Bir Selmani i nënës...
| Monday, 06.18.2007, 10:48 PM |  

{Pjesët janë shkëputur nga publicistika e Petro Markos e vitit 1936, e shkruar pak kohë para zgjedhjeve parlamentare. Ato janë botuar në organet e shtypit "Arbëria" dhe "Vatra". Ajo që të bie në sy, është se sa pak kanë ndryshuar kohët, ose më mirë deputetët}.

Bujaria e deputetit

Një hallexhi erdhi në Tiranë. Kishte ardhur edhe herë të tjera, disa muaj më parë, por s'ia kishte vënë njeri veshin. Iu lut deputetëve të krahinës së vet që ta shoqëronin gjer në ministri, por ata, të zënë me plot punë të tjera, u mjaftuan duke i dhënë vetëm kartëvizita për kopistët e arkivistët. Këtë radhë, hallexhiu, s'kishte nevojë për njeri. Por të tjerët kishin nevojë për të. Kur ai po shkonte në ministri, i pari deputet i krahinës së vet që e takoi, desh ta shoqëronte:
-O, mirë se erdhe Mehmet Aga!
-Mirë se të gjeta, bej.
-Ku po shkon kështu?
-Ja gjer në ministrinë e...
-Po si bëhet, mor jahu, që nuk më ke thënë mua? Unë do të bëj ç'të mundem, për të të plotësuar dëshirën. Ti e di se sa jam kujdesur për popullin që përfaqësoj.
-Po, mor tungjatjeta. Të faleminderit, por mundem ta kryej vetë këtë punë.
-Jo, xhanëm, si do ta kryesh vetë? Duhet të kesh me vete një deputet, kur shkon te ministri. Përndryshe s'të dëgjohet fjala.
-Të faleminderit, por...
Katundari desh t'ia thoshte se s'kishte nevojë për të. Mirëpo deputeti nuk e la të mbaronte fjalën. E kapi për krahu që ta shoqëronte në ministri. Hallexhiu, s'kuptonte pse janë bërë kaq të mirë deputetët këto vitet e fundit... (Se afronte koha e votimit dhe deputetët kishin nevojë për votën e tij. Shënim i autorit).
Si do të priten deputetët
Më falni dhe mos e merrni për ters, mor jahu, se deputetët tanë s'priten kollaj. Fjalën e kam këtu, se qysh tani bëhen përgatitje të mëdha, për të pritur "baballarët" triumfonjës, se e plotësuan mirë detyrën e tyre.
-Nga t'ia mbajmë? I thoshte pardje një deputet sivëllait të afërt.
-Them t'iu bëj një telegram që të dalin dhe të më presin, se unë e di që ushqej simpati të madhe në popullin bujar të qytetit tim.
-Po, po, e kam marrë vesh. Unë mendoj se ku do ta shkoj verën, se që të vete në fshat nuk guxoj, vallahi të them. Dikush më shkroi se janë bërë gati të më presin me saze e gërneta. Unë s'vete se e di që do të më futin në valle... unë mezi lëviz e jo të kërcej. Dhe u mbetet hatri, kur s'kërcen me ta. Atëherë thonë: "Ky s'pranon", dhe hajde në vjeshtë t'u marrësh ndonjë votë. Meazallah, se s'u bën qejfin, të lënë fare...
Prandaj, do të preferoj që të shkoj jashtë dhe të mos piqem fare me asnjë. Se dije, që të çmohesh shumë, mos para eja në kontakt me ta se të njohin. Se më duket, më dolli kripa më, mor katran.
-Kam marrë vesh, shtoi një tjetër, që kudo bëhen pritje të mëdha. Gjithë atdheu është në lëvizje.
-Mor mirë thua ti, ia priti tjetri, unë kam kohë që lloisem se ç' këmbë do të hedhim të fundit atë ditë të zezë që do të dalim përgjithmonë nga kjo vatra jonë e shenjtë. E vras mendjen mor jahu...
-Jo, mor të vraftë. Për këto lloisesh ti? Po të hedhësh të djathtën, atëherë mot ishalla, do të jesh i partisë së djathtë, e po të hedhësh të mëngjrën, do të jesh i së mëngjrës.
-Ç' janë këto që më thua. Kalama jam unë, apo rezervist që do të më bësh mua talim. Unë them që po të hedhësh këmbën e djathtë do të presin mirë mileti. E po të hedhësh të mëngjrën do të të nxjerrin avaze. Këtë e kam kënduar në "Kujtimet e Nastradinit".
Ndërsa në Tiranë bëhen këto bisedime, ndër katunde dhe qytete përgatisin, pritje të mëdha. Ndër disa vende thonë se do të bëjnë "arco di trionfo" nga do të kalojnë baballarët e kombit, të cilët, në zgjedhjet e ardhshme do të emërohen jo gjyshërit, por stërgjyshërit e kombit.
Importimet tona dhe deputetët
Një deputet i ynë shkoi te një dyqan mobiliesh për të blerë një sallon. Këto mobilie bëhen këtu, janë të forta, të mira e të lira. Deputeti s' kishte pëlqyer plaçkat që i dëftuan. Dyqanxhiu i kishte lavdëruar këto dhe i kishte thënë se në Shqipëri s'mund të bëhen më të mira se ato dhe fjalimi kishte vazhduar kështu:
Deputeti: - Pffff... S' më pëlqejnë! Më mirë të sjell nga jashtë një sallon.
Dyqanxhiu: - Po ne me se të rrojmë, kur njerëzia të sjellë nga jashtë mobiliet?
Deputeti: - Po unë dua mall të mirë dhe me që s'ka këtu, do ta sjell nga Vjena.
Dyqanxhiu: - S'kini të drejtë, z. deputet. Me të vërtetë, malli i Vjenës është më i mirë se ai i Shqipërisë. Mirëpo, kjo mund të thuhet edhe për... deputetët. Edhe ne e dimë se deputeti i Anglisë ose i Zvicrës mund të jetë më i mirë se ai i Shqipërisë, por, megjithatë, deputetët nuk i biem nga ato vende dhe kënaqemi me ata që kemi këtu!..

Ata që duan ta marrin vesh se cili është deputeti në fjalë, le të drejtohen në zyrat e "Arbërisë".



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •