Bisedë me shkrimtarin Flurans Ilia - Flurka
| Saturday, 06.16.2007, 12:12 AM |  

Revista Haemus

Nr. 3 - 4 (28 -29) / 2006

Scripta Manent

BISEDAT HAEMUS CONVORBIRILE HAEMUS

„Përpara se të jesh një shkrimtar i përkryer duhet të jesh një shkrimtar i vërtetë" 

Revista Haemus: I dashur Flurka. Pseudonimi yt "lundërtar pa atdhe", një shqiptari të mërguar ia çon mendjen vetiu tek një "atdhe pa lundërtarë", ndonëse në të gjitha kohërat kemi pasur lundërtarë, madje edhe nga ata që e kanë paguar lundrimin me jetët dhe ëndrrat e tyre. Mirëpo, sado hidhur të tingëllojë, nuk dihet se sa atdhe kemi pasur...

Flurans Ilia: Ka më tepër se 27-shekuj qyshkur është shfaqur Odiseja. I pashmangshëm, për të gjithë ata që në forma të ndryshme rrugëtojnë. Pikësynim i pelegrinazhit mbetet destinacioni drejt ishullit po aq pelegrin, sa edhe vet shpirti i lundërtarit drejt tij. Itaka. E mjegullt nën diell. E prekshme prej së largu. Puthje e trashëguar. Mallkim që e ke gjithmonë me vete. Bekim shpirttrazuar. Nuk kemi mundur ta imagjinojmë Uliksin pa Itakë. Aq sa natyrshëm lind pyetja: a e bëri të tillë Uliksin Itaka?, apo Itakës shpirt i dha Uliksi? Të dyja mitet e përgjumura lundrojnë paralelisht, si dy anije nëpër mjegull, pa "i kapur" sinjalet SOS të njëra-tjetrës. Gjersa brenda një dite të vetme, më 16 qershor 1904, brenda një qyteti të vetëm (Dublin, ose ashtu si vet Xhojsi e ka emërtuar në një pasazh tek "Finnegans Wake" me termin Dalbania), brenda një rrethi ishullor të populluar me aq shumë ngjarje ekzistenciale nga atdheu i individit, shfaqet Leopold Blumi, modeli letrar më unikalisht i përkryer pranë qenies njerëzore. Uliksi modern, personazhi që do të lundroj nëpërmjet përroit të ndërgjegjes, do të ç'mitifikoj mitet, do t'i ndryshoj krejtësisht kahun, jo vetëm historisë së romanit evropian, por edhe vet ecurinë e fatit "lundërtarit pa atdhe", duke e ngujuar njëherë e përgjithmonë në një "atdhe pa lundërtarë". Gjenialiteti i Xhejms Xhojsit jo vetëm që hodhi dritë rreth trupit të njeriut-ishull dhe artit, por zbuloi një nga vatrat komplekse më të nxehta, duke na detyruar me të drejtë, edhe ne shqiptarëve, të pyesim vetvetet: sa atdhe kemi pasur dhe kemi? A nuk ishin Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Martin Camaj, etj, "lundërtarë pa atdhe"? A nuk jetuan Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni, Kasëm Trebeshina (ende jeton), etj, në një "atdhe pa lundërtarë"? Ndaj unë mendoj se në të gjitha kohërat ndonëse kemi pasur lundërtarë, edhe nga ata që e kanë paguar lundrimin me jetët dhe ëndrrat e tyre, Atdheu vazhdon të jetë i mjegullt nën diell, i prekshëm prej së largu, puthje e trashëguar, mallkim që e kemi gjithmonë me vete, bekim shpirttrazuar...

Revista Haemus: Nuk të është ndarë për asnjë çast udhëtimi dhe qytetet e veçantë. Berati, Pogradeci, Tirana, Stambolli, Athina, Montreal, New Jersey, New Yorku, Bostoni, etj, kanë qenë vetëm disa nga ndalesat e tua. A të kanë ndihmuar dhe si kaq rrugë për të gjetur rrugën që të përket në letërsi?

Flurans Ilia: Berati nuk është një qytet emblematik, ngaqë është qyteti im i lindjes. Nënvetëdija qytetare 2450-vjeçare flet për një autoritet akoma edhe më imponues, mbizotërues, kundrejt ndërgjegjes së qytetarit të lindur brenda mureve të tij. Me Poradecin qëndron ndryshe, ai është vendi i ngjizjes poetike. Vendi ku fjala shqipe është e kredhur në ringjallje të pazakontë artistike. Unë kam pasur fatin që në Pogradec, të përjetoj Hijen e Llazar Gushos, Dhimitër Paskos, dhe të tjera realitete. U rrita me prezencën e pranisë së tyre të shpërndarë si aromë mollësh nëpër kopshtet e së njëjtës mëhallë. Të dy këta qytete i mbart me vete ngado që shkoj sepse thonë që imazhet e fëmijërisë të ndjekin gjer në çastin e frymës së fundit. Gjë e cila, nuk e di shkakun përse, nuk më ka ndodhur ende, me metropolin e Tiranës, Stambollit dhe Athinës. Ndoshta ngaqë, ashtu si kafeja në zjarr, janë akoma në fazën e mpiksjes, dhe presin temperaturën e duhur për t'u shkumëzuar dhe përftuar ajkën. Kalimthi, një shije kalimtare më kanë lënë Milano, Madridi, Toronto, New Jersey, por gjithsesi shije ama. E ndiej ende shijen apokaliptike të New York-ut, para dhe pas 11 shtatorit, të përjetuar nga afër. Xhungël. Mahnitës. "Big Aple" ka vend për të kafshuar të gjithë një copë. Qyteti i mundësive të mëdha si vet ndërtesat e tij. Gadishulli Cape Cod, pozicionimi gjeografik përballë njërit nga ishujt ku është varrosur i madhi John Belushi, mu në buzë të oqeanit Atlantik në lindje të Bostonit, ku u martova dhe jetova për gati tre vjet, për çdo moment ngelet i pashlyeshëm në imazhin tim pikturë. Për të mos folur më tej për Montrealin, platonë që më ka influencuar më tepër, gjatë krejt udhëtimeve të mia. Përmes dekorit të këtyre qyteteve të veçantë, gjithsecili ka rolin e vet ndihmues në mozaikun e fjalës. Kavabada diku thotë: "Më duket se nuk jam unë ai që di të lundrojë nëpër botë; por është bota ajo që më bën të lundroj". Qytetet, ashtu si detet, e mbështjellin veprën dhe jetën e shkrimtarit me rrymat e erërave që ndesh ndër to. Dhe sa më shumë jam endur gjinjve të tyre, aq më e tendosur bëhej vela, që e shtynte anijen e pavetëdijes sime krijuese, drejt rrugës së vetëdijshme në letërsi.

Revista Haemus: Na thuaj diçka për familjen nga e cila rrjedh dhe për fëmininë. Si mund të përshkruhet trauma nëpër të cilën një fëmijë i njohur anembanë vendit si aktor filmash kalon kur rritet dhe sheh se s’ka rrugëdalje tjetër veç mërgimit?

Flurans Ilia: Nga i ndjeri, im atë, si trashëgim të vetëm kam pasur një bibliotekë të cilën e kam mbrujtur me shumë pasion dhe fanatizëm. Unë flija, studioja, fillova të shkruaj, dhe kuptoj botën në të njëjtën dhomë me shpirtërorët, liderët e mi. Kur mbusha 5-vjeç, pata fatin të familjarizohem me syrin e kinemasë. Platoja e teatrit dhe interpretimet e fjalës artistike më vonë, m'u shndërruan në një familje të dytë. Isha i njohur gjithandej nëpër Shqipëri. Merrja frymë nën lëkurën e fjalës dhe personazhit që e mbartte mesazhin e saj. Në vitin 1990, vit ky vendimtar që do të fatëzonte rrugën time, m'u refuzua e drejta e studimit për gjuhë dhe letërsi, të drejtë që e fitova me numër absolut votash nga shokët klasës dhe nga një paraqitje e shkëlqyer konkurruese në rang republike në UT, për të vetmin fakt se kisha mesatare të dobët në shkencat ekzakte. Dhe po në të njëjtin vit, kur rinia shqiptare shpërtheu muret e ambasadave, m'u refuzua e drejta e aktrimit me motivacionin absurd "shtatshkurtër". Ishte ende koha e kritereve të shkollës sovjetike, ku aktorët kërkoheshin dymetrosh, zëtrashë, me fytyrë të (s)kalitur nga zbori e aksionet vullnetare. Teatri dremiste ende në djepin e shkollës së Stanislavskit. Kjo përkoi me shembje të dhimbshme dhe ikje masive të të rinjve si unë. Kështu që megjithëse bëra disa përpjekje për t'i mbushur mendjen vetes se duhej të qëndroja, atmosfera e atdheut nuk kishte "klimën" që më nevojitej, ndaj ideja e mërgimit drejt viseve më të "ngrohta", kishte marrë flatra të pakundërthyeshme. Njeriu ndodhet vazhdimisht para pamundësisë për të kuptuar fatin e tij. Ai thjesht, kundërvepron.

Revista Haemus: Si e përjetove ndarjen nga aq qenie dhe gjëra të shtrenjta, mes të cilave s’kishe më jetë, dhe përshtatjen me jetën e re, ku fillimisht s’kishe gjëra dhe qenie të shtrenjta?

Flurans Ilia: Shpesh ikja është e vetmja mundësi më e volitshme se vdekja. E dhimbshme është ndarja nga qenie të të njëjtit gjak, me të cilat ke ndarë kafshatën e fëmijërisë. Por kur kjo kafshatë mungon, dhe gjërat e shtrenjta nuk kanë më jetë, vetveten e gjen jashtë mureve të shtëpisë së përbashkët, larg së cilës do të duhet të fitosh "bukën e përditshme". Vetes i thua "falmë Zot!", dhe e kapërdin dhimbjen me bukë. Të gjithë shqiptarët e mërguar si unë, që e kanë fituar bukën me gjak e djersë, i janë përshtatur jetës së re duke u dhënë pikësëpari jetë qenieve dhe gjërave që gjer dje kanë qenë tërësisht të huaja për ta. Ky është një rrugëkalim i domosdoshëm. Kur mohohet një botë, patjetër një botë e re duhet të pohohet, për të përligjur ekzistencën, vazhdimësinë.

Revista Haemus: Akti i nënës sate, që nisi të t’i botonte dorëshkrimet e fëminisë dhe të rinisë së hershme është krejt i veçantë...

Flurans Ilia: Po. Ashtu është. "Të zgjohesh nga një vizion është ndoshta po aq e dhimbshme sa dhe të lindurit" thotë Xhojsi. E imagjinoni vetë sa e dhimbshme ka qenë ndarja disa vjeçare për një nënë. Ishim të përhumbur në një jetë që nuk e meritonte një fat të tillë. Letërkëmbimet, telefonatat, vinin prej botësh mospërputhëse, si rrathët e ferrit, që lëviznin me shpejtësi të ndryshme, ku koha gjithsesi ikën dhe nuk vjen më. Botimet e para të dorëshkrimeve të mia, më tepër se një akt që ka lidhje të drejtpërdrejtë me librin, si etalon i shpirtit, e konsideroj totalisht si instinkt mëmësor. Ideja për ta rinxjerrë pjellën e vet në dritë, për ta rilindur, nëpërmjet shpirtit ta zgjosh, qoftë edhe nëpërmjet vizionit artistik, qoftë edhe nëpërmjet aktit të publikimit, përmes dhimbjes apo performancës poetike, ratifikon një nga aktet më të fuqishme të psikozës prindërore. Përtej këtij fenomeni të shpirtmadhërishëm, çdo mënyrë gjakftohtë e të parit me kriticizëm të këtyre botimeve, për mua nuk merr asnjë tjetër ndjenjë.

Revista Haemus: Në etapën e tanishme të krijimtarisë sate ndihet një ton pjekurie, një largim i natyrshëm nga patetizmi, por që ruan shijet dhe ngjyrat e një shpirti që nuk heq dorë nga "revoltat" e fëminisë. Si e ndjen veten tani mes prozës dhe poezisë?

Flurans Ilia: Kjo ftesë për intervistë në HAEMUS vjen, pikërisht, pas një kohe të gjatë, të duhur, refleksionesh dhe analizash vetjake. Kam lënë pas duke e thyer Underground-in në të cilin ndodhesha i groposur për vite, me botimin e librave të parë. Etapë fillestare, me të mirat dhe dobësitë e veta, që e konsideroj me shumë kriticizëm dhe rezerva, të kapërcyer. Që nga tetori i vitit 2004, kur paraqita tregimin "Mëngjesi i një ditë të re" në konkursin mbarëkombëtar "Fjala"2004 në Tiranë, gjithëshka filloi të marrë tjetër drejtim. Tregimi (të cilin poeti Ervin Hatibi do ta cilësojë si: "sinteza e vetme e fillimviteve '90, e poetizuar aq sa të merr frymën"), u prit me shumë admirim nga rrethet letrare. Kështu që kapërcimi u krye gradualisht në vazhdim. Së pari m'u desh të denoncoja patetizmi e një pjese të poezisë sime. Vijova të bëj ndarje të përgjakshme midis krijimeve që ja vlenin, ose jo. Të ndalesha së botuari libra, që editoheshin nga shtëpi botonjëse të paprecedentë. Të botoja me shumë gjakftohtësi në shtypin e mirëfilltë letrar. Dhe ta ç'rrënjosja njëherë e përgjithmonë sëmundjen foshnjore të vet-deklamimit. Kjo fazë pjekurie më gjeti më pranë prozës. Mundet të më kishte gjetur edhe në poezi. Por ja që ndodhi me prozën, dhe e marr si të mirëqenë faktin se proza është tashmë për mua një poezi pa luhatje. Natyrisht ka ende rrugë të gjatë. Por ja që e kam kuptuar, dhe e dëshmoj pa modesti, se jam në rrugë të mbarë, në kërkim të vazhdueshëm. Ju, si revistë tërësisht kulturologjike, keni një vizion serioz në përcaktime të fizionomive të këtij lloji. Jo më kotë më ftuat, besoj. Kjo njohje që keni, gjer në karakteristika të veçanta të krijuesve në formim e sipër, tregon përkushtim letrar të mirëfilltë. Kjo tregon se shpirtrat tanë ndërkomunikojnë në mënyrë të pavarur. Kështu ndërtohet dashuria për artin e vërtetë, kulturën, pa kompromis.

Revista Haemus: A ke provuar të shkruash edhe në ndonjërën nga gjuhët e huaja që di?

Flurans Ilia: Të them të vërtetën: jo. Ngurrimi ka qenë gjithmonë më tepër çështje të vetëndjeri, aspak një paragjykim. Mundet të ndodhi në të ardhmen.

Revista Haemus: Si ishte kthimi në atdhe, para një ikjeje tjetër "mbase përfare"? Çfarë gjete "gjallë" dhe çfarë t’u duk se s’kish pasur arsye të mbetej si më parë?

Flurans Ilia: Ndërsa tranzit nga Vjena, mbi hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, shfletoja ndër duar vargjet hyrëse: "Zonë ushtarake, adriatike, Bisht' i Pallës..." nga "Pasqyra e lëndës" të poetit Ervin Hatibi, nga dritarja e avionit vura re se gjendeshim ekzaktësisht mbi kepin Bishti i Pallës, vend ku aeroplani merr kthesën për t'ju drejtuar aeroportit "Nënë Tereza" në Tiranë. Në udhëtimin tim arratisës të vitit 1997 me traget nëpër Adriatik, nga porti i Patras drejt Venecias, e kisha fiksuar, nga deti, kepin e famshëm, në ikje e sipër, në mugëtirë. Po e fiksoja edhe tashti, në ardhje e sipër, nga lartë. Përngjan me të vërtet i tillë, si bisht' palle. Aty e lashë imazhin tim mbi atdheut, dhe po aty po e rigjeja, pas njëmbëdhjetë vjetësh, tek Bishti i Pallës. Këtu do të gjeja "gjallë" varrin e tim ati. Thinjat e të afërmve. Tokën e të parëve. Sytë e nënës. Brezin tim të metamorfozuar. Muret e qytetit. Kufijtë e krahinave. Rrjedhën e lumenjve. Përkundjen e detit. Lotin e liqeneve. Kreshtat e shqipeve. Humnerat përmes maleve. Këtu e gjeta të "vdekur" dashurinë e rinisë së sotme për librin artistik. Këtu kuptova se nuk kishte pasur asnjë arsye të ngelej si më parë Sapuni i Rrogozhinës, sepse flokët e rinisë erëmonin sapun Lux. Dhe në ikje, "mbase përfare" drejt "tokës së premtuar", jam i sigurt se do më shoqërojë përsëri zëri i poetit:

Kujtime që refuzoni shpejtësinë e dritës
Thellë perspektivës, brenda dritaresh të qytetit
Dritës

... ... ...

Kujtime, ju i përkisni më shumë errësirës
Ku marrin në heshtje format e veta
Gjallesa gjuhësore nga e djeshmja
(Përdhe, mbledhin në heshtje rrobat e veta

Revista Haemus: A e sheh të ardhmen e letrave shqipe në emra, apo në vepra?

Flurans Ilia: Po i rikthehem edhe një herë Kavabatës në këtë përgjigje. Poeti (sepse proza e tij është më poetike se vet poezia) kërkonte të shihte dhe zbulonte zemrën e ekzistencës, zemrën e bukurisë absolute, në një lule të vogël. Ai parapëlqen këtë lloj ekzistence (le të themi veprën) përballë një hyjnie (le të themi emri i shkrimtarit) fatkeqe, ose në mesin e një fatkeqësie (le të themi periudhë historike). Ndaj më duket absurd një krahasim i tillë kur vet vepra mbart në vetvete zemrën e ekzistencës, zemrën e bukurisë absolute. E ardhmja, kam bindjen, i përket asaj.

Revista Haemus: Mendon se izmat e letërsisë kanë ndonjë të ardhme brenda e përballë shqipes, që s’është fort e "magjepsur" nga ligjet e globalizimit?

Flurans Ilia: Nuk besoj. Megjithëse duhet pranuar fakti se jemi përballë një "epidemie" të vështirë...

Revista Haemus: Çfarë ka ndryshuar në vizionin tënd artistik gjatë shembjeve që ndodhën në mitologjinë e shoqërisë dhe të letrave shqipe?

Flurans Ilia: Diçka shumë thelbësore. Përpara se të jesh një shkrimtar i përkryer duhet të jesh një shkrimtar i vërtetë. Përpara se të jesh një artist i mirëfilltë, duhet të jesh njeri mbi të gjitha. Askush nuk mund të abuzojë më, duke e gënjyer (zhgënjyer), lexuesin e sotëm, syzgjuar.

Revista Haemus: A beson se gjërat po shkojnë drejt Natyrshmërisë dhe se ndohti që ngjallin sot zbulimet befasuese në lëmin e ndërgjegjes mund të kish qenë më i pranueshëm?

Flurans Ilia: Unë do të thosha duhet të kish qenë më i pranueshëm. Shumë kohë më parë madje. Kanë kaluar 16-vjet që nga dhjetori i 1990-ës. Vërtet gjërat po shkojnë drejt natyrshmërisë, por me shumë vonesë. Unë e shoh jashtë çdo lloj logjike morale faktin (dhe për këtë më duhet të jem ashpërsisht i drejtpërdrejtë) që në krye të jurisë së çmimeve mbarëkombëtare letrare "Penda e Artë - Penda e Argjend"2004, ishte e vendosur, një deputete aktuale e sotme e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, e cila kishte kryer ekspertizën letrare të poezive të poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ekspertizë që i çoi ata drejt pushkatimit në vitin 1977. Shqipëria ngelet vendi i vetëm në Evropë, pas pushkatimit të Lorkës nga fashistët në Spanjë, që i ka vrarë me plumb kokës, Poetët. Ndërsa poeti që kishte përlyer duart edhe ai në këtë ekspertizë, vazhdoi pas rënies së totalitarizmit të ishte dekan në universitetin shtetëror, ende vazhdon të marrë ftesa si "poet i njohur" gjithandej në media. A ju duket ecuri normale kjo gjë, në një shoqëri të hapur demokratike, siç është Shqipëria e sotme? Unë për vete nuk dua ta besoj...

Revista Haemus: Padyshim që zhvillohet një luftë e fshehtë ndërmjet autorëve me emër (të rrënjosur kryesisht gjatë dhe falë realizmit socialist) dhe atyre që krijojnë duke u mbështetur në një realitet të epërm, jokalimtar. Si e sheh fundin e kësaj beteje?

Flurans Ilia: ...kategorikisht nuk jam për dhunë. Dhuna pjell dhunë. Njeriu duhet të kërkoj falje, por edhe duhet të falë. Me këtë nuk nënkuptoj se duhet të harrojmë! Nuk e shikoj të arsyeshëm një revolucion radikal raketahedhës në letrat shqipe të njëjtë (por me kah të ndryshëm) si ai i "realizmit socialist". Kam qenë dhe mbetem denoncues i luftë së fshehtë që zhvillohet sot ndërmjet autorëve me emër (të rrënjosur kryesisht gjatë dhe falë realizmit socialist) dhe atyre që krijojnë duke u mbështetur në një realitet të epërm, jokalimtar. E gjitha kjo e mbështetur në realitin e sotëm të ndryshimeve të mëdha, dhe mbi platformën letrare mbarëkombëtare. Përfshi të gjitha hapësirat gjeografike ku gjenden dhe krijojnë shqiptarët. Populli ynë thotë: "koha lëndon, koha shëron", por ka edhe një kundërthënie të dytë: "koha ther kohën". Letërsia nga natyra e saj e ka këtë të mirë në vetvete që i nxjerr jashtë loje fenomenet kalimtare, dhe ajo që mbetet përjetë është ngjizja jokalimtare. Ndaj ka për të qenë jo thjesht një betejë, por një revolucion i bardhë permanent. Unë këtu e vë pikën .

Revista Haemus: Një ngjarje, ose një njeri që ka ndikuar fuqishëm të marrësh një nga ata vendime që shndërrojnë fate...

Flurans Ilia: Arratia ime e fillimviteve '90 ka qenë ngjarja më rëndësishme e gjertanishme për mua. Njeriu duhet t'i provoj të gjitha, "mos të lëntë Zoti pa halle", se ndryshe ç'kuptim do të kishte jeta(?!). Ndërkohë që ka qenë Një dhe i Vetëm, personazhi, qenia, njeriu, që ka ndikuar aq fuqishëm, dhe më ka bërë gjithmonë të marrë nga ato vendime që kanë shndërruar fate (përfshi edhe rrugën time letrare, në veçanti). Kjo është femra. Diagnoza e pohimit. Simboli i tokës dhe i pjellorisë. Rruga e qumështit. Metafora e vetme e vazhdimësisë. Penelopa. Maria. Beatriçja....Tuneli prej të cilit dalim dhe futemi duke u përndritur nga filozofia e dritësisë. Të gjithë jemi "trima të dalë nga vrima" ironizon i madhi Konica. Sikur mos vuanim të gjithë (veçanërisht letërsia shqipe) nga strabizmi maskilist, kushedi se ç'rrugë të gjelbërta(?), do të kishte marrë fati i një kulture që ende rropatet gërmadhave të anakronizmit.

Revista Haemus: Cilin prej shkrimtarëve shqiptarë që s’janë më në këtë jetë do të kishe dashur ta njihje nga afër?

Flurans Ilia: Dhimitër Paskon, ose ndryshe, siç e njohim të gjithë me emrin e mjeshtrit: MITRUSH KUTELI.

Revista Haemus: Si është Shqipëria, ku do të ishte kthyer për të mos ikur më?

Flurans Ilia: Shqipëria është ende pa drita. E kisha harruar krejt këtë mungesë kaq të domosdoshme gjatë jetesës në perëndim. Më vjen keq kur zgjaten tërkuzë kufizimet elektrike, sepse nuk e përdor dot kompjuterin dhe nuk mund të lexoj libra... Në errësirë i rikthehem mendimeve, të cilave nuk u shpëtoj dot, në terrin kozmik të nënvetëdijes ravijëzohen kostelacionet e para të dritës, dhe vetes i them: ...ja pra, ky është një kthim i mundimshëm prej të cilit nuk mundesh të ikësh më...

Revista Haemus: Cili varg të vjen tani ndërmend?

Flurans Ilia: ... ...janë të shumtë, të gjithë po aq të bukur, por do veçoja dy strofat e fundit nga poezia "Kulishë të verbër"(lexuesit), nga poeti Arian Leka:

 

Beso, o mik që po lind, por jo shumë,
se pa besim rrohet si me qenë pa gjak
Transfuzioni në shpirt ta mësoi shpërfilljen? - Isha unë.
jam prapë unë që të them se besimi është më i urti mëkat.

Lumi është lumë, lumë, lumë, vetëm lumë
dhe deti det do të jetë, kurrë një baba i mirë,
se mbërrin ai çast një mike pret t'i mbijnë prej teje flatra
në kohëra të errëta kur nuk mbijnë veç brirë.



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •