemikë, nga ana jonë, që e mbajmë ende veten të shtrënguar fort, me besë e me shpresë, brenda besimit të urdhrit të Fjalës? Brenda familjes së nderuar të bibliofilëve. Apo mos thjesht diskutimi ynë ka trajtat e një elegjie pak çaste përpara se terri të bjerë ngadalë? Unë kam besimin se do të jemi gjithmonë mirë brenda kufijve ku idetë tona mbeten tërësisht njerëzore. E meqenëse Fjala, e ka gjithmonë me vete këtë bekim, për të qenë ashtu si ne, e pagëzuar me frymë përjetësie në të ardhme, e përbërë prej mishi e prej gjaku në të tashme, gjithmonë: Për aq kohë sa njerëzimi do të ekzistojë, atëherë, do të kemi vazhdimisht këngë dhe poezi në sofrën e shoqërisë. Në qoftëse fjala e bukur e poezisë, ka shtënë tek ju urtësisht diçka, pa fuqimisht asgjë, ose energjikisht gjithçka, ka ndodhur pikërisht sepse ajo ka përcjellë tek njërës të ndryshëm reflektimin e kufijve të karakterit planimetrik të arkitekturës së shpirtit të gjithsecilit, të atyre rrugëve që pikërisht ata kanë parë, thellësisht kanë ndier, totalisht kanë dëshiruar, ende vazhdojnë të ëndërrojnë, të pasqyruara në to.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •