Le te jem une Zamira
| Monday, 06.18.2007, 09:14 PM |  

Fragment

Fjala "Lamtumirë" dhe zëri i Lorencit ditën e fundit kur ata u ndanë, Zamirës i rrinte si vëth, i varur në veshin e kujtesës. Megjithëse kishte kaluar njëfarë kohë, nuk e kishte të lehtë t'i shkëputej nga mendja. E donte, ndjente për të. Nganjëherë edhe i ndizeshin shpresat, sikur Lorenci një ditë do të vinte përsëri, do të harronte gjithë atë të kaluar disi të trishtë dhe ata të dy do të fillonin përsëri rindërtimin e jetës së tyre. E kishte marrë shumë malli. Ah sikur vetëm njëherë ta shihte, qoftë dhe nga larg, vetëm ta shihte njëherë dhe nuk do të donte gjë tjetër nga kjo jetë! Por e gjitha kjo i dukej si një shpresë e pakthyeshme, një pamundësi.
- "Lorenci nuk ka faj. Faj ka ai, maskarai, Aureli. Aureli që më donte dhe e doja! Apo kam unë faj? Edhe unë kam faj! Pse kam faj?! Sepse dashurova një djalë? Pse dashurova dhe një tjetër, vetëm e vetëm për të jetuar në kryeqytet? A mund të bëja tjetër gjë, në kushtet kur e drejta e njeriut për të qenë banore e kryeqytetit pengohet nga qindra ligje dhe psikoza shtetërore?! Ah, të drejtën për të jetuar në Tiranë nuk ma japin ligjet e shtetit ku jetojmë... Atëhere çfarë faji kam unë?! Pastaj unë e doja Lorencin, akoma e dua, madje dhe më shumë... Por...
Aureli u bë shkaktari i prishjes së fejesës sime...! Ky djalë i ri i vendit tim me ndjenjat e moshës dhe të rinisë së këtij vendi, me egoizmin dhe kryeneçësinë, si vetë moshatarët e tij që rriten e jetojnë në këtë vend, që dashurojnë në këtë vend, që vrasin një dashuri dhe e groposin pa pikë delikatase në këtë vend, ku varrosen të gjitha gjërat e bukura.
E unë Zamira, një vajzë e këtij vendi, - ish shoqja e tij, - ish e dashura e tij, nuk paskam të drejtën të jetoj, të dashuroj, të ndërtoj jetën time, të ardhmen time, vetëm se paskam qenë e dashuruar më parë!? O Zot, farë absurditeti! Ligji i Shoqërisë së këtij vendi ku unë u linda e u rrita, si pjesëtare e kësaj shoqërie të sëmurë, po më bën të ndihem dhe fajtore, thjeshtë për faktin se dashurova, qoftë dhe për hir të Tiranës! Po, po! Shoqëri e sëmurë! Një shoqëri, ku djemtë sundojnë mbi ne, vajzat e çarmatosura. Ne vajzat sot nuk kemi fuqinë, as forcën, as mjetin, të mbrohemi nga sulmet e djemve, sepse arma jonë e të qenit femër në këtë vend, nuk mundet dot të shkrepet mbi ata djemë, -ish të dashurit, -ish të fejuarit tanë, sepse akoma nuk është arritur koncepti në vendin tim që një mashkull të ndjehet po aq i fyer para një vajze dhe, më tepër, kur është fjala për të dashurën apo të fejuarën e tij, sa ç'mund të ndjehet e fyer një vajzë para një mashkulli, kur kanë dashuruar më parë.
Cili djalë sot ndjehet i fyer para të dashurës, të fejuarës apo edhe bashkëshortes së tij për dashuritë e tija para martese?! Përkundrazi, ndjehet superior dhe mburravec.
Unë sot në shoqërinë që më rrethon ndjehem një vajzë e ulët, imorale, një grua e ndarë nga i fejuari i saj, pavarësisht se cilët janë kushtet dhe arsyet e kësaj ndarje, një vajzë që më ka mbuluar turpi, një vajzë që më përgojojnë kur kaloj në rrugë, ... një vajzë ... që jeton në një qytet të vogël, ku egoizmi dhe thashethemet janë biseda e parë e ditës. Unë jam një vajzë që ndihem keq dhe me veten time, për hir të një flirti rinie, një dashurie të mbetur në rrugë, një fejese të pakonsumuar, një ëndrre që u kthye në zhgjëndërr! Pse, kaq pak vleka dashuria dhe jeta, sa të mbetet vajza peng i një historie ose i disa historive që i kanë ndodhur në kërkim të lumturisë?
Le të jem unë Zamira, viktima e radhës e kësaj shoqërie të sëmurë e këtij sistemi, ku më mohohet e drejta e të dashuruarit, e të jetuarit, e të banuarit në kryeqytetin e atdheut tim...
Le të jem unë Zamira, viktimë e kësaj shoqërie, mbeturinë e ndërgjegjes së njerëzve të sëmurë... Po a meritoj këtë fat!? Sidoqoftë... Le të jem unë Zamira!...



(Votes: 4 . Average: 4/5)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •