Tina
| Monday, 06.18.2007, 08:08 PM |  

Kush të ketë qënë ai që shpiku ballkonin?
Atë fole të vogël, pa strehë të çdo shtëpie, atë qoshe të ngrohtë, pjesa e vetme ku je dhe jashtë dhe brenda, vendi im i paharruar, i shtrenjtë i fëminisë, fushë beteje, lojrash me gaz të papërmbajtur, ai vend i mbushur me të fshehta, nga ato të fshehta që janë vetëm të tuat, në atë kohë të largët ....në atë vendin tim të ngrohtë......që tani e shoh veç në ënderr ....ketu larg, ku jam ngujuar.... ...vend i mbuluar nga ca mjegulla që lëvizin tani lehtë, humbin, shpërndahen nëper qiej të vrarë ...të ftohtë... si në një ënderr të frikshme që të vesh sytë e s'të lë të shohësh qartë .... Ah, ato ballkonet me ato qoshet e mbushura me rraqe, të vjetra, të harruara per vite me radhë ... që për mua ishin thesare më me vlerë se të " Konti Monte Kristos ".
Ja, atje në atë sëndykun e futur në qoshe të ballkonit, një nga ato sëndyqe të drunjtë, me ca doreza të rënda, të ndryshkura hekuri, me forma të cuditshme, si koka luanësh, ç'nuk gjeje. Kepucë të shtypura, të vjetra, që mbanin erë myk, letra, fotografi të zverdhura, njolla-njolla, ....një fustan i vjetër leshi i berë me grep, ca jastekë të qendisur me trendalife të shtrembër, të kuq, një kapuc i vjetër ngjyra-ngjyra, prej leshi, i thellë sa të mbulonte veshët...me ca xhufka të gjata, të zeza,..... zbulimi im....gazi, loja jonë për ditë me radhë, kur mblidheshim në ballkon, mëngjezeve në verë... gjithë fëmijet e lagjes dhe e provonim me radhë .....ah, si e shkulnin nga koka e shoku shokut dhe e provonim me radhë.....kush e kush të bënte me shumë poza ....Por ballkoni nuk ish veç i yni....Mbasdite, kur të rriturit vinin nga puna, nxirrnin karrike, stola ...ca jastekë të vegjel, ca rrugica këmbësh pambuku, thasë të qëndisur ......e shijonin kafen e flisnin e flisnin pa pushim......me njëri tjetrin, me komshinjtë në ballkonin në krah, me ata që ecnin në rrugë, me ata që rrinin në ballkonet e pallatit ngjitur përballë .....flisnin pa pushim, pa u lodhur, për të njëjtat gjëra .....për ditë, muaj me radhë ....dhe ne fëmijet as që i trazonim, veç se ndonjë herë kur ishim të lodhur nga loja, në buzëmbrëmje, zinim ndonjë qoshe të ballkonit si të mos ishim fare atje dhe dëgjonim e dëgjonim ....biseda pa rëndesi....për kohën...vapën...bukën....Rrinim atje pa lëvizur .....prisnim me durim të mësonim dhe ne ca të fshehta të pathëna , që se si rridhnin si në një burim të nëndheshëm që shihte punën e vet.....që si ca shkëndija zjarri a kokrriza ari, padashur dilnin e kërcenin jashtë atëhere kur s'ta priste mendja, kur ata fillonin e tregonin ndonjë histori a përrallë...Prandaj s'mërziteshim, por rrinim, prisnim atje si ca kone me veshë përpjetë ngulur pas këmbeve, në prehëra ...rrethuar me aromën e mirë të kafes....të puthura .... përkëdhelje tek-tuk, kur ndonjë kujtohej për ne
Jo, jo ballkoni s'ish veç i yni ..ish i të gjithëve ....Për plakat ish vendi më strategjik....nga ku mund të vëzhgohej si në pëllëmbë të dorës e gjithë mëhalla .... Pistat me të fuqishme të kontrollit ushtarak, ato komandat e vëzhgimit s'janë gjë fare para atyre qosheve të fshehta të ballkoneve ....midis saksive të dëndura ....nën to.... barkaz....në të çarat e vogla nga rridhte uji, kur lahej ballkoni....ku vetëm një sy mund të futej e shihte.... asgjë nuk i shpetonte .....asnjë ndodhi sado e vogël....paregullsi....çdo gjë ish në kontroll të plotë ....që atje lart....Në ditet që bënte vapë dhe dyert e shtëpive përdhese përballë rrinin hapur ... mund të shihje deri në zemer...thellë ...c'hanin...si laheshin.... ku shtriheshin.....
-Pse s'iku sot në punë filani?... Pa shih si ecen murga shtrembër ... e kanë zhdëpur mirë natën....- përshpërisnin me njëra tjetrën plakat.
Por ndonjë herë, kur nga ballkoni i shkretë nuk arrihej të merrej vesh çdo gjë, plakat që rrinin atje me ore të tëra, si të kishin lindur aty....të ngulura mbi parvaze... po aq të palëvizura sa saksitë me lule....si të vendosnin të vdisnin aty, me ato kokat e lidhura me napa të zeza, apo të bardha, me sytë të picërruar ....ndonjë herë zgjasin kokat duke pritur që t’i përshëndesnin komshinjtë e po qe se ndonjë bënte sikur nuk i shihte, thërrisnin:
- He, ku po shkon keshtu? - le të guxonte njëri mos jepte përgjigje të saktë, të shkoqitur...ku....pse ....sa kohë do vonohej ....
Të ngeshme siç ishin, sikur i tërhiqnin me ca magnetë të fortë komshinjtë që mbeteshin aty poshtë ballkoneve e flisnin në këmbë, ...me orë të tëra dhe kur shihnin se errej.....permendeshin e largoheshin të shkonin ku ishin nisur apo të ktheheshin mbrapsht në shtëpi....
Aq shumë sytë e të gjithëve mesoheshin me plakat nëper ballkone sa ndonjë ditë po të mos i shihnim me në qoshen e tyre dihej me siguri që kishin vdekur dhe ishin kthyer në një letër me shirit të zi, shpalljeje, që ngjitej në murin e pallatit të nesërmen dhe mbetej atje gjysëm e grisur e zverdhur nga dielli , për dite, muaj me radhë......
Po, ballkonet ishin si amfiteatro të çuditshme ku luhej perditë jetë... ngjarje të vogla, a të mëdha. Që aty shpërthenin të thirrurat, të sharat, rrahjet, të qarët, shpërthenin të qeshurat, këngët kur bëheshin dasma dhe orkestra luante në ballkon. Që aty, poshtë ballkoneve, ndonjë thërriste e thërriste. Pak rëndesi kish a kerkonte ndonjë në kat të dyte a të gjashtë ....- O Agim, po dil, pra dil - zë i çjerrë, i mekur plaku që mezi dëgjohej....Ndonjëherë ne te vegjlit, me zëra si bilbil ... viheshim në garë kush e kush të ndihmonte plakun që fillonte e i merrej fryma dhe s'thërriste dot më ....
- Agimo, Gimçe ...Nipçe, Gimo.....Ago... Pago....- dhe sekush nga ne me atë dhuntinë për të berë rima që e ka në gjak çdo shqiptar, ndyshonim emrat .. si të na vinte për mbarë ....i zgjasnim si me jehonë, si të therrisnim në mal, me një dorë në vesh : "Oho.....Gimooooo"
Sa herë qëllonte që në kate të ndryshëm të dilnin dy-tre Agima njëherësh .. atëhere viheshin në punë shënjat ...me duar e këmbë ...jo ty jo, atë kokëbardhin....kati më lart....me lart....
- Ehe, na fal- e futeshin brënda ata Agimat e pathirrur, me kokë ulur si të kishin faj që s'kish shok që t'i donte.. thërriste .....
Aty në ballkone ndodhte çdo gjë.....Aty ish vendi ku gatuhej në verë ....e mbytej mëhalla me erën e specave të skuqur, apo peshkut të ferguar.....aty pastroheshin fërnellat me vajguri.....aty shpërthente ndonjëherë flaka kur fërnellat pëlcisnin, aty ish vendi ku çaheshin drutë me sepatë e sqepar në dimer, bam... bam ....sikur binte tërmet ....mjerë ata që ishin një kat më poshtë ....çaheshin dru në çdo kohë .. në të pagdhirë.. dhe në mes të natës ...dhe sikur të thërrisje.. t'i bije tavanit... të shaje ...."mjaft mo, mjaft" , s'përgjigjeshin, veç vazhdonin bam..bum....deri sa të mbaronin se preri shkarpa, pisha... a ndonjë cope dru me nyje ....Që aty rridhte uje me kova.....kur bënte aq vapë sa uji avullonte menjëherë ....mjerë ai që s'e donin komshinjtë .....apo mbahej më të madh....në diten e tij me të lumtur, atë ditë që vishte kostumin e ri, me të mirë, një kove plot nga ato kovat e plastikës së Durresit pesedhjete, gjashtedhjete kileshe priste për të, t'i derdhej në koke .....apo me keq ndonjë lëvozhgë qepe a veze të valëvitej drejt e mbi kokë nga kushedi se ku....Dhe s'ish e vështirë ta kuptoje të donin apo jo....Në fillim të jepej sinjal....të ngrihej një këngë nga ato të femijeve me rimë, që të kendohej që pa gdhirë nga ca këndezë me zë të hollë...fshehur... shtrirë barkas nëpër ballkone...njëri pas tjetrit ......në kor.....nga ato këngë që shumë shpejt të bënte të harrohej , të zëvendësohej emri i vërtetë, me një nofkë që të mbetej deri sa vdisje.....nofkë me të cilën të njihnin, thërrisnin më pas dhe të rriturit .. dhe për çudi pas ca kohe e pranoje dhe e thërrisje dhe ti veten.....
O Qazimo, o hundderr
pse del natën dhe na therr
Në fakt Qazimi i zi, kasapi i lagjes, që në vend të djersës sikur i rridhnin përrenj yndyre të shkrira dhe mbi vetulla, dhe në faqe dhe në qafë, Qazimi i varfer hundën e kish të madhe, por veç gicave nuk kish therrur njëri ....por për hir të rimës ndonjëherë ç'nuk thuhej....Pas ca kohësh, kënga e tij sikur harrohej e zihej nga një tjetër më e bukur... Qazimi sikur ta ndjente se po dilte nga ajo zona e famës, thërriste :
-Ç'ke me hunden time, o turriderr ? - dhe vetëm kjo shkëndijë duhej që të ndizej prapë e këndohej kënga e vjetër ..
Por ballkonet janë dhe vendet, ku luhen tragjeditë ....ca nga ato në fakt mbarojne mirë ....siç ndodhi me Veren që të nesërmen e fejeses vendosi t’i jape fund jetes dhe u hodh nga ballkoni i saj në katin e dyte....E fuqishme siç qe, ra në këmbë, ndenji ca minuta, pa rreth e qark.....e u fut brenda në shtëpi.....si të mos kish ndodhur gjë...
Ballkonet janë dhe vendet më të pambrojtura, në kohë të vështira ....Si në një familje të madhe dhe çdo mëhallë ka të urtin, të leshtin, të mençurin, të shkathtin, llafazanin, të bukurin, të shemtuarin, por dhe të marrin....që të gjithë e pranonin siç pranohej shiu a vapa.
I marri i lagjes sone, Hysa kur hynte pranvera me ca ditë të nxehta si ditë vere , egërsohej papritur, dhe ato ditë s'kish këmbë fëmije jashtë.
- Erdhi Hysa, erdhi...! - si të vinte furtuna na fshinte të gjithë për një minutë nga faqja e dheut, e fshiheshim si minjtë nëper vrima .
Dhe ato ditë e gjithë mëhalla ish e tij.....Ai ish demoni.... frika ....fuqia ... uragani....egersia .....Në ato ditë dhe të rriturit mbyllnin dyer e dritare, e rrinin brenda. Bashke me ne prisnin sa t’i ikte dallga....Oh, c'hiqnin ato ballkonet e shkreta ..të lëna në mëshirë të fatit, sa saksi, xhama thyheshin... Gurë të mëdhenj sa një hata, mbeteshin atje nëper ballkone, dëshmitarë të heshtur te nje inati, lufte të pakuptim pa kundërshtare, deri të nesërmen, kur më në fund Hysën e kishin mbyllur në shtëpi dhe e vinin në gjumë .....Dhe në ato ditë prindërit na porosisnin të largoheshim sa ta shihnim Hysën nga larg, dhe po të na fliste ta merrnim me të mirë .
Të nesërmen, duke nxjerre tek tuk ca pasthirma çudie " sa i fortë është shejtani, Herkul fare, si xhanëm i ngre gjithë këta gurë ", kush vinte një gazetë, kush ndonjë karton në dyert e ballkoneve ku s'kish mbetur xham në këmbë, kush e linte ashtu pa gjë fare gjithë verën, ku ca perde të holla, ngjyra ngjyra përdridheshin si gjuhë të gjata nga era e valëviteshin në fresk...S'di pse në atë kohë , asnjerit s’i vinte në mendje të ankohej...e pranonin siç pranonin të diturin, të mençurin...." he, he se kur i del inati s'është dhe kaq i keq, thonin të gjithë dhe kush i jepte një çokollatë, kush ndonjë petull...
Çfaredo të ndodhte, shtëpia të mbushej plot.....
- Dëgjova tërë natën që kollitej djali, të bëra një supë të mirë - hynte komshija pa trokitur....


- Pamë që keni nxjerrë që në mëngjez mobiljet, keni ndonjë sebep?- dhe vraponin të gjithë komshinjtë të pastronin, vinin gjerat në vënd.....
Kur vdiste njëri, komshijtë vinin grupe grupe...kush me karrike me vehte....veshur me rroba të errta, hynin pa zhurmë në derën që rrinte hapur ditë natë .....
-Të rroni vetë, i ka jeta këto, i gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin, si të gjithë dhe ti...

**********

Pikerisht në një nga ato ballkone filloi një nga ato historitë e çuditshme, çudi si ato vegimet e zbritura nga qielli....vegim që unë nuk arrita kurrë ta perjetoja per here te dyte, aq të pafajshëm, të dridhshëm, të magjishëm ....në ketë jetën time të shkurtër....

Ishte një ditë vere, një nga ato ditët e nxehta kur gjinkalla këndon tërë ditën si e çmendur e ajri është aq i thatë.... sa të duket se për pak dhe do të kërcasë e marr flakë në flokët e tu....
Unë s'kisha mbushur akoma dhjetë vjeç. Po rrinim bashkë me Tinen, fqinjen time, mbështetur në parvazin që përvelonte nga dielli të ballkonit të saj në katin e dytë, që binte mbi rrugë. Tina ish katër-pesë vjet më e madhe se unë. Me kureshtje e shihja se si ndryshonte ...ca gjinj të fortë, të përpjetë se si i rriteshin e fryheshin përditë sa mend i pëlcisnin bluzën e kuqe prej pambuku....
Në rrugë s'kish këmbë njeriu, as nëper ballkone. Në ditë si kjo njerzit o flinin gjumë me grila të mbyllura, o mbylleshin nëpër kafene…
Por m’u në krye të rrugës, një pikë që sa vinte e zmadhohej...një njollë e zbehtë jeshile... po vinte mbi dy rrota me tela që rrotulloheshin ....vinin më afër, më afër.... Ish një djalë i dobët, mbi biçikletë, me ca gjymtyrë të gjata, që në atë pikë vape kish veshur një pulovër të vjetër jeshile...të zbardhur ...me mëngë të gjata. Një i ardhur nga një botë tjeter nuk do na kish çuditur aq shumë sa ky djalë i panjohur, i zbehtë, me ca cullufe ngjyrë gruri të djegur, të qullura mbi ballë, që nxitonte, me sy të përqëndruar përpara drejt fundit të rrugës....
U zgjatëm dhe më mbi parvaz, dhe filluam të qeshnim me të madhe:
- Hej... Heej
Ai, për një çast, ktheu kokën nga ne pikerisht kur arriti pothuaj nën ballkon, dhe se pse u shtang. Dielli i fortë i vrau sytë, dhe beri ti picëronte sytë me ngërç, dhimbje, shtangie....habi....hutim...ngazëllim....apo ato flokët e verdha të gjatë të Tines, derdhur mbi gjirin e fortë që as parvazi i ballkonit s'ja shtypte dot....apo ajo buza e perveshur e plotë, tërë tul, e kuqe që i zbulonte ca dhëmbë të vegjël, ah ata dy dhëmbët e parë të ndarë, që e bënin të dukeshe me fëmi se ish, kur qeshte me të madhe, ah ato dy gropëzat e vogla që i bëheshin mbi faqe kur qeshte, që i bënte të dukeshin faqet me të bardha, me të shendetshme, me të fryra se sa ishin në të vërtetë, sa të vinte ti haje...
Tines sesi iu drodh buza për një çast.....e qeshura iu mpi mbi buzë dhe iu kthye në një habi te pakuptim.....të pafrymë...që mbeti pezull në ajër....në atë hapësirën mes syve të saja e të tijat ...sy që s'ishin parë kurrë më parë se si ngrinë.....e humbën tek njëri tjetri.....si të njiheshin prej kohësh ....ç'po mundoheshin ti thoshin njëri tjetrit? Ç'kishin gjetur ashtu në atë sekondë heshtje të çuditshme, ashtu të dehur , të takuar papritur.....të harruar jashtë kohe...diellit....mendjes.....ballkonit.....meje Nuk di sa sekonda, minuta kaluan, çaste magjie, si të zbriste dielli vetë drejt e në rrugë, në gjoksin që hidhej përpjetë, në faqet që po digjeshin, të Tines ....
Pse jo mbi mua?
Me një zhurmë të fortë, djali u rrëzua mbi trotuar, rrota e biçikletes kerciti e u kthye duke i zënë njërën këmbë... por sytë kishin mbetur po në të njejtin vend, humbur lart nga ballkoni, nga ne ...nga Tina.
Ne u fshehëm të dyja poshtë duke u munduar të mbajmë të qeshurën....Po prisnin ndonjë të thirrur...të sharë..... S'degjuam gjë për disa çaste....Tina s'po fliste dhe ishin mbushur sytë. Se si kishin shkuar, humbur në një pikë atje pas vazos prej balte të tharë, mbi parvaz , me një dritë që s'e kisha parë kurrë me parë ....
Në ç'botë po futej që unë s'futesha dot?
Vetëm një psherëtimë mes të qeshurës së mbytur ju shkëput si padashje:
-U vra i shkreti....
-U vra jeshili - thashë unë duke qeshur si të doja ta nxirrja nga ajo magji, botë që unë s'po e kuptoja dot ....dhe ashtu kot, thirra në ndihmë një shaka që s'po hynte fare në punë ....
- Jeshili? - u përmend e u kthye nga unë. -Mbase ka ikur ....shife ti aman.....
Nuk e di që kur kish fituar atë pushtet, fuqi mbi mua, që pa pasur nevojë të thosh dy herë unë beja çdo gjë për të, dhe jo vetëm unë por të gjithë fëmijet e pallatit ,e pra jo se ish më e madhe.....mbase ish çmimi që paguanim pa kuptuar për lojrat, të qeshurat, sekretet, që asnjë tjeter s'i shpikte si ajo....U ngrita të shoh.
- S'paska njëri - thashë .
Rruga ish më e shkretë se më parë .....Të kish ndodhur me të vërtetë apo të kishim parë ënderr? ...Ndonjë nga ato mirazhet që ndodhin në shkretëtirë...Tina po shihte nga unë. Mbase s'ish e vërtetë....do qe aty, rrëzuar....me sytë lart .....Dhe ajo u ngrit me rënkim, me zor mbi dy këmbët e saj të dobta e po kërkonte me sy ....Pse iu vrenjt balli si një re që papritur zë diellin? Pse ca çaste që janë aq të magjishme, të pakuptuara mbarojnë kaq shpejt e s'përsëriten më, sikur të mos kishin qënë kurrë?
Ku ta dish ç'lojë luan fati me ne ....
Nuk di sa kohë ndenjëm ashtu, atje, atë pasdite, pa folur ....Mbi dy stola të vegjël prej druri....duke shpleksur ca leshra....që e ëma e Tines, Eli na i hodhi në prehër sapo erdhi nga puna.
- Mos rrini kot. Edhe rrini, edhe shqepni këto triko të vjetra se do më hyjne në punë - dhe u largua.
Ajo me të shqepura bënte si të reja ca pulovra ngjyra ngjyra, me të mirat në lagje, për dimër...Të shqepësh triko në vapë është me keq se të jesh skllav ....Por ne ishim dy skllave të çuditshme, që megjithë vapën, leshrat fij-fije që na shponin, ngjiteshin nga djersa në qafë, duar, këmbë .....bindeshim...rrinin atje si dy qingja të butë ....ama kishim dhe ne arësyet tona....e dinin që ky ish çmimi që duhej të paguanim që ballkoni të mbetej i tëri i yni...
Dhe prisnim. E dija në heshtje se sytë e Tines fshehurazi prisnin të çfaqej një biçikletë ....ca cullufe gruri e dy sy që të digjnin e s'po vinin që s'po vinin ..... Ndenjëm atje deri sa perëndoi dielli.
Tina dilte rrallë nga shtëpia. Që e vogël kish kaluar një sëmundje të rëndë që i kish bllokuar dy këmbët. Rrinte më shumë brënda, qëndiste, bënte grep. S'kish ditë të mos mbaronte nga një kuadratë pambuku, qe s'di pse duhej te mbarohej pa ardhur e ëma nga puna, e vinte, e maste, e shtrinte me duar mbi krevatin e gjërë....Oh, sa kuadrata që kurre s'mbaronin, duheshin me dhjetra sërë… sërë sa t'a mbulonin të tërë.... Per mua dhe fëmijët e tjerë kishte ditë, javë, muaj qe fluturonin zogj te lirë jashtë, në lojra, në ajër ...të lehta, pa kuptuar, por për shoqen time, Tinen e shkretë, ditët s'ishin ditë...s'kish për të, të hënë, të martë,....te shtunë, të djelë......Ditët e saj ishin ato kuadrata të njëjta pambuku, ca me vrima e ca me mbushje ....njësoj...njësoj. Ndoshta nje ditë kur te mblidheshin te gjitha njëherësh do mbulonin kohën vetë ....që s'kish se si mbulohej e tera pa iu zbuluar ca këmbët ......
Por Tina as mërzitej, as ankohej. Unë e ndiqja e rrija me të si manare, herë mbi stolin prej druri në ballkon, herë nëpër shkallë.... Sa do doja t’i ndalja... t’i shqepja...t’i hidhja, t’i ndaloja ato copa pambuku qe ia bënin atë gishtin tregues të dukej gjithnjë dhe i skuqur dhe i nxire, ashtu tek gervishtej e lemohej nga grepi qe levizte aq shpejt sa të merrte sytë....
Por nuk e ndihmoja dot, veçse një ndjenjë e vakët sa më lagte sytë fshehurazi dhe më lidhte më shumë me të. Në atë kohë te largët, nuk di pse fustanin apo pallton më të mirë, me te ngrohtë, si te ish lekura jote e dytë, e krijuar enkas per ty; ato mballomat me gomë apo me shollë te trashë, qe mbulonin të çarat e shollës së këpucëve të holluara si fletë cigareje, këpucëve aq të vjetra e të tretura, sa mend rënkonin me zë "na lini të vdesim rehat, se nuk ecim dot më "; ato fijet e hequra te çorapeve xham, te holla te grave, fije qe kishin shkuar deri ne fund, në thëmbër, si ca rrëke të hapura , të gjëra uji ,derdhur papritur mbi një zonë te ndaluar, thurur imët me nyje dhe najlon, të gjitha këto....s'di pse.... s'kish si të mos rregulloheshin, qepeshin, ngjiteshin, krijoheshin, persoseshin, nga ca njerëz që kishin diçka veç të tjerëve.... Rrobaqepsja o do kish nje gungë, o do ecte çalë-çalë, këpucarit me te mirë, me siguri duhej t’i mungonin dy-tre gishtat e dorës...ato gratë e moshuara që qepnin çorapet s'di pse duhej te kishin ca syze me xham të trashë si fund kavanozi....Frika, stepja e momentit të parë kur i shihja këto më kthehej në çudi, miresi për ata dhe për vehten.... si të isha e vetmja unë që të zbuloja tek këta njerëz ca dhunti .... pushtet....magji....si ne përralla.....magji qe s'e kishin kurrsesi njerzit e zakonshëm.....
Tina njërën këmbë e kish më të hollë se tjetra ....si pa jetë, me gju të kthyer mbrapsht, e tërhiqte zvarrë....
- Ah, kjo këmbë, e kam pak të semurë - thosh dhe kur ulej e hidhte si ta kish lodër ...ashtu të pajetë, të hollë ....të bardhë qumësht ....mbi këmbën tjetër ...
Shkallët e pallatit i zbriste vetë ....ashtu me zor, gërvishte nëpër parvaze, mure, duart, brrylat, që ishin berë gjithë kallo, krahet i ishin berë gjithë muskuj, të plotë .. aq të fuqishem sa ndonjëherë po të zemerohej, apo kur qeshte me të madhe me një të goditur të perplaste tutje ....Ama kur dilte jashtë, i duhej patjeter një sup ku të mbeshtetej ....
Oh, ç'hiqte ai supi im nga pesha e saj, por unë nuk bëja zë...Tek tuk i jepja ndonjë buzëqeshje inkurajimi apo kur arrija të mbushesha me frymë thoja “ja dhe pak, ja dhe pak"... Tina që djersinte si kale, duke terhequr këmben zvarrë me një zhurmë si të fshesës prej shqope të fshesaxhinjve që fshinin rrugët në mes të natës, herë herë rënkonte lehtë kur mbushej thellë me frymë tek bënim ca ndalesa të gjata, ku te cepi i pallatit, ku te ca gurë të mëdhenj pranë pusit të tharë në oborrin e pallatit,....apo në pushimin midis kateve ....nëpër shkallë ..." Dhe pak, dhe pak" ...Ç'shpresë, ç'mrekulli prisja të ndodhte në ato kohë të largeta?...
- Çaloka e shkreta....- dëgjoja shpesh ndonjë përshpërimë keqardhje të kalimtarëve ...
- Dhe pak dhe pak - i jepja zemër asaj dhe vehtes ....
Në botën e fëmijës mbushur me çudira, gëzim, lojra, shaka, diell ...nuk ka se si të futen ca të vërteta, mangësi, sëmundje, fatkeqësi, frikë ...gjëra që të trondisin dhe te dhembin. Ato s'hynë dot dhe po qe se ndodh që të trokasin papritur si këto fjalë kalimtarësh, mbeten atje, kthehen mbrapsht ....Për ata vetë mbeten atje në botën e të rriturve, vetëm për ta, apo mbeten pezull, të lëna matanë...per t’u marre me to në një kohë tjeter.....
Në atë kohë të largët Tina ish më e bukura ndër vajzat e pallatit ...Sa për këmbët ...s'ishin veçse pak të sëmura ...që një ditë dhe ja, do bëheshin si tonat...por dhe po të kalonin shumë ditë ..s'kish gjë.... le të priste ....Ajo ish shpirti i lojës, shakave, qëndra e grupit të fëmijeve...mbase dhe Tina e dinte këtë prandaj sikur s'donte të rritej, donte të rrinte vetëm me ne ,e barabartë në mes të barabartëve....
U ngritëm të shpiheshim, të shkundnin ca leshra të dredhur, të keputur, shpërndarë ngado, e po hidhnin dhe një herë sytë jashtë. Rruga po mbushej pak nga pak, me femijë ulur në karroca dore, burra, gra, që benin xhiron e mbrëmjes me sy akoma të enjtur nga gjumi i vapes.
Karroca e Dalipit, plakut që jetonte vetëm në shtëpinë me qerpiç ngjitur me pallatin tonë, e tërhequr nga ai kali i tij më i plakur se i zoti, i zi, i dobet po zvarritej tani mu në mes të rruges. Dielli po perëndonte por zifti i asfaltit ish akoma i butë dhe se si i ngjiste paktonjtë e kalit, që linin pas tek tek gjurma të thella paktonjsh. Kali dukej sikur ecte mbrapsht, me mëdyshje, të ec apo të rri, me ca sy të turbullt, të veshur.
Papritur, atje larg, e njëjta njolle jeshile, biçikleta ..po afrohej...
>U pamë sy me sy me Tinën.
- Ua po vjen prapë, po vjen - thërritëm të dyja me habi, frike....
Ja ku ish perseri i njejti, prapë atje ku u rrëzua ca orë më parë. Se si ndali prapë me një këmbë mbi trotuar, përkuli pak kokën.
- Tina, fshihu, do na shajë, bërtasë - i thashe unë.
Por për çudinë time ai duke parë nga Tina, vetëm me një dorë në timon, dorën tjetër e afroi mbi buzë dhe leshoi një të puthur në ajër....Tina u skuq, lëshoi flokët e verdhë mbi fytyrë, e prapë po mundohej të shihte mes flokëve të dëndur, me atë syrin e hapur te shkruar, me qerpikë të dendur, të drejtë si hala pishe.....
- Ua, të puthi moj!
-Jo mi, ç'ne ....-dhe u plas përtokë, e thyer në mes, që të fshihej.
-Shife është akoma atje? -me përshpëriti me duart që i dridheshin, tërë djersë.
-Ehe.....
-Ç'po bën?
-Po sheh këtej, ja ç'po bën...
-Ua sa frikë.
Në fakt në sytë e saj mund të lexoje çdo gjë ngatërruar....të nxehtë....që sikur dridhej në ajër...mes zërit të saj...Por frike? Kurrsesi....
S'di pse lumturia ndonjëherë të bën të gënjesh pa asnjë shkak, ashtu kot si të gjesh një sekret të ëmbel për të mbajtur në barazpeshë një lumturi të papritur që të përhumb të terën, të merr mentë e të ngre lart ...
Atë natë ndenja atje deri vonë. Tina s'pushonte së foluri, qeshuri, dhe nuk di se pse donte t'ja përserisja çdo gjë, hollesi, sikur ajo të mos kish qënë vetë aty, si të donte të ripërtypte e shijonte prapë çdo detaj....Dhe unë atë natë, pashë ca ëndrra me një biçikletë që ecte pa njëri, në ca ujra ...deti… mbushur me luspa të arta peshku nga rrezet e forta te diellit....

***********

Ah, ato ditë të nxehta vere....aq të largëta dhe aq të afërta në kujtimet e mia sikur të kenë qënë dje. Për ditë të tëra ngulur pas ballkonit, në vapë, në mbrëmje, eshihnim të dyja tek vinte që nga larg, me të njëjtën biçikletë, me po atë pulover jeshile, me sytë ngulur mbi ballkon....Lëshonte një të puthur me dorë, e largohej....Vinte prapë...Kish ditë që vinte dy- tre herë ...Kur qëllonte që Tina nuk ish në ballkon, fishkëllente si zog...." fiu...fiu..." Une me veshët ngritur, në shtëpinë time, e dalloja që ish ai, vrapoja lart tek shtëpia e Tines.
- Eshtë atje, po pret.!...
Ajo linte çdo gjë, e i merrej fryma tek çapitej një këmbë atje një këmbë aty....gati e thyer në mes....me zemrën që i rrihte fort, ndonjëherë dorëzohej " s'eci dot "....dhe unë rendja para saj, tek ballkoni... prisja atje deri sa ajo të vinte .....Rrija mbi parvaz ,si roje..si shënjë ....që ai të mos ikte ....
Më zbaviste ajo lojë apo ish më tepër se aq ?
Ah, ç'nuk do të jepja të shihja prapë, gati ta prekja magjinë e dy palë syve aq të kthjellët ....larg dhe afër ...që shiheshin sa mbusheshin me lotë apo dritë? .....Të shihja ato shënja të lehta ..gati të pakapshme ....në ajër ...që e bënin të elektrizohej...fërgëllonte ajri ...Fiu...fiu ....dhe për çudi mbeteshin atje dhe kur sytë largoheshin e s'ishin më dhe mbylleshin në ëndrrat e natës .....
Xixëllonjat ato netë, fshehur në gëmushat anës rrugës sepse nuk ishin më xixëllonja, as yjet e largët ....të panumurt ...afër njëri tjetrit...në atë qiellin blu të thellë, aq të errët ....të ngrohtë ....s'ishin vetëm yje ....kur errej sepse çdo gjë kthehej, vishej me një kuptim, tis të zbehtë magjie ....e çdo gjë fillonte bëhej pjesë e një të tëre, duke u tretur kthehej në një botë të plotë, botë tjetër, ireale, aq e ndryshme nga bota e përditshme me diell, zëra, ...një botë tjetër, por po aq e gjallë, lëvizëse, që kujtoja se e ndjeja vetëm unë.. .Me sytë, mëndjen që endeshin gjithandej në atë kohë, as që mundohesha të gjeja pse ...kur .... si ndodhte kështu.....vetëm mbushesha si kurrë më parë deri në fund të mushkrive, atje mu në fund ku shpirti dhe zëmra janë një ....hem me frymë, hem me gëzim të fshehtë, hem me atë puhizën aq të lehtë që pothuaj nuk leviz fare, aq të ngrohtë që dilte që poshtë thellësisë së errët të qiellit dhe kthehej prapë atje valë valë, kthehej nga ish nisur pasi më kish përkëdhelur mua në fshehtësi, kthehej pasi kish marrë dhe frymën time, më e ngrohtë se më parë, puhizë e lehtë që vetëm në ca netë vere si ato, në atë vendin tim të largët mund t’i gjesh, ndjesh.....dhe që tani ah, tani i kam humbur e kurrë më s’i kam ndjerë si atëhëre ....
Në ato kohë vetëm aq më mjaftonte....
---------------
Si sot më kujtohet ajo mesditë gushti . Ne po si gjithnjë në ballkon. Një zetor i ndalur lënë ndezur në anë të rrugës, turfullonte me një zhurmë të çjerrë, duke nxjerrë një tym të zi, të dendur.
- Fikeni ej.... na shkalluat - dëgjoheshin të thirrura gjithë inat që brënda dritareve të mbyllura.
Zetori me baltë të tharë mbi rrotat e mëdha, turfullonte akoma më keq... mospërfilles e më i nxehur se ata ....duke mbytur çdo zë.... ankesë .....si lokomotivë e ndryshkur treni...çuf...çuf.....Nuk kaluan disa çaste kur ia behu një flakë m’u në pjesën e përparme të zetorit, në fillim me ca gjuhë të kuqe flakë e më pas përzier me shtëllunga tymi akoma më të dendur, të zinj....
-Ujë, ujë ....- filluam tu thërrisnim ne atyre të kateve të para....Në çast u nxorrën zorra uji, kush vraponte me kova, ca fëmijë të vegjël me ndonjë shishe me ujë në dorë ....kush me batanije....një kalimtar ndaloi dhe po hidhte grushte me dhè të tharë mbi motor ....Nuk di se si, sa hap e mbyll sytë u grumbulluan aq shumë njerëz, me kova, shishe, që thërrisnin ..vraponin, vinin, iknin, ktheheshin prapë me flokë e fytyrat tërë djersë, blozë, pluhur ...të rritur, fëmijë....Ca sehirxhinj me duar të lidhura prapa...më larg.... kishin ndalur pa bërë gjë, e shihnin me nge. ........
Ballkonet u mbushën sa hap mbyll sytë me njerëz, dhe kur s'kish më vend në to, për ato familjet me shumë vetë, hynë në punë dhe dritaret e ngushta të banjove. Ca mbushën përvazet e shkallëve, ca hypën mbi pemë, si e si mos i shpëtonte gjë. ...Dhe ata që kishin sharë, thirrur, ankuar për zhurmën më parë, tani shihnin pa berë zë. Një fëmijë i vogël tërë qurra , zbathur, qante e thërriste atje në mes të rrugës, me shumë se të gjithë .....Zetori si një i vdekur në grahmat e fundit nxirrte ndonjë shtëllungë tymi të zi me kërcitje...Nuk kaloi shumë kohë dhe njerzit e grumbulluar rreth zetorit të bërë shkrumb, filluan t’i hapnin rrugën, me fytyra të merakosura, të prekur, ne pritje, në heshtje, zetoristit, një burrë i moshuar, që po afrohej mbajtur nga dy burra të tjere për krahu, duke ju marrë këmbët...
....Kush i rrihte shpatullat nga prapa, kush mundohej të thosh ndonjë fjalë të mirë në kalim e siper. Në çdo ndodhi ka një pikë kulminante, si në një dramë a tragjedi, dhe njerzit po mbanin frymën kudo që ishin, me sy të përqëndruar, gati pa frymë ....që të shihnin aktin e fundit........
- Sa gjynah...i shkreti ...., mos u mërzit, bëhu burrë, - dëgjoheshin tek- tuk si të ishin ca zogj të shkëputur, të guximshëm që dilnin mbi ujin e një deti mërmërimash të mbytura mirësie e keqardhje.
-A s'më çani kokën.... unë pi, ju s'më lini....qenaaa - thërriti zetoristi me një gjuhë të trashur, dhe u ul mbi trotuar, duke zënë kokën me dorë .
Ca filluan të qeshnin, ca të largoheshin nga pak....Ndonjë që s'po i besonte syve, veshëve, i fyer keq, i ndalur në mes në aktin e heroizmit, vetmohimit të papërfillur thërriste :
-Zetori është pronë e popullit, ta ruajmë si sytë e ballit -
Në atë kohë të largët, aq shumë ishim mësuar me parrulla revolucionare, që i shihje ngado, në pallate, rrugë, mbi kodra ....sa ata më të zellshmit, i thonin në ca momente si kjo, me zë, dhe të tjerët o tundnin kokat të menduar, duke miratuar në heshtje si të zënë në faj që s'ishin ata të parët që ta thoshin....apo largoheshin pa u vënë re, por zetoristi i shkretë, ulur në trotuar përsëriste pa pushim :
- Ç'më çani kokën me gjithë zetor, ...me gjithë pronë, ....me gjithë popull ... qenaaa ... dua të pi ....pse s'më lini..dua të pi ....-
Të zëna siç ishim duke parë zetorin, as që e vumë re biçikletën, pulovrën jeshile, djalin e zbehtë që për herë të parë pas kaq ditësh, javësh, pa i kthyer sytë nga ne, iu afrua zetoristit, zbriti me ngathtesi nga biçikleta mbi trotuar, u perkul mbi plakun, seç i tha në vesh dhe i ndihmuar nga dy burra të tjerë, e ngriti dhe e uli në pjesën e prapme të biçikletes. Ai i bindur si një fëmijë i vogël, lidhi duart pas brezit të djalit e të dy bashkë u larguan me shpejtësi.
Ne të dyja u shtangëm, tani ish e qartë çdo gjë....pulovra, ndrojtja, balta e tharë në rrotat e biçikletës .....ai vinte që nga larg, nga fshati....nga ato fushat atje larg ..... ku dihej mbase zetoristi i pirë ish i ati....

********

Buzëmbrëmje fund gushti. Ajer i palëvizur....i nxehtë.....Megjithëse dielli kish kohë që kish perenduar e nuk e shihje më, e ndjeje akoma në trup, në floke, ajër, rrugë, asfalt, si të ish një aromë kripe e tharë dhe e ëmbël ....dhe e ashpër, dhe me pluhur......
Sekretin e Tines e dinim pothuaj të gjithë ne, te vegjlit. S'di pse për gati një muaj asnjë nga ato plakat vigjilente të mëhalles s'kishin pikasur gjë....Kushedi sa të zëna ishin në atë botën e tyre...Ndersa ne jetonim në një botë të nëndheshme....të freskët....ku përrallat, legjendat ndodh që të ngatërrohen keq e zanat bëheshin femijë me qurra që qajne dhe zvarriten në pluhur dhe fëmijët ose me sakte, Tina behej sirena që s'ecte dot .....
Atë ditë ai, "Jeshili", pas shume lutjesh e puthjesh në ajër, dorën mbi zemër, përkulje koke e fishkëllima zogu kish arritur ta bindte Tinen të zbriste poshtë, në buzëmbrëmje qe ti jepte dicka, të fliste ca çaste me të, tek cepi i pallatit......
Ne fëmijët e kishim rrethuar Tinen kinse po luanim aty pranë, sa ajo s'lëvizte dot, s'dukej dot ....
Ai erdhi mbi biçikletën e tij....Flokët i kish krehur me kujdes. Nën pulovrën jeshile kish veshur një këmishë të bardhë....Ndali.....Grupi i femijëve bëri një rreth të pakalueshëm rreth Tines...Vetëm maja e kokës me flokë të verdhë dukej. Tensioni, vigjilenca ndihej deri në ajer....Ai ndali me një këmbë në trotuar duke kërkuar me sy. Mbi ballin e lëmuar të nxirë, por dhe të zverdhur ca pika të mëdha djerse ....
Kur ia behu Hysa.
Me siguri me ato flegrat e hapura tej mase e kish ndjerë rrezikun, si të ish para fillimit të një lufte të çuditshme në një shesh të hapur beteje ....I beri një të shtrënguar rripit të pantallonave fort duke i ngritur lart deri mbi stomak. Të rriturit sa herë e shihnin e merrnin me të mirë i thoshin: " Hyse t’i mbrosh fëmijet , ti je më i forti " dhe ai tani, sapo kish pare ketë djalë të zbehtë që s'ish i lagjes sonë kaq pranë fëmijëve ....u hodh mbi rrotën e parë të biçikletës të tij dhe e shkundi me ca duar të forta...me sy të zgurdulluar :
- Qerrohu ....zhduku ....- filloi të thërriste me të madhe
Fëmijet që e kuptuan nga valët e zërit të Hysës se sa i fortë ish rreziku, filluan të largohen një nga një ...si minjtë të fshihen andej këtej .....Mbeta vetëm unë dhe Tina me një dorë mbështetur mbi supin tim....e me tjetrën mbi mur....Hysa po e shtynte djalin në gjoks, ta zmbrapste ....Pulovra e tretur, e zbardhur, jeshile u shqye. Tina u lëkund ..s'po mbante më ekuilibrin, ashtu e skuqur flakë...Në dorën që kish mbështetur mbi mur po shtrengonte fort një fotografi të saj, mbeshtjellë me shami të vogël të qendisur...me azhure e trendafil .....Ai po e shihte tani jo si me pare nën ballkon. O zot, të goditurat, pulovra e shqyer, të thirrurat sikur s'kishin të benin me të ....Sytë i kishin ngrirë mbi këmbët e saj ......mbi flokët, buzët, sytë e Tines....
Kurrë s'kisha parë nga afër sy të tillë, të thellë, të shtangur .....mes joshjes e habisë ....dhimbsurisë, përkëdheljes bashkë e dhimbjes ...mes puthjesh e lotësh.....mes pritjes dhe padurimit .. gëzimit dhe largimit....Ata sy dhe Hysën vetë, e bënë të heshte një çast e të shihte ç'po shihte dhe ai ....
Tina me futi në dorë fotografinë dhe më shtyu nga djali ....Une iu afrova atij dhe ia ngjesha fotografinë e mbështjellë në xhep....Djali ktheu sytë një çast nga unë, " heroinen e heshtur" ....që mposhti frikën ....Dhe sa hap e mbyll sytë më dha një fotografi të tijën...
- Shporru - u përmënd prapë Hysa dhe filloi ta shtynte më me forcë....
- Ik, ik - therriti Tina me tmerr
Ai si të permëndej, u hodh mbi biçikletë e u largua me pulovrën cope copë ....
Hysa i kënaqur u afrua tek ne .
- He, le të guxoj t'iu prek ....Ja vdekje, ja liri .....-
Hysa kish qejf të përsëriste të njejtat fjalë " ja vdekje ja liri " sa herë që dilte fitimtar .....Kësaj herë mbi kë?
Mbi një pulovër të grisur apo një shpirt të vrarë ?

*********

Të nesërmen ish e djelë. Që pa larë sytë mire trokita tek dera e Tines. U shfaq e ëma, Eli, ashtu e gjatë, e madhe sa një hata, e veshur me të zeza, me buzë si te mbledhura me inat.
-Ç'do?
-Tinën
-Tina s'është shoqja jote, është e madhe tani. Ik, loz me kalamajtë.. Ç'më vjen ketu?...Tina është sëmurë....
Unë zgjata kokën, të shoh brënda pa pyetur për breshërinë e fjalëve të egra që po më rrihnin veshët si ca lakuriq nate. Pashë Tinën që po lante e përkulur në mes ,duke u zvarritur, me një leckë pllakat e kuzhinës.
- Po ajo po lan !?
- Futu... futu brënda, rrodhe - më shtyu gjithë inat e ëma duke kontrolluar me sy jashtë se mos e shihte njëri . Më shtyu drejt e në mes të furtunës....
Edhe spiuni më i regjur nuk do të ketë vuajtur aq sa unë atë ditë nën ata sy të zinj, si dy gjarpërinj të Elit, që hem të zhbironin, hem të ngrinin....hem të pickonin, hem të helmonin.... Si djallin, ajo që ndodhi një mbrëmje më parë të ish zbuluar aq shpejt ....
- S'ka më të rrini në ballkon.....s'ke për të dalë më nga shtëpia ...të bëj gropën me duart e mia
- E pse...ça ....ai nuk do vijë më, plasi ai për mua, nuk vjen më jo...he, për mua... gjysëm njeriu ...- i shpetoi Tines mes gulçeve, loteve me leckën e shtrydhur në dorë....- gjysëm njeriu..më shih si jam.. hë, gjysëm njeriu ....- dhe shpertheu me keq në të qarë.
E ëma u step një çast, vetëm një çast të vetëm nga shpërthimi i papritur i Tines, dhe ktheu prapë sytë nga unë
- Ti, ti e ke fajin.....
-Une, pse ç'kam bërë unë....
-Ç'ju tha... pse erdhi...pse e ngacmon Tinën ? - filloi prapë Eli
- Asgjë , asgjë ...- përsërisja unë e mbledhur grusht .
Ndonjëherë pafajsia e fëmijës mund të fshehë dhe sekretet më të mëdha Filluan të më dridheshin këmbët. I hodha një sy Tinës. Ajo më kuptoi..."Mos, mos " më bëri shenjë me sy e trëmbur dhe ajo dhe menjëherë e ngriti zerin tek qante ...- gjysëm njeriu, gjysëm njeriu, eee - si të kuptonte që kish gjetur pikën e dobët ku e ema dorëzohej.
- Pa mbylle grykën, mjaft - ia kthente Eli me një zë të pasigurtë e të zbutur.
Që atë ditë s'pushuan shirat, ato ditë të fundit të gushtit ...mirë thonë gusht e gunë....Me shiun bashkë rridhnin dhe ditë të tëra pa asnjë ngjarje. Biçikleta, pulovra jeshile, ...s'u dukën për ditë me radhë...Çdo gjë po kthehej si më parë ...vetëm Tina herë pas here kur ishim vetëm, nxirrte nga një kuti e vogël prej druri që e kyçte me një çelës të vogël ku fuste ca gërshërë të vogla, molinetë, rrotka me ngjyra, gjilpëra..nxirrte fotografinë e tij...aty "ai" dukej më i madh, aq serioz, me qafë të ngrirë, me flokë të lëpira mbi ballin e zbehtë ....por sytë jeshilë të futur thellë në zgavra se pse të nguleshin drejt e në zëmër....dhe pse në to kish dhe ndrojtje dhe hutim...
E shihte për minuta të tëra dhe humbte.
Kish kaluar jo me shumë se një javë kur një ditë tek po luaja me fëmijët jashtë mbi trotuarin e rrugës..shoh biçikletën, pulovrën e qepur shkel e shko jeshile....dhe fytyrën e njohur, që ish hequr ,zgjatur dhe që ma bënte me dorë ....Ju afrova pa e pare, me kurriz sikur po lozja atje mbi bar.... afër trotuarit ....
- Jepja, aman - dhe hodhi tek këmbët e mia një copë letër të mbledhur.
E rrembeva dhe ia thera këmbëve....Po të më kish parë Eli isha e mbaruar ....ajo me një dorë më përfshinte e më shtypte si plesht ...Por dhe një si gëzim ..gëzimin që e dija se do t’i jepja Tines, më jepte kurajo....zemër...Oh, si i ngjita shkallët ...U plasa në guzhinën e Tines që ish vetëm e po qëndiste..Nga jashtë dëgjohej një " fiu... fiu" aq e ëmbël...si në të qarë që s'pushonte e s'pushonte....
- Eshtë ai - u hodh ajo përpjetë ...Oh si i ndriti fytyra. Une i hodha në dorë letrën që e hapi me duar të dridhura..." do të marr për nuse, siç je, punë e madhe se je sëmurë , do të shërojë unë, të dua, do të rrëmbej , dil nesër në darkë, të dua për vdekje " ish shkruar me një shkrim si të një fëmije të klasës së parë dhe më poshtë vizatuar një zëmër e shpuar me një shigjetë te shtrembër në mes dhe emri i tij .. Bimi .....
Ajo fishkëllima vazhdonte atje jashtë pa pushim....pa u lodhur ...si të qante nga padurimi ...
Të kenë qënë ndonjëherë zogjtë kaq të dashuruar ..të frikesuar ...të paduruar ..që shpikën këtë fiu..fiu ...si në të qarë e në të dridhur ...në dimër e në verë ? ....Ku ta dish....zëri qënka i pari që nxjerr jashtë ca vibrime zemre ...ca dridhje në ajër që arrijnë deri tek ty që të bëjnë të dridhet trupi dhe duart me të njëjtën dridhje, mjaft të kesh veshë e të dëgjosh...të kesh zëmrën e hapur e të ndjesh si Tina ....që hem zverdhej ....hem skuqej...që hem bënte që të ngrihej dhe të dilte, e hem zmbrapsej....
Dera e jashtme kerciti dhe ca këmbë të mëdha, hija e zezë e së ëmës na stepi.
-Prapë ti ketu, ik, të thërret jot ëmë- më bërtiti mua
Unë rrëshqita pa folur si kone e zbutur me bishtin ndër shalë, por dhe me inat e gëzim bashkë. Inat për të e gëzim për Tinen...Isha dhe unë që po e shpetoja nga thonjtë e saj , hija e saj e zezë, sëmundja ..ashtu fshehurazi....isha dhe unë...


***************

Ai ishte atje, në anë të rrugës, mbështetur tek muri i shtëpisë përdhese përballë ballkonit të Tines me biçikletën për dore. Ishte atje ......Tërë paraditen me duar që na dridheshin nga gëzimi, frika, padurimi....bëmë gati një bohçe të vogël me plaçka....një palë shapka, çorape, mbathje, një shall të vogël te mëndafshtë, ....nuk harruam dhe kutinë e vogël prej druri....dhe thërrisnin e flisnim pa pushim dhe rrinin për minuta të tëra të hutuara, pa folur, ne mes të dhomës me duar të varura ..e sy të humbur
Ç'po bëjmë kështu....? Si është e mundur?
Jashtë akullorexhiu, një jevg i gjatë kish kohë që thërriste me sa kish në kokë
- Akullore me kajmak! - thërriste me inat, nga fundi i mushkerive sa tundeshin xhamat....
Vera po dilte e i duhej të priste për një verë tjetër po kaq të nxehtë e të gjatë........
Akullore me kajmak ,
me krem dhe çokollatë
i bën xhaxhi për merak .....
Fëmijët e ngeshëm e ndiqnin pas duke përseritur fjalet e tij në kor që për kaq verëra me radhë ishin po ato.....dhe si gjithnjë shtonin dhe ca vargje nga vetja :
Merr paratë dhe dil me vrap
Prandaj xhaxhi ju ka xhan ....
S'ish e vështirë dhe për fëmijën më të humbur të kuptonte se ato vargje me rima kishin lindur një ditë në kokën e jevgut për ato të shkreta lekë .....që po s'i kishe tamam të fuste një shpulle ****ëve e kthehej e mbushte lugën plot duke zbuluar ca dhembë të bardhë, të gjatë, ndonjë fëmije të shoqëruar me të rritur përdore, i krehur e stolisur për bukuri, që prisnin me durim nën diell a nën shi duke i zgjatur leket .
- Akullorja, erdhi akullorjaaaa - vazhdonte jevgu jashtë pa pushim.
Ndonjëherë, ndonjë i rritur, i ngeshëm vetëm në kanatiere e brekë mbështetur në ballkon, i tekej papritur t’i bashkohej korit të fëmijëve me një zë të trashe baritoni:
Akullore me kajmak
I ben xhaxhi për merak
- Akullore me *** jevgu - ia plaste ndonjë fëmijë i pluhurosur, i zbathur, në vrap e siper, nga inati që s'kish një dysh në xhep....dhe jevgu që e linte karrocën dhe e ndiqte nga pas si i krisur ..... Oh, sa herë dhe ne i bashkoheshim korit të fëmijëve "Akullorjaaaaa......"
Por atë ditë ne i dëgjonin të thirrurat jashtë si të vinin nga një botë tjetër, e largët...pa pikë kuptimi .....e zvogëluar ...para asaj që do ndodhte ....që po priste atje ....me këmbën e përthyer.....me sy të ngulura nga ballkoni i Tines qe ish aq i heshtur, i kyçur për ditë të tëra, mbuluar nga ca perde të trasha, që çeç lëviznin si padashje, e frike në cepa dhe mbylleshin prapë më të rënda e të heshtura se më parë ...Më në fund vajtëm e po shihnim të dyja qe nga dritarja e vogël e banjos.
Ah, ato çaste, nuk di se pse dhe unë ndjeja frikë, gëzim....ankth.....Të ish kështu se e ndjeja veten bashkëfajtore në një faj që s'ish faj....në një ndodhi që s'ish ndodhi.... në një shpëtim, marrëzi....arrati ....nga ato ku jeta ndalet në mes e pret të fluturojë apo të permbyset kokëposhtë në humnerë.....në një nga ato çaste kaq të pakta në jetë ku çdo sekondë e minutë ndalet, ngrin....dhe fryma të mbetet pezull nga një gëzim, kurajo....padurim ....për atë që s'ka ndodhur ende por që është aq afër...dhe është aq larg.....
Oh, kohë fëminije e të rriture bashkë .....
A ju ka ndodhur ndonjëherë kur ndjenja është aq e fortë, e panjohur kurrë më parë, e çuditshme sa gati të trëmb, sa shndrrohet papritur e ngulet në kujtesë me një ndjesi fizike, që pothuaj e prek, e nuhat...e kërkon pa e ditur, të vjen e të gjen vetë atëhere kur s'e pret, përsëritet prapë ....kuturu....në një kohë tjetër në jetë....në rrethana të tjera...në vend tjetër ...por me të njejtën forcë, e pandryshuar ....provë se thellë thellë asgjë nuk ka ndryshuar tek ty, që nga feminija.
Keshtu ndodhi me mua. E kujtoj si tani se si po më mbahej fryma pezull sikur të isha zhytur pikërisht atë çast mu në mes të një deti të ngrohtë, vetëm, papritur, drejt e në thellësinë si xham i ujshëm, jeshil me këmbët e shkurtra bërë si dy copa akulli, me gishtrinjtë e ngjethur, të mpirë nga të ftohtit, ndërsa krahët, koka e supet gati merrnin flakë nga dielli ... Me gojën plot me ujë të kripur, të athët, veshët, sytë e lagur, që dhe digjnin nga kripa dhe freskoheshin nga valët që përplaseshin tek unë, tek rrekesha pa ndalur, si e lojtur, të shkoja më larg..me larg.......deri në fund të botës, të gjeja atë që askush s'e kish gjetur.....ashtu, frymë e trup pezull në ajër, lart mbi valë, mbi ujë.... të hidhesha si peshk ..më larg..më larg ..pa pyetur për krahët që më lodheshin...deri në mpirje..pa pyetur sa larg po shkoja ....larg....larg.... Oh, ç'ngjethje, zbulim.....që i jeton kaq rallë e që unë i provova kaq herët.....Kur papritur, minutat , koha vetë ndalet si të mos ketë qënë kurrë, ndalet e dorëzohet në një qetësi që të tremb, trullos, aq mospërfillese, e pafund, si qetësia e hapësira e palëvizur e detit...kur dielli vetë dergjet mbi ujë, i lodhur së vrapuari larg prej teje, dorëzohet tek unë, fëmija, ja atje, thyhet më në fund në copra-copra të arta, e unë qe vazhdoj lojën, ngjitem lart....më lart mbi valë....të shkoj e të digjem drej e në burimin e tij ...duke kaluar e rrokur më parë një nga një ato rrathët e artë mbi ujë, që se pse pa i arritur mirë më rreshqasin nëpër gishtrinj, trup, dhe qeshin dhe lozin,... dhe fshihen dhe humbin ....Oh, ato çaste, në atë det që më dukej se ish vetëm i imi ....Gjithshka, deri ajri, pafundesia blu dhe e bardhë ishin dhënë tek mua, ishin dorëzuar në heshtje të tëra bashkë ...të tëra atje ....mjaft që të merrja frymë aq thellë sa të mbetesha pa të ...mjaft që të dija të lumturohesha deri në drithërimë. Ah, çaste të vetme kur e ndjen që je zot, zot ..mbi të gjithë...kur pothuaj ke prekur misterin e jetës tënde....pa e ditur.... se s'je veçse një pikë e zezë mes detit, larg bregut, vetëm, ........ke prekur e janë gati të ndodhin, ja ku presin për ty ca bëma...arritje që s'njohin pengesë.....presin atje në qoshe të kohës, tek ajo vijë e mjegullt e bardhe ku qielli dhe deti puthen e shkrihen në një të vetme ...çaste lumturie të mjegullta që dhe i shtyn, por dhe i rrok me nxitim në çdo marrje fryme, ...paçka se nuk i di me hollesi se ç'do të jenë ....kur, në ç'kohë do të vijne tek ty....
Ah, kohë fëminije, pse ike aq shpejt?
Tina me duar që i dridheshin, aty mbështetur pranë dritares së banjos, hapi dhe një herë letrën si të sigurohej se çdo gjë ish e vërtetë, ish e sigurtë, s'ish ënderr…
- Do me sheroje?!... Të dua për nuse...të dua për vdekje ....A e sheh si po me pret?!..Eshtë atje ....Si do bëj ?- i bënte pyetje vetes me zë të lartë.
Thonë më kot se kur rritesh piqesh, ndryshon, bëhesh tjetër njëri ....Une as që e besoj ketë …Eshtë vetëm se duke pasur me shumë ditë, muaj, vite në jetën tënde të shtohen ca ndodhi më shumë, që të rëndojnë në thesin e kujtesës, ndërgjegjes, thes që s'ke ç'i bën por e tërheq kudo me vehte, dhe të rëndon, dhe të shtyp, dhe të plak, dhe të vdes.....por kurrsesi s'të ndryshon....Ca njerëz kur u duhet të hyjnë në një botë tjeter, të të rriturve nuk di se pse nuk arrijnë ta kapërcejnë pragun kurrë, mbeten atje në prag, më shumë fëmijë se të rritur ......
Fjalët e letrës që i mbushnin sytë e Tines me gëzim e lotë njëherësh, më thoshin dhe mua, fëmijës, se atje jashtë paska ca djem të rritur, me fytyrë të hequr, të zbehtë e vështrim të ndrojtur që të ngroh e shpon zemrën, që kanë mbetur në atë botën e femijeve ku çdo gjë është e mundur...ku mrekullitë ndodhin çdo çast, mund të te prekin me majat e gishtave e pastaj të te rrëmbejnë ne nje biçikletë te thyer, dhe të perfshijnë e rrokin në atë kraharorin e ngushtë, të dobët me pulovrën e zbardhur të grisur.... Une, si Tina, jo vetëm i besova deri në fund të shpirtit një nga një fjalët e letrës se tij, por dhe gati e shihja tani Tinën të ecte mbi dy këmbë të shëndosha ..në krah të djalit që e priste me kokë ulur dhe bënte ca rrathë në pluhur me kembën e tij.....
- Ku je futur, moj dreq? - hapi derën e banjos Eli, që s'e kishim ndjerë se kishte ardhur nga puna - Ç'e ke atë letër ? Ç'e ke? Pa ma jep mua ketu – dhe zgjati doren.
A e keni parë ndonjëherë diellin të mbulohet papritur me re të zeza, që dhe të humb, dhe të tremb edhe të zhyt në terr edhe të vdes....Dhe kjo të ndodhë pikërisht kur je ngjitur aq lart sa gati prek diellin e përvelohesh nga drita .....
Eli rrëmbeu letrën, pasi e lexoi një çast e grisi cope-copë, duke qeshur e thirrur me një zë të çjerrë:
- Ti je çmendur moj, dhe ky qënka i lojtur ....do të të shërojë.....ha, ha ....posi..... do të të rrëmbejë…le të guxojë...ku do shkosh ....ku do shkosh ?...-dhe me bishtin e fshesës që e rrëmbeu sa hap e mbyll sytë na u vërsul të dyjave që u mblodhëm grusht në qoshen më të largët të banjos, duke mbuluar kokat me duar .
- Aha, le të guxojë, s'kam vdekur unë…të turpërohem unë...të bëhem gazi i botës unë..- dhe përplasi derën duke dalë .
Jashtë kish filluar një shi i ngadaltë, litarë litarë, që kërcente me pika të mëdha mbi pellgje që sa vinin e bëheshin me të thellë, e mblidhnin tek tuk gjethe gjysëm të zverdhura të mëdha, të shtrira....Pasi s'po dëgjonim me zhurmë, të shara, ngadalë u ngritëm të shihnim jashtë. Në mes të turbullimit, përmes xhamit ....shiut....lotëve pamë që ai ish akoma atje ...me flokët e ngjitur, qull...në mes të shiut ....mbështetur mbi biçikletë ...i vetëm në mes të rrugës së shkretë
Tina shpërtheu në lotë me gulçe që po i zinin frymën, fshinte sytë, hundët, gojën..lotet që po i pikonin si pika të mëdha shiu, i fshinte me pëllëmbët e mëdha të duarve që i dridheshin.
Djali u drejtua. Na pa, nxorri diçka nga xhepi, e puthi, dhe i zgjati duart në drejtimin tonë, e i mblodhi më pas si të shtrëngonte e përkundte një fëmi të vogël në gji.....
Tina e shihte mes lotësh dhe qeshte dhe qante dhe i dergonte dhe ajo të puthura në ajer, pa pushim .
- Sa pa fat jam, sa pa fat jam ....- qeshte e qante me sytë ngulur tek djali që përkundte në duart e zbrazta dikë që ish larg, mbyllur pas xhamit, pas litarëve të shiut ..aty ngjitur me mua...
- Jo, jo, ti je me fat, ti je me fat - i përgjigjesha unë me gjithë zëmër. Qaja dhe unë, fëmija që s'dinte ç'është dashuria ..dashuria që s'dallon, por prek këdo ..dhe të varfër dhe të marrë ....dhe të sëmurë dhe të vrarë ....mjaft të kesh zemër e frymë....
- Je me fat, je me fat - përsërisja dhe e di që nuk ia thosha ashtu kot që të mos qante, nuk ja thosha se gënjeja ...Ja thosha se e besoja që ish ashtu. Dhe tani pas kaq vitesh e besoj po me atë forcë dhe e di që kisha pasur të drejtë ...Ajo shoqja ime e sëmurë ish njeriu më me fat që kam njohur..
Atje jashtë në shi ...dikush rrinte gozhduar e s'ikte...qante për të ....e perkundte ndër krahë nga larg ....e puthte ...me afsh e zjarrmi nga larg....Ashtu, në kushedi ç'cep të trurit në atë buzëmbrëmje të largët, më kujtohet se si unë shpresova me zili, me turp, pothuaj fshehur dhe nga vetja ime, qe një ditë të shihja dhe une dy sy që te përgjëroheshin, qanin për mua, në shi....në mes të rrugës ..Më duhej vetëm ca kohë ..ca muaj ...vite ....me të më ndryshuar dhe mua ai kraharori dërrasë, dhe të behej si i Tines....i fryre, i plotë ......Ah, sa herë me padurim, fshehurazi kontrolloja tek lahesha ato thumbat e vegjël që as s'ndryshonin, as fryheshin e as rriteshin......
Me vjen te qesh hidhur tani. Kurrë s'takova sy të qanin ashtu për mua ....Le të ishin të marrë, le të ishin të plakur ....vetëm të qanin për mua...ç'dhuratë e fatit do ish ...Vallë të kenë qarë e unë kurrë s’i pashë? Valle do qajnë kur unë s'do të jem më? Ku ta dish ...sa të ndryshëm janë fatet. Sa ndryshe ish fati im ....A mbase ndodhi keshtu për mua se pikërisht atë mbrëmje, atje pas xhamit e ndjeva sa fort rrëzohesh e vritesh kur fluturon lart e dashuron pa fre ?
Ku ta dish ....Po pse atehere te qaja dhe unë në heshtje, pas xhamit, në ato banjo te ngushte.....Qaja dhe unë me ca lotë që rridhnin vetë, si shiu, ngadalë, ngadalë, qaja për Tinen që ish mbërthyer në fatin e saj, mbi këmbet e saj të sëmura...Të ish rastësi që atje një i panjohur muaj me parë, ta donte tani si i marrë, të ish rastësi që kish një nënë aq të egër, të ftohtë, të gjatë dhe të zezë, që s’e perkëdheli kurrë .....Te ish rastesi që unë isha atje pranë saj dhe i shihja të gjitha ? Ku ta dish ...
Qaja dhe akoma nuk e kuptoja pse të mos vraponte, të merrte shkallët, të zvarritej e te çirrej nëpër parvazë, mure, si kurrë më parë, të ikte....të ikte ....të vraponte tek dashuria e saj qe e priste jashtë pa u lodhur.....edhe se po bëhej natë, edhe se po binte shi.....pse të mos ikte ? Qaja dhe për bohçen e bërë gati orë më parë, qe tani ish varur me kokë mënjanë, mbrapa derës, e harruar, e mjerë, ajo bohçja e gëzuar, e mbushur me shpresa, gëzim që s'u jetua kurrë, jetime e harruar, fat i paprovuar....guxim i ndalur....
Pse te mos ikte....Dashuria ish atje, kaq afer....mu në anë te rrugës....po priste ....Pse te mos ikte ?
Por atë ditë, atje pas murit të banjos qava dhe për Elin, nenen e Tines. Kur qan, çdo gjë squllet, si në një sfungjer, dhe inati, frika për Elin, u kthyen dalëngadalë në një mëshirë të vaket, të njomur nga lotët. Po, po, e pranoj atë natë qava dhe për të. Aq e ndryshme nga jashtë, me njerëzit e rritur të mëhallës, që kur e shihnin tek ecte me kokë lart, ashtu pa fjalë , krenare, tek tuk duke buzëqeshur si me merzi, pëshpërisnin me admirim kur ajo largohej ,deri dhe ime më thosh shpesh për të :
" Eshtë kapedane, po rrit një fëmijë sakat që nuk i mungon gjë, pa burre, po e rrit me nder, me mundim".
Unë që e shihja nga brenda, e dija se sa mizore, pa zemër, si e mundonte, e shante Tinen orë e çast. Atë nate, ajo Eli e dyzuar, Eli për sytë e të rriturve dhe për sytë e mi, u kthye në një, dhe papritur kur ajo po tundte fshesën mbi kokat tona, në një moment jashtë frikës, tek ia ngula sytë mbi fytyrën e rrudhur, të vrarë, me ca rrathe të zinj poshtë syve, një pyetje më befi në kokë s'di nga ku : " A të ketë qënë ndonjëherë fëmije, apo të ketë lindur kështu siç është tani, kaq e gjatë, e thatë, mbi këto dy këmbë te medha si lopata, si këmbë burri, me këtë çehre të sëmurë, me këto rroba të zeza që s’i nderronte kurrë.... A të ketë qënë ndonjëherë fëmijë?"
Dhe se si mu shtrëngua zëmra për të nga dhimbsuria, si të shihja papritur atë vetë, sakate, të gjymtuar dhe jo Tinën, të gjymtuar në mes ne të dyjave, që dhe gezonin dhe qanin ....të gjymtuar...të mbaruar....në jetën e vet pa njëri ....pa dashuri....ku vetëm një dritë e keqe xhelozie dhe dinjiteti qesharak e për dukje e mbante akoma gjallë....
Pas kaq e kaq vjetësh, e njejta ndjenjë dhimbsurie më ka ngelur akoma për Elin. Të ish vetëm ajo shkaktari që e ndaloi Tinën, e friksoi, iu kanos ..e mbylli me çelës, ia preu jetën, dashurinë në mes? Po të mos ish ajo atë natë, po të mos kish marrë vesh, ditur gjë, po të kish ardhur me vonë a do ish nisur Tina vetëm nëpër natë me bohçen në dorë drejt të panjohurës , drejt dashurisë ?
Tina me një të kërcyer të brrylit, me atë forcën që kish, dhe Elin e tmerrshëm mund ta kish plasur në korridor dhe të ikte, nga sytë këmbët, të linte pas gjithshka. Në atë çaste kur çdo gjë priste, ngrirë në kohë, i duhej veç një hap, në prag, të ngrihej lart mbi ujë, e të shkonte e të digjej tek dielli i saj, sa të kthehej në pluhur të artë.....një shtytje, një fjalë, një hap......Ç'e ndaloi, ç'dyshim, frikë, forcë e keqe, fjalë e mbajtën atje ngulur pas xhamit, aq fort ?Pse nuk ikte? Vallë nuk e donte aq shumë? Ajo nuk iku atë natë , atë natë që vendosi fatin e saj, të mbetej fundosur përgjithnjë nën ujë, nën një ujë të ndenjur, pa diell, pa dritë, në ditë të njejta, të hirta.....të jetonte si të mos jetonte kurrë.....
A nuk është një jetë pa dashuri , një jetë e tërë e shkuar dem?
Mos më thoni që ka njëri të mos ketë parë diellin e vet. Diell që jepet siç jepet dashuria vetë, pa çmim, pa dallim, pa kushte, sado fatkeq të jesh, vetëm se në një kohë që ti kurrë s’e pret, që mbase është shumë herët, a mbase tepër vonë, në një kohë kur të duhet të guxosh deri në marrezi që të jetosh....e ca çaste hezitimi, të kushtojnë aq shumë, se për dreq kjo jetë e varfër nuk të jepet veçse një herë dhe është aq e shkurtër , të kushtojnë aq shtrenjtë e të mbetet pas për tërë jetën vetëm pendim, zymti e brerje ndërgjegjje, tek dielli largohet të ngrohë të tjerë, që presin, që janë kaq shumë, që guxojnë më shumë, që sakrifikojnë, që dinë të flijohen për dashurinë e tyre të vetme.....
Une, isha berë më e heshtur se bohçja me rroba dhe vetëm qaja pa zë ashtu mbledhur pas murit të banjos....për vehten time. Atë natë si të isha rritur papritur, qava me një dhimbsuri, admirim e miresi të dremitur, të ngrohtë për veten time që s'e kisha ndjerë kurrë më parë.


***********

Ditë me shi, pa pushim...pa nderperje. Ai erdhi të nesërmen në të njëjtën orë. Kish hedhur një shall të leshtë në qafë. Erdhi prapë pas dy ditesh. Erdhi prapë e rrinte atje në të njejtin vend.....Priste lagur në shi, mbi biçikletë ....me orë të tëra, mbledhur supet e dobta nën shiun që e lagte pa mëshirë, me duar futur nën sqetulla, me sy të ngulur nga ballkoni që s'hapej...e s'hapej....
Pas një jave nuk e pamë më. Dikush tha që kish marrë të ftohtë e ish në spital. Dikush tha se ish çmëndur....dikush se ish martuar....dikush se kish vdekur.... Kurre me s'morëm vesh gjë të saktë për të........
**********
Kanë kaluar me se tridhjetë vjet nga ajo kohë . Tina nuk është më si atëhere, eshtë shendoshur shumë sa mezi leviz. Flokët i janë ralluar, thinjur në tëmtha, ato faqet dikur plot shëndet i janë varur poshtë, zverdhur e enjtur....Ja qe ndodh që dhe kur s'je veçse dyzet -dyzetëpesë vjeç fillon të plakesh....mblidhesh, thinjesh ...rrudha të imta e te thella shtohen përditë....ca rreth syve, ca rreth buzëve pa gjak...dhe prapë ..po ashtu si dikur...gishtat s'i pushojnë së qepuri ..së bëri grep...ato kuadratat me mbushje...mbulesa që dhe pse s'i do, s'i ble më njeri, Tina i thurr e i thurr prapë...copë...copë.. ditë....ditë ..si te lërë ashtu pa e ditur as vetë ca shënja në atë ishullin e saj të harruar... atje ballkonit...vetëm..larg botës.....si ndoca shënja në rërë qe ja dhe për ca kohë do te shpëlahen, fshihen nga valët në breg.....ne atë ishullin e saj të braktisur...sikur të mos ishin kurrë...
Nuk del më nga shtëpia, ngrihet në mëngjez, e ngryset në darkë, shtyn verën e pret dimrin....Lëviz nga guzhina në banjo, nga dhoma në ballkon.....E ëma është plakur e mbledhur një grusht, ashtu e tharë, me po ato rroba të zeza që s’i hoqi kurrë, e ka tani ca syze të mëdha mbi hunde, si kukumjaçkë.
- Më ngordhe për të ngrënë - i therret e Eli me zë si pushkë që nuk I ka ndryshuar fare.
- Sapo hëngre, harrove?- dhe Tina i sjell kafen duke tërhequr këmbën zvarrë....
Ndonjëherë kur bie shi e s'pushon, e qielli mbytet e gropat e rrugës mbushen plot...Tina ngul sytë e humb atje përballë ....si të presë të çfaqet një biçikletë e dy sy të të turbullt që dhe e shohin dhe humbin dhe qajnë dhe e puthin ...Por atje s'ka njëri ...atëhere hap kutinë e vogël prej druri. Nxjerr atë fotografinë e zverdhur e sheh ,e sheh në heshtje....
- Ç'sheh ashtu ?- picërron sytë e ëma që s'e duron atë heshtje të gjatë.
- A ç'më çan kokën ....- i kthehet Tina, me inat si të paguaj ca borxhe të vjetra mbrapsht në kohë, a mbase ashtu thjesht pa kuptuar është kthyer në Elin vetë. Por më pas me dhimbsuri si t‘i flasë një fëmije të vogël i kthehet :

- Pije, pije kafen. Ta kam berë të mirë ?
- Eh, farmak, lëng gështenje ....
******
Lagjja është po ajo....vetëm se pallatet duken tani të zvogëluar, të shtrëmbëruar, të hirtë, të palyer, të pluhurosur nga pluhuri e të rrjepur nga shirat....me ballkonet e vogla si kuti... Fëmijët e dikurshëm tani janë rritur e bërë burra që s'kanë ku të punojnë, burra me mjekër të parruar, tek tek ndonjë fije e rrallë e thinjur shquhet ..si ca fije bari të thara, të mbetura aty ketu mbi tokën e plasaritur ....burra me sy me qeska poshtë, sy te enjtur nga të pirët e kafeve e të lozurit deri vonë nëpër bilardo.
Hysa ka kohë që ka vdekur. Disa komshinj të rinj, pas ca vitesh u ankuan dhe ai perfundoi në çmëndinë ku vdiq pa mbushur muajin. Që nga xhamia e ndertuar afër pallatit " Allah..." shpon qetësinë e lagjes qe pa gdhirë akoma. Fëmijë pothuaj nuk ka fare, kanë ikur..të gjithë kanë ikur...në kurbet...larg....Tek tuk me nje shpejtësi plumbi vjen e humb sa të hapësh e të mbyllësh sytë ndonjë makinë, që e ngre pluhurin havadan e lë pas një re të zezë,të dendur tymi me një uturimë të gërvishtur që shuhet larg.
Nëpër ballkone duket ndonjë kokë e mbështjellë me shami të zezë a të bardhë plake që shikon në heshtje....me nge...si rrënojat e fundit, të mbetura si për çudi akoma gjallë, të një kohë të largët......
Une?
Unë jam larg, larg që atje ...në një vend tjetër të ftohtë, mbërthyer në këtë dhomë spitali, mbetur vetëm me kujtimet e mia dhe po pres të kthehem në pluhur ... Dhe se pse më vjen keq papritur që dhe këto kujtime të gëzuara, të trazuara, plot diell e lotë do humbin e kthehen në pluhur bashkë me mua, si ca zogj të ndryrë brënda në mes katër mureve të kesaj dhome spitali, të ftohtë e të bardhë....që bëjnë të dalin e s'kanë se si.
Po i mbledh me ngut t’i marr me vehte, ashtu rrëmujë, se koha s'po më premton, apo mbase do mbeten ketu, edhe kur une të iki. Kur dikush të vije të hapë pak dritaren e pastrojë, do fluturojne jashte, kushedi në ç'zemër, në ç'kohë, tek njerëz që as i njoh....e që ndoshta nuk do me njohin kurre...

Polikseni Ninka ( Sterjo)



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •