Humori i presidentëve
| Monday, 06.18.2007, 12:01 AM |  

Prill 2001

Presidentët amerikanë kanë një traditë të bukur që marrin pjesë në darkën e përvitëshme të Shoqatës së Korrespondentëve të Medias, që jep informacione nga Shtëpia e Bardhë. Për një natë ata kridhen në një atmosferë shoqërore, jo formale dhe e venë veten të barabartë nën mokrat e shakave që bluajnë gjithshka. Kam patur rast të mrekullohem me sensin e humorit të Presidentit Klinton në të tetë darkat tradicionale të periudhës së tij. Para ca ditësh, pata rast të shoh edhe pjesmarrjen e parë të kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh W. Bush. Në të ai i ftoi të 3000 pjesmarësit të qeshnin me kokolepsjet e tij gjuhësore dhe me padijen e natyrshme në fusha të panjohura për të. Në mes të një gazi të përgjithshëm, Bush u lexoi të pranishmëve pjesë nga një libër i porsadalë në shtyp, që ai i ftoi ta blinin, pasi nuk kushtonte veçse 9 dollarë e 95 cent dhe i siguroi se do të kënaqeshin, me që në të ishin përmbledhur të gjithë gafat e tij publike.

Fjalimi i shkurtuar i Presidentit Bush

(Si të gjithë shkrimet që përmbajnë lojëra fjalësh, përkthimi është përshtatur nga unë, në një tingëllim shqip të lirë për të përftuar një ide më të qartë se përse qeshte salla me 3000 të ftuarit e zgjedhur nga media, senati, kongresi dhe administrata që qeveris ShBA).

Ju falenderoj të gjithëve, ju falenderoj shumë. Laura dhe unë jemi të lumtur që ndodhemi këtu sonte!

Siç e dini, ne po studjojmë deri ku ta vendosim nivelin e lejuar të arsenikut në ujin e pishëm. (të qeshura) Që të marrim një vendim të mbështetur mirë në shkencë të zbatuar, ekspertët na porositën që t’i nxjerrim të dhënat nga prova duke u ofruar ujin në gota, një salle me jo më pak se 3000 veta. (të qeshura) Ju faleminderit për pjesmarrjen tuaj në eksperiment. (të qeshura)

Është kënaqësi kur sheh këtu kaq shumë antarë të kongresit e në mes tyre, bile në tryezën kryesore edhe mikun nga Texasi im, Tom De Lay. (Duartrokitje) Ca çaste më parë, kryetari i komisionit organizator të kësaj mbrëmje gazmore më pyeti në se e kam parë ndonjëherë Tomin të buzëqeshë… Unë i u përgjigja se nuk dija ç‘të thosha, pasi unë nuk kam veçse nëntë vjet që njihem me të. (të qeshura)

Kemi këtu dhe Senatorin Lieberman, ( që ishte tok me Al Gore në garën për zëvendëspresident kundër dyshes Bush-Cheney. Shënimi im, P.K.). (Duartrokitje) Të gjithë e dimë se Xhoe, (Liberman), është një hebre-ortodoks dhe për këtë ai nuk ze asnjë punë me dorë që kur bie dielli të premten e deri sa ngryset të shtunën. Kjo mua gjithnjë më është dukur mjaft tërheqëse dhe në fakt po mendohem ta përqafoj atë fe edhe unë. (të qeshura) Jo po ndryshe, do të rri kështu si tani, pa zënë asgjë me dorë, që kur ngryset të shtunën e deri sa bie dielli të premten! (të qeshura)

Shumë nga ju zor se e dijnë që unë kam nxjerrë një libër të ri. Dikush ka mbledhur tok një grumbull me fjalë të mia të urta e me kripë — ose siç i quan ai, “fjalë të urta e me kripë, të thëna nga unë aksidentalisht”. (të qeshura) Në një farë mënyre unë jam edhe krenar që ç‘them unë kanë filluar që tani të zenë vend nëpër libra. Kështu që si të gjithë autorët edhe unë kam menduar t’ju lexoj sonte diçka nga ky libër. (të qeshura) Janë si citatet e Kryetarit Mao, veç se këto janë për të qeshur e nuk janë kinezçe (të qeshura)

Ja njëra prej tyre nga libri — dhe të them të drejtën, e kam thënë: (të qeshura) “Unë e dij se qenia njerëzore dhe peshku mund të kenë një bashkekzistencë paqësore” (të qeshura) Tani ju do të rrini e do të futeni në mendime të thella. (të qeshura dhe duartrokitje) Kushdo mund t’ju japë juve një mendim të pjekur, por të tillë kurrë! Një e thënë e mënçur si kjo, ju fut ju tërësisht në një dimension krejt të paparë ndonjëherë. (të qeshura)

Ja dhe një tjetër këtu: " Unë e kuptoj rritjen e biznesit të vogël, unë kam qënë një gjë e tillë." (të qeshura.Pas nje pauze) Nuk i di shijet tuaja, por letërsinë e madhe, atë të pavdekshmen, unë e dua shumë! (të qeshura)

Kurse këtë, të them të drejtën, e kam thënë në New Hampshire: "Unë e çmoj ruajtjen e vlerave ashtu si janë. Është diçka që kur kandidoni për president ju duhet ta ruani." (të qeshura) Nuk kam idenë më të vogël se ç‘kam dashur të them atje. (të qeshura dhe duartrokitje)

Ose kjo tjetra: "Gjithnjë, shumë e më shumë prej importeve tona vijnë nga jashtë." (të qeshura)

Po kjo tjetra për vizionin mbi politikën e jashtme, nuk dij si ju duket: "Kur po lindja unë, bota ishte e rrezikuar dhe e dinim me përpikmëri se kush ishin ata-të. Ishim ne kundër tyre. Dhe ishte mjaft e qartë kush ishin tyre-t” (të qeshura) " Sot ne nuk jemi më aq të sigurtë se cilët janë ata-të. Por ama e dijmë që ata-të janë atje." (të qeshura dhe duartrokitje)

Këtu pastaj kemi shprehjen time më të famshme: “ Rallë e kemi shtruar pyetjen a është duke mësuar fëmijët tanë.” (të qeshura) Le ta analizojmë për një çast këtë fjali. (të qeshura) Po qe se ju nuk të falni qimen, ka shumë të ngjarë që të mendoni se folja me qenë në njëjës, duhet të kishte qënë shprehur në shumësin “janë”. Por po ta lexoni me më tepër vëmendje, ju do të shikoni se unë kam përdorur termin e jokalimtares së shumsit në mënyrën kushtore. (të qeshura) Kështu që fjalëza “është”, janë mjaft të sakta! (të qeshura dhe duartrokitje)

…………………………………………………………………………………………………………………………………

Kështu pra zonja e zotërinj, doni nuk doni, do ta pranoni, se me gjuhën unë kam arritur deri në ato maja, ku s’ka patur burrë që të shkelë më parë! (të qeshura)

Përfundimisht, me sa shoh, unë paskam dhënë goxha ndihmesë në gjuhësi. Paskam hartuar fjalë të reja, si “keqnënvlerësim” dhe “hispanikshëm.” (të qeshura) Unë kam shtrirë e zgjeruar kuptimin e fjalëve vetë, kur kam thënë “Grekërat” duke dashur të them “Grekët”, dhe “dehës” për t’u kuptuar “ngjethës.” (të qeshura) Dhe me zhdërvjelltësi të mahnitshme në vend të “barrierat dhe tarifat” kam thënë “tarrierat dhe barifat." (të qeshura)

Dhe a e dini çfarë? Jeta vazhdon. (të qeshura) Edhe me tërë këto mufka, gruaja dhe vajzat ende vazhdojnë të më duan. (të qeshura) Ushtarët tanë ende vazhdojnë t’i ruajnë hapësirat tona. (të qeshura) Amerikanët si gjithmonë zgjohen në mëngjes dhe shkojnë nëpër punërat e tyre. (të qeshura) Njerëzit nuk kanë rreshtur së dali në shëtitje dhe së zbavituri, ashtu si ne këtu sonte.

Unë nuk mendoj se e ndihmojmë shëndetin po u munduam ta trajtojmë veten me seriozitet të tepruar. Ajo që më bën mua serioz është përgjegjësia ime si president i popullit amerikan. Është detyra që kam marrë përsipër. Për këtë edhe erdha sonte të flas me ju. Ju falenderoj që më ftuat dhe ju jam mirënjohës për mikprishjen e përzhemërt. (të qeshura dhe duartrokitje)

* * *

Për mua ky fjalim ishte një befasi e këndëshme, pasi duke e njohur vetëm gjatë fushatës, pata krijuar mendimin e gabuar se Presidentit të ri, i mungonte sensi i humorit. Dhe shumë vetë e quajnë këtë një të metë jo të vogël për një burrë shteti dhe një hall më shumë për vendin që drejton.

Një mungesë e tillë në Shqipëri ka sjellë dëme të pallogaritshme, pa u identifikuar aspak si një nga arsyet e rëndësishme që punët të mos venë kurrë në vijë. Vetkuptohet që natyrat despotike duke mos praktikuar vetëtalljen, tërthorazi shpallin si herezi çdo vërrejtje apo përqeshje që bëhet në kurriz të tyre. Servilat e orbitës, në mungesë të kreut të shtetit e ndëshkojnë pastaj edhe më rëndë ndonjë fajtor që guxon të përflasë anët qesharake të të parit të vendit. Zyrtarët më poshtë, kanë më tej prirjen që ta quajnë sulm ndaj monumenteve të tij prej mermeri e bronxi, që në Shqipëri zakonisht ngrihen që në të gjallë të prijësave dhe kapakun në fund e ve policia sekrete, e cila i ndjek edhe më shumë këta lloj “armiqsh të kombit”. Kështu të gjithë nxitojnë të formojnë barrikata mbrojtjeje për të madhin e vendit dhe e bëjnë akoma më pak njerëzor një njeri, që duhet të kish filluar i pari të tregonte se është vërtet njeri, si gjithë të tjerët dhe ka nevojë të ndihmohet të ndreqet dhe se gabimi është po aq njerëzor, sa ç’është dhe vepra e tij e bukur.

Në fund të fundit kjo temë nuk është larg diskutimit të nevojave themelore të demokracisë.

Përfytyroni një individ, qoftë ky, ta zemë, një arkitekt me famë, një artist i njohur, apo një mjek i shquar, që u tregon njerëzve përqark histori me gafat dhe dështimet e tij, me situatat qesharake, ku ai e ka vënë veten e vet. Njerëzit qeshin dhe askush nuk mendon se ai është aq pak i zoti sa po tregohet, se në fund të fundit e thotë fama e tij, e famat fitohen, nuk caktohen me dekrete. Kthehuni dhe mendoni sikur ai t’u flasë atyre për bëmat e tij madhështore, për situatat ku ai është treguar më i mprehti e më trimi: ndjenja që do të linin pas këto tregime, do të ishte e pakëndëshme. Në të vërtetë njerëzit që dëgjojnë, nuk ndikohen nga tregimet e personit, as kur ai e bën veten lolo dhe as kur e hymnizon atë.

Klintoni në një nga darkat e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, parodizonte fushatën e tij kundër kandidatit Dole, duke u thënë amerikanëve, se po të kishin për të lënë shtëpitë dhe të iknin me pushime, vaditjen e luleve në mungesë të zotërve të shtëpisë, do ta bënte më mirë ai, se sa rivali i tij, Bob Dole. Kështu ai e çtensiononte fare fushatën. Dhjetra filma e libra e kanë mësuar auditorin amerikan me humorin e presidentëve, sidomos me zbulimin e “thembrave të tyre të Akilit”. Regani i ndërgjegjshëm se ish një nga presidentët më të moshuar në historinë e ShBA, në ditlindjet e tij e kish zakon të merrte fjalën e të falenderonte pjesmarësit, që po mblidheshin “për të 34-tën herë për të festuar 40 vjetorin e tij”! Është tepër e njohur replika e Linkolnit, i njohur si presidenti me pamjen e jashtme më të shëmtuar, kur në senatin amerikan një nga kundërshtarët iu ngrit e me gishtin drejtuar nga Presidenti, uluriti: “Zotërinj, ju kam thënë gjithmonë se ky njeri ka dy fytyra!”, E Linkolni, që nga folësja ia ktheu: “Nuk është e vërtetë. Besoni ju se do të dilja me këtë palo fytyrë, po të kisha patur një tjetër?!” Sharl De Goli pyeste çdo ditë stafin e tij: “Sa karrikatura kanë sot për mua gazetat e Francës?” Dhe ishte vetullngrysur ditën që ato mungonin.

Kur vërtitet puna tek ata që drejtojnë fatet e vendit në Shqipëri, të vjen zor ta shtrosh si nevojë, se të ngjan vetja si ato gratë me barrë, që u shkon mendja për kumblla të pa bëra! Për shkak të urisë së madhe elektorale, të parët e Shqipërisë nuk mund ta lejojnë veten të bjenë në të tilla gracka lluksi e të vetpërqeshen.

Kuptohet, sepse tradita mungon në mënyrë absolute.

Ata përpara këtyre ishin perëndi dhe Perëndia nuk ka asgjë për të përqeshur as vetë e as nga të tjerët. Kush guxon, Perëndia e vret. Kurse tani i vetmi lëshim është imitimi i efektshëm i komikëve, me Mejdanin, Berishën e Metën, imitime të cilat shkaktojnë gaz, por komikët e talentuar ende nuk guxojnë të shkelin parcela të ndaluara. Gazetarët që bredhin mbi këto parcela, kur u mungon arti i satirës, arrijnë rezultate të acaruara që humbin në klimën e përgjithëshme, ku shpifjet lahen në një pishinë me të vërtetat e ashtu lakuriqe nuk i dallon dot.

I tepërt pastaj është pretendimi që z.Nano psh, të dalë e të bëjë shaka për gjëra thelbësore, si fjala vjen, përse nuk u mbajt premtimi i bërë në Vlorë për kthimin e parave të humbura në piramida, apo në e ka të vërtetë atë mendim që shfaqi për Baba Enverin në Zvicër, e tjera… Kush e njeh Fatos Nanon, e di që ai e përdor ironinë, por jo vetëtalljen. Si burrë i mprehtë, ai do të duhej të thosh, se gjatë luftës për pushtet, më 1997, grykat që nxorën premtime nuk janë më pak fajtore se grykat që vollën zjarr. Sa për Enverin, ajo dihet që Fatos Nanon nuk e ha malli, por ajo iku e u tha në Zvicër, e tani ta mohojë është vetvrasje ashtu siç është vrasje e vetes po ta rikonfirmojë! Temat e veta pra, Fatos Nanoja i ka të rrethuara me tela gjembaçë. Edhe presidenti amerikan në fund të fundit, nuk preku telat e vet gjëmbaçë, por foli veç për ca rrodhe të ngjitura në gjuhë… Por ama i ftoi të tërë të qeshnin e gajaseshin me të!… Kryetari PS-së nuk e bën këtë, qoftë edhe për gjëra të dorës së tretë. Z. Nano, (që tani bën be për amerikanët), mund të na ftojë psh, të qeshim mbi alkolizmin. Ai mbase nuk e din që gjatë këtyre viteve në pushtet është bërë tri herë xurxull. Ai vetë mbase nuk i mban mend ato tri raste se gjatë tërë legjislaturës ka qënë i dehur, por duhet ta dijë që bota flet. E përderisa nuk e prek as këtë, atëhere, keq i kemi punë. Politikanët tanë i paraqisin shpejt kandidaturat e tyre për monumente.

Aty nga vitet e para të qeverisjes demokratike, një miku im më pat thënë se Berisha i kish të tëra të mirat, vetëm se i mungonte një gjë rëndësishme: ndjenja e humorit! Në atë periudhë, kur ne të ndezur nga përmbysja historike, e deshim vërtet atë njeri që po e mbështesnim aq fort, kërkonim që ai të kish aftësinë të shikonte anët qesharake të shfaqjeve të tij dhe sidomos dëmin që i bënin imazhit të tij, njerzit servilë që e rrethonin. Habiteshim se si ai nuk e vinte re, që këshilltarja e propagandës, e cila bënte 10 varavingo në ditë nga Presidenca në Televizion duke shpënë e marrë kasetat, në të cilat ajo qe kujdesur të regjistronte tërë aktivitetet e Presidentit, sillte një dëm të madh, duke zënë me to të gjitha orët e lajmeve dhe gjithë ç’vinin para e pas. Aq sa, edhe pse e kishim parë në lajmet e orës 6, se si z.Berisha priste Skalfaron, kur po ky lajm, përsëritej në mesnatë, kishim iluzionin se, me që ndërkohë Presidenti ynë kish dalë dhe në një zinxhir të tërë rubrikash më shumë se Skalfaro, Berisha dukej i lodhur ndërsa Skalfaro i freskët! Ne na u formua bindja e patundur se kjo këshilltare e propagandës do të arrinte ta sillte Presidentin në TVSh të jepte edhe parashikimin e motit dhe sasinë e rreshjeve në të katër anët e vendit!..

Sensi i humorit nuk sjell vetëm atë efektin e ngrohtë të zbritjes për ca çaste nga piedestalet dhe afrimit me njerëzit, ashtu si vetëtallja e z. Bush. Mirë, mund të mos e bësh këtë, por prania e atij sensi ndihmon të kontrollosh veprimet që bën edhe të mos u lesh të tjerëve shteg të qeshin me ty. Se sensin e humorit në mos e kanë burrat e shtetit e kanë shtetasit. Kjo ndjenjë nuk do ta linte kryeministrin Meta, psh, të deklaronte se thesari i shtetit shqiptar, është vjedhur tre vjet më parë, që në kohën e Berishës. Kush i ndalon shqiptarët e paudhë të mendojnë, se thesari është vjedhur shumë kohë më parë akoma, që kur u formua shteti vetë, në kohën e Ismail Bej Vlorës?! Sensi i humorit nuk do ta linte Presidentin Mejdani që shqiptarëve në New York, kur e pyetën se përse mbaheshin akoma ushtarë grekë në Shqipëri, t’u përgjigjej: “ Si nuk u bëtë merak ju kur aty gjatë krizës së ‘97ës ishin dhe dhjetë ushtëri të tjera, por ankoheni tani që kanë mbetur vetëm grekët?!”

Po shtetasit për fat të keq akoma nuk i ka lënë ndjenja e humorit dhe tani qeshin edhe me PD-në, e cila për të përmbysur qeverisjen e keqe e për të marrë pushtetin, u bën thirrje të ikurve të saj, e jo vetëm të ikurve nga mitingjet, por edhe atyre që kanë ikur tepër tepër larg: atyre që qeverisën për katër vjet tok me socialistët dhe ndajnë me ta përgjegjësitë. Përse atëhere nuk ftohen në koalicion edhe socialistët? Atëhere, as diskutohet: marrja e pushtetit është e siguruar!.. A dyshon njeri për këtë? Kurrë!

Ja pra, në ndryshim nga demokracitë e mëdha, gazi në vendin tonë buçet i paprerë, në daç ta kenë, në daç të mos e kenë ndjenjën e humorit burrat e shtetit shqiptar!…



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •