Netëve
| Monday, 06.18.2007, 09:04 PM |  

Fragment

'...Shpesh herë zgjohem netëve. Dua të fle. Kujtimet më buisin në kokë. Shikoj draprin e hënës. Ajo varet si një hajmali në gjoksin e qiellit. Jam vetëm me hënën përballë, kaq larg e kaq afër njëri-tjetrit. Dua të zgjas dorën, të rrëmbej draprin e saj dhe të korr kujtimet. Pastaj të fle, të fle… Por, duke kaluar nëpër llagëmin e thellë të natës, vjen frymëzimi. Ai vjen tek unë në mënyrë tinzare, prek si me shkop magjik, kujtimet dhe ato hedhin valle para syve të mi. Dua të thërras në ndihmë, megjithë mushkëritë e mia, gjumin, harrimin. Po ndjej një shtrëngim në gjoks. O Zot! Përse u dashka të rijetoj ato që kam jetuar? Përse u dashka të vuaj sërish ato, që i kam vuajtur njëherë? Mbyll sytë. Po vallja e kujtimeve sillet rreth meje më kryeneçe dhe ironike. Ajo ironizon dëshirën time për gjumë, për harrim. Ajo më sugjeron vetëm një zgjidhje: të kap stilolapsin dhe të shkruaj. Kujtimet nuk duan të vdesin. Në botë çdo gjë vjen një moment dhe vdes. Për mua ky është një moment dhe vdes. Për mua ky është i vetmi ngushëllim. Po kujtimet, duke mos pranuar vdekjen, mohojnë këtë ngushëllim. Ndez dritën. Shikoj pezhishkat e merimangave të varura nëpër qoshe. Vetë nata është një merimangë e madhe dhe unë përpëlitem në pezhishkën e saj. Siç duket kujtimet e dinë këtë, prandaj më nxisin t’i hedh në letër, që të mos vdesin bashkë me mua. Unë orvatem të shkruaj. Hajmalia e hënës që varet në gjoksin e qiellit, sikur varet dhe në gjoksin tim. Kujtimet braktisin vallet dhe vërshojnë mbi letrën e bardhë. Unë dua që të kenë durim, të mbajnë radhë, ashtu siç kishim durim në burg, kur na numëronin rojet, kur ktheheshim nga puna rraskapitëse, ashtu siç mbanim radhë me tasin në dorë përpara kazanit me lëtyrë…'



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:




  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •