Një Emër në katër Rrugë
| Monday, 06.18.2007, 10:50 PM |  


EPISODI I NISJES:
"Rroftë jeta!" Ashtu më dukej sikur përsërisnin ditë e natë, e sidomos natën, kur oshëtima e tyre ishte më e fuqishme, dallgët e detit jon, që përplaseshin në bregun shkëmbor, të fshatit tim Dhrimadhe. Këtë refren të përhershëm të dallgëve të detit jon më dukej sikur shprehnin pa zë dhe fshatarët e mi, se lufta që bënin atë moto kishte: "Rroftë jeta!" . jeta mbi gurë, jeta në dallgët e detit, jeta kur ishte zor të jetoje, zor të dashuroje, zor të ëndërroje dhe zor të vdisje.
Ky refren i pashpallur me zë, me vaj apo me këngë, që pulsi i nxitjes për të jetuar me luftë të ashpër mbi gurë në furtunat që rrëmbenin dhe dheun e gërxheve.
Kaloje nga ndonjë monopat dhe shikoje ndonjë burrë qe ngrinte ledhe për t'i mbushur pastaj me dhè dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ai të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shihje ndonjë grua që bënte dru në pllaja të pjerrëta, gërxhore dhe të zhveshura, se dhitë nuk i linin kurrë xinat, cfakat dhe anticfakat të rriteshin, dhe e pyesje:
- Ç'po bën aty? - Dhe ajo të përgjigjej:
- Ja, luftoj!
Shikoje në prakun e dyerve të oborreve plaka të heshtura që tirrnin duke shikuar detin, detin që u kishte marrë burrin apo djalin, dhe i pyesje:
- Ç'po bëni aty! - Dhe ato të përgjigjeshin:
- Ja, luftojmë!
Shikoje burra, gra, të rinj, e të reja që çanin gurë, që rrëmihnin tokën, që mbillnin agrilidhe apo shartonin nerënxa, që shkundnin ullinj o që kërkonin mbi çatinë se cilën qeramidhe kishte rrëmbyer tramundana e natës, kurrë nuk të përgjigjeshin: "Ja punojmë", por: "Ja luftojmë!" - Lufta ka qëne jeta e tyre. Luftë me të huaj, luftë me urinë, me sëmundjet, me borxhet, me kurbetin, me xhandarin, me vdekjen. Dhe kjo luftë kishte si bajrak refrenin e pashpallur kurrë me zë:
"Rroftë jeta!"
Dhe me luftën e tyre ata mbijetuan! Dhe unë tani që shoh, mendoj e them: ,Mbijetuan, se hodhën rrënjë në gurë dhe u ushqyen me gjakun e gurit..."
Këto mendime mua më kishin larguar nga bisedat e shtruara që bëheshin atë mbrëmje në shtëpinë e Mitro Balit, i cili rrinte në krye të vatrës duke pirë duhan pas duhani, nga ato cigare që i hidhnin njërën pas tjetrës gjitha ata burra që vinin darkë për darkë për ta ngushëlluar e për t'i lehtësuar dhembjen dhe gjëmën e madhe që i erdhi nga miniera e Firminisë për vdekjen nga veremi i djalit të tij, Vangjelit. Aty pleqtë, që dinë shumë gjëra nga jeta, tregonin ngjarje të çuditshme nga bota e gjerë që kishin gjezdisur, aty rriheshin mendime mbi politikën dhe mbi fuqitë e mëdha që kanë fatin e njerëzimit në dorë... Hera-herës zinin në gojë dhe qeverinë e Tiranës, po emrin e mbretit nuk e zinin kurrë në gojë.
Pastaj, si kurdoherë, xha Foti fillonte me qyfyret e tij të hidhura dhe atmosfera ndryshonte fare, bëhej më e lehtë dhe dalëngadalë hiqte nga fytyra e Mitro Balit perden e zymtë të dëshpërimit, bënte të tjerët të mblidhnin këmbët dhe të pregatiteshin për të qeshur. Se, xha Foti, që kishte gjezdisur gjithë brigjet e globit si marinar nën shumë flamuj, sidomos nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që kishte lundruar për dyzet vjet në detin e Karaibeve, kushedi se sa herë e kishte kënduar "Dekameronin" e Bokaçios dhe, pasi asnjëri nga fshatarët e mi nuk dinin se ç'ishte "Dekamereoni" dhe kush ishte ky Bokaçio, të gjitha aventurat, thoshte se i kishte bërë vetë ai, me disa shokë të tij detarë nga Spanja dhe Gjenova e Italisë.
Dhe, pasi kallëzoi një aventurë, të gjithë qeshën. Ky, xha Foti, tani ishte plak, po mbahej mirë me shëndet dhe me humor. Kishte tre vjet që ishte kthyer pa asnjë lek, po me humorin e hidhur të botës që kishte parë. Humori i tij ishte njëra nga pasuritë më të mëdha që mund të sillte një mërgimtar, se në luftën e ashpër dhe të hidhur të jetës së fshatit tonë, më shumë dëgjohej vajtimi se kënga, më shumë mbinte gjembi i urisë se sa blerimi i vjeljes së gëzimit.
Me habinë time dëgjova të merrte fjalën dhe Gjikë Mërtiri, i cili tha:
- [Hodha grepin nga qielli] dhe [nuk kapa as zogj, as re e as yje], [po kapa bishtin e botës së lutjeve] [drejtuar perëndisë nga ara që vanë]. [Dhe qesha siç do të qeshin të nesërmit për mua!].
Kur mbaroi Gjikë Mërtiri, hyri Kolë Dede. Ra heshtja. Ashtu ishte. Kur hynte njeri, heshtja binte për disa çaste, pastaj vazhdonin biseda. Kola ndenji afër derës. I hodhi një duhan Mitros. Dhe unë prita që Gjikë Mërtiri të vazhdonte. Ai tundi kokën dhe, duke shikuar Kolën, e pyeti se kur kishte dalë nga burgu.
- Më mirë të mos kisha dalë! - tha Kola.
- Mirë e ke! i tha duke qeshur Gjikë Argjiri. Gjikë Argjiri shtoi dhe disa fjalë që nuk i dëgjoi njeri. Kolën, pasi nuk kishte paguar borxhin te zoti Kosta, zoti Kosta e kishte hedhur në gjyq. Ishte dënuar me tre muaj burgim. Dhe sipas ligjit, zoti Kosta duhej t'i paguante pesë lekë Kolës për çdo ditë që të mbahej në burg. Po Kola në burg vetëm një lek prishte. Katër lekët e tjerë ia dërgonte familjes.
- Ku ta gjesh këtë që të jesh në burg dhe t'i dërgosh katër lekë në ditë familjes. Mua më ra bretku dhe nuk fitoj një lek në ditë! - shtoi me zë të lartë Gjikë Argjiri.
- Burgu është i rëndë! Pa shikoje se si është katandisur i gjori Kolë! - tha Gjikë Nina - Ku jemi mësuar ne me burgje! Po nuk na pa dielli përditë e po nuk u shtrimë në dyshemenë tonë, vdesim shpejt.
Pasi folën për burgjet dhe për ligjet, për fajdexhitë dhe për borxhet, prisnin të merrte fjalën Gjikë Mërtiri, se Gjikë Mërtiri ishte i vetmi njeri i ligjeve. Ai kishte mbaruar në Francë drejtësi dhe i dinte të gjitha. Ai e kuptoi nga shikimet që i hidhnin, prandaj lëshoi këtë shprehje, nga e cila unë nisa të mendoja ndryshe dhe të shkruaja këtë rrëfirn të vërtetë.
- Kohë të vështira për njeriun e ndershëm ! tha Gjikë Mërtiri.
Kur i tha këto Gjikë Mërtiri, unë e shikova në sy. Ai, me atë fytyrë të bardhë dhe me ato syze pa rrathë, shikonte Kolën. Dhe Kola pinte duhan sikur të ishte në burg.
- Sipas teje, o Gjikë Mërtiri, që ke marrë diplomë drejtësie në Francë, kurse shumica jonë ka fituar veremin nga minierat e Santetienit dhe të Firminës - dhe i hodhi një shikim Mitros - kush është i ndershëm dhe kush pa nder? - e pyeti duke mbledhur këmbët dhe duke u kapardisur Gjikë Argjiri.
Aty për aty unë u hodha një shikim të shpejtë Gjikëve që folën dhe, pasi edhe mua më quajnë Gjikë, Gjikë Bua, qesha me vete. Më pëlqente që adashët të dalloheshin sipas thënies së zotit, gjyshit, se ne gjyshit i themi zot. Zoti ka si detyrë që pas tri ditëve të lindjes së mashkullit në familje të shkojë tek i porsalinduri dhe me një hanxhar apo shpatë të qëllojë tri herë në krye të djepit duke thënë: "T'u ndiftë emri, more bir!" Unë gëzohesha kur dalloheshin Gjikët, se në fshatin tonë Gjikët ishin të paktë dhe nuk kishin ditë shenjtori për mesha dhe të kremte, prandaj priftërinjve nuk u pëlqente që djemtë të pagëzoheshin me emrin që s'kanë shenjtor. Shtatë ishim gjithsej, duke përfshirë dhe Gjikë Bixhilin që kishte vdekur në Rusi, që po përmendej se gjithë paratë që kishte fituar atje gjithë jetën e tij i kishte dërguar në fshat për të ngritur shkollën ku mësova dhe unë. Fytyrën e tij e shihja përditë katër vjet me radhë, se në çdo klasë ishte varur dhe një fotografi e tij e zmadhuar.
Vura re se aty, atë mbrëmje, ishim katër Gjikë. Dy të tjerë, kushedi se nga ishin. Po, të them të drejtën, ata të dy nuk para përziheshin me asnjeri. Dhe siç ish e varfër jeta e tyre, edhe qenia e tyre në fshat nuk sillte ndonjë notë. Sikur të mos ishin fare. Prandaj dhe unë nuk i përmend. Do të merrem me këta të tre që janë këtu dhe patjetër dhe me rrugën e jetës sime për të rrëfyer ngjarjet ashtu siç rrodhën.

Thonë se emri lot një farë roli në karakterin dhe ndërgjegjen e njeriut, po këto unë nuk i besoj. Se ka njerëz me emër të mirë dhe vetë janë të ligj. Ashtu dhe ne të katër Gjikët, me të vërtetë një emër kemi, nga një fshat jemi, po ai diell na ka ngrohur, sytë tanë po atë det kanë parë dhe mushkëritë tona po atë erë kanë marrë, po, siç do ta shihni edhe ju, secili nga ne mori rrugë të ndryshme, dhe me rrugë të ndryshme fituam kafshatën e gojës...



(Votes: 0)

Write Your Comment
Your Name:
Your Email:
Security Code:
Title:
Comment:

Other news:



  • Su
  • Mo
  • Tu
  • We
  • Th
  • Fr
  • Sa
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  •  
  •  
  •  
  •