PIKËLLIM PËR VDEKJEN E ATIJ
| Monday, 06.18.2007, 12:05 AM |  

Dy ditë me radhë fryu erë e nxehtë, një erë e neveritshme prilli, që me sa dukej, vinte nga shkretëtirat e Saharsë.
Ditën e tretë u gdhimë në një heshtje të shurdhët. Hapa dritaren e dhomës që kisha zënë në kampin e pushimit të punëtorëve dhe sodita për një çast kaltërsinë e detit dhe Karaburunin e mbuluar nga rrezet e diellit. Nuk ishte tamam heshtje e shurdhët ajo. Po t’u vije me kujdes veshin, altoparlantët e kampit jepnin lehtë, fare ulët, një muzikë të qetë klasike, që vinte nga Radio Tirana. Ai që kujdesej në kamp për radion, dukej që nuk e kish qejf klasiken dhe unë u habita bile se si nuk e pat mbyllur radion fare. Po ai kish porosi të veçantë. Një natë më parë kish vdekur Enver Hoxha, dhe në çastin që unë hapa dritaren, në Shqipëri vetëm pak njerëz e dinin se ajo ditë e shurdhët do të bëhej historike, si fundi i një epoke gjurmëlënëse. Unë e mora vesh këtë një orë më vonë, në klubin e kampit, kur kamerierja erdhi të na sillte mua dhe Canos nga një fërnet tjetër…. E zeza, ka ndodhur gjëma! - tha ajo, duke psherëtitur thellë. - Ju nuk dukeni nga ata që e kanë marrë vesh. Ka vdekur, ai, Komandanti… Lajmi na zuri vërtet në befasi. Askush nuk pat thënë se ai ish duke vdekur, a se ishte sëmurë e pritej ta shpëtonin. Errësirë e plotë mbi lajmin më të rëndësishëm, që ai gjysmë shekulli u dha këtyre viseve. - Ç’po na thua, - ia bëri Canoja, - është e vërtetë kjo? Kamerierja e ngjallme fshiu hundën e thatë me kurrizin e dorës dhe nisi të mblidhte gotat e mëparshme, duke vështruar si e trembur përreth. Tani sapo ma thanë, – ia bëri ajo. – Nuk e dëgjoni radion se ç’lloj muzike po jep?
Vetëm tani ne i kushtuam vëmendje muzikës funebre. - Mos është ndonjë gabim, - thashë unë, sa për të thënë diçka. Dhe e ndjeva që, ashtu bosh si më zuri lajmi i kamerieres, po thosha një budallallëk të madh. - Eh, të ish gabim, ku ta gjenim! Po është i vërtetë, – ma ktheu ajo.
Unë dhashë një mendje, që këtë fërnetin e tretë të mos e pinim, se nuk shkonte fare, sidomos tani që e kishim marrë vesh gjëmën. - Jo, jo, pijeni! Pijeni normalisht. Ju nuk dinit asgjë. Se mund t’ju pyesin se kush ju a ka thënë! Ju akoma nuk dini gjë. Gruaja dukej e trembur vërtet dhe e shfaqte hapur se u pendua që na e kish dhënë lajmin. - Si t’ua shpjegoj atyre në banak, se përse po kthehen pijet?! Jo, ju lutem, se kam fëmijë dhe nuk i dua këto telashe. Pijeni e ju bëftë mirë…! Kamerierja mori tabakanë me gotat e zbrazura dhe u fut në thellësi të lokalit. Tani muzika u bë më e qartë dhe tërë të dhënat lidheshin: kish vdekur Enver Hoxha, që ndofta më shumë se kushdo në historinë e vendit qe pleksur në jetët e shqiptarëve. Dhe tani ai nuk jetonte më. Enver Hoxha kish vdekur. Kish vdekur Enver Hoxha dhe qielli ish po ai, deti ish po ai dhe malet rrinin të heshtur e të qetë, siç kishin ndenjur përjetësisht. Ne ishim fare të papërgatitur për të shfaqur ndjenjat. Fytyrat tona me siguri kishin vetëm një hutim idiot, që mund ta lexoje si të kishe dëshirë. - Ngreje, - më tha Canoja me zë të ulët. – Ta pimë. Mirë thotë ajo: lajmi nuk është dhënë zyrtarisht.
Unë nuk po e zija me dorë fërnetin. - Dale, Cano, prit! – i thashë unë, me zë më të ulët akoma. – Po sikur ajo, shushka, të thotë ndonjëherë, se kur ne rrëkëllyem gotat, na e pat dhënë lajmin. I madhi i vendit ka vdekur dhe ne duket sikur festojmë! Nuk vete! Është më i madh dëmi ynë, po t’i ngremë gotat, sesa i asaj, po t’i lemë ato pa pirë.
Canoja më dha të drejtë dhe e lëshoi edhe ai gotën e vet përpara fytyrës. E po rrinim ashtu, mbërthyer pas karrigeve.
Por edhe po e pimë, nuk do të tingëllojë keq, – rrahu të arsyetojë Canoja. – Në mort pihet alkol, për të mbytur hidhërimin. Nga anët tona ne u nxjerrim njerëzve raki. Dhe ju kështu bëni andej nga tuajat, apo jo? Ngreje! - më urdhëroi ai. Megjithëse më dukej se brenda Canos, pijaneci kish fituar mbi të urtin, unë e ngrita fërnetin me një frymë dhe me sy nga tavani, iu luta Zotit:
- Më shpëto, o Zot, se nuk paska gjë më të ndyrë, se ta hash tani kur po mbaron dasma!
Dihej që Canoja ishte më i mbrojtur nga unë në rast të ndonjë telashi. Të tëra ditët e kampit, i kishim kaluar tok, por mua nuk më bëhej dot çadër në këtë histori. Dolëm nëpër oborrin e terracuar të kampit. Marshet e përzishëm tani shquheshin më qartë dhe unë u binda se, që nga ky çast, nuk kish aty asnjë njeri pa dije mbi atë që pat ndodhur.
Drejtori i kampit po na vinte përballë dhe po u përgjigjej me të qeshur romuzeve të nja dy kampistëve të ulur në stolat e lulishtes. Dukej një ditë e zakonshme, dreqi ta marrë! Nga e qeshura e shpenguar e shefit të kampit dukej se vetëm ai nuk do ta kish mësuar lajmin e madh, por kjo do ishte marrëzi ta mendoje. Canoja kish miqësi me të dhe e ndaloi.
- Duket se ka ndodhur një ngjarje e rëndë, drejtor, ëh? - Nuk e di, - u bë serioz drejtori. - Na kanë thënë vetëm që t’ju mbledhim të gjithëve në paradhomën e klubit se do të shpallet me radio një komunikatë e Komitetit Qendror. I tërë populli, në tërë vendin, do të mblidhet përpara altoparlantëve në orën dymbëdhjetë fiks! - Lajmi do të jetë i mirë apo i keq? - Nuk e di, o Cano, - ia preu drejtori i bezdisur. – Kaq na kanë thënë të themi e kaq do themi. Lëre këmbënguljen e më mirë hajde ta pimë një kafe bashkë… Dhe drejtori e mori me vete Canon, që me siguri, në vend të kafesë, do t’i kërkonte edhe një fërnet tjetër, jo për gjë, po për të respektuar zakonet e krahinës së tij. Piktori i kampit po ngjiste lajmërimin për mbledhjen e orës dymbëdhjetë. Në atë kohë ora qe tetë e gjysmë dhe afro katër orë të tjera ne do rrinim me frymën pezull. Muho Kallashi, që mbante dhomën bri nesh, m’u afrua dhe më kërkoi një cigare. - E more vesh? – më tha me pëshpërimë. - Unë pohova me kokë, duke i dhënë cigaren që donte. - Çudi! – ia bëri ai duke e ndezur. – Nuk pritej. Në drekë do të na e thënkan. Edhe kjo kuptohet. E dinë që lajmi do të shkaktojë pikëllim të madh…”.
Time shoqe nuk e gjeta në dhomë dhe u vura ta kërkoja nëpër shoqet, me të cilat ajo pinte kafetë, që gatuanin në furnellkat e sjella me vete. Pastrueset e kampit nëpër korridore bënin biseda me zë të ulët dhe kur u kaloja pranë, ato i linin pëshpëshet e buzëqeshnin të drojtura nga unë. Në hyrje të godinës ku e kish dhomën Canoja me gruan, pashë atë kitaristin nga Erseka që po cimbiste telat e veglës së tij. Kur më pa mua, ai e la kitarën dhe më tha me zë të lartë:
- Melis, sapo më treguan një barceletë fantastike, që do të të pëlqejë pa masë edhe ty. Njëri e zuri gruan…
Këta artistët janë leshko, për nder. - Nuk e kam mendjen te barceletat sot? – i thashë prerë me qortim. – Ti nuk e ke marrë vesh? - Ai u bë menjëherë serioz dhe i vëmendshëm. - Çfarë?! – më pyeti shumë i shqetësuar. – Mos e ke fjalën për atë, që na ka vdekur ai i madhi? Po, - i a bëra. – Pak të duket?... Ai u qetësua që unë nuk kisha për t’i thënë ndonjë gjëmë tjetër më të madhe akoma. - Atë e dimë, or babaxhan. Por akoma nuk na e kanë bërë të njohur. Ky është lajm i sjellë me pëshpëshe. Me pëshpëshe, nuk do të merremi ne! - Po është i sigurt, ama! – ngula këmbë unë. - Mijë për qind! – nguli këmbë dhe ai. – Por do presim orën. Na thanë se pikëllimi do fillojë më dymbëdhjetë. Lëre, o lëre! Gjëmë e madhe do jetë…”. Më leshko se ky djalë nuk kisha parë gjer atë ditë e nuk kam parë as gjer sot. - Po mirë, ore, - i thashë i nxehur. – Të duket me vend, që edhe e di lajmin edhe m’i bie kitarës, më dëgjon barceleta e qesh e zbardh dhëmbët?! Ai, mendjepyka mu zemrua: - Tëmën, po si, bre, të mos qesh! Edhe ay që na e tregoi barceletën, e dinte që shoku Enver na ka lënë. Po pse, si thua ti, o mendjelli, të rri turivarur, a?! Po sikur të vijë ndonjë… nga ata-de!.. E ai të më thotë “pa hajde këtu ti, shok, kush të ka thënë të pikëllohesh? Nga e ke marrë vesh?” Ato belá nuk i dua, unë.... Unë e lashë atë dhe vazhdova të kërkoja gruan. Kitaristi më fliste që prapa, shumë i mërzitur me vërejtjen që i kisha bërë. Pa mos na u hiq aq solemn, zotrote! Prit të vejë ora dymbëdhjetë e pastaj nxirr ç’ke për të nxjerrë! Vetë drejtori, kur e pyetëm, na tha që deri më ora dymbëdhjetë bëni rutinën e përditshme… Shko, or byrazer, bëj rutinën tënde! Ke, apo nuk ke rutinë ti! Ua! Ty, apo drejtorin, të dëgjoj unë?!
Gruan e gjeta në dhomën e Canos, tok me të shoqen e tij. Dhe ato e dinin. Natyrisht, tani nuk kisha dyshim, që jo vetëm në kamp e në këtë bregdet, por edhe në gjithë Shqipërinë e dinin lajmin për vdekjen e Hoxhës. Gratë shfaqnin habi, se si paskej qenë mbajtur aq sekret gjendja shëndetësore e udhëheqësit. Unë i kisha thënë atyre, që Canon e pata lënë në shoqëri të drejtorit, kështu që hyrja e tij u prit më me kureshtje nga sa qe pritur e imja. - Mezi po e pres orën dymbëdhjetë, - tha e shoqja dhe pastaj nxitoi të shtojë: - E zeza, kushedi sa do të mërzitemi! Hidhërim i madh do të jetë! Canoja tregoi se drejtori hiqej i qetë e moskokëçarës vetëm për sytë e të tjerëve, por Canos i paskej thënë se ishte në ankth, për shkak të efektit që do të shkaktonte lajmi i kobshëm mbi kampistët. Ai kish thirrur mjekun dhe e kish porositur atë që të ndodhej aty tok me personelin sanitar e t’i merrte që të gjitha masat. Lajmi do të ishte mjaft tronditës, aq më tepër që në tërë këto ditë njerëzit nuk dinin asgjë. Dhe ajo dihet, që e papritura godet shumë. Mund të kishim në kamp edhe njerëz që vuanin nga zemra. Unë e kuptova se në gjithë vendin po merreshin masa të tilla për pasojat që priteshin. Kjo që kish ndodhur, ishte pa një pa dy, vdekja më e bujshme në historinë shekullore të Shqipërisë. Canoja i vuri të shoqes detyrë që me ta dëgjuar lajmin, ajo, e para, duhet të klithte dhe t’ia shkrepte vajit. Por me zë të ulët ama, e me veshët nga radioja, pa ia mbuluar zërin atij apo asaj që do të lexonte komunikatën e Komitetit Qendror. - Mos prit hiç, - ia preu e shoqja, - nuk e bëj dot! - Do ta bësh, se s’bën! – iu shkreh i shoqi. – Bile po na bëjnë nder që kujën e parë po ia besojnë familjes sonë. Apo jo, Melis?
Unë e dija që kjo ish pleqësuar mirë e mirë, me të madhin e kampit dhe e mbështeta Canon pa kurrfarë cmire. Unë dhe gruaja qemë të përjashtuar nga këto ambicje, megjithëse isha i bindur, se ime shoqe mund ta qante Komandantin më mirë se e shoqja e Canos. Edhe fjalët e vajit, gruaja ime mund t’i gjente më prekse. Po kush të hapte udhë! M’u bë tamam si atëherë në Kinostudio, kur shihja që aktorët më të pazotë, vetëm për shkak të lidhjeve që kishin, merrnin goxha role kryesore, edhe pse nuk mund t’i realizonin dot më mirë se ca të tjerë. Gruaja e Canos nuk bindej. U futa dhe unë me time shoqe ta bindnim, se raste të tilla të nderojnë, po aha! Nuk merrte pykë ajo! - Mirë atëherë, - dha një zgjidhje tjetër burri. – Kur të mbarojë komunikata, ty, grua e dashur, do të të bjerë të fikët, kështu? Unë do të sulem të të hedh ujë… Do sulemi të gjithë! - e mbështeti ime shoqe, Canon. - Ashtu, rrofsh! – e falënderoi ai dhe vazhdoi me porositë për gruan e vet: - Ti do jesh e shtrirë e nuk do të lëvizësh. Unë do kërkoj ndihmë, duke uluritur. Do të sulen infermieret, se gratë e burrat e tjerë do të jenë duke qarë e shkulur leshrat për vete, ata! Nuk do ta marrë vesh qeni të zotin, atje... - E po të mos qajnë? – ia turbullonte parashikimet e shoqja. - Do të qajnë! Janë marrë masat. - Mirë. Po sikur doktori të më kuptojë, që të fiktin nuk e kam të vërtetë? – pyeti prapë ajo. Canoja ishte gati ta zinte të shoqen për gryke në sytë tonë. - Nuk thotë gjë doktori, mos u bëj zerzebile! Le që doktori nuk do merret me ty. Ai ka ndërmënd t’i bjerë vetë të fikët. Po ja, janë infermieret…. - Jo dhe jo! – tha e vendosur gruaja. – Për një ditë si kjo ti, Cano, duhej të kishe për grua një aktore. Mua nuk më ke për këtë! Hiqe nga mendja! Pas këtij kundërshtimi të prerë, ra një heshtje, nga ato që nuk di ku të shpiesh vështrimin. Gruaja ime pa nga mua, gati duke psherëtitur. Edhe atë shtrirjen me të fikët, do ta bënte për mrekulli ajo e gjora, po kush ia kërkonte asaj! Canoja më hoqi mënjanë me marifet dhe me zë të ulët, m’u përgjërua të gjeja një shkak e ta hiqja time shoqe që andej, se ai kish ndërmend t’i hynte të vetës me shqelma. Mes dy fytyrave tona kutërbonte duhma e fërnetit. Nuk do të turpërohemi, ne ore jo! – tha me zemërim e krenari bashkë. - Tërë jetën ne, nga ana jonë, kemi qenë të lidhur me luftën. Kurse familja e saj ka për stërgjysh lepurin. Nuk e ndiejnë pikëllimin. E po nuk e ndjeve këtu, - dhe Canoja, me gishtat e mbledhur tok, e goditi veten me shkulm, mu në mes të gjoksit, - nuk e qan dot atë, për të cilin po përgatitet të verë kujën i madh e i vogël! Do ta shohësh, Melis, do ta shohësh Shqipërinë, po nuk u përmbyt me lot!
Në orën e caktuar ne u mblodhëm të gjithë përpara radios së madhe. Tërë kampi priste me ankth. Tek-tuk ndiheshin gra që qëronin zërin, siç bëjnë koristet e reja të operës, kur nisin karrierën. Burrat kishin një tension më të fshehur në përgatitjet e tyre për t’i dhënë fytyrave tisin e pikëllimit që duhej. Nisi folësja në radio: Ju flet Tirana! Po japim emisionin e lajmeve. Në sallë ra një heshtje që nuk do ta harroj kurrë. Të rrahurat e zemrës sime, pastaj, nuk kishin të krahasuar me asgjë. Ato të rrahura zemre, jo unë që nuk i pata ndierë ndonjëherë më parë, por jam i sigurt që nuk i patën ndierë as të parët e mi. Dhe as stërnipat e mi pas qindra e qindra vjetësh, nuk do t’i ndiejnë më.
- Me pikëllim të thellë, njoftojmë se vdiq biri i lavdishëm i popullit tonë…
Pastaj ngjau hataja që pritej dhe që të lindte dëshirën të kishe një mijë palë sy, që ta sodisje. Grupi i kampistëve të atij prilli, mes të cilëve u gjenda unë, si dhe i tërë populli, u dha udhë lumit të lotëve, ca lotëve të përpiktë e të organizuar mirë, që askush më mirë dhe më shumë se ky i vdekur i shquar, nuk i meritonte...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •