Racizëm sui generis
| Monday, 06.18.2007, 12:00 AM |  

Këmbëngulja ime në kërkim të diktaturës është temë e rëndësishme e çështjes shqiptare. Një pjesë e madhe e dështimeve në ndërtimin e sistemit të vlerave demokratike vjen ngaqë gjeneratorët e trashëguar të padrejtësive nuk e kanë reshtur ende prodhimin. Kapitalizmi, ekonomia e tregut në vendin tonë është ai sistem i egër, i pamëshirshëm e i pashpirt, tamam siç na e pat përshkruar kombinati i propagandës së KQ-së. Në fakt, sistemi kapitalist nuk është i tillë, por menaxherët e kombinatit ia dolën që ta imponojnë teorinë dhe ta aplikojnë dhe praktikën e tij në Shqipëri Këtu dhuna e më të fortit bëhet më e egër dhe më mizore, pasi mekanizmat e mbrojtjes janë të pafuqishme për të mos thënë nuk gjenden fare. Le të mos e përfillim për një çast rezultatin konkret të varfërimit të skajshëm të shqiptarëve dhe pasurimin përrallor të të fortëve. Le të shohim pasojat që do të lërë ethja e arit në këto vite që kaluam. Sa kohë do të duhet vallë që kodet morale të rivendosen edhe të rinisin të ndikojnë siç duhet në marrëdhëniet njerëzore? Dekada? Ndoshta më shumë se aq. Të fortët sot janë bërë edhe të admirueshëm, edhe pse veprimet e tyre kanë emra të ndotur si grabitje, vrasje, rrahje, mashtrim, falsifikim, pengmarrje, ryshfet e turrlilloj gjëmash. Është kjo kastë që pasi të ngjeshë armët e kamjes, do të udhëheqë jetën shoqërore dhe do të jetë më afër pushtetit, i cili do të ndërmarrë (në mos e lëntë në atë katandi) kurimin e sëmundjeve shpirtërore të këtij tranzicioni.
Pasojat e tanipërtanishme janë katastrofike. Legjislaturë pas legjislature, po shohim gjithnjë e më shumë intelektualë të shquar t’i largohen jetës politike dhe gjithnjë e më shumë badigardë, shefa policie dhe doganierë që zgjidhen deputetë, vijnë të bëjnë ligjin në sallën e Kuvendit Popullor! Është një situatë e paramenduar, fryt i zbatimit të kujdesshëm të strategjive të përpunuara në kupolën e shefave komunistë. Impakti me masat popullore u doli me rezultate të shkëlqyera. Impakti me të ashtuquajturën shtresë të persekutuarve dha rezultate edhe më të shkëlqyera akoma. Atëherë nuk ka pse të mos brohorasin. Nevojat elektorale, thonë ata, e kërkojnë që opiumi i luftës klasore, skema e vjetër e ndarjes klasore të vazhdojë: të varfrit tanë që kanë qenë me ne, nuk ka përse të ulin kokën! Ata duhet të ndihen më të lumtur se të varfrit e tjerë, ata të rriturit fushave të internimit!..
Luftë e klasave ka qënë një emërtim i ndyrë burracakësh. Si luftë, ajo qe një luftë e fituar që në nisje, pasi armiqtë në të ishin irrealë e të paqenë. Ata nuk të këthenin asnjë goditje. Si mund ta quash luftë, atë bombardim të njëanshëm, natë e ditë muaj e vite pa fund, përmbi njerëz të paarmatosur, përmbi fëmijë të pambrojtur, përmbi qenie të brishta e të pafuqishme?!
Për mua, jeta ka qenë një jetë e ngjeshur me përjetime komplekse. Fëmijëria ime përbën një film horror me të arrestuar në mes të natës, me të afërm të pushkatuar, të vrarë në hetuesi, të varur, të arratisur, të internuar. Në këmbët e mia janë ende ndjesitë e rraskapitjeve pas ecjeve me torbat me ushqime mbi shpinë, nëpër kampet e punës të të burgosurve të Orman Pojanit, Maliqit, Thumanës, Zejmenit e plot vendeve të rrethuar me tela prapa të cilave uniforma bojëkafe e të burgosurve gërryente dhe gërryen brazdat e kujtesës sime. Jeta ime në rrugën që zura, ca nga që desh fati e ca si shpërblim i përpjekjeve vetjake, më shpuri në disa vende të zgjedhur, në shoqëri njerëzish të pushtetshëm, në ambiente të propagandës, të spektaklit dhe televizionit. Qe një jetë publike disi vezulluese, ku nuk mund ta përfytyronte veten asnjë nga fisi im i stërgjerë. Koha dhe rasti më solli në shesh të vëmendjes, mua, një hibrid jo tipik, një lloj qenie shoqërore të cilën e përdornin si shembull të dy palët. Ato e përdornin këtë hibrid publik, si për të ilustruar persekutimin, ashtu edhe lëshimet e zemërgjerësinë e kupolës komuniste. Unë u përkisja nga pak të dy skajeve, pa përfaqësuar dot asnjërin, duke gëzuar herë dashurinë dhe herë përbuzjen e të dy palëve.
E hap perden mbi këtë qoshe private nga që dua të kërkoj besimin maksimal në rrëfimin, se kurrë nuk kam menduar se do të vijë një ditë që të “kërkoj gjakun”, siç u trembej të nënshtruarve të tij, diktatori Alia. As unë dhe asnjë nga fisi im. Dhe është e dhimbshme të nënkuptohet se ishte risku përpara kësaj ndërmarrjeje të vështirë që na pengonte. Në se quhet marrje gjaku, kjo që po bëj sot duke vënë në ballë pyetjen e madhe se ku u tret e humbi diktatura, atëherë po, e pranoj, kjo është marrja e gjakut! Sa për gjakun e mirëfilltë nuk e kam menduar asnjëherë. Gjyshi im u pushkatua e ky ishte rezultati i parë i njohjes së armiqve të tij. Kjo ishte jeta e tij, rezultati i zgjidhjeve që bëri ai në një kohë, kur unë nuk kisha lindur ende. Ne kemi qenë gjithnjë të mendimit se atë e vranë pa faj, vite më vonë shteti postkomunist i dha pafajësinë e askush nga ne nuk merret me gjakun e tij. Unë nuk shihja nevojën e hakmarrjes as atëherë kur në një dhomë të vogël rrëzë kodrës së Shën-Thanasit në Korçë, ku jetonim të dy me xhaxhanë tim, ai kthehej i dehur dhe më shihte mua duke bërë detyrat e klasës V. Nën efektin e alkoolit, ai niste të qante e i përlotur, më pyeste:
– A e mban mend kur na e vranë babanë?” – Po – ia ktheja unë, si në një seancë mësimi, – më 2 tetor 1945! – A e di ku na e vranë? – Po. Në të djathtë, sapo del nga Korça, për në Bilisht. – A e di emrin e atij që na e vrau? – Po – përgjigjesha unë, për të njëqindën herë. – Nevzat Haznedari! – A premton se do ta mbash mend? – Tërë jetën!
As atëherë nuk e shihja nevojën e hakmarrjes. Isha thjesht një fëmijë 11-vjeçar i hutuar.
Tani në skajin tjetër të fillit të jetës, shoh me dhimbje hendekun që nuk po mbushet më. Dhe këtij hendeku i shërben manipulimi i historisë, gazetat, librat dhe mali i memuarëve të shtirur. Një racizëm allasoj e pengon mbushjen.
Ajo luftë klasash groteske shfaqet me të gjitha ngjyrat në librin memoralistik të Todi Lubonjës “Nën peshën e dhunës”, kur ai në burgun e Burrelit gjen vetëm shokët e tij të luftës, gjeneralë të shquar, ish-anëtarë të KQ-së, të ndryrë në burgun famëkeq. Nuk gjeti z. Lubonja në burg asnjë nacionalist, asnjë klerik katolik, asnjë intelektual nga “Bota e Re”, asnjë nga përfaqësuesit e borgjezisë korçare! Mbase intelektualë të shquar antikomunistë, si f.v, Kudret Kokoshi, Engjëll Çoba apo At Mëshkalla, nuk kishin nevojë për shoqërinë e Todi Lubonjës, por ky i fundit nuk i pa që nuk i pa në ndonjë nga qelitë a kthinat e oborreve të burgut! Racizëm i llojit të vet!
Shaban Sinani, drejtor i arkivave, nis të gërmojë pasuritë arkivale të cilat ia patën lënë në dorë t’i administronte dhe vihet të gjejë persekutimin e …Kadaresë! Punë e çmuar, por nuk themi dot që nuk e ka tërhequr kërrabën nga vetja nën shtytjen “hajde se në është për t’i treguar botës persekutime, le të mos ia japim kënaqësinë armiqve të klasës! Më vete më për mbarë të nxjerr në dritë vuajtjet e Ismailit!” Këtë e vë re edhe publicisti Agim Shehu që shkruan që nga Gjeneva: “Nëse kjo dëshmi-libër, e para në llojin e vet, del për të dëshmuar persekutimet apo ligësitë që i bëri diktatura shkrimtarit më të shquar, le të dilte ky libër i pari! Por nëse do të donim, (dhe mendoj, kjo do qe më e rëndësishme) që të dëshmohej fytyra e vërtetë çnjerëzore gjer në rrënjët më kriminale të diktaturës mbi tërë artet shqiptare, atëherë radhën për Dosjen-«K» do ta kishte Dosja K-Kuteli, Dosja K- Kokoshi, Dosja Kokalari…”
Vetë Kadareja, me penën e tij të artë, kur i kthehet ferrit enverian, mendja i rri te një natë dhjetori e ’81-shit, kur u gjend i vrarë në shtrat numri dy i pushtetit, komandanti legjendar i Brigadës së Parë dhe kryeministër i vendit. Dhe tek përpiqet që ta zgjerojë klubin e viktimave të persekutimit, Ismaili shkruan një libërth me të vërtetë tronditës për kalvarin e Liri Belishovës dhe vuajtjet e bijës së saj të përbuzur nga të gjithë.
E kështu me radhë…
Në vitrinat e librarive, në kioskat e gazetave, në ofertat e botimeve, e gjen historinë. Dhe historia do të jetë ajo që tregojnë librat më të shpeshtë, gazetat më autoritare, penat më të fuqishme. Ato do të tregojnë për historinë e shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, për të cilën ca thonë se jetuan në një diktaturë çnjerëzore e ca të tjerë tregojnë se jeta ishte e vështirë, ku një numër i gjerë komunistësh idealistë u munduan të ngrenë një sistem shoqëror të paparë ndonjëherë, atë të barazisë së plotë të njerëzve. Dhe në këtë luftë pati gabime, njerëz të përkushtuar ndaj socializmit edhe u persekutuan. Ama, ishte thjesht një persekutim brenda llojit. Pa sa për diktaturë, bah, as që bëhet fjalë!



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •